"Herceptina", QSUT nxjerr blof PD-në: Mos politizoni sëmundjet, Shërbimi Onkologjik është furnizuar rregullisht me këtë medikament

30 Korrik 2018, 14:48Shëndeti TEMA

Pas deklaratës së deputetes së opozitës Oriola Pampuri, se nuk ka mjaftueshëm furnizime me preparatin e Herceptinës në QSUT, Stafi i shërbimit Onkologjik ka reaguar menjëherë, duke shprehur habinë dhe indinjatën e tyre në lidhje me këto deklarata të pabaza.

“Sqarojmë se në sajë të mbështetjes së Qeverisë Shqiptare gjatë këtij viti Shërbimi Onkologjik është furnizuar rregullisht me këtë medikament në dy formë dozat e veta (venoze dhe sub/kutane).”-deklaron stafi i Shërbimit Onkologjik në QSUT.

Më tej ky stafi mjekësor bën me dije se vetëm ditën e sotme janë duke u trajtuar 27 pacientë në këtë shërbim.

“Dezinformimi nuk ndihmon askënd, aq më pak këta të sëmurë, që edhe pa të tilla deklarata të pavërteta, janë mjaft të ngarkuar prej sëmundjes.”-përfundon deklarata e mjekëve.

Deklarata e plotë:

“Ne, Stafi i Shërbimit Onkologjik dhe Drejtoria e QSUT ndihemi të çuditur dhe tejet të prekur, nga një deklaratë e pavërtetë e deputetes së Partisë Demokratike mbi trajtimin me Herceptinë të pacienteve me kancer gjiri.

Sqarojmë se në sajë të mbështetjes së Qeverisë Shqiptare gjatë këtij viti Shërbimi Onkologjik është furnizuar rregullisht me këtë medikament në dy formë dozat e veta (venoze dhe sub/kutane). Vetëm ditën e sotme nëse do të pyesni janë 27 paciente që po trajtohen në këtë shërbim.

I ftojmë deputetet dhe të gjithë personat e tjerë të mos përhapin lajme të rreme, duke krijuar panik të panevojshëm tek pacientët. Dezinformimi nuk ndihmon askënd, aq më pak këta të sëmurë, që edhe pa të tilla deklarata të pavërteta, janë mjaft të ngarkuar prej sëmundjes.

Deputetet e interesuara, mjaftonte të kërkonin informacion në QSUT, prej ku edhe bënë deklaratën, për të mësuar të vërtetën.

Bëjmë thirrje gjithashtu për sa më pak politizim të sëmundjeve dhe të lejohemi të kryejmë misionin tonë, në mënyrë sa më profesionale.”

-Stafi i shërbimit Onkologjik, QSUT

Herceptina nëpërmjet një Marreveshje të posaçme, është e garantuar 100% për çdo paciente që vuan nga tumori i gjirit dhe ka nevoje për këtë terapi.

Janë më shumë se 150 gra në vit, që trajtohen me Herceptinë në QSUT, ndërkohë që vetëm ditën e sotme, ndërkohë që jashtë Shërbimit Onkologjik lëshoheshin gënjeshtrat e radhës, 27 gra ishin duke u trajtuar me Herceptinë.

Një medikament i mbuluar 100 përqind nga shteti.

Jo vetëm kaq, por Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u ka garantuar qytetarëve që vuajnë nga kjo sëmundje, edhe formëdozën e re, “Subcutane”, e cila është e përfshirë në Listën e Barnave të Rimbursueshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje