Tekstet për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e katërt do jepen falas

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nxënësit e arsimit fillor nuk do të paguajnë për tekstet që do të përdorin gjatë vitit të ri shkollor. Qeveria ka miratuar në mbledhjen e sotme vendimin ku bëhet e ditur se tekstet shkollore që do të përdoren nga nxënësit e klasave të para, e deri tek nxënësit e klasave të katërta do të jenë tërësisht falas. Gjithashtu në vendim janë përcaktuar edhe modalitetet se si do të bëhet likuidimi i shtëpive botuese nga njësitë arsimore vendore.

 “Nxënësve që ndjekin arsimin fillor nga klasa e parë deri në klasën e katërt u jepen tekstet shkollore në përdorim falas. Çmimi i blerjes së teksteve shkollore do të mbulohet 100 për qind nga fondet e buxhetit të shtetit, miratuar për ministrinë përgjegjëse për arsimin”, saktësohet në vendimin e miratuar.

Po sipas kushteve të përcaktuara, institucionet arsimore, si dhe njësitë arsimore vendore duhet që brenda muajit korrik të çdo viti të përgatisin listën e parashikuar të nxënësve që ndjekin arsimin fillor nga klasa e parë deri në klasën e katërt. Listë e cila do të dorëzohet më pas në organet përgjegjëse për kalimin e fondeve përkatëse.

 “Blerja e teksteve shkollore të nxënësve që ndjekin arsimin fillor nga klasa e parë deri në klasën e katërt, në emër të prindërve ose përfaqësuesve ligjorë për llogari të nxënësve do të realizohet nga institucioni arsimor për llogari të njësisë arsimore vendore”, saktësohet më tej në vendim.

Lidhur me koston e blerjes së këtyre librave është vendosur që likuidimi i faturës tatimore ndaj subjekteve dhe shtëpive botuese të realizohet nga njësia arsimore vendore, me fondet e miratuara, si: “Transfertë tek individët” në buxhetin e ministrisë përgjegjëse për arsimin, në llogarinë bankare të shitësit.

Mënyra e shpërndarjes dhe e administrimit të teksteve për këtë kategori nxënësish përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për arsimin.

Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi parashikohen të arrijnë në shumën prej dyqind e shtatëdhjetë milionë lekësh. Qeveria ngarkon Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, si dhe Ministrinë  Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *