Për një debat të munguar për turizmin

9 Gusht 2018, 09:28Blog TEMA

Nga Alfred Peza

Politika shqiptare i ngjan një mulliri pa bereqet, që rrotullon ingranazhet e veta në boshllëk këto ditë të nxehta gushti, duke nxjerrë herë pas herë ndonjë dorë miell, nga “kokrrat e grurit” që flinin nëpër skutat e “dhëmbëve gjigandë” të sistemit vjetor, të bluarjes së temave të debateve tona kombëtare. Megjithë fantazinë e ndezur të liderëve për të mos e lënë skenën fare bosh, duke hedhur pothuajse çdo ditë statuse, foto apo minivideo nëpër adresat dhe llogaritë e tyre në rrjetet sociale, ata nuk po ia dalin gjithësesi që të mbajnë të fokusuar në mënyrë vijuese pas vetes,- siç do të donin,- mediat dhe nëpërmjet tyre, edhe opinionin publik.

Në Kosovë përshembull, Presidenti Hashim Thaçi nëpërmjet tezës së hedhjes në shtator mbi tryezën e negociatave dypalëshe me Serbinë, të çështjes së “korigjimit të kufijve”, i ka “detyruar” pothuajse të gjithë që të debatojnë këto ditë rreth mundësisë ose pamundësisë, së marjes në mënyrë paqësore nga Kosova të territoreve të banuara nga shqiptarët e Luginës së Preshevës. Edhe në shtete të tjera, megjithëse në kulmin e një muaji pushimesh verore për pjesën më të madhe të qytetarëve të vet, politika ia ka dalë që të mbajë ndezur frymën e debatit për një apo më shumë çështje specifike, për shoqëritë e tyre.

Duhet ta pranojmë se provokimi i debateve të tilla në shtete të tjera, nuk është një gjë që mund të importohet artificialisht. Mbi të gjitha, ajo që është e mirë për klasën politike, nuk është domosdoshmërisht një gjë e mirë edhe për qytetarët. Të cilët në këto ditë të nxehta gushti, nuk duan që tia dinë edhe aq, për debatet politike, sado me brumë ose jo që të jenë ato. Ndaj, mungesa e një teme specifike të debatit publik që të përfshinte aktorët kryesorë politikë dhe nëpërmjet tyre, edhe faktorët kryesorë të shoqërisë, nuk është domosdoshmërisht një gjë e keqe për Shqipërinë e këtyre ditëve. Përkundrazi!

Por, nëse do të na duhet që të debatojmë për diçka realisht me vlerë për të gjithë në këtë periudhë, tema që i përbashkon dhe mund të përfaqësojë më mirë sensibilitetet kryesore të pjesës më të madhe të shoqërisë shqiptare sot, mund të ishte ajo për turizmin. Jo vetëm se jemi në kulmin e një sezoni veror, por edhe për faktin se pothuajse të gjithë e pranojnë tashmë se industria e turizmit, po e formëson çdo ditë e më tepër profilin e të qenurit një ndër kolonat kryesore të ekonomisë sonë kombëtare. Me ambicjen, që shumë shpejt, të jetë motorri kryesor i zhvillimit dhe rritjes së pandalshme të ekonomisë së vendit dhe buxheteve të shumë e shumë familjeve shqiptare.

Duke qenë se pothuajse të gjithë jemi sot duke jetuar në pikun vjetor të punës së kësaj industrie, qoftë si pushues, qoftë si operatorë turistikë, si punëdhënës apo si punëmarrës, si përfitues direkt apo indirekt nga efektet e saj, atëherë do të ishte ndoshta shumë më produktive që të kishim përshembull, një debat për çështjet e turizmit.

Një debat konstruktiv, jo vetëm duke analizuar anët e dobëta, por edhe për promovimin e modeleve pozitive të suksesit. Për trendet e reja, për kërkesat më të mëdha, për nevojat më urgjente, për surprizat dhe destinacionet më interesante, etj. Mbi të gjitha, një debat që do të shërbente si një formë e presionit pozitiv mbi pushtetin qëndror, lokal dhe ndaj të gjitha hallkave të zinxhirit të strukturave shtetërore, që kanë punë direkt me këtë industri. Të cilat, ndikojnë në lehtësimin e punës së operatorëve privatë, në rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj të gjithë turistëve, si dhe në përmirësimin e imazhit pozitiv të vendit.

Më pas, kur ky sezon veror të jetë mbyllur dhe të jenë bërë të gjitha bilancet, kemi kohë që të bëjmë me qetësi konkluzionet, në mënyrë që të evidentohen saktë e qartë, të gjitha nevojat dhe prioritetet për të ardhmen. E për ta bërë këtë debat, nuk është se ndihet nevoja për të dëgjuar se çfarë thonë e çfarë shkruajnë këto ditë liderët tanë politikë. Nëse do të ishte për ta, me siguri që ata do të donin, që ky sezon pushimesh të zgjaste ca më shumë.

2 komente në “Për një debat të munguar për turizmin”

  1. pa e lexuar.. says:

    Java shtate dhe Alfredi tete..

  2. Fuck it says:

    Per cfare turizmi e keni fjalen Zoterinj . Jam me Ide sociale por nuk ju vjen turp se i gjithe bregdeti publik e theksoj publik eshte i zend me cadra judo, qe variojne nga 5mije deri 15mij. Ku do shkojne njerezit me paga modeste te bejne plazh. Po pensionistet ku do clodhen , pse nuk lihen vende publike per njerezit qe skane mundesi. Kam qene present kur nje grua me nenen e saj te moshuar u ndoqen nga bregu i detit ne Dures nga pronaret e cadrave sepse kishin vene peshqirin ne toke dhe skishin mare cader. A I di Europa keto pislliqe a jane dakort ATA? Turp turp turp hajdute te pershtire. Ptuuuuuuuu qena

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje