Nga problemet mendore, te veshkat: Sëmundjet që përkeqëson vapa dhe këshillat e OBSH-së

30 Korrik 2018, 15:26Shëndeti TEMA

Të moshuarit, të sëmurët kronikë dhe fëmijët janë ata që këshillohen të parët kur temperaturat ngrihen. Aktualisht, Europa po përjeton një verë të nxehtë, që parashikohet të vijojë edhe në javët e ardhshme. Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron në lidhje me sëmundjet që përkeqësohen nga temperaturat e larta.

“I nxehti  mund të përkeqësojë sëmundjet ekzistuese si ato kardiovaskulare, të rrugëve të frymëmarrjes, të veshkave apo edhe sëmundjet mendore. Mjekët dhe autoritetet shëndetësore publike duhet të jenë të përgatitur për t’u përballur me valën e të nxehtit të verës dhe pasojat e mundshme te ata që ekspozohen ndaj tij”, thuhet në udhëzimet e fundit të OBSH-së.

Çdo vit, temperaturat e larta ndikojnë në shëndetin e shumë njerëzve, në mënyrë të veçantë të moshuarve, të porsalindurve, të sëmurëve kronikë apo atyre që punojnë në mjedise të hapura.

Megjithatë, efektet e vapës në shëndetin tonë mund të shmangen lehtësisht. OBSH-ja këshillon ajrosjen e shtëpive gjatë natës dhe mbylljen e dritareve dhe grilave gjatë ditës.

Po ashtu, shmangia e daljeve në oraret e pikut është e rëndësishme, me përjashtim të rasteve kur mjediset janë ndërtesa publike me ajër të kondicionuar. OBSH këshillon hidratimin e trupit nëpërmjet banjave të freskëta, konsumimit të ujit dhe lëngjeve, shmangies së alkoolit dhe kafeinës si dhe mbajtjes së veshjeve të lirshme dhe në ngjyra të hapura.

Në rastet e dobësisë, ankthit, etjes së theksuar apo dhimbjes së kokës, mjekët këshillojnë spostimin e menjëhershëm në një vend të freskët, matjen e temperaturës trupore dhe hidratimin me ujë ose lëngje frutash.

Po ashtu, në rastet e spazmave muskulare të provokuara nga vapa, këshillohet rehidrimi përmes pijeve ose preparateve farmaceutike që përmbajnë elektrolite. Në rast se këto spazma zgjasin më shumë se një orë, duhet kërkuar ndihma e mjekut. (TemA)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje