Rrëfehet albanologu… Lulzim nga Serbia: Më vinte turp se s’dija asgjë për shqiptarët, edhe pse jemi fqinjë

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Intervistë me albanologun e ri nga Serbia, Tomislav Perušić.

Ju jeni një rast shumë i rrallë me lidhjen që e keni me Kosovën, me shqiptarët. Jeni lindur në vitin 1990, ndërsa në kohën kur ka shpërthyer lufta në Kosovë keni qenë fëmijë, s’keni pasur informacione. Si vendosët të lidheni me shqiptarët, t’i kaloni armiqësitë, sidomos pas asaj çfarë ka ndodhur në vitin 1999?

Mund të them që gati tërë jetën jam duke dëgjuar për Kosovën, ama unë s’kam ditur asgjë as për Kosovën, as për shqiptarët. Shpesh jam bërë nervoz kur dëgjoja emrin Kosova, se vazhdimisht dëgjoja të flitej për të, veç Kosova, Kosova. Edhe i thashë vetes: çka ka në Kosovë aq interesant, nuk e kuptoja. Pastaj, kur kam qenë në Amerikë, për herë të parë kam takuar shqiptarë. Edhe më vinte turp se s’dija asgjë për shqiptarët, edhe pse jemi fqinjë. Kam dëgjuar vetëm gjëra të këqija, dhe dëgjoja vetëm se Kosova është Serbi.

Ku i dëgjoje këto gjëra?

Në medie, në shkollë, në shoqëri, në rrugë, në lagje…

Domethënë, ju qëkur keni qenë të vegjël jeni përballur me këtë propagandë?

Që kur kam qenë 9 vjeçar kam ndjekur lajmet se ishin gjithandej veç për Kosovën. S’flitej asgjë tjetër, se në atë kohë ka qenë lufta e Kosovës. Dhe më herët s’kam ditur asgjë, se prindërit e mi s’kanë pasur dëshirë të na tregojnë se çfarë është duke ndodhur.

Por, ju keni qenë të vegjël, përse t’ju flisnin për luftën?

Po, po ama s’mund t’u shmangesh këtyre sendeve se në shkollë të gjithë kanë folur për gjendjen, për politikën. Është shumë e zakonshme, politika është një temë – edhe te të rinjtë, edhe te të vjetrit, e edhe te fëmijët.

A keni arritur ta vëreni dallimin me atë çka thotë politika për Kosovën për aq kohë sa ju po vini muaj për muaj këtu?

Unë kurrë s’kam pasur paragjykime për shqiptarët, por as për asnjë. Unë mendoja për Kosovën sikur për Sirinë e sotme kur erdha për herë të parë këtu. Ama u habita kur erdha se sa është ndërtuar Kosova, sa është e modernizuar, sa shumë të rinj ka, shumë gjallëri, më shumë se në Suboticë. Unë jam nga Subotica, ama këtu është ndryshe. Me gjithë qejf vij në Kosovë.

Por ju vini muaj për muaj, madje më treguat se keni një plan?

Po, vij muaj për muaj dhe kam një plan. Kam qejf të bëj master në Prishtinë. Vitin e ardhshëm do të vij në Prishtinë për master pasi ta përfundoj fakultetin në Beograd. Jam shumë i sigurt që do të vij në Prishtinë, se Prishtina është vend i mirë. Mendoj se Kosova është vend i mirë jo vetëm për gjuhën shqipe, se unë s’kam filluar mësimin e gjuhës për shkak të gjuhës, por për shkak të popullit, për shkak të komunikimit me shqiptarët, se dua t’i njoh më mirë shqiptarët meqë nuk kam ditur asgjë për shqiptarët.

Kur vini në Prishtinë, a i takoni edhe serbët e Kosovës apo vetëm shqiptarët?

Në përgjithësi shqiptarët. Unë kam shumë shoqëri këtu me vajza e djem shqiptarë, ama kam takuar disa serbë në seminar. Kam folur me ta, ata kanë pikëpamje më ndryshe prej meje.

Çfarë pikëpamje kanë ata, paragjykuese?

Po, janë paragjykues, por jo të gjithë. Kam takuar edhe disa vajza që ishin shumë mendjehapura, ama në përgjithësi mendoj se s’kanë dëshirë të flasin me shqiptarët, kanë frikë. Po një gjë që e kam vërejtur kur kuptojnë që unë studioj gjuhën shqipe, menjëherë fillojnë të flasin për politikë që nuk është kështu me shqiptarët. Kur flas me shqiptarët flasim për gjëra të tjera e pastaj  politika vjen më vonë.

Pra, rinia në Serbi është e politizuar. Përse kanë frikë rinia atje që të mos komunikojnë me shqiptarët dhe ju përse s’keni frikë?

Unë s’kam frikë se kurrë s’kam pasur paragjykime, dhe ndoshta për shkak se jam rritur në një familjeje të përzier. Jemi serb, kroat, hungarez.

E ke nënën apo babanë serb?

Nënën e kam serbe.

Pra, nëna s’paska ndikuar që të ndryshoni.

Jo, jo as nëna ime s’ka pasur kurrë paragjykime, edhe pse familja e saj është pak më paragjykuese, pak apo shumë s’di tash, se s’flasim shumë në familje për politikë për këtë temë.

Çka thotë nëna juaj për ardhjet tuaja të shpeshta në Kosovë?

Shpesh më pyesin çka po thotë nëna kur shkoj në Kosovë, se njerëzit që kanë paragjykime s’mund të besojnë që vij shpesh në Kosovë, por atyre u them, më thotë nëna, rrugë të mbarë. Ajo më mbështet çdoherë.

A i pëlqen nënës që vini për çdo muaj në Kosovë?

Po, sigurisht që ajo dëshiron që unë të shkoj më shumë te ajo në Suboticë se sa në Kosovë, por ajo po pajtohet me zgjedhjen time.

Të kthehemi pakëz në retrospektivë kur ishe student në Amerikë, aty vendosët të njiheshit me shqiptarët dhe si ishte ai moment?

Pasi që kam jetuar me komunitete të ndryshme në Queens të New Yorkut, kam takuar meksikanë, italianë, kinezë e të tjerë, më ra ndërmend që vetëm shqiptarët s’i kam takuar, edhe pse në disa raste kam takuar ndonjë por vetëm pak kemi folur. Edhe nuk kam ditur për kulturën shqiptare. Nuk kam ditur për gjuhën dhe thjesht vendosa t’i takojë. Kështu, kërkova në internet, atyre ditëve ishte përvjetori i pavarësisë së Kosovës në shkurt dhe unë kërkova se me siguri ka ndonjë festë dhe shkova dhe e gjeta një në Queens. Shkova atje, dëgjova muzikën shqipe për herë të parë, dëgjova gjuhën shqipe. Shkova edhe në një festë tjetër në Bronx dhe takova shumë shqiptarë, biseduam për shumë gjëra. Madje u vura në siklet t’ua them se jam prej Serbisë, se nuk e dija si do të reagojnë duke e ditur që është çështje e ndjeshme. Prandaj u thashë se jam prej Suboticës, prej Vojvodinës. Dhe vendosa ta mësoj gjuhën shqipe jo për shkak të punës, se s’kisha plan ta mësoja në fakultet dhe fillova me disa fjalë bazike. Në fillim m’u duk shumë e vështirë, jo të lexoj, se gjuha standarde nuk është aq e vështirë sa është dialekti. Dialektin e kam mësuar në Kosovë se në degën tonë në Beograd e mësojmë veç gjuhën standarde. E kemi një katedër shumë të mirë me profesoresha shumë të mira, dhe programin e kemi vetëm me gjuhën standarde.

Ju jeni lidhur më shumë se sa me gjuhën, orën e keni me shqiponjë, çantën me shqiponjë. Çka keni tjetër me shqiponjë…?

E kam kuletën me shqiponjë…

Jeni lidhur më shumë se sa më gjuhën. Ju stigmatizojnë serbët në Serbi apo në Kosovë? Ju kanë quajtur ndonjëherë tradhtar?

Me siguri, ka ndonjë, ama askush nuk guxon të më thotë diçka personalisht, se shoqëria që e kam në Serbi me respekton edhe nëse mendon ndryshe. Këta që mendojnë ndryshe nuk më flasin për këtë temë, nuk ma thonë, nuk më shesin propagandë….

Autoritetet ju marrin në pyetje për shkak se vini shpesh në Kosovë?

Po, më pyesin. Ama thjesht ju them kënaqem, kam shumë shoqëri, gjithsesi e shohin në Facebook, i shohin fotot e mia. Çdoherë i vendosi fotot në Facebook.

Pse e keni vënë emrin në Facebook si Tomislav Lulzim Perušić?

Kjo është falë një shoku prej Mitrovicës, Gentit. Më tha: meqë po vjen në Kosovë kaq shpesh, duhesh ta kesh edhe një emër shqiptar. Dhe kështu vendosa për emrin Lulzim.

Do të aplikoni për nënshtetësi?

Po, më intereson. Nëse shpërngulëm këtu në Prishtinë apo në ndonjë qytet tjetër në Kosovë, me siguri do ta marrë se me duhet për punë. Edhe pse tash kam tri nënshtetësi.

Tri nënshtetësi?

Të Serbisë, të Kroacisë dhe të Hungarisë.

I lejon kushtetua e Serbisë tri nënshtetësi?

Po, lejohet… nuk më ka pyetur askush a i kam a jo.

Të kanë kërcënuar ndonjëherë ultranacionalistët serbë?

Jo, personalisht jo. Por, kam pasur një incident. Ishim duke e shikuar një film dokumentar kosovar në Beograd dhe ka hyrë brenda një organizatë ekstreme dhe kanë bërë protestë. Pastaj u larguan pas 15 minutash, por njëri prej tyre ka qëndruar brenda që ta shikojë filmin. Ai bërtiti me fjalët se Kosova është Serbi kur në një moment shoqja ime qeshi diçka.

Besoni se Kosova është ndryshe nga ajo çka bëjnë thirrje nacionalistët se Kosova është Serbi?

Është krejt ndryshe.

Kur shkoni në Serbi, a arrini të thoni se si është këtu?

Gjithkund më pyesin, ama unë nuk flas për politikë.

Jo për politikë, por për gjërat që i shihni sa herë jeni në Kosovë?

Ju flas nëse janë të interesuar, nëse jo atëherë s’mund të vazhdoj të flas…  se kështu nuk mund të flas pa u hapur tema.

Më tregoni drejt diçka… E mbani orën dhe çantën me shqiponjë edhe kur jeni në Serbi?

Po patjetër, edhe çantën dhe orën…

Kush ua ka dhuruar këtë orë?

E kam blerë në Amerikë.

Janë simbole të dukshme, ju shikojnë njerëzit?

Veç i këqyrin, se unë nuk i mbaj këto sende që t’i provokoj njerëzit. Thjesht më pëlqejnë. Dua ta ndryshoj gjendjen dhe vëmendjen e popullit. Mendoj se nëse tregoj çka jam duke bërë në Kosovë, si po kaloj, njerëzit kanë për ta parë se nuk është ashtu siç ata po flasin.

A më shumë do të ndikonit për të ndryshuar raportet ndërmjet dy popujve duke ardhur në Kosovë apo duke qëndruar në Serbi?

Tani për mua është me rëndësi të vij në Kosovë dhe t’ju tregoj përmes Facebook-ut, përmes gjërave të tjera se si është në Kosovë. Por, mendoj se është me rëndësi të rri në Serbi edhe pak, edhe pse tash për tri vite jam në Beograd. Unë jam gjithashtu aktivist i një organizate joqeveritare «Gratë në të zeza», dhe ne bëjmë protesta, mbajmë komemoracione për luftërat  gjatë viteve ‘90, shumë merremi me këtë. Nuk flasim shumë, por po mundohemi të tregojmë çka ka ndodhur dhe të mundohemi të ndryshojmë.

Besoni se do të ndryshojë?

Unë po mundohem personalisht, se nuk e promovoj kulturën shqiptare gjatë protestave, por unë e bëj vetë personalisht në fakultet, në shoqëri, kudo tjetër.

Keni arritur ta bindni ndonjë serb tjetër të gjeneratës tuaj që të vijë në Kosovë dhe të shohë se këtu është një realitet tjetër nga ai i propagandës politike?

Kemi tash mjaft seminaristë, ata më kanë parë edhe mua përmes fotove të Facebook-ut se unë kaloj mirë në Kosovë, në Mitrovicë apo Prizren dhe kudo tjetër, dhe mendoj se kam ndikim tek ata. Kam shoqëri që duan të vijnë në Kosovë, por jo vetëm, se ata s’guxojnë të vijnë vetëm se gjëja kryesore, barriera kryesore është gjuha, sepse ata nuk dinë shqip. Këtu është ndryshe, të rinjtë dhe të vjetrit më flasin serbisht kur jam këtu, sidomos ata në Mitrovicë.

Më vjen mirë që dëshironi të bëheni pjesë e ndryshimit dhe gjeneratës së re për të luftuar armiqësitë që janë goxha të gjata dhe të thella, sidomos për shkak të asaj çfarë ka ndodhur gjatë vitit 1999…

Mendoj se është e mundshme të bashkëjetohet. Me ata që thonë ndryshe unë thjesht nuk pajtohem. Përvoja ime është krejt ndryshe. Unë s’i kuptoj, as nuk dua t’i dëgjoj kur dikush më thotë se nuk mund të bashkëjetojmë me shqiptarët. Ne mund të bashkëjetojmë me shqiptarët.

Kjo intervistë u realizua për Radio Kosovën

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

2 komente në “Rrëfehet albanologu… Lulzim nga Serbia: Më vinte turp se s’dija asgjë për shqiptarët, edhe pse jemi fqinjë”

  1. shqiptari says:

    E ka shperndare faren e UDB -se kudo Vucici,kopili i Milloshevicit se keshtu e nenshtron me mire popullin shqiptar si ne Kosove edhe ne Shqiperi.Me dhune ose me deshire nenshtron qeverite tona te punojne per Serbine .Kjo eshte e verteta dhe jo denglat e ketij kopili serb qe na shitet per flamurtar te bashkepunimit dhe respektit midis shqiptareve e serbeve.Midis nesh nuk ka pasur dhe nuk do te kete bashkepunim me interesa reciproke por vetem ne dobi te Serbise dhe kunder interesave shqiptare,si politike dhe ekonomike.Fatkeqsisht Kosoven dhe Shqiperine e udheheqin antishqiptare.Shqiptaret po kthehen ne minoritet ne trojet e tyre etnike dhe kjo fale nje plani te mirestudiur si hga serbet edhe nga greket.Ndjenjat tona per njeri tjetrin jane te ditura pavaresisht kamuflimit qe mundohen ti bejne.Ne kemi qene dhe jemi sklleverit dhe preja e tyre.
    Konsumoni produkte shqiptare dhe BOJKOTONI PRODUKTET SERBE DHE GREKE.SHQIPERIA E SHQIPTAREVE,VDEKJE TRADHAREVE TE KOMBIT TONE.

  2. shqiptari says:

    perse nuk i publikoni komentet tona?

Lini një Përgjigje te shqiptari Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *