Gjykata rrëzon HEC-et mbi Kanionet e Osumit

31 Korrik 2018, 16:26Ekonomia TEMA

Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi ka njoftuar ditën e sotme se Gjykata Administrative ka vendosur rrëzimin e padisë së subjekteve për ndërtimin e HEC-ve përgjatë lumit Osum.

Klosi thotë se ky është vendimi i parë i një gjykate në mbrojtje të natyrës dhe se HEC-et e planifikuara në Osum, nuk do ndërtohen, duke shpëtuar kështu perlën natyrore që ofron një nga lumenjtë më përrallorë të vendit.

Më në fund, gjykata na dha të drejtë. Më në fund drejtësia dha vendimin e parë pro mbrojtjes së natyrës. Përshëndes vendimin, që na nxit edhe më shumë për të vijuar betejën tonë në mbrojtje të natyrës.

Më në fund, perla natyrore e Osumit, shpëtoi. Osumi do të mbetet pasuri e përbashkët natyrore. Gjykata na dha të drejtë në vendimin e pezullimit të HEC-eve mbi Osum, pak muaj më parë. Drejtësia jo gjithmonë ka qenë në anën e mbrojtjes së natyrës.

Pak ditë më parë, gjykata dha vendimin skandaloz tê rifillimit nga puna të dy guroreve në Berat. Por pak nga pak dhe të gjithë bashkë do t’ja dalim të mbrojmë asetet tona natyrore“, tha Klosi.

Më datë 30.07.2018, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, shpalli vendimin përfundimtar, mbi procesin gjyqësor e iniciuar prej palës paditëse, shoqëria “HP Bigas dhe Veleshnje Energy”shpk, me palë të paditura: Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave, Avokatura e Shtetit dhe me objekt: “Shfuqizimin e vendimit nr. 1, datë 15.02.2018 “Për konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimit nr. 13, datë nr. identifikimi 137, date 26.03.2015 “Për vendim për VNM paraprake”.Konstatim për pavlefshmëri absolute të shkresës nr. 638, datë 09.02.2018 “Njoftim pezullimi mbi aktivitetin e ndërtimit dhe funksionimit të hidrocentralit “HP Bigas & Veleshnjë Energy” shpk. Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të gjithë veprimeve të tjera administrative dhe procedurave të filluara si rezultat i vendimit nr. 1, datë 15.02.2018.”

Në vendimin përfundimtar, të arsyetuar, të shpallur prej Gjykatës Administrative së Shkallës së Parë Tiranë dhe i komunikuar i arsyetuar palëve prezente në gjykim, Gjykata përfundimisht rrëzoi kërkesëpadinë e paditësit “HP Bigas dhe Veleshnje” shpk., me të gjitha kërkimet e tij, objekt padie, të cilat u shqyrtuan dhe u vlerësuan nga kjo gjykatë si të pabazuara në prova dhe në ligj.

Kjo gjykatë, përmes një procesi gjykimi të drejtë dhe kontradiktor, ku palët gëzuan mundësinë e parashtrimit të pretendimeve të tyre, nëpërmjet përfaqësueseve të tyre ligjorë, vlerësoi si të drejtë dhe ligjërisht të bazuar, veprimtarinë e organeve publike, të cilët diktuan në nxjerrjen e vendimit nr. 1, datë 15.02.2018 “Për konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimit nr. 13, datë nr. identifikimi 137, date 26.03.2015 “Për vendim për VNM paraprake”.

Megjithë pretendimet e shumta për shkelje proceduriale dhe materiale, Gjykata Administrative me të drejtë vlerësoi se nga ana e organeve të administratës publike të përfshira në këtë proces, ishin ndërmarrë të gjithë hapat e duhur ligjorë dhe ishin zbatuar me rigorozitet gjithë procedurat ligjore në fuqi, duke u finalizuar me pezullimin e aktivitetit të subjektit privat “HP Bigas dhe Veleshnje” për ndërtimin e tre HEC-eve në lumenjtë Bigas dhe Veleshnjë.

Veprimtaria e institucioneve publike ka qënë në përputhje të plotë me kuadrin e tyre  legjislativ, organizativ dhe funksional në fuqi dhe në koherencë me njëra-tjetrën, duke pasur si të vetmin qëllim primar, mbrojtjen e interesit publik dhe interpretimin e duhur të dispozitave ligjore. Ky qëllim ka qënë thelbësor për të përcaktuar natyrën e veprimeve të ndërmarra prej MTM, AKM dhe ISHMPU, veprimtari e cila në rastin konkret, jo vetëm nuk bie ndesh me Parimin e Sigurisë Juridike, ashtu sikurse ka pretenduar gjatë këtij gjykimi pala paditëse, por përkundrazi, veprimtaria e institucioneve publike, e ndërmarrë duke pasur interesin publik si interes primar dhe duke ju përshtatur normave legjislative në fuqi, vetëm ka afirmuar dhe konsoliduar në forma praktike, parimin e Sigurisë Juridike dhe parimin e Ligjshmërisë, kushte të nevojshme dhe të domosdoshme për ekzistencën e Shtetit të së Drejtës.

Në këtë proces, në krah të palës së paditur Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, ishin bashkuar në formën e Ndërhyrësve Dytësorë edhe dy organizata jofitimprurëse, me fokus mjedisor përkatësisht Federata Shqiptare e Rafting dhe “Qendra për Ruajtjen e Ekosistemeve Natyrore në Shqipëri” (EcoAlbania), të cilat paraqitën gjatë gjykimit argumente shtesë lidhur me bazueshmërinë e vendimeve administrative objekt gjykimi dhe i kërkuan gjykatës rrëzimin e padisë.

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, vendosi se veprimet administrative dhe procedurat e filluara si rezultat i vendimit nr.1 datë 15.02.2018, nuk përmbajnë asnjë element të pavlefshëm ose të paligjshëm, ashtu sikurse u pretendua prej palës paditëse në këtë gjykim, për sa kohë që vetë ky akt administrativ ka ardhur si rrjedhojë e interpretimit dhe zbatimit të duhur të dispozitave ligjore përkatëse në fuqi.

2 komente në “Gjykata rrëzon HEC-et mbi Kanionet e Osumit”

  1. gita says:

    Bukur! Hajde rradha guroret e Metes ne Tomorrr ! Dhe te tjera plot qe jane dhene me paligjshmeri per kedo . Te kthehet cdo gje ne vendin e vet dhe te mos jejohet shkaterrimi i natyres.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje