The Guardian: Shfrytëzimi i fëmijëve, shifra të shfrenuara në industrinë e duhanit

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Cigaret që shiten në Shtetet e Bashkuara, Europë apo gjetkë përmbajnë gjethe, të prodhuara në kushte të vështira nga fëmijët, të cilëve iu reduktohen mundësitë e jetës dhe shkollimit.

Puna e fëmijëve në fushat e duhanit është në shifra të dala jashtë kontrollit në vendet më të varfra. Konstatimi vjen nga një investigim madhor i gazetës së përditshme britanike, “The Guardian”që tregon se fëmijët shfrytëzohen, pavarësisht pretendimeve të kompanive shumë-miliardëshe se po e sistemojnë këtë çështje.

Të dhëna nga tre kontinente tregojnë sesi fëmijët 14 vjeç e poshtë nuk dërgohen në shkollë dhe punësohen në punë fizike të vështirë, e ndonjëherë të dëmshme, për të prodhuar gjethet e duhanit që mbushin cigaret e shitura ndërkombëtarisht, përfshirë Britaninë e Madhe, Shtetet e Bashkuara dhe Europën.

Familjet janë të ngecura në një varfëri që shkon brez pas brezi ndërkohë që pagat në nivelet e larta të industrisë shkojnë me miliona dollarë në vit. Kompanitë thonë se ato e monitorojnë shfrytëzimin e fëmijëve për punë dhe i heqin ata nga fushat që të shkojnë në shkollë, por ekspertët thanë për gazetarët e “The Guardian” se numrat po shkojnë përpjetë dhe nuk po reduktohen, ndërsa kultivimi i duhanit po njeh rritje në Afrikë dhe në Azi.

Pasojat për fëmijët zgjasin gjithë jetën. “Doja të bëhesha infermiere”, thotë një vajzë 14-vjeçare në Malaëi, e cila i kalon ditët duke pastruar barërat në fushë nën një diell përvëlues me një shat të rëndë.

Familjet nuk shohin mundësi tjetër, përveçse të dërgojnë fëmijët e tyre në fusha me punë të papaguar. Shumë janë në borxhe me pronarët e tokave dhe shfrytëzuesit e tyre dhe duhet të qëndrojnë nga një sezon në tjetrin, pa mundur ta thyejnë dot ciklin e privimit.

“Asnjë veprim efikas nuk është ndërmarrë për të ndryshuar këtë skenar”, thotë Vera Da Costa e Silva, kryetare e sekretariatit të Konventës për kontrollin e Duhanit në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, një institucion kyç që sistemon një industri që vret më shumë se 7 milion njerëz në vit. “Ajo që ndodh është se kultivimi i duhanit jep përfitime të mëdha të industrisë, por sjellë të ardhura shumë të vogla për vetë rritësit e duhanit”.

Një punëtor i vogël në fushat e duhanit në Santiago, Meksikë. Kompanitë e duhanit thonë se po bëjnë çdo gjë që munden për t’i dhënë fund shfrytëzimit të punës së fëmijëve.

Por, është një skandal për të cilin kanë përgjegjësi direkte kompanitë shumëkombëshe, thotë ajo. “Ka një barrë të dyfishtë – barra e punës së fëmijëve dhe barra e punës për një produkt vdekjeprurës që së fundmi, ndikon edhe vetë fëmijët”.

Silva thotë se rreth 1.3 milion fëmijë në vit punonin në fushat e duhanit në vitin 2011, dhe, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës të OKB-së, numrat po rriten me shtimin e kultivimit të duhanit nga vendet që ia dalin më mirë tek ato më të varfrat.

Ky numër ra midis viteve 2000 dhe 2013 në Turqi, Brazil dhe Shtetet e Bashkuara, thuhet në raportin e organizatës në shkurt 2017, por u rrit në vende të tjera, si në Argjentinë, Indi dhe Zimbabve.

Duke parë se puna e fëmijëve në bujqësi është më e shpeshtë në vendet me të ardhura të ulëta, raporti i organizatës Ndërkombëtare të Punës thotë se “ky ndryshim në prodhim mund të rezultojë me rritje të shfrytëzimit të punës së fëmijëve në prodhimin e duhanit. Edhe pse nuk ka vlerësime për numrin e fëmijëve duhan-rritës në nivel global, vëzhgimet tregojnë se në komunitetet e varfra që kultivojnë duhanin, puna e fëmijëve është jashtë kontrollit”.

Nga investigimi i “The Guardian” rezultoi se fëmijët në Malawi hiqen nga shkolla për të pastruar fushat e duhanit nga barishtet dhe për të mbledhur gjethet, pasi prindërit jetojnë në varfëri ekstreme. Disa familje që jetojnë në kasolle kashte nuk paguhen fare për 10 muaj derisa duhani të shitet pas vjeljes. Ata jetojnë me një përzjerje misri që mundësohet nga pronarët e tokës dhe duhet të punojnë për ta mbuluar atë, shpesh këtë gjë e bëjnë fëmijët.

Në Meksikë, “The Guardian” pa fëmijë që punonin në shtatë nga dhjetë plantacionet e vizituara, në mars në rajonin Nayarit, pavarësisht progresit të bërë nga industria dhe qeveria për të menaxhuar problemin e për të mbajtur fëmijët në shkollë.

Në Indonezi, “The Guardian” vizitoi komunitetet bujqësore të duhanit në Lombok dhe bisedoi me fëmijët që punonin aty, përfshirë një 14-vjeçare që tregoi për problemet shëndetësore në kraharor të familjes së saj për shkak të punës në fushë.

Departamenti Amerikan i Punës liston 16 vende ku fëmijët dyshohet se punojnë në sektorin e duhanit. Organizatat e të drejtave të njeriut përfshirë Human Rights Watch kanë dokumentuar punën e fëmijëve në fushat e duhanit në Bangladesh, Kazakistan, Indonezi, Brazil dhe më së fundmi, në Zimbabve.

Ekspertët thonë se çmimet shumë të ulëta që u paguhen fermerëve në vende si Malawi e bëjnë të pashmangshme, punën e fëmijëve.(tesheshi)

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *