Shtëpia e Bardhë e gënjeshtrave

8 Gusht 2018, 21:02Bota TEMA

Përkrahësit e presidentit amerikan Donald Trump i justifikojnë gënjeshtrat e tij me arsyetimin se “të gjithë politikanët gënjejnë dhe një analizë e hollë e vetvetes na çon të pranojmë se të gjithë njerëzit gënjejnë. Por sasia dhe lloji i gënjeshtrës bëjnë një ndryshim të madh.

Nga Joseph S. Nye, Jr.

Deri më 1 qershor të këtij viti, presidenti i SHBA-së Donald Trump kishte bërë 3,259 pretendime të rreme ose mashtruese, sipas bazës së të dhënave të The Washington Post Fact Checker, që gjurmon dhe kategorizon çdo deklaratë të dyshimtë të shprehur nga presidenti. Kjo do të thotë një mesatare prej më shumë se 6.5 pretendimesh të rreme në ditë, nga një mesatare ditore prej 4.9 pretendimesh të rreme në 100 ditët e para të tij dhe duke arritur në tetë në ditë në muajin maj. Trump duket qartë që po shkon drejt një rekordi.

Përkrahësit e Trump i justifikojnë gënjeshtrat e tij me arsyetimin se “të gjithë politikanët gënjejnë.” Në të vërtetë ata e bëjnë dhe pak introspekt na bën të pranojmë se të gjithë njerëzit gënjejnë. Por sasia dhe lloji i gënjeshtrës bëjnë një ndryshim të madh. Shumë gënjeshtra e thyejnë besimin.

Jo të gjitha gënjeshtrat lindin njësoj. Disa janë të vetë-servirura. Një president mund të gënjejë për të mbuluar gjurmët e tij, për të shmangur sikletin, për të dëmtuar një kundërshtar ose për leverdi.

Gënjeshtra të tjera presidenciale shërbejnë për një qëllim më të lartë. Në disa rrethana, historianët madje e duartrokasin faktin se një president ka vendosur ta mashtrojë publikun për atë që ai e konsideron një të mirë më të madhe. John F. Kennedy e mashtroi publikun për rolin e raketave amerikane në Turqi në marrëveshjen që i dha fund krizës së raketave kubane në vitin 1962, por kjo sigurisht ishte më mirë për interesat e tyre sesa një rrezik i lartë lufte bërthamore.

Një shembull më i paqartë ndodhi në vitin 1941, para se Shtetet e Bashkuara të hynin në Luftën e Dytë Botërore. Duke u përpjekur të bindnin një publik të izoluar se Gjermania e Hitlerit ishte një kërcënim, presidenti Franklin D. Roosevelt tha se një nëndetëse gjermane kishte sulmuar një anije shkatërruese amerikane, kur në të vërtetë ishte pala amerikane që e kishte filluar aksionin. Në kohën e luftës, kur fjalët e tepërta mund të fundosin anije dhe sekretet janë shumë të rëndësishme, Winston Churchill u shpreh se e vërteta mund të jetë “kaq e çmuar, saqë ajo gjithmonë duhet të ndiqet nga një shpurë gënjeshtrash”.

Mashtrimi makiavelian është shpesh pjesë e një strategjie në negociata për të marrë një marrëveshje dhe Trump pretendon se është mjeshtër i atij arti. Ndoshta kjo shpjegon gënjeshtrat e tij rreth armëve të Koresë së Veriut, tarifat europiane dhe ndërhyrjes së presidentit rus Vladimir Putin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Por pandershmëria e tij në lidhje me madhësinë e turmës në inaugurimin e tij, pagesa e parave që i ka bërë grave për të blerë heshtjen e tyre, ose arsyet e tij për të shkarkuar ish-drejtorin e FBI-së, James Comey, nuk kanë të bëjë fare me shtetin. Është thjesht manipulim i vetëdijshëm i të tjerëve dhe i publikut.

Edhe kur motivet e presidentit nuk janë të vetë-servirëse, ai duhet të jetë i kujdesshëm në zgjedhjen e gënjeshtrës. Para se të kthejë gënjeshtrën në një instrument shtetëror, ai duhet të marrë në konsideratë rëndësinë e qëllimit, disponueshmërinë e mjeteve alternative për ta arritur atë dhe nëse mashtrimi mund të përmbahet ose ka gjasa të krijojë një model.

Sa më shumë që një lider e mashtron publikun, aq më shumë e zhvlerëson besimin, dobëson institucionet dhe krijon precedentë të dëmshëm. Gënjeshtrat e Rooseveltit në vitin 1941 kishin për qëllim të zgjonin popullin amerikan, por ai gjithashtu krijoi një precedent që Lyndon B. Johnson mundi ta përdorte në vitin 1964 për të fituar mbështetjen e Kongresit për rezolutën e Gjirit të Tonkinit, që çoi në një përshkallëzim dramatik të Luftës së Vietnamit. Rreziku është që liderët t’i thonë vetes se po gënjejnë për të mirën e publikut kur ata po e bëjnë këtë për përfitime politike ose personale.

Johnson nuk donte të dukej frikacak ose të portretizohej si njeriu që humbi Vietnamin. Ai vazhdimisht gënjeu popullin amerikan për progresin që po bëhej në luftë. Ai gjithashtu donte ta mbante luftën të kufizuar.

Një nga përfitimet morale të një lufte të kufizuar është parandalimi i dëmeve përmes përshkallëzimit. Por luftërat e tilla përfshijnë një element blofi. Për të ruajtur kredibilitetin në bisedime me armikun, një president duhet të mbajë një optimizëm të papajtueshëm publik, që shërben për të keqinformuar publikun. Në rastin e Johnson, ky imperativ u përforcua nga motivet e tij personale. Deri në vitin 1968, njerëzit thoshin se mënyra e vetme për të treguar nëse ai po gënjente ishte të shikonin nëse buzët e tij po lëviznin. Ai vendosi të mos kandidojë përsëri.

Pasardhësi i Johnson, Richard Nixon, gjithashtu gënjeu për Luftën e Vietnamit, duke përfshirë zgjerimin e saj në Kamboxhia. Kjo u pasua nga gënjeshtra e tij rreth rolit të tij në mbulimin e hyrjes me dhunë në selinë e Partisë Demokratike, e cila ishte kryer me urdhër të administratës së tij. Kur kjo u zbulua më në fund nga regjistrimet e Uotergeitit, Nixon dha dorëheqjen nga presidenca në vitin 1974 për të shmangur daljen në gjyq.

Johnson dhe Nixon nuk dëmtuan vetëm presidencat e tyre, por edhe për besimin e publikut. Në fillim të viteve ‘60, sondazhet treguan se tre të katërtat e amerikanëve kishin shumë besim te qeveria. Deri në fund të dekadës së ardhshme, vetëm një e katërta mendonin ashtu. Ndërsa shkaqet e rënies ishin komplekse, gënjeshtrat presidenciale luajtën një rol të madh.

Disa vëzhgues, duke treguar për rekordin e tij në sektorin privat, shprehen se Trump thjesht gënjen se e ka për zakon. Të tjerë besojnë se shpeshtësia, përsëritja dhe natyra e hapur e gënjeshtrave të tij nuk tregojnë një zakon, por strategjinë e qëllimshme politike për të dëmtuar institucionet që lidhen me të vërtetën. Sido që të jetë, Trump ka dëmtuar kredibilitetin e institucioneve siç janë shtypi, agjencitë e inteligjencës dhe Departamenti Amerikan i Drejtësisë, duke bërë gjithçka relative dhe duke luajtur në bazën e tij besnike.

A mund ta marrë veten Amerika pas Trumpit? Vlen të kujtojmë se Johnson dhe Nixon u pasuan nga Gerald Ford dhe Jimmy Carter, të cilët ishin dukshëm më të ndershëm dhe se besimi i publikut te qeveria u rrit disi nën qeverisjen e Ronald Reagan në vitet 1980. Por, siç tregon numri absolut i gënjeshtrave, Shtetet e Bashkuara nuk kanë parë kurrë një president si Donald Trump.

Project Syndicate

6 komente në “Shtëpia e Bardhë e gënjeshtrave”

  1. enter"" says:

    Ne ka institucion qe genjen eshte CNN dhe NY Times.

    Shkoni mbushuni llum pseudo liberalesh

  2. enter"" says:

    Shtepia e bardhe historikisht ka qene genjshtare.
    Sulmi ndaj Trump eshte se elitat liberale humben pushtetin e ndyre qe e mbanin me pislliqe.

  3. jon says:

    Te pakten artikulli thote 2 te verteta te medha. Se USA hyri ne L2B jo nga kercenimi gjoja Gjerman( nenendetesja) por thjeshte me genjeshter. Te njejten gje ben edhe ne Vjetnam me Gjirin e Tonkin. Por keto te verteta shumices i hyn nga njeri vesh dhe i dalin nga tjeteri. Kejo eshte arsyeja qe USA beri te njejten gje ne Afganistan , Irak, Siri, Liban dhe ne pergjithesi ku i do qejfi. Arsyeja kryesore eshte se publiku ka humbur memorien. Pra akuza me e fresket eshte se Rusia nderhyri ne zgjedhje eshte nje tjeter genjeshter. Kush prodhon genjeshtera eshte shtypi jo Trump. Si ne kohen e monizmit ku shtypi ishte 99% me partine , ne USA eshte e njejta gje mbi 90% e shtypit eshte me eliten iluministe. Nqs se shtypi do zbatoje ate qe premton , pra perfaqeson opinionin publik ne menyre jo te njeaneshme atehere shtypi te pakten do ishte 40% ne favor te Trump. Si ne Shqiperi edhe ne USa shypi jo vetem qe bombardon me genjeshtera por sic e pranon dhe artikulli,qellimi tjeter eshte eshte qe te demoralizoje pupullsine ne qeverine dhe institucionet. Ne kete menyre elita e ka shume me te lehte te domonoje popullsi me premtime se ne te ardhme gjerat do behen me mire( vetingu). Kurse ne te vertete gjerat do behen me keq. Ne te vertete duan te vendosin diktaturen e 0.001% te elites iluministe.

    1. enter"" says:

      Fiks, po kush ta kuptoje thuaj…

  4. a.f. says:

    Te pakten ne Amerike, ne zgjedhjet e ardhshme, populli i ka mundesite dhe e nderron presidentin genjeshtar.. Ketu si t’ja bejme, qe genjeshtaret dhe hajdutet kane shume kohe qe, ulur kembekryq dhe pa e prishur terezine, jane te ngjitur ne krye te sofres te cilen ne vete kujdesemi per t’ja u shtruar. Ata mund te nderrohen vetem po te qelloje qe ndonje force te huaj ti shkrepet per ti zevendesuar me te rij. Te jete per ne, sofra mbetet e tyre ne shekuj..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje