Shërbimi metrologjik për karburantet dhe gazin drejt dhënies me koncesion

21 Qershor 2018, 10:13Ekonomia TEMA

Këshilli i Ministrave i dha një bonus prej 10 pikësh përqindje propozimit të pakërkuar të kompanisë “Noa Control”-pronari i së cilës propozoi dy vjet më parë edhe koncesionin e mbetur në letër të targave me çip.

Nga Aleksandra Bogdani

Qeveria i hapi rrugën dhënies me koncesion të shërbimit të metrologjisë për karburantet dhe gazin e lëngshëm në Shqipëri, ndërsa miratoi një bonus prej 10 për qind të pikëve në favor të kompanisë propozuese, “Noa Control” sh.p.k.

Vendimi i Këshillit të Ministrave, i miratuar në mbledhjen e së mërkurës parashikon dhënien me koncesion/partneritet publik privat të shërbimit të kontrollit ligjor të instrumenteve matëse për pajisjet e shpërndarjes së karburantit dhe gazit të lëngshëm.

Propozimi ka mbërritur në tryezën e qeverisë nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ndërsa bonusi prej 10 për qindje të pikëve i është dhënë kompanisë “Noa Control” sh.p.k për rezultatin tekniko-financiar në procedurën konkurruese.

“Kohëzgjatja e këtij projekti do të jetë 20 vjet nga data e nënshkrimit të kontratës së koncesionit/PPP,” thuhet në vendimin e qeverisë.

Kompania “Noa Control”sh.p.k është themeluar në prill të vitit 2015 me ortak të vetëm Gentian Sulën dhe ka një kapital prej 100 mijë lekësh. Që prej themelimit të saj, kjo kompani kryen kolaudime dhe për pajisjet nën presion, ashensorët apo pajisje të tjera.

Propozimi për të marrë me koncesion shërbimin metrologjik për karburantet dhe gazin e lëngshëm nuk është i vetmi që Gentian Sula i ka drejtuar qeverisë.  Në vitin 2015, si aksioner me 80 për qind i kompanisë “Porta Saber Albania”, ai i ofroi qeverisë një tjetër propozim të pakërkuar për të marrë me koncesion pajisjen e targave me çip elektronik, por projekti mbeti në letër dhe kompania u tërhoq nga oferta.

Shërbimi i kontrollit ligjor të instrumenteve matëse, i njohur ndryshe edhe si metrologjia ligjore është një ndër tre shtyllat e Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë. Në vendimin e qeverisë që i hap rrugën një procedure prokurimi për dhënien me koncesion të një pjese të këtij shërbimi nuk ka asnjë parashikim financiar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje