"Shqiptarët biznesmenë, a janë sofistikuar?"

22 Korrik 2018, 17:53Ekonomia TEMA

Nga Roel Korkuti

Përgjatë gjithë vitit të kaluar, në Shqipëri janë regjistruar 24924 ndërmarrje të reja, të cilat e kanë çuar në 162 mijë numrin total të ndërmarrjeve në vendin tonë. Por, ku kanë investuar më së shumti shqiptarët?

Tendenca është e njëjtë me atë të viteve të kaluara dhe duket se nuk ka asnjë ndryshim thelbësor. Në vend të parë, me 25% të totalit janë pikërisht ndërmarrjet që operojnë në fushën e tregtisë, ose 6237. Pra, 1 në 4 shqiptarë që ka vendosur të hapë një aktivitet gjatë vitit të kaluar, ka zgjedhur të bëjë tregti. Këto ndërmarrje në pjesën dërrmuese i referohen dyqaneve tradicionale, ose ushqimore ose të veshmbathjeve apo aksesorëve të tjerë.

Në vend të dytë, ndërkohë, me 23.1% të totalit ndjek bujqësia, ose 5768 ndërmarrje. Vendin e tretë e zë kategoria e akomodimit dhe shërbimit ushqimor dhe pijeve, me 4268 ndërmarrje. Duke pasur parasysh faktin se akomodimi zë një pjesë të vogël, me vetëm 1421 ndërmarrje në të gjithë territorin e republikës, kjo kategori, në pjesën dërrmuese i referohet bareve dhe restoranteve. Në këtë kategori ka shkuar 17.1% e ndërmarrjeve të reja të regjistruara gjatë vitit të kaluar në ekonominë shqiptare. Me 4.5% ndjek industria.

Të dhënat konfirmojnë se shqiptarët vijojnë të investojnë në ndërmarrje të vogla, me kosto të ulëta investimi, dhe që në pjesën dërrmuese të rasteve shihen si një alternativë ndaj punësimit. Këtë e vërteton fakti se, 65% e ndërmarrjeve të reja, gjatë vitit 2017, kanë qënë dyqane, bare apo ndërmarrje bujqësore. Edhe të dhënat e 5 muajve të parë të këtij viti e konfirmojnë këtë tendencë. 5 muajt e parë të vitit kanë rezultuar pozitive sa i përket iniciativave për hapjen e bizneseve të reja, ku në Qendrën Kombëtare të Biznesit janë regjistruar në total 9322 subjekte.

Por cilët janë sektorët që po tërheqin më shumë bizneset dhe ata më pak të kërkuar?

Sipas shifrave  të QKB-së, të siguruara nga “Scan Magazine”, vihet re se në krye të listës qëndron sektori i tregtisë me shumicë dhe pakicë si dhe riparimi i automjeteve dhe motoçikletave, ku për periudhën Janar-Maj 2018 janë regjistruar plot 2798 biznese, që përbën edhe shifrën më të lartë.

Ndërsa një interes gjithashtu të lartë, ka pasur edhe sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor me 2260 biznese të reja të regjistruara në këtë fushë. Ndërsa kategori të tjera që kanë pasur një numër mesatar regjistrimesh rreth 400-500, janë shërbime administrative dhe mbështetëse; industria përpunuese; arsimimi; aktivitete profesionale; shkencore dhe teknike; etj.

Ndërsa numrin me të ulët të regjistrimeve të bizneseve të reja e ka pasur sektori i furnizimit me ujë, aktivitetet e trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave me vetëm 16 subjekte. Kjo të paktën është tendenca e përgjithshme. Të dhënat ndërkohë flasin edhe për një bum të disa sipërmarrjeve të caktuara.

Bum i bizneseve të zyrës

Gjatë vitit të kaluar, një sërë biznesesh kanë njohur një lulëzim dhe pjesa dërrmuese e tyre janë në sektorin e shërbimeve. Aktiviteti që njeh rritjen më të madhe është ai i drejtimit të ndërmarrjeve dhe konsultimit.

Në 2016, në vendin tonë numëroheshin vetëm 422 biznese të tilla, ndërkohë që në 2017-ën, ky numër u ngjit në 607, çka përkthehet në një rritje me 43.8%. Një rritje tjetër të konsiderueshme njohin edhe bizneset që operojnë në fushën e shërbimeve të teknologjisë së informacionit. Në 2016, këto biznese ishin 1162, ndërsa në 2017-ën, u ngjitën në 1636, çka do të thotë se rritja fiksohet në 40.7%.

Ky lloj aktiviteti ecën me hapin e kohës dhe ofron një potencial ende të pazhvilluar në vendin tonë. Një tjetër kategori në rritje të ndjeshme është ajo e administrimit të zyrave, mbështetjes administrative dhe mbështetjes ndaj ndërmarrjeve.

Në vitin 2016 kishte 1270 biznese që operonin në këtë sektor, ndërkohë që në 2017 numri u ngjit në 1574, pra në rritje me 24%. Në rritje të konsiderueshme regjistrohen edhe agjencitë turistike, pasi nga 984, numri i tyre është ngjitur në 1122, duke bërë që rritja të jetë në 14%, relativisht domethënëse në një sektor të tillë. Edhe sektorë të tjerë, si ai i punimeve arkitekturore dhe inxhinierike ka shënuar një rritje të ndjeshme, me rreth 8.9% në krahasim me vitin paraardhës.(scan)

1 komente në ““Shqiptarët biznesmenë, a janë sofistikuar?””

  1. katarakti says:

    Fjala biznesmen eshte fjale e madhe. Perdoret per ata qe qarkullojne me qindra milione dollare si bankieret, industrialistet, etj etj. Ne Shqiperi nuk kemi te bejme ende me biznesmene. Ne rastin me te mire me hajdute dhe oligarke. Dhe ne shumicen derrmuese me dyqanxhinj, esnafe, artizane, tregtare me pakice, zanatçinj etj etj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje