Luftar Paja: Si u bëra me gjashtë vëllezër dhe një motër

13 Gusht 2018, 11:02Kulturë TEMA

Na ishin njëherë gjashtë vëllezër e një motër, ose ndryshe aktorët Luftar Paja, Nestor Pogaçe, Fuat Boçi, Todi Llupi, Arqile Lipe, Sotir Stefa dhe Xhuljeta Kulla.

Vjen në këtë rrëfim shumë njerëzor dhe emocionues, aktori i mirënjohur i qindra roleve, “Artisti i Popullit” Luftar Paja.

Ai ndalet në episode të jetuara në Teatrin “Bylis” të Fierit dhe në atë që për të dhe aktorët e tjerë, ishte si një familje e madhe me shumë fëmijë por me të njëjtin pasion, skenën e teatrit.

Nga Albert Z.Zholi

Si e mban mend afrimin me estradën profesioniste të qytetit të Fierit? Si ishte situata dhe kë gjete aty? A të mirëpritën dhe si vazhdoi rruga e artit?

Mbaj mend se kur më emëruan në estradën profesioniste të qytetit të Fierit, usta Niko më tha: “Tani ike, na le. U rrite me përgjegjësi, por mos harro grason, se ajo të dha dorë të madhe.” Dhe unë për shumë vite, gati një dekadë mora estradën e parkut në patronazh, punë të cilën e bëja me shumë dëshirë. E quaja veten familjar të parkut, jo vetëm se kisha punuar aty, por edhe për faktin se njerëz si Niko Çaçi meritojnë nder e lavdi dhe duhet t’ua shpërblesh me përkushtim. Plus dhe faktit që në parkun e Fierit “Vangjel Rusku” gjeta dashamirësinë e të gjithë punonjësve. Në atë ndërmarrje firmosnin në bordero plot 700 persona dhe pse ju thashë se ruaj mbresa të veçanta nga kryekontrollori i automjeteve, i ndjeri Niko Çaçi. Nikoja e ndiqte estradën e parkut çdo natë në shfaqje, sidomos në aksionet artistike, që organizoheshin në mënyrë të shpeshtë në shkallë kombëtare. Në park gjeta artistë të talentuar si: Llazo Polo, Lirim Zhupa, Kujtim Mema, Agim Halo, Bukurie Zhupa, Ilia Lulo etj. Vlen të theksohet kontributi i çmueshëm i Piro Gjerazitit, i cili ishte drejtues i talentuar, por xhelozitë në art e kishin lënë magazinier në park. Me shumë respekt kujtoj dashamirësinë e drejtorit të parkut, Gaqo Konda. Por dhe në Estradën e Fierit, për fatin tim të madh, gjeta një ekip shumë të mirë. Midis të tjerëve gjeta regjisorin Llazar Vërria, të cilin e njihja shumë mirë sepse ai më kish ndihmuar dhe me grupet amatore. Llazari ishte njeri shumë dashamirës dhe profesionist. Jam shprehur dhe nëpër intervista ose opinione personale për figurën e tij të ndritur sepse realisht ai ishte regjisori i Estradës së Fierit, por mbahet edhe si një nga krijuesit e Teatrit të Kukullave në shkallë kombëtare. Në estradë takova Nestor Pogaçen, një aktor i shkëlqyer i cili, për fatin e tij të keq, doli shumë shpejt në pension, në një kohë kur televizioni shqiptar akoma nuk kishte lulëzuar, ndaj nuk pati fatin të njihet nga masa e gjerë. Por bashkëkohësit e dinë shumë mirë kush ishte ai dhe ia njohin vlerat, duke e klasifikuar ndër aktorët me përmasa kombëtare. Po kështu, një mbështetje të fortë gjeta dhe nga Kujtim Jorgaqi, Koço Papadhopulli, Fuat Boçi dhe Isuf Maloku e shumë e shumë të tjerë, që përbënin një kolektiv të përkryer. Por ka një shprehje populli që thotë se jo gjithçka në fillim është trëndafila dhe lule. Ç’ka tregon se fillimi në teatër ishte mosbesues ndaj meje.

Pse mendoni se ndodhte kjo?

U përhapën fjalë ku përmbajtja ishte: “Po na sjellin një amator.” Kishte dhe nga ata që shtonin tagjinë e thashethemeve me shprehje të tilla si “Po na sjellin një fshatar.” Personalisht i kapërceva këto paragjykime jo me pak keqardhje dhe zhgënjime dhe pse e dija, që, ndonjëherë kishin shkak mosnjohjen, por te një pjesë përmbanin dhe doza inati. Përgjigja më e mirë ndaj ziliqarëve dhe inatçinjtë ishte t’i përkushtohesha punës dhe ashtu bëra. Që në materialin e parë të estradës, që ishte një skeç parodi, spikata me interpretimin. Fitova duartrokitjet e para të spektatorit si profesionist dhe aty fillova të ngrohesha. Duke punuar vetë në sektorin e elektrikut, duke njohur mirë klasën punëtore, unë njihja deri në detaj problemet që takoheshin në ndërmarrje, në lidhje me burokracinë, me shpërdorimin e interpretimit të ligjeve në marrëdhënie të punëtorëve me ndërmarrjen, ndaj dhe hallkat burokratike të organikave spikatnin në atë skeç. Ishte një material ku gjithsekush gjente të shkrirë veten e tij dhe problemet e kohës. Kështu që, mbas disa javësh në festivalin e Durrësit ku do konkurronin estradat profesioniste, realizuam një repertor ku unë merrja pjesë për herë të parë me një numër bllok të estradës Profesioniste. “Punojmë dhe vigjilojmë” titullohej pjesa. Për të përgatitur këtë shfaqje filloi një punë intensive sepse ishte konkurrim kombëtar, plus dhe trupa kishte interesin të paraqitej sa më mirë. Detyrimi ishte i shumëfishtë, duhet të prezantohesha siç duhej, por ishte dhe një provë për mua. Kam punuar pa pushim, duke mos vënë re orare. Realizova 3-4 materiale që më nderuan në atë periudhë dhe që në një farë mënyre më vunë vulën. Sepse krahas estradës profesioniste unë punoja me amatorët në Patos, Cakran, sepse pavarësisht se u inkuadrova si profesionist, unë nuk isha i regjistruar në organikë. Borderonë e firmosja në vend tjetër. Në muajin nëntor të vitit 1969 u bënë disa vlerësime për aktorët dhe midis të tjerëve fitova dhe unë. Ishte një sadisfaksion i madh sepse u dekorova me medaljen “Naim Frashëri” të shkallës së parë si aktor i humorit, një medalje lavdiplotë që më inkuadroi te të përkëdhelurit e skenës. Ata që shiheshin me sy tjetër, por që duhet të punonin çdo çast, çdo ditë për të ruajtur pjacën e krijimtarisë. Gjatë viteve ‘70-të numëroj vetëm ngjitje në karrierën time të interpretimit. Një periudhë e artë sepse kam interpretuar në shumë komedi. Mund të veçoj komedinë e Kujtim Shehut “Portreti” e cila kishte në qendër një piktor. Ai kishte realizuar disa punime personale dhe për të marrë honorare nga ndërmarrja e tij sajoi një piktor të rremë. Mund të veçoj gjithashtu materialin “Hapi sytë e zezë” një shfaqje tjetër shumë e suksesshme. Gjatë kësaj kohe nisi të konsolidohej puna jonë me trupën dhe më vonë nga vitet 70-të ndryshoi çdo gjë në Estradën e Fierit në drejtim të cilësisë sepse ardhja e Pëllumb Kullës qe një rastësi e favorshme për kulturën e qytetit tonë.

Hasët në peripeci për të qenë ai pjesë e Estradës së Fierit?

Për të marrë Pëllumbin në Estradën e Fierit u kapërcyen shumë peripeci sepse në atë kohë bëhej një luftë e ashpër për sa i përket problemit klasor. Pëllumbi cilësohej si i deklasuar edhe pse, pas diplomimit, u emërua në teatrin e Vlorës. Por Komiteti i Partisë nga teatri e kishte çuar në guroren e Kaninës, për shkak të biografisë së keqe. Ndërsa Estrada e Fierit ishte ngritur në vitin 1957, ngritja e Teatrit Profesionist të Fierit, siç e përmenda më sipër, përkoi me vitin 1971. Teatri përmblodhi në vetvete shumë forca të kualifikuara. Disa aktorë kishin ardhur nga Instituti i Lartë i Arteve dhe disa të tjerë u tërhoqën nga bazat amatore. Ne kemi punuar në një kohë kur gjithçka mbi teatrin, estradën dhe kulturën vendosej nga Komiteti i Partisë. Më kujtohet se gjatë kësaj kohe sekretari i Partisë së Fierit, Ismet Cibaj, një njeri shumë dashamirës ndaj artit, kërkoi të zgjidhte kuadrot më të mira për kohën. E keqja ishte se ai nuk shkonte dakord me sekretarin e parë. Sekretari i parë kishte kontradikta, xhelozi dhe ai në pamje të parë dukej si njeri mendjemadh, por kur ngulte këmbë për diçka, e bënte punën siç i thoshte mendja. Shpesh për kontradiktat e tyre e pësonin artistët. Cibaj mori nga Vlora Leka Bungon, regjisor në teatrin e Vlorës. E mori me rastin e krijimit të teatrit dhe e emëroi regjisor. Kështu që Bungos i takon nderi të jetë regjisori i parë themelues i teatrit të qytetit. Inaugurimi i teatrit u bë me “Hijet e natës” së Vedat Kokonës, me bashkëpunimin e trupës së estradës ku bënte pjesë Nestor Pogaçe, Kujtim Jorgaqi, Nardi Poro, Hatixhe Bendo dhe Antigoni Golemi etj. Në shfaqjen inauguruese unë nuk mora pjesë. Pas kësaj drame vumë në skenë komedinë “Fejesa” të Çehovit, ku unë interpretoja rolin kryesor, Llomovin, ndërsa Hatiqeti luante rolin e Natasha Stepanovës dhe Nestori kishte rolin e Çubukovit. Ajo komedi na shkoi shumë mirë dhe unë realizova një personazh që u prit me duartrokitje nga spektatori. Meqenëse puna në teatër dhe estradë po vihej në binarë të sigurt, me ndërhyrjen e Leka Bungos u kërkua që estradën të vinte dhe ta drejtonte Pëllumb Kulla. U bënë shumë përçapje të shoqëruara me shumë pengesa. Fillimisht e morën Pëllumbin për të vënë në skenë një numër të vetëm të estradës dhe numri i parë me të ishte shfaqja “Revistë”. Ajo doli një shfaqje shumë e pëlqyer dhe skena kishte një dekor të bardhë, shumë simpatik. U shpenzua në fakt dhe pati rezultate shumë të mira. Mbaj mend se kam qenë shumë i shkathët dhe atë sezon realizova një skeç me shumë rrezik, ku interpretoja shefin e sigurimit teknik të ndërmarrjes.

Si titullohej skeçi?

Skeçi quhej “Masat e Rakos” dhe ai ishte një shef parullash. Kur vinin dhe i ankoheshin punëtorët: “S’kemi siguri nga vinçi” ose “ Prizat s’kanë kapakë”, shefi nuk merrte masa, por mjaftohej vetëm me tabela ndalesash. Pra, kur punëtorët i ankoheshin se prizat nuk kishin kapak, ai shtonte një tabelë ku shkruhej: “Kujdes! Prizat nuk kanë kapak.” Ruhuni këndej, ruhuni andej! Ndodhi që kur shefi i sigurimit teknik shkoi për të bërë një punë mbi vinç me një mekanizëm, u rrëzua nga maja e skenës para publikut, duke u varur. Kështu nisën të talleshin punëtorët me Rakon. Kishte batuta shumë të bukura kur shefi thoshte: “Aman më shpëtoni se po bie ca nga ca…” në një çast, me marifet rrëzohej këpuca në tokë, më pas kollarja kapej me një tel, binin gjyzlykët. Deri sa erdhën punëtorët dhe e shpëtuan. Skeçi pati shumë sukses dhe unë zgjodha një të folur në atë kohë që i përshtatej minoritetit. Thosha unë: “Me vjen shume keq per punonjesi te pararoja qe jen si ju, te me ben mua kritika per sigurimi tekniku dermarrja”. Kjo e folur shkaktoi shumë ilaritet, aq sa u fut çështja në kallëpet politike dhe më porositën se duhet ta hiqja imitimin e minoritarëve sepse nuk ishte mirë të trajtonim në estradë mënyrën e të folurit të një minoriteti të vlerësuar. U detyrova ta ktheja në gjuhën e zakonshme. Shfaqja bëri jehonë në gjithë republikën dhe erdhën ta ndiqnin në Fier shumë artistë, specialistë të teatrit nga i gjithë territori shqiptar. Ata e vlerësuan shfaqjen me shumë entuziazëm dhe që aty mori udhë përpjekja e madhe që Pëllumbi të vinte në mënyrë përfundimtare në estradën e Fierit. Siç e thashë, pengesat biografike zgjatën jo me ditë e me javë por me vite. Ishte një paradoks i madh se ai bënte punën ndërkohë që emrin kërkonin të mos ia vinin në afishe. Gjithë meritat i viheshin libretistit. Me shumë mundim e tërhoqëm në estradë, por në organikë nuk u regjistrua kurrë si regjisor, por si aktor. Në këtë kohë shpërtheu më keq xhelozia. Disa materiale që ishin vënë në trupën e Vlorës nuk kishin pasur sukses ndërkohë që aty morën hov, sepse Pëllumbi ishte shumë i aftë për atë punë, për më tepër se në estradën e Fierit gjeti shtratin e nevojshëm të aktorëve.

Cilët ishin aktorët e asaj kohe që kanë lënë gjurmë?

Aty ishte Nestor Pogaçe, ishte Fuat Boçi, Todi Llupi. Ai tërhoqi familjen nga Vlora dhe Xhulin, që e kishte bashkëshorten e tij, e bashkoi me trupën tonë të estradës. Pastaj rrethin e aktorëve e zgjeroi emërimi i aktorit të palodhur Sotir Stefa dhe i artistit ekspresiv e simpatik Arqile Lipe. Në fund, trupa e bë me e konsoliduar me ardhjen nga Patosi, të Hasan Bregut i cili u bë partneri im më i spikatur në një varg komedish si te “Çobo Rrapushi me shokë”, “Oh, ç’luftë e ngatërruar!” dhe një sërë pjesëzash të tjera ku “Telefoni i ri në shtëpi” ishte më e shquara. Kështu, trupa jonë u bë më e konsoliduar. Merreni me mend, na ngjitën edhe epitetin “Gjashtë vëllezër dhe një motër” sepse ishim shtatë individualitete të ndryshme që përbënim bërthamën e estradës. Mua më kujtohet se disa ambiente u zilepsën aq shumë, sa Komiteti i partisë së Vlorës kuturisi e dërgoi në Fier një letër, ku shkruhej: “Sa parti janë në Shqipëri? Është partia e Punës apo një parti në Vlorë dhe një në Fier? Partia në Vlorë e merr tjetrin e çon në gurore ndërsa partia e Fierit e merr dhe e bën regjisor!” Me shumë peripeci zbutnim këto ngacmime dhe kapërcenim vështirësitë. Kur kaloi një farë periudhe, plasi problemi i Plenumit të Katërt për problemet e artit dhe kulturës.

Çfarë ndodhi pas këtij plenumi?

Ai goditi çdo gjë. Siç ishte “Njollat e murrme” ku u prek egërsisht Mihallaq Luarasi dhe Kujtim Spahivogli, por edhe shumë artistë të tjerë. Në Fier u vu një dramë “Historia e një vajze”, që u diskutua shumë dhe u mbajt qëndrim politik ndaj Leka Bungos të cilin e degdisën në prodhim. Regjisorin e caktuan të pastronte zinxhirët e traktorëve. Në këtë situatë nuk mund të kërkonim vendosjen përfundimtare të Pëllumbit si regjisor, sepse u morën masa drastike. Sekretari i parë pati konflikt të madh me sekretarin e propagandës. U desh të vinte Ramiz Alia në Fier, i ngarkuar nga Enver Hoxha, për të sqaruar situatën, se po vihej një dramë me pikëpamje revizioniste në Fier. Më e bukura ishte se Ramizi kërkoi libretin e dramës në shtëpinë e pritjes dhe ai u xhindos kur pa në faqen e parë të interpretëve që rreshtohej një personazh me emrin Kurva. Sa e pa këtë cilësor, nuk e lexoi fare më tej, por e hodhi dramën tutje duke thënë: “Ç’janë këto marrëzira kështu!” Filluan spastrimet edhe në Fier. Ismet Cibën e çuan punëtor në Fierzë, sekretarin e partisë së teatrit e shkarkuan. Për njëfarë kohe mbetëm në heshtje. Puna bëhej por emri i regjisorit nuk vihej gjëkundi. Nga viti 1975 e prapa filloi një farë rehabilitimi si në heshtje i figurës së Pëllumbit, për të vënë ndonjë shfaqje me dy-tri emra, si biçim regjie kolegjiale. Teatri dhe Estrada formuan trupën, “Bylis” dhe suksesi erdhi në rritje. Një angazhim i madh për ne ishte Koncerti i Vitit të Ri. Mobilizoheshin gjithë vitin trupat me pjesët më të zgjedhura për t’i paraqitur në televizionin shqiptar në Natën e Vitit të Ri dhe mendoj se Estrada jonë është prezantuar shumë mirë në këto spektakle.(AFP.al)

6 komente në “Luftar Paja: Si u bëra me gjashtë vëllezër dhe një motër”

  1. Qinami nga Gorishova says:

    Suksesi i Luftarit qëndron në faktin sepse ai lindi fshatar dhe pret të vdesi si i tillë. Është aktor tipik për lumpenspektatorët.
    Kurse i biri, po! I biri është brilant, mjaft i qytetëruar dhe i arsimuar mirë për të qënë aktor. Ndryshojnë si nata me ditën nga vlerat artistike.

    1. Shaqo says:

      Epo ti ..i qiri i Gorishoves… po qihesh tani se Luftarin nuk paske pare asnjehere… Vazhdo te qihesh.

    2. Xake says:

      I biri i Luftetarit qe ta dini mire o njerez eshte Gazment Paja gjysem aktor e prej vitesh nje trafikant droge me pronare ata bosat te ish-Calvin tek rruga e Elbasanit perballe Filoqylit. Kush nuk e di te pyese e te mos kapet pas boleve te Luftetar Pajes?! Gaz Paja nen pektun e portokallit i eshte fshehur mire deri me sot profesionit te trafikantit te droges. Te fala Bert Xholit qe per nje 50 edhe nallbanin e ben profesor!

  2. Shaqo says:

    Epo ti ..i qiri i Gorishoves… po qihesh tani se Luftarin nuk paske pare asnjehere… Vazhdo te qihesh.

  3. joel shkodra says:

    Ne fakt titulli duhej te ishte: “Si u bera me pese vellezer …” dhe jo me gjashte se i gjashti ishte vete Luftari.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje