Jari shpjegon domethënien e fotos së Ramës me Ronaldon

Buja e madhe që ka bërë fotoja e Ramës me Ronaldon e shqetësoi sot Jarin.

Ndaj vendosi që postimin e sotëm t’ia kushtojë kësaj fotoje.

Mesazhi është i qartë.

Rama do ta fitojë lojën me lojtarë të blerë shtrenjtë.

“Mesazh i ndyrë për votuesit shqiptarë.

Me avionin e armikut dhe me lojtarë të blerë do të fitojë pushtetin”, shkruan Jari.

Dhe më poshtë vazhdon shpjegimi i tij:

“Të dashur demokratë. Jari ju sqaron!

Udhëtimi i Ramës me avion privat për në Torino, ka një mesazh të dyfishtë pervers.

E para, ai që bën si tifoz i Juventusit dhe pranon të shkojë ta shikojë ndeshjen me avion të paguar nga Lacio, pra nga ekipi i tij kundërshtar.

Çfarë do të thotë kjo?

Kjo do të thotë se ai po na jep mesazh ne, që po përdor opozitën për punët e veta.

Njësoj siç udhëtoi drejt Torinos me avionin e kundërshtarit të vet për në ndeshje, ashtu jep mesazh se do shkojë drejt zgjedhjeve duke udhëtuar me avionin tonë.

Kjo duhet të na risë vigjilencën, pasi mesazhi është i qartë.

Mesazhi i dytë i tmerrshëm është takimi me Ronaldon.

Juve e ka blerë shtrenjtë Ronaldon për të fituar Champions League.

Mesazhi i Ramës është i qartë.

Ai është duke na thënë se do ta fitojë betejën duke blerë shtrenjtë një nga lojtarët tanë.

Unë për vete ju siguroj se nuk shitem për asgjë.

Por Rama nuk e çon kot këtë mesazh.

Duhet të jemi vigjilent se dikush është duke u shitur shtrenjtë në emër të opozitës.

Ai po jep mesazh se do ta fitojë betejën me lojtarë të blerë.

Kjo është mëse e qartë.

Këto janë dy mesazhe perverse që duhet t’u kundërvihemi fort.”

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...