Me sytë nga gjykatat: Abuzimet e kontratave koncesionare shpresohet të ndalen me një mënyrë të re

Nga Fatjona Mejdini

Në mars të vitit të shkuar, kur disa shpallje të ngjitura në shtyllat e energjisë elektrike në fshatin Vërri, rreth 12 kilometra në verilindje të Fierit, do t’iu kërkonin banorëve takim, asnjë nuk e kishte menduar se nga ky çast jeta e tyre do të përfshihej në një spirale pasigurie.

Por, shumë prej tyre e ndjenë këtë, pasi shkelën në pragun e një lokali fshati, ku përfaqësuesit e një kompanie të panjohur, iu kërkuan mbështetje për ngritjen e një inceneratori që do të digjte mbetjet e qarkut të Fierit në më pak se 1 kilometër distancë nga shtëpitë dhe tokat e tyre.

Landi Golemi, një banor i zonës që merret me bujqësi, kujton se së bashku me 60 të tjerë, pasi kishin dëgjuar arsyen e takimit, ishin larguar të revoltuar nga salla duke thënë: “Ju nuk keni për t’ia arritur kurrë këtij qëllimi.”

Sot, një vit e gjysmë më pas, qëndrimi i tyre është lëkundur nga makinat e tonazhit të rëndë, që vijojnë punën për ngritjen e inceneratorit brenda 11 hektarëve të rrethuar me tela hekuri.

Janë të panumërta protestat e bëra nga rreth 1100 banorët e fshatit Vërri që nga ajo kohë. Revolta u ndez nga fakti se askush nuk i njoftoi paraprakisht për ngritjen e këtij impianti dhe frikës se ndotja që ai do të shkaktojë, do t’i detyrojë të largohen përfundimisht nga fshati.
Ata ndihen të tradhtuar nga Bashkia e Fierit, pasi besojnë se, nëse përfaqësuesit e këtij institucioni do t’i respektonin sadopak, do të merrnin mundimin të ndanin me ta planet për ndërtimin e kësaj vepre.

Rreth 35 kilometra në veriperëndim të fshatit të tyre, banorët e Divjakës e kanë provuar kohë më parë se çfarë sjell vendimmarrja e pushtetit vendor me atë që ajo prek.
Pronat e kësaj bashkie të vogël në brigjet e detit Adriatik u dhanë me qira për qëllime turistike në vitin 2010, përmes një procedure të konsideruar nga banorët dhe këshilltarët bashkiakë si jo transparente.

Por ky ishte vetëm fillimi. Në vitin 2013 katër nga këto ndërtesa kryesore në plazh, pronë e Bashkisë së Divjakës, u privatizuan përmes një procedure të konsideruar nga stafi i bashkisë aktuale si jashtë çdo logjike ligjore, pasi pronari real i këtyre pronave nuk u përfshi në këtë proces.

Mungesa e transparencës dhe shpërfillja e interesave lokale kanë sjellë revoltë në Vërri dhe humbje të besimit ndaj institucioneve në Divjakë.|

Të gjithë tashmë i kanë sytë nga gjykatat, me shpresën se ato do të mund të vendosin në vend drejtësinë dhe të ndihmojnë në kthimin e besimit në institucione dhe formimin e kohezionit social në komunitetet lokale.

Në Fier dhuna zëvendësoi konsultimin publik për inceneratorin

Hija e një inceneratori, i cili do të digjte plehrat e qarkut të Fierit dhe do të prodhonte energji elektrike përmes këtij procesi, kishte kohë që vërtitej në zonat periferike të qytetit.

Lajmi për ndërtimin e tij u përhap në fillim të vitit 2016 duke krijuar ankth dhe pasiguri te banorët dhe vendimmarrja nuk vonoi. Në tetor, Ministria e Mjedisit lidhi një kontratë koncesionare me konsorciumin Integrated Technology Waste Treatment, Fier sh.p.k. për ndërtimin e impiantit.
Vendndodhja e përcaktuar në kontratë ishte Portëza, një fshat 5 kilometra në jug të Fierit dhe banorët e zonës menjëherë nisën protestat kundër vendimit.

Por brenda dyerve të mbyllura, vendndodhja ku ishte parashikuar të ngrihej inceneratori kishte ndryshuar dhe tashmë fshati Mbrostar, në veri të Fierit, katër kilometra nga qendra e qytetit, shihej si më i përshtatshëm për ngritjen e tij. Banorët e Mbrostarit nisën gjithashtu të protestojnë.
Saga e vendimmarrjeve të pakonsultuara vijoi dhe vetëm në mars të vitit 2017 u kuptua se vendndodhja përfundimtare e impiantit do të ishte fshati Vërri. Protestat e banorëve të kësaj zone nuk munguan, por pavarësisht kësaj, vendimi mori vulën e Këshillit Kombëtar të Territorit, drejtuar nga kryeministri Edi Rama në tetor 2017.

Banorët e zonës kërkuan me çdo formë të informoheshin për këtë projekt, për të cilin mendojnë se do të shkatërrojë shëndetin e tyre dhe traditën bujqësore, të ngritur me shumë mund në këtë zonë gjatë tri dekadave të fundit.
Qendra Open Doors, në kuadër të projektit KONCESCAN për monitorimin e disa koncesioneve në vend, del në përfundimin se, moskonsultimi i banorëve të Vërrisë për këtë nismë me rëndësi jetike për ta është një shkelje flagrante ligjore e Bashkisë së Fierit dhe Ministrisë së Mjedisit.
Projekti u realizua gjatë periudhës maj 2017-prill 2018 dhe u mbështet nga LevizAlbania.

Raporti i monitorimit thekson se këto autoritete, duke përjashtuar banorët nga konsultat, kanë shkelur Kushtetutën e vendit, e cila garanton transparencë; Kodin e Procedurave Administrative; ligjin për të Drejtën e Informimit dhe atë të Vetëqeverisjes Vendore.

“Nga të dhënat e sondazhit rezulton se më shumë se gjysma e pjesëmarrësve janë aspak, pak dhe disi të kënaqur me qëndrimin e bashkisë në lidhje me kontratën koncesionare, duke vënë në dukje frikën që pjesëmarrësit kanë në lidhje me abuzimet ligjore mbi kontratën koncesionare”, – theksohet në raport.

Bashkia e Fierit dhe Ministria e Mjedisit, të pyetura nëse kishin kryer konsultime me banorët e zonës Vërri për ngritjen e inceneratorit, nuk kthyen përgjigje deri në kohën e publikimit të këtij shkrimi.

Por Lena Tashi, banore e fshatit Vërri, nuk i ka harruar shkopinjtë e gomës që pati marrë nga policia, teksa protestonte në janar të vitit 2018 kundër vendimit të ngritjes së inceneratorit dhe mospërgjigjen e bashkisë kur ajo kërkonte informacion.

“Ne nuk e dimë se çfarë efektesh ky impiant do të ketë në jetët tona. Nuk kemi lënë formë proteste pa zhvilluar dhe ajo që kemi marrë mbrapsht është vetëm dhuna”, – theksoi ajo.

Si pasojë e protestave të vazhdueshme, rreth 15 banorë të Vërrisë u referuan nga policia e Fierit në prokurori.
“Unë sot trajtohem si një kriminel për arsyen e thjeshtë se protestoj për të mbrojtur jetën dhe të ardhmen e fëmijëve të mi”, – theksoi Vladimir Bita, banor i zonës, që ende vërtitet dyerve të gjykatës i proceduar si pasojë e protestës së tij. Situata në të cilën gjenden banorët bëhet më e vështirë, në një kohë kur ekspertët mjedisorë theksojnë se ngritja e veprave të tilla është e shoqëruar me efekte negative.

Bo Leckner, profesor në departamentin e Mjedisit dhe Teknologjisë së Energjisë në universitetin Chalmers në Suedi, është i mendimit se, përgjithësisht inceneratorët, sipas standardeve të Bashkimit Europian, ndonëse nuk janë zgjidhje perfekte për menaxhimin e mbetjeve, janë të pranueshëm.

Por ai theksoi se një nga aspektet më negative të tyre lidhet me gazrat e lëshuara në ajër nga përpunimi i mbetjeve dhe vendosja e filtrave të teknologjisë së fundit është e vetmja garanci për të pasur një ndikim sa më të vogël në mjedis.
“Vendosja e një teknologjie të tillë sjell një kosto, të cilën kompania që zotohet për ngritjen e inceneratorit duhet ta paguajë. Sugjeroj që të zbatohen kërkesat dhe kufijtë e përdorur nga vendet e Bashkimit Europian për reduktimin e substancave të dëmshme nga vepra të tilla, pavarësisht faktit se Shqipëria nuk është ende anëtare e BE”, – theksoi ai.

Profesor Leckner, gjithashtu solli në vëmendje nevojën për një trajtim special të hirit të akumuluar gjatë djegies së mbetjeve, duke e konsideruar atë një substancë me rrezik të lartë.
Por ekspertët në Tiranë ngrenë alarmin se të dhënat e deritanishme tregojnë se teknologjia në të nuk do të jetë ajo e standardeve europiane, duke sjellë një rrezik të madh për banorët.

Përfaqësuesi i Aleancës Kundër Importit të Plehrave, AKIP, Lavdosh Ferruni, thekson se kostoja e planifikuar për ngritjen e inceneratorit të Fierit është disa herë më e ulët se ajo me të cilën vepra të tilla ngrihen në Europë.
“Kjo gjetje të çon në konkluzionin se për ndërtimin e tij mund të përdoret teknologji e vjetër, stock ose me të mund të ndodhë e njëjta gjë, siç ndodhi me TEC-in e Vlorës”, – theksoi ai.

Shtëpitë e pushimit në Divjakë, burim i vazhdueshëm abuzimi

Mungesa e transparencës për vendime të rëndësishme që prekin komunitetin duket se është një sëmundje e vjetër e pushtetit vendor dhe qendror në Shqipëri.
Sekretari i Këshillit Bashkiak të Divjakës, Rrapi Perriu, e kujton të freskët vitin 2010, kur ai dhe këshilltarë të tjerë kërkuan transparencë në procesin e dhënies me qira të 338 ambienteve të pushimit në plazhin e Divjakës.
Të trashëguara nga komunizmi dhe të vendosura në kabina njëkatëshe dhe ndërtesa me tri kate, ato i kaluan në pronësi Bashkisë së Divjakës në vitin 2006 me një vendim të Këshillit të Ministrave. Pak vite më vonë, kryetari i asaj kohe në Bashkinë e Divjakës, Irakli Gorreja, nisi procesin e dhënies me qira me argumentin e mirëmbajtjes së tyre dhe fitimeve që bashkia duhet të merrte nga këto prona.

“Në atë kohë nuk u kryen dëgjesa publike me banorët, nuk u mor mendimi i tyre për mënyrën sesi duhet të jepeshin me qira. Ne i kërkuam kryetarit dokumentacionin e dëgjesave me banorët, por nuk e morëm kurrë. Arritëm ta çonim çështjen edhe në prokurori, por aty u mbyll pa asnjë rezultat”, – kujton Perriu.

Sot, banorët e zonës nuk duan të flasin publikisht për këtë proces të ndodhur tetë vite më parë, por nën zë ata theksojnë se ambientet e pushimit në Divjakë u morën me qira afatgjata dhe çmime tepër të ulëta nga njerëz të lidhur me pushtetin dhe ata që drejtonin sistemin e drejtësisë në vend.
“Njerëz me pushtet, mes të cilëve prokurorë dhe gjyqtarë, përfituan nga pronat e bashkisë në breg të detit. Ata përdorën emrat e familjarëve të tyre për t’i përvetësuar ato në mënyrë të fshehtë. Banorët e Divjakës që përfituan nga qiradhënia numërohen vetëm me gishtat e njërës dorë”, – theksoi një qytetar që nuk pranoi të identifikohej.

Por procedurat jotransparente të qiradhënies u bënë një e “keqe e vogël” krahasuar me atë që ndodhi në shtator të vitit 2013 – ditët e fundit të qeverisjes së Partisë Demokratike – kur Ministria e Ekonomisë përmes Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, inicioi procesin e shitjes së katër prej këtyre ndërtesave, ku gjenden gjithsej 48 hyrje.

Bashkia e Divjakës, pronare e ndërtesave që prej vitit 2006, u la tërësisht jashtë vendimmarrjes, e aq më pak, banorët e kësaj zone. Në raportin e monitorimit të KONCESCAN-it, ky veprim konsiderohet një abuzim i rëndë i pushtetit qendror, në shkelje të interesave të bashkisë. Nisur nga kjo, projekti vendosi në lëvizje Kontrollin e Lartë të Shtetit, i cili pas kontrolleve në terren dhe dokumentacionit, evidentoi problematikën dhe nxori rekomandime për zgjidhjen e situatës.
Por, sipas raportit të monitorimit, Bashkia e Divjakës ka neglizhuar duke mos e ndjekur deri tani çështjen në gjykatë.

“Ky organ administrativ duhet që të vendosë në vend të drejtën e shkelur ligjore, duke iu drejtuar me padi gjykatës kompetente… për të kërkuar pavlefshmërinë e kontratave të shitjes së kabinave”, – theksohet në raportin e KONCESCAN-it.

Drejtësia si shpresë e fundit

Andi Bualli, jurist pranë Bashkisë së Divjakës, thekson se brenda pak ditësh ai do të dorëzojë në gjykatën e rrethit të Lushnjës pavlefshmërinë absolute të shitjes së shtëpive të pushimit.
“Ky rast përbën një shkelje të paprecedentë ligjore. Këto kontrata janë tërësisht abuzive dhe çështja tani zgjidhet në gjykatë”, – theksoi ai.
Ndërkaq, ankimimi i vendimit për ngritjen e inceneratorit të Fierit në gjykatë duket se është hapi i radhës i aleancës së formuar mes banorëve të Vërrisë dhe organizatave joqeveritare për ruajtjen e mjedisit në vend.

Mbështetja e Lëviz Albania-s për AKIP, përmes projektit “Prapsim Inceneratorëve, portave të Importit të Plehrave – PIPIP”, krijoi kohezionin e duhur për këtë hap dhe ndihmoi për të grumbulluar prova të mjaftueshme se koncesioni për ndërtimin e inceneratorit të Fierit ka kaluar përmes shkeljeve të shumta ligjore.
Lavdosh Ferruni theksoi se padia në Gjykatën Administrative, ku do të kërkohet pavlefshmëria e vendimit të Këshillit Kombëtar të Territorit që i hapi dritën jeshile ndërtimit të inceneratorit në Vërri, nuk do të vonojë.

Sipas tij, baza ligjore kundër këtij vendimi është e gjerë dhe nis që nga moszbatimi i ligjit për informimin e publikut; te mosrespektimi nga vetë qeveria, i strategjisë së menaxhimit të mbetjeve; mungesa e studimeve hidrogjeologjike në zonë; për të përfunduar me faktin se koordinatat për ndërtimin e impiantit janë të ndryshme nga ato ku ai po ndërtohet realisht.

Banorët e Vërrisë e mbështesin këtë nismë dhe theksojnë se nuk do të kenë paqe, derisa ta shohin çështjen në gjykatë.
Landi Golemi tha se, pavarësisht lodhjes nga protestat e pandërprera për një vit e gjysmë, banorët nuk kanë ndërmend ta lënë kauzën në mes.
“Ne nuk duam të largohemi nga toka jonë. Do të bëjmë çdo përpjekje për jetuar këtu të sigurt dhe me dinjitet”, – theksoi ai. (LevizAlbania)

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *