Ekzekutimi i dyfishtë, fëmija dy vjeçar i çiftit u shpëtoi plumbave mrekullisht: Çfarë ndodhi dje në Shkodër?

15 Korrik 2018, 20:27Kronika TEMA

Ish-polici dhe bashkëjetuesja e tij u ekzekutuan mëngjesin e djeshëm brenda makinës së tyre pranë shtëpisë në Shkodër. Në makinë ndodhej dhe fëmija i mitur, i cili nuk u prek nga plumbat dhe ndodhet shëndoshë e mirë nën kujdesin e mjekëve në spital.

Dy-vjeçari duhet të ishte në gjumë në sediljen e pasme të këtij “Benzi”, kur breshëri plumash automatiku përshkuan trupat e babit dhe të nënës së tij.

Por eksperti i policisë i tregoi ABC News se fëmijën e gjetën në kraharorin e viktimës.

Në sediljen e parë të pasagjerit, i tëri i gjakosur.

Fillimisht menduan tmerrin, që plumbat mund ta kishin prekur dhe atë. Më pas përcaktuan skemën si ka ndodhur.

Djali i çiftit që u ekzekutua është zgjuar dhe ka shkuar në prehërin e nënës, me fytyrë nga ajo.

Ai është gjallë, nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Shkodrës. Asnjë plagë në trup.

Ish-punonjësi i policisë, Borhan Berçama, 30 vjeç dhe bashkëjetuesja e tij, Silvi Ndoci, 25 vjeçe u vranë mëngjesin e kësaj të diele.

Trupat e tyre të pajetë u gjetën nga fqinjët, të cilët edhe njoftuan policinë. Autori i ka qëlluar nga afër me automatik, por foshnjen nuk duhet ta kenë parë.

Policia mblodhi brenda dhe jashtë makinës 23 gëzhoja.

Ngjarja ndodhi në vendin e quajtur “Rruga e Gjerë” në lagjen “Naim Gjylbegu”, pranë shtëpisë së çiftit. Hetuesit nuk kanë siguruar asnjë dëshmitar që dëgjoi krisma.

Krimi tronditi qytetin e Shkodrës.

Aty lëviznin njerëz të frikësuar.

Drejtori i Policisë, Vehbi Bushati, gjithashtu i shqetësuar. Nëna e policit të vrarë, kur mori lajmin për të birin dhe nusen u shokua.

Bashkë me djalin tjetër, siç dhe i shikoni në pamje, ata kërkonin të shihnin trupat me shpresën se çdo gjë ishte gënjeshtër.

Pak orë më vonë policia u njoftua për një makinë të djegur në lagjen Dobraç të Shkodrës, në dalje të Bypass-it.

Në njoftimin zyrtar thuhet se paraprakisht dyshohet se mjeti të jetë përdorur nga autorët e ekzekutimit të Borhan Berçamës dhe  Silvi Ndocit.

Brenda tij, policia zbuloi  dhe një armë zjarri automatike.

Elementet e ngjarjes tregojnë për një krim mafioz.

Larje hesapesh ose zhdukje të dëshmitarëve.

Por policia nuk ka ende një version të qartë për motivin apo autorët e saj.

Disa persona u shoqëruan për t’u marrë në pyetje.

Ashtu edhe ish-burri i viktimës, me të cilin ishte divorcuar para se Silvi Ndoci të bashkëjetonte me policin

Viktima Borhan Berçama pak kohë më parë u largua nga radhët e policisë.

Ai nuk plotësoi dokumentacionin për Vetingun.

2 komente në “Ekzekutimi i dyfishtë, fëmija dy vjeçar i çiftit u shpëtoi plumbave mrekullisht: Çfarë ndodhi dje në Shkodër?”

  1. Ben says:

    patjeter qe kot nuk te vret njeri,dikujt i ke shkelur ne kallo.Por keto lloj vrasjesh jane makabre,te frikshme ne clloj monstrash transformohen ca njerez.Si ka mundesi qe shkon kaq larg?Ky lloj specie minimumi meriton 40 vjet brenda,do ishte njerezore ta beje kukurrec ne karrige.Sepse smund te besh far western ne 2018.

  2. Xboom says:

    Dhashtë Zoti dhe gjithë mafiozët zhduken keshtu,
    u hëngshi mes vete dhe Zoti shpëtoftë popullin e pa fajshëm.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje