Vettingu që po nxjerr zbuluar gjyqtarë e prokurorë dhe spektakli si në kohën e baba Qemos

11 Korrik 2018, 10:19Blog TEMA

Nga Çapajev Gjokutaj

Lajmi i ditës: një gjyqtar, jo dokudo, por i Gjykatës së Lartë, ka pasë qenë dënuar në Itali. Për vjedhje ordinere në një supermarket.

Me një fjalë, një hajdut radhiko ka arritur të bëjë karierë në majat më të larta të shtetit shqiptar. Epo, s’thonë kot që rasti është mbret i botës.

Por çudi të tilla s’qenkan dhe aq të rastit.

Gjatë muajve të fundit kemi dëgjuar shumë lajme me prokurorë e gjykatës që bëjnë pasuri me shpejtësi prestigjatori, tak-fak.

Herë në lojrat e fatit, herë me darovitjet e të ftuarve në dasëm dhe plot herë të tjera me dhurata që u bëkan të afërmit. Dhe s’janë dhurata disido, po shuqe dhjetëra mijëra eurosh.

Të gjitha këto çudi meritojnë të bëhen lajme të ditës.

Por a s’ju duket se, duke bredhur pas lajmesh të tilla, po bëhemi si mileti i kohës së baba Qemos?

Herë pas here e ftonin të engledisej me varjet e kriminelëve në sheshin e qytetit.

Në fakt ka disa gjëra të tjera, shumë më të rëndësishme, që meritojnë vemendjen e publikut.

P.sh ç’ka bërë gjithë këtë kohë ILKPD, që mbikqyr pasurinë e gjithë nëpunësve të lartë: qeveritarë, deputetë, gjykatës, prokurorë, kryebashkiakë etj?

Dhe akoma më e rëndësishme: ç’ndryshime ligjore dhe institucionale duhen bërë që ky institucion dhe të tjerë të këtij lloji, të ndajnë shapin nga sheqri dhe jo të marrin rrogat e të bëjnë sikur kontrollojnë?

Pas vetingut të gjyqtarëve, thonë, do fillojë vetingu i politikanëve.

Të presësh vetingje pas vetingjesh për të bërë zap korrupsionin politik e administrativ, është si ajo fjala: prit gomar të mbijë bar.

Ajo që duhet të kërkojmë është të gjejmë se ç’duhet bërë që hallkat e shtetit të punojnë me seriozitetin e organeve që po bëjnë vetingun në drejtësi.

Po qe se do presim që sistemi ‘veting pas vetingu’ të dublojë shtetin, do vazhdojmë traditën e Baba Qemos: herë pas here do bëjmë sehir si kapet e ndëshkohet ky apo ai dinjitar i lartë e hajdut, kurse ditë për ditë do vidhemi e shfrytëzohemi nga lukunia e politikanëve që bëjnë shfaqje.

3 komente në “Vettingu që po nxjerr zbuluar gjyqtarë e prokurorë dhe spektakli si në kohën e baba Qemos”

  1. @autori says:

    Ketu tek ne, nuk ke se ku ta kapesh sepse te gjithe jane hajdute. Nje pale hajdutesh nuk e kane ndergjegjen per te denuar nje pale tjeter hajdutesh. Ne Shqiperi duhet nje Guvernator i Huaj qe te denoje ne fillim mega-hajdutet e Presidences, Qeverive, Parlamentit, e me radhe deri tek nepunesit e korruptuar te administrates shteterore.

  2. h says:

    Jeni te gjithe njelloj.Hajdute,te korruptuar dhe korruptues,gjykates,gazetare,mjeke,
    shites,punojes administrate,gjykates,avokate,drogeshites dhe drogeprodhues,
    Familje degjenerata,gra dhe vajza kurva,burra me 5 leke dhe 10 dashnore,femije qe vjedhin dhe
    vrasin prinderit per te shitur pordhe ne facebuuk
    Ne shqiperi vetem 2 % e popullit ka ndershmeri qytetare dhe ndergjegje njerezore.
    Mos beni si te çuditur se i shikoni perdite te gjitha veset dhe maskaralliqet.

    1. sapa says:

      Sakte H!Biles une edhe 2 perqindeshin e dyshoj!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje