Ekspozimi i mozaikut rrëfen mbi të shkuarën e fshatit piktoresk të Linit

18 Gusht 2018, 16:02Kulturë TEMA
Ekspozimi i mozaikut rrëfen mbi të shkuarën e fshatit piktoresk

Nga Dhorjela Çule

Fshati piktoresk i Linit, i shtrirë rrëzë një gadishulli të vogël shkëmbor që zhytet thikë në liqenin e Ohrit ka adhuruesit e tij, të cilët këtë sezon turistik kishin arsye shtesë për të ndalur hapin: mozaiku i bazilikës së shekullit IV-V është i hapur për vizitorët.

Brenda rrethimit me kangjella të zonës ku ndodhet mozaiku, ndërtimi i një tende që siguron mbrojtjen nga faktorët atmosferikë ka krijuar mundësinë që një pjesë e Bazilikës të qëndrojë e ekspozuar dhe të vizitohet nga dhjetra turistë shqiptarë dhe të huaj.

Kisha paleokristiane e Linit u zbulua për herë të parë në vitin 1967 nga një ekspeditë hulumtuese e punonjësve të muzeut lokal të Pogradecit dhe doli në sipërfaqe plotësisht nga gërmimet e vitit 1968. Prej vitit 1973, ai është shpallur monument kulture i kategorisë së parë.

Materialet arkeologjike të zbuluara në dy shtresat kulturore, përfshirë monedha bakri të periudhës së perandorëve romakë Justin (518-527) dhe Justinian (527-565) si dhe enët prej qeramike të periudhës ilire i takojnë gjysmës së parë të mijëvjeçarit I dhe shekujve V-VIII të erës sonë. Një studim i arkeologut të njohur Skënder Anamali për mozaikët e Bazilikës tregon se kepi i Linit ka filluar të banohet në periudhën e parë të hekurit dhe jeta ka vazhduar pa ndërprerje deri në mesjetën e hershme.

E megjithatë, të paktë kanë qenë njerëzit që i kanë vizituar mozaikët nga afër ndër vite.

Restauratorja Amanda Cici thotë se pjesa e Pastoforit do të qëndrojë e hapur gjatë gjithë sezonit turistik, ndërsa po shihet mundësia e ekspozimit të plotë të bazilikës në të ardhmen.

“Pjesa e Pastoforit është ambjenti polifunksional i cili shërbente për ruajtjen e teksteve ungjillore dhe sendeve të shenjta të përdorimit liturgjik në Bazillikën e Linit,” tha Cici për BIRN.

Mozaiku i ekspozuar i Bazilikës së Linit, e cila ndodhet rreth 20 kilometra larg Pogradecit përbëhet nga disa kolona të punuara me mjeshtëri si dhe mozaikët me motive të njohura si zogjtë, gërshetat, kryqi i thyer apo lulet, por edhe elementë të rrallë për zonën dhe kohën.

“Mozaikët e bazilikës paleokristiane të Linit përbëhen nga motive që përfshijnë jo vetëm elemente të përdorura edhe në bazilikat e tjera si: “euharistia” [zogj që çukisin rrushin], motive me gërsheta, skena nga bota ujore, bimore dhe ajo shtazore, zvastika [kryqi i thyer] dhe lulet, por edhe motive që gjenden shumë rrallë si p.sh. bletët,” shpjegon restauratorja Cici.

Ngjyrat më të përdorura për zbukurim janë e bardha, e zeza, e kuqja, kafja, jeshilja, e verdha dhe portokallia. Për ndërtimin e mozaikëve janë përdorur gurë të vegjël në formë kubikësh (tesera) me përmasa 1×1 cm, të cilët kanë më së shumti përbërje gëlqerore, por nuk mungojnë as kubikët prej mermeri, ata prej tulle apo kubikët prej brumi qelqi.

Përveç pjesës së Pastoforit, pjesa tjetër e Bazilikës qëndron ende nën rërë.

Gërmimet ndër vite dhe studimet arkeologjike kanë treguar se në shtresën arkeologjike që i përket shek. X-XI, ka gjurmë të një zjarri masiv. Pikërisht gjatë kësaj periudhe, bazilika mendohet të jetë djegur deri në themel pasi vihet re se muret e saj janë rrafshuar tërësisht. Pas diegies, ajo nuk është rindërtuar më.

Ekspozimi i mozaikut të Linit ka tërhequr tashmë vëmendjen e turistëve të huaj. Stefan Lehmann, turist gjerman që ndodhet me pushime së bashku me familjen në liqenin e Ohrit  zgjodhi që të vizitojë këtë bazilikë, duke e vlerësuar si mjaft interesante.

“ Kam ardhur me familjen për të vizituar zonën përgjatë liqenit të Ohrit. Përmes një guide mësova se këtu ndodhej një mozaik. Është vërtet interesant dhe i konservuar mjaft mirë,” tha ai për BIRN.

Punonjës të muzeut duke u kujdesur për mozaikun në Lin. Foto:Dhorjela Çule.

Mozaiku i Linit është monument kulture i kategorisë së parë prej vitit 1973.

Tenda e vendosur për të mbrojtur mozaikun nga kushtet atmosferike. Foto:Dhorjela Çule.

/birn/

1 komente në “Ekspozimi i mozaikut rrëfen mbi të shkuarën e fshatit piktoresk të Linit”

  1. lejlek says:

    Vete lini eshte nje perle e cmuar mbi liqen, mozaiku i jep shkelqimin kesaj perle ….., Nese flitet eperflitet per turizem per shume vende te tjera , Pogradeci nuk ka nevoje per reklame , ai shkelqen ne cdo dite te vitit me bukurite e vete jetes .
    Cdo dite eshte e ndryshme nga tjetra ….., natyra te servir perdite nje pamje te re te papare me pare.
    Shkoni mahnituni me mbremjet e mengjeset magjepsese te ketij vendi te bekuar me emrin Pogradec , vizitojeni Linin e bukur dhe vendin e shente te te pareve tane .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje