Përse shqiptarët duhet të mbeshtesin Maqedonia e Veriut në NATO?

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Më 30 shtator shqiptarët e Republikës së Maqedonisë duhet të votojnë në referendum për zgjidhjen e konfliktit shumëvjeçar për çështjen e emrit të Maqedonisë. Pastaj ky vend mund të anëtarësohet në NATO dhe mund të fillojë negociatat për hyrje në BE. Alternativë tjetër është të pritet që çështjen e emrit të Fyromanisë ta zgjidhin shtete si Rusia e Serbia. Por, zgjidhja nuk do të jetë në favor të shqiptarëve. Kontribut në orientimin properëndimor të Maqedonisë mund të japë edhe diaspora shqiptare – duke aplikuar deri më 23 gusht në faqen e internetit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (shih linkun në fund të këtij teksti) dhe duke votuar.

Nga Enver Robelli

Qe një çerekshekull grekët bllokojnë Maqedoninë në mënyra të ndryshme për shkak të emrit të shtetit. Qe një çerekshekull grekët janë të bindur se ekziston vetëm një Maqedoni dhe ajo Maqedoni historikisht u takon vetëm grekëve dhe maqedonasit sllavë duhet të gjejnë një emër tjetër për t’ia vënë shtetit të tyre. Paramendojeni sikur francezët t’u thoshin zviceranëve: rajoni i Jurës shtrihet edhe në Francë, andaj ju zviceranë të poshtër nuk guxoni ta quani një kanton kufitar Jura.

Zviceranët dhe francezët kanë ecur më larg në rrugën e emancipimit politik, andaj askënd nuk e pengon që rajoni i Juras shtrihet në dy shtete dhe në Zvicër ekziston një kanton me emrin Jura. Me këtë argument nuk mund të flitet me grekët. Edhe në vitin 2018 dalin 300 mijë grekë në rrugë për të protestuar kundër qeverisë së tyre, e cila, më në fund, ka vendosur të bëjë një kompromis për t’i dhënë fund njërit prej konflikteve më absurde të politikës botërore që nga vdekja e Lekës së Madh nga alkooli në Babilon në vitin 323 para Erës së Re.

Grekëve nuk u ngutet. Shteti i tyre është anëtar i NATO-s dhe i Bashkimit Europian. Kur qeverive në Athinë u del nga dora planifikimi buxhetor dhe shteti rrezikon falimentimin, europianët e BE-së bëhen bashkë dhe e nxjerrin Greqinë nga këneta. Grekëve nuk u ngutet as për të zgjidhur konfliktin me Maqedoninë për çështjen e emrit. Në komedinë «Revizori» (1836) të shkrimtarit rus Nikolai Gogol administratori i qytetit thotë për mësuesin e historisë: «Ai është i mençur, kjo shihet, por ai jep mësim me aq zell e zjarr, saqë e humb krejt kontrollin mbi veten. E kam dëgjuar njëherë: derisa fliste për asirianët dhe babilonasit, durohej deri diku. Por, pastaj erdhi te Leka i Madh, dhe unë s’mund ta përshkruaj fare se ç’ndodhi me të. O Zot, kujtova që u kall shtëpia! Ai u vërsul pas pultit të tij, kapi një karrige dhe me krejt forcën që kishte e përplasi në tokë. (…) Leka i Madh ka qenë hero, krejt e dimë këtë, por a duhet thyer karriget për këtë?»

Një pjesë e madhe e grekëve të sotëm mendojnë se duhet thyer gati çdo gjë për të mos lejuar që të tjerët, në këtë rast maqedonasit sllavë, ta përvetësojnë Lekën e Madh. Me këtë kërkesë grekët mund të kenë të drejtë, ndonëse ka edhe shqiptarë që thonë se Leka i Madh (Aleksandri i Madh) ka qenë shqiptar, por kjo është çështje tjetër. Megjithatë, kërkesa greke që maqedonasit sllavë të mos kenë të drejtë ta quajnë veten maqedonas është e pavend, johistorike. Kombi maqedonas është i vonshëm dhe si çdo komb është shpikje e epokës moderne – siç janë grekët, shqiptarët, gjermanët, zviceranët, austriakët, hungarezët, amerikanët -, por kjo s’domethënë që maqedonasve duhet t’u mohohet identiteti maqedonas, sepse ata nuk e ndiejnë veten maqedonas që nga shpallja e pavarësisë para një çerekshekulli, por shumë më herët.

Maqedonia është vend kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 2005. Që nga atëherë Athina ka bllokuar hapjen e negociatave. Në vitin 2008 NATO mbajti samitin e saj në Bukuresht të Rumanisë. Aty u vendos që në NATO të pranohen Shqipëria dhe Kroacia, ndërsa hyrjen e Maqedonisë e bllokoi Greqia. Kryeministri nacionalist në Shkup, Nikolla Gruevski, i cili është me origjinë nga pjesa tani greke e Maqedonisë, thelloi konfliktin me Athinën duke zgjeruar projektin e tij për antikizimin e Maqedonisë. Aeroportit të Shkupit iu vendos emri Leka i Madh, rrugët e sheshet morën emra helenë, në qendër të kryeqytetit të Maqedonisë u ngrit një përmendore gati 30 metra e lartë e Lekës së Madh. Kësisoj Gruevski mobilizoi shtresa të gjera të shoqërisë maqedonase, jo vetëm nacionalistët. Ndërsa bashkëkombësve të tij u hidhte bonbone me helm nacionalist, Gruevski dhe vartësit e tij pasuroheshin pafund, siç dyshon drejtësia maqedonase. Mediat që kritikonin qeverinë, i nënshtroheshin presionit të madh, kritikët përgjoheshin nga shërbimi sekret. Për Gruevskin ishte praktike që shërbimin e drejtonte një familjar i tij, i cili në rast nevoje dhe për të ndezur konflikte ndëretnike rekrutonte në Kosovë disa aventurierë.

Nën regjimin e Gruevskit Maqedonia humbi simpatitë në botë. Kur erdhi në pushtet më 2006 Gruevski vlerësohej si politikan i preferuar i kancelares gjermane Angela Merkel, kur u bë publike se ka përgjuar mijëra qytetarë, ai nuk u prit më në Berlin. Si çdo popullist i frikësuar se pas humbjes së pushtetit mund të shkojë në burg për shkak të plaçkitjes së shtetit, edhe Gruevski ndryshoi prioritetet e tij politike: filloi t’i vardiset Rusisë. Dhe Rusia mirëpret vardisje të tilla nga sundimtarët e Ballkanit për shkak se synim i saj është të pengojë integrimin e rajonit në NATO. Për të bllokuar Malin e Zi në procesin e anëtarësimit në NATO Moska dyshohet se organizoi një grusht shteti në Podgoricë, i cili dështoi në çastin e fundit.

Gruevski dorëzoi postin më 2016. Një vit më vonë edhe partia e tij u dëbua nga pushteti, por tek pasi ithtarët e VMRO-së, partisë së Gruevskit, keqtrajtuan rëndë deputetët e partisë rivale socialdemokrate dhe të pakicës shqiptare, e cila përbën mes një të tretës dhe një të katërtës së dy milionë banorëve të Maqedonisë.

Nën drejtimin e kryeministrit Zoran Zaev Maqedonisë i ngutet. Sepse Shkupi nuk mund të jetojë pa një marrëveshje me Greqinë nëse synon të anëtarësohet në NATO. Dhe hyrja në NATO është si një garanci mbijetese përballë rrezikut rus. Ambasada ruse në Shkup është mjaft aktive në nxitjen e resentimenteve antiperëndimore te maqedonasit sllavë. Sivjet në Shkup erdhi edhe filozofi i Kremlinit Aleksander Dugin, i cili u përpoq t’i bind maqedonasit mbi rrezikun që u kanoset nga Bashkimi Europian. Qeveria greke ka dëbuar së fundi disa diplomatë rusë për shkak të rolit destruktiv. Dyshohet se diplomatët janë përpjekur të mobilizojnë forcat nacionaliste greke kundër zgjidhjes së kontestit të emrit me Maqedoninë.

Kryeministrat Zoran Zaev dhe Aleksis Cipars në qershor nënshkruan një marrëveshje, e cila rregullon zgjidhjen e ngatërresës mbi emrin. Më 30 shtator votuesit dhe votueset në Maqedoni dhe në diasporë janë të thirrur të vendosin në referendum nëse e pranojnë marrëveshjen, e cila parasheh që Maqedonia në të ardhmen të quhet Maqedonia e Veriut. Pyetja në fletëvotim është kjo: «A jeni për anëtarësim në BE dhe në NATO duke pranuar Marrëveshjen ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?» Qeveria me gjasë kishte frikë se përmendja e emrit të ri (Maqedoni e Veriut) në pyetje mund të shtyjë jo pak maqedonas të votojnë kundër marrëveshjes, andaj vendosi për një formulim kreativ dhe premtues, por assesi manipulativ. Në fillim të korrikut NATO vërtet i ka bërë thirrje Maqedonisë për të filluar bisedat finale për anëtarësim dhe ky mund të arrihet brenda një viti nëse kalon referendumi dhe nëse nuk ndodhë ndonjë e papritur në skenën e politikës botërore. Po ashtu edhe BE ka vendosur që në qershor të vitit të ardhshëm të fillojë negociatat për anëtarësim me Maqedoninë (dhe Shqipërinë).

Maqedonia ka një shans të papërsëritshëm për të mbyllur çështjen e mërzitshme të emrit. Dhe në këtë proces shqiptarët e Maqedonisë mund të japin kontribut të rëndësishëm, ndoshta edhe vendimtar. Thënë edhe më qartë: më 30 shtator shqiptarët e Republikës së Maqedonisë duhet të votojnë në referendum për zgjidhjen e konfliktit shumëvjeçar për çështjen e emrit të Maqedonisë. Maqedonia e Veriut në NATO është në interes të shqiptarëve kudo në Ballkan. Po ashtu edhe hapja e negociatave me BE-në. Alternativë tjetër është të pritet që çështjen e emrit të Fyromanisë ta zgjidhin shtete si Rusia e Serbia. Por, zgjidhja nuk do të ishte në favor të shqiptarëve. Natyrisht qeveria maqedonase duhet urgjentisht të avancojë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, të investojë në infrastrukturën e vendbanimeve shqiptare, të punësojë më shumë shqiptarë në institucionet shtetërore dhe sidomos në segmentet e sigurisë. Një shtet që hyn në NATO dhe përgatitet për të hyrë në BE ka gjasa të avancojë pozitën e shqiptarëve për dallim nga një shtet i mbetur në moçalin e konfliktit absurd me Greqinë. Para dy vitesh askush nuk ka mundur ta marrë me mend se një qeveri në Shkup do t’ia ndërrojë emrin aeroportit, se kryetar i Kuvendit të Maqedonisë do të jetë një shqiptar, se gjuha do të avancohet sa i përket përdorimit publik – ndonëse jo në nivel të duhur dhe këtu i mbetet partive shqiptare të shtojnë presionin në kuadër të integrimeve europiane. Por, në rrethanat aktuale gjeopolitike pakënaqësitë e arsyeshme të shqiptarëve nuk janë argument i bindshëm për të bllokuar hyrjen e Maqedonisë në NATO.

Kontribut në orientimin properëndimor të Maqedonisë mund të japë edhe diaspora shqiptare – duke aplikuar deri më 23 gusht në faqen e internetit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve:
https://dijaspora.sec.mk/Default.aspx
 dhe duke verifikuar praninë në Listën e Zgjedhësve në: https://izbirackispisok.gov.mk/dijaspora/ – për të votuar më 30 shtator në Maqedoni apo në përfaqësitë diplomatike e konsullore të botën e jashtme.

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

4 komente në “Përse shqiptarët duhet të mbeshtesin Maqedonia e Veriut në NATO?”

  1. Vëzhguesi says:

    Koqe kandari! nuk e lexova fare artikullin, përveç paragrafit të parë dhe e shtyva tutje. Në rastin e Greqisë dhe IRFJM-së flasim për dy
    shtete jo për dy rajone. Dhe nuk ka Maqedoni sllave dhe nuk ka më maqedonas në atë teritor, veçse shqiptarë dhe sllavë.

  2. vang says:

    Dakort qe shqiptaret te votojne por kam nje replike.Greqia u beri shume nder Firomisteve,vecuar pjesen shqiptare.Ajo (FIROM),nuk eshte Maqedoni por nje pjese e saje ,nje e katerta.Kantoni i Jures nuk eshte emri i shtetit Zviceran;-nuk i jep gjuhen gjithe shtetasve svicerane,as identitet francez por mbeten shtetas zvicerane.Keta te Firom,moren emrin Maqedoni pa qene maqedonas,por te ardhur,moren identitet maqedon duke qene sllave dhe gjuhe maqedone duke qene gjuhe sllave.FIROMASIT perkedhelen si shume qe duan edhe referendum,biles te mos e votojne.Po greket e maqedonise a mund te quhen maqedone??/ Emrin ua moren.Ketu nuk hyj ne diskutim a eshte e tyrja pjesa maqedonase historikisht.Ajo eshte ceshtje historianesh.Ata mund te ngaterrohen duke thene :jam maqedon sepse aq shume na u fry ”Maqedonia” e gruevskit sa nuk e kuptojne sa qesharake jane. Vjen nje popullsi ne shek e VIII dhe Aleksandri ka 1000 vjet qe ka vdekur,dhe thote une jam maqedon dhe me takon emri,flamuri identiteti gjuha etj.Hajde merru vesh tani,bejne edhe naze.PO nuk e pranoi edhe parlamenti Grek cfare do bejne pastaj?????

  3. a.f. says:

    Shkrim i gjate dhe i merzitshem, me digresione te panevojshme, por edhe te gabuara gjeografike dhe historike per ti dhene nje pergjigje te thjeshte pyetjes se shtruar tek titulli. Megjithate edhe vete titulli eshte shprehur gabim..

  4. Kuq e zi says:

    Enver te cmoj shume kur shkruan por jo per kete artikull
    Cfare krahasimi eshte france-zvicerr me fyrom-greqi?
    Zvicrra u krijua me 1300-ten nga principata te dryshme pa dallim gjuhe apo etnie ajo qe i bashkoi ishte shmangia e taksave te mbreterive te fuqishme qe kishin perqark
    Ndersa ne ballkan kufijt u moren me dhune pa marre parasysh asnje vlere morale apo drejtsie pra nese kerkon shembuj te ngjashem duhet ta krahasosh me hungarine etnike apo me basket,kurdet,etjer
    Prandaj shqiptaret te votojne si tja kete kokrra e qefit meqe askush si pordhi kur u bene bisedimet nuk kan asnje pergjegjsi morale se c’vendosen sllavet dhe greket
    Andaj z robelli kur tju bejme nje hater miqve tane perendimor te pakten duhet te kujtohen qe ekzistojme dhe gjate bisidimeve dho jo vetem kur votohet

Lini një Përgjigje te Kuq e zi Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *