“Serbia dhe Kosova debatojnë para bisedimeve të reja në Bruksel”

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Përpara takimit të së dielës midis presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, të dy vendet ende po debatojnë për axhendën e ditës – ndërsa Gjermania ka mohuar që po kërkon zëvendësimin e Federica Mogherinit si kryenegociatore në këtë proces.

Nga Filip Rudic 

Ambasadori i Gjermanisë në Beograd, Axel Dittmann, ka mohuar pretendimet se Berlini dëshiron që shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, të zëvendësohet si organizatorja e negociatave të udhëhequra nga BE-ja midis Serbisë dhe Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve.

“Nuk është e vërtetë që Gjermania dëshiron të zëvendësojë negociatore e posaçme. Dialogu organizohet nga BE-ja dhe Federica Mogherini. Ajo është personi kryesor që përfaqëson Bashkimin Europian,” tha Dittmann për televizionin rajonal N1.

Deklarata pason raportimet se disa vende të BE-së nuk janë të kënaqura me Mogherinin sepse kjo e fundit nuk po i informon ata për detajet se si mund të duket një marrëveshje përfundimtare normalizimi.

Ndërkohë, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi bëri thirrje për një “zgjidhje historike” me Beogradin të mërkurën, kur ai tha se Kosova dhe Serbia duhet të nënshkruajnë një dokument ligjor detyrues mbi normalizimin e marrëdhënieve.

“Besoj se pas 20 vjet bisedimesh, ka ardhur koha për të nënshkruar një marrëveshje historike që do të mbyllë një epokë tragjike shekullore,” tha Thaçi.

Megjithatë, ai e mërziti Beogradin duke thënë se përcaktimi i kufirit midis Serbisë dhe Kosovës duhet të jetë një nga temat e takimit të së dielës, të cilën Serbia e ka hedhur poshtë si çështje.

Zv/kryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj e komplikoi akoma më tej situatën duke thënë se duhet të formohet Asociacioni i Komunave Serbe, që Serbia këmbëngul si përparësi, por në të njëjtën kohë ndërsa Kosova bëhet anëtare e OKB-së.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha të enjten se do të ishte më mirë që askush të mos shkonte në Bruksel të dielën nëse shqiptarët e Kosovës përkrahin këto qëndrime.

“Mbrëmë i telefonova Brukselit dhe u thashë se nëse ky është qëndrimi i shqiptarëve, le të mos humbim kohë duke ardhur në Bruksel,” tha Vuçiç, sipas agjencisë së lajmeve Beta.

Serbia këmbëngul se ajo i ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj që rrjedhin nga marrëveshjet e Brukselit dhe se Prishtina tani duhet të krijojë Asociacionin e Komunave Serbe.

Kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Isa Mustafa, dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç,  nënshkruan katër marrëveshje kyçe në gusht 2015.

Por vetëm një, mbi telekomunikacionet, e cila i mundësoi Kosovës të ketë prefiksin e saj ndërkombëtar të telefonatave, është vënë në zbatim.

Siç raportoi më herët BIRN, tre të tjerat – për energjinë, Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe për urën në qytetin e ndarë të Mitrovicës – janë ende në pritje.

Raportuesi i Parlamentit Europian për Serbinë, David McAllister, i tha të mërkurën në Parlamentin Europian se të gjitha marrëveshjet duhet të vihen në zbatim.

“Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të punojnë për zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura. Themelimi i Asosacionit është përparësi dhe çështja e energjisë duhet të zgjidhet midis palëve,” tha McAllister.

(birn)

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

1 komente në ““Serbia dhe Kosova debatojnë para bisedimeve të reja në Bruksel””

  1. says:

    Do i jep një dru të mirë Zvicra sporrdhjakve sllave

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *