Incidentet nukleare në det gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nga Avis Gjyshja

Instalimi i armëve bërthamore nëpër anije dhe nëndetëse, gjatë epokës së Luftës së Ftohtë, krijoi mundësinë e ca rreziqeve unike e të pa imagjinueshme për pasojat që ato mund të binin. Një nga llojet e armëve bërthamore që u zhvillua më shumë në atë periudhë ishin ato kundër nëndetëseve. Ngaqë nëndetëset me aftësitë dhe armatimet e tyre rrezikonin gjithë jetën e planetit, palët pa hezitim prodhuan armë nukleare akoma më të tmerrëshme kundër tyre. Por meqë incidentet dhe aksidentet ishin gjëra që ndodhnin rëndom për çdo lloj mjeti lundrues, përfshi dhe anijet luftarake sado të sofistikuara që të ishin, atëhere dukej qartë që do të ishte vetëm një çështje kohe para se armët bërthamore që ishin në bordet e tyre të bëheshin një kërcënim real e në përmasa kataklizmike per jetën në tokë…

Akoma dhe sot e kësaj dite shumë ish ushtarakë të NATO-s e kujtojnë si një ëndërr shumë të keqe natën e datës 22 nëntor 1975. Për një kohë shumë të gjatë, e vërteta e keqe e asaj nate u mundua të fshihej sa më shumë që të ishte e mundur, aq sa edhe sot akoma nuk është deklasifikuar plotësisht. Atë natë Deti Mesdhe me gjithë vëndet që i rrethojnë ujrat e tij, gati preku katastrofën e pa imagjinueshme bërthamore. Në kushtet e një moti shumë të keq, gjatë një stërvitje natën, jo më larg se 112 kilometra në lindje të Siçilisë, aeroplan mbajtësja amerikane “USS John F. Kennedy (CV-67)” u përplas me kruizerin po amerikan, “USS Belknap (CG-26)”. Megjithë përpjekjet e jashtëzakonëshme për të fikur zjarret e shkaktuara nga përplasja, kryqëzori vazhdoi të digjej pothuaj dhe për dy orë e gjysëm mbas momentit të përplasjes. Si një nga rastet e rralla që mbahen mënd mire në histori, Komanda e Forcave të Flotës së Gjashtë të SHBA, lëshoi alarmin “Broken Arrow”, alarm i cili lëshohet vetëm për rastet e jashtëzakonëshme të incidenteve apo aksidenteve bërthamore.

Përfundimisht zoti deshi që zjarri në “Belknap” të ndalej vetëm pak metra më tutje nga vëndi ku gjëndej depua e raketave bërthamore “Terrier Sam W45” (shih fotot që shoqërojnë postimin).

Ndërkohë duhet thënë se po në atë moment në bordin e aeroplan mbajtëses “USS John F. Kennedy (CV-67)” kishte rreth 100 bomba gravitacionale bërthamore. Për fat të mirë zjarri në bordin e aeroplan mbajtëses u shua më shpejt dhe qe jo me aq pasoja sa ai në kruizerin “USS Belknap (CG-26)”.

Një tjetër aeroplan mbajtëse amerikane, e njohur si “USS Enterprise (CVN-65)”, kishte pasur një fat edhe më të keq se e motra e saj e mesdheut “USS John F. Kennedy”. Gjashtë vjet më parë gjatë një lundrimi në jugperëndim të Pearl Harbor të Hawaii në Oqeanin Paqësor, për arësye të panjohura, një raketë e njërit nga avionët” F-4 Phantom”, që gjëndeshin në bordin e saj, shpërtheu duke goditur një nga çisternat e karburantit që gjëndej po në atë aeroplan mbajtëse. E tëra kjo në sekondë shkaktoi një seri zjarresh të dhunëshme që shkaktuan shpërthime raketash dhe bombash të tjera. Shpërthimet e ndodhura shkatërruan pothuaj gjithe kuvertën solide prej çeliqesh speciale të aeroplan mbajtëses bashkë me gjithë pjesën e pasme të anijes. Problemi ishte se “USS Enterprise (CVN-65)” kishte në depot e saj rreth 100 bomba bërthamore, e përveç këtyre dhe tetë reaktorë bërthamorë që i përdorte si burime normale fuqie. Për fat të mirë, edhe në këtë rast, fati e pa të arësyeshme që të mos ecte dhe pak më tutje në rrugën e një të keqeje pa kthim.

Gjatë dekadave të Luftës së Ftohtë, dhjetëra armë bërthamore humbën në det. Kjo për faktin e thjeshtë se ato ishin në anije, nëndetëse ose avionë të cilët humbën në thellësitë e oqeaneve bashkë me ngarkesat e tyre.

Më 5 dhjetor 1965, ndërsa aeroplan mbajtësja amerikane “USS Ticonderoga (CVA-14)”, po largohej nga operacionet në Vietnam për në Yokosuka në Japoni, një avion “Skyhawk A-4E” i drejtuar nga piloti D.M.Webster dhe i ngarkuar me një Bombë Nukleare me Hidrogjen, e njohur si bomba e tipit “B43”, ra në det. Kjo ndodhi në një manovrim rutinë në ashensorin e aeroplan mbajtëses në momentin kur avionin po e nxirrnin nga hangari i anijes. Rasti nuk u bë publik deri kur një raport i Pentagonit i vitit 1989 zbuloi që në atë kohë e në atë vënd kishte humbur një bombë bërthamore , me fuqi 1 Megaton. Shqyrtimi i dokumentave të anijes, tregoi se aksidenti ndodhi rreth rreth 80 milje në lindje te ishujve Ryukyu ose rreth 250 milje në jug të ishullit të Kyushu, ose e thënë ndryshe, jo më larg se 200 milje në lindje të Okinawa. Ligjet japoneze e ndalonin dhe e ndalojnë rreptësisht futjen e armëve bërthamore brënda territoreve dhe ujrave të Japonisë dhe kjo ngjarje zbuloi dhe faktin e trishtuar që amerikanët, të paktën në këtë rast, jo vetëm që kishin shkelur ligjet japoneze por dhe më e keqja ishte që avionët amerikanë gjatë luftës së Vietnamit mbanin gati për sulm, edhe armë bërthamore.

Tre vjet më vonë, në një datë të panjohur të dhjetë ditëshit të tretë të muajit Maj 1968 dhe për arsye që nuk janë qartësuar asnjëherë, do të mbytej dhe nëndetësja bërthamore “USS Scorpion (SSN-589)”. Ajo u mbyt në Oqeanin Atlantik, afërsisht 644 kilometra në jugperëndim të ishujve Azore.

Vetëm në vitin 1981, pra rreth 13 vjet më vonë, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes, do të deklaronte për një incident me armë bërthamore të ndodhur në Oqeanin Atlantik në pranverën e vitit 1968. Ngjarja nuk është deklasifikuar akoma dhe nuk dihen hollësi, por mendohet se në momentin e mbytjes, nëndetësja bërthamore “USS Scorpion (SSN-589)” kishte në bordin e saj dy silurë bërthamorë të tipit “ASTOR”.

Një tjetër lloj rreziku ishin dhe përplasjet midis anijeve të të dy kampeve. Prania e armëve bërthamore ishte një alarm i madh për të gjitha palët dhe në zona të caktuara kishte vërtet një trafik të shtuar detar. Disa nga incidentet më dramatike janë regjistruar gjatë krizës së Raketave Kubane në vitin 1962, kohë kur nëndetëset sovjetike përgatitën armët e tyre bërthamore për përdorim real, dhe forcat detare amerikane, shumica prej të cilave ishin gjithashtu të armatosura me armë bërthamore, filluan me të drejtë ndjekjen e nëndetëseve sovjetike pothuaj në të gjithë ujërat e globit. Në atë kohë vetëm SHBA numëronte rreth 750 armë bërthamore të vendosura vetëm në Oqeanin Atlantik.

Në fakt incidente të rrezikëshme vazhduan të ndodhnin gjatë gjithë Luftës së Ftohtë. Në maj të vitit 1974, nëndetësja bërthamore amerikane “USS Pintado (SSN-672)”, gjatë një lundrimi në rreth 60 metra thellësi, diku pranë bazës detare Petropavlovsk në Gadishullin Kamçatka, u përplas pothuajse ballë përballë me nëndetësen bërthamore sovjetike “Yankee I – Class”. Përplasja shkatërroi sonaret e “Pintado”-s, bllokoi një nga aparatet e silurave të saj dhe nxori nga përdorimi dhe timonat horizontalë të nëndetëses. “Pintado”, në atë moment, mendohet se kishte në bordin e saj 4 deri në 6 raketa bërthamore “SUBROC”. Ndërsa nëndetësja sovjetike, mendohet se kishte në bord 16 raketa balistike”SS -N-6” si edhe 32 koka të ndryshme bërthamore.

Më 22 gusht 1976, forcat anti-nëndetëse amerikane, në Atlantik dhe në Mesdhe kishin ndjekur për dhjetë ditë pa ndërprerje një nëndetëse sovjetike të tipit “Echo II-Class” e cila ishte e pajisur me armatim dhe me motorra bërthamorë. Në një moment nëndetësja sovjetike doli krejt papritur në sipërfaqe, gati ngjitur me fregatën amerikane “USS Voge (FF-1047)” dhe pothuaj po kaq shpejt u kthye gabimisht drejtëpërdrejtë fregatës amerikane. Përplasja u bë e pa evitueshme dhe dëmi ishte i madh për të dy palët. Mendohet se në atë moment “USS Voge” kishte në bordin e saj raketa bërthamore anti-nëndetëse të tipit “ASROC”.

Në ato vite amerikanët numëronin rreth 430 armë bërthamore në Detin Mesdhe.

Pothuajse deri në fund të Luftës së Ftohtë, pra deri në fund të viteve 1980, luftanijet bërthamore, vazhduan të përfshiheshin në incidente serioze në det. Gjatë një stërvitje në Detin e Zi, më 12 shkurt 1988, dy luftëanije amerikane, kruizeri “USS Yorktown (CG-48)” dhe destrojeri” USS Caron (DD-970)” u përplasën respektivisht me dy fregata sovjetike: – “Krivak-Class” dhe “Mirka-Class”. Të dyja anijet e SHBA kishin në organikë raketa bërthamore “ASROC” dhe “Caron”. Në fakt raketa bërthamore “W4”, e njohur dhe si “ASROC”, në atë kohë ishte në procesin e heqjes nga armatimi amerikan por përsa kohë që incidenti akoma nuk është deklasifikuar, nuk është e qartë në se vërtet anijet amerikane kishin apo nuk kishin raketa bërthamore ne bordet e tyre gjatë këtij incidenti. Ndërsa për fregatën sovjetike” Krivak”, mendohet se në momentin e përplasjes , ajo edhe mund të kishte armë bërthamore të tipit anti-nëndetëse.

Me kalimin e kohës analizat gjithëpalëshe për rreziqet e jashtëzakonëshme që mund të vinin nga incidentet me armët bërthamore në Mesdhe sa vinin e bëheshin më shqetësuese derisa bindën superfuqitë që të largonin armët e tyre bërthamore nga ky rajon kaq vital për jetën në planet.

Në vijim të kësaj lëvizje të mirëpritur, të dhënat e deklasifikuara, tregojnë se numri i armëve bërthamore të SHBA në detin Mesdhe, mbas vitit 1987, ra në zero..

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
        
        Loading...
        

1 komente në “Incidentet nukleare në det gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë”

  1. Kalec Dega says:

    incidente? nukleare?…ju rafte pika o beu yne….
    incidentalisht harruat berthamore…o kopuka…..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *