“Si mund t’i thuash prindërve ta vranë djalin mafiozët?”, PD përgjigje Ramës: S’është skenar fantazie, është vrasje mafioze

Deputeti Edmond Spaho i është përgjigjur kritikave të kryeministrit Edi Rama i cili i cilësonte si skenarë makabër dhe fantazi akuzat e opozitës lidhur me vdekjen e shoferit të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Spaho thotë se shefi i qeverisë ka marrë rolin e kryeprokurorit dhe se ngjarja është zbardhur nga opozita.

Pas publikimit të hetimeve personale të ish-kryeministrit Berisha, Partia Demokratike ka vijuar të hedhë akuza ndaj qeverisë “Rama”.

Edhe pse ende nuk janë përmbyllur hetimet, “selia blu” e ka konsideruar këtë si një ekzekutim mafioz të lidhur me pushtetin.

“Këto 5 vjet në pushtet Edi Rama ka mohuar çdo skandal që implikon atë dhe qeverinë e tij në krim!

Edi Rama quajti skenar fantazie edhe transportin e  droges me avionë.

Ai tha se kriminelet në Parlament dhe bashki ishin skenarë makabër të opozitës.

Kanabizimin e vendit Edi Rama e quajti njësoj si sot, skenar fantazie makabër.

Përfshirjen e Saimir Tahirit me Audin e tij AA 003 GB në trafikun ndërkombëtar të drogës bashkë me Habilajt, Edi Rama e cilësoi skenar kriminal të opozitës.

Edi Rama mohoi për 5 vjet dënimin e Agron Xhafës, vëllait të Ministrit të Brendshëm, për trafik ndërkombëtar droge.

Tani, po mohon, me të njëjtat fjali, përfshirjen e Taulant Ballës, në pastrimin e parave të drogës me çështjen e 3.4 milionë eurove, të kapura në Toyota Yaris vetëm pasi u denoncuam nga opozita.

Mohimi i këtyre të vërtetave e la Shqipërinë jashtë Europës! Sepse më vend të së vërtetës dhe të Europës, Edi Rama zgjodhi Saimir Tahirin, Fatmir Xhafën, Taulant Ballën, bashkëqeverisjen me krimin dhe drogën, duke tradhëtuar interesat e shqiptarëve.

Me Edi Ramën kryeministër dyert e Europës do të vazhdojnë të jenë të mbyllura edhe Qershorin tjetër.

Edhe për faktin se, për të fshehur një vrasje mafioze, Edi Rama ka marrë publikisht rolin e kryeprokurorit, duke paracaktuar se vrasja mafioze ishte vetëvrasje me 3 plumba”, tha Spaho. (TemA)

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...