Prestigjozia izraelite shkrim për Shqipërinë: Një nga destinacionet më të mira turistike të vitit, ja qytetet që duhen vizituar me patjetër

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Pikat turistike, shumëllojshmëria e vendeve si dhe bukuritë që ofron Shqipëria kanë nxitur së fundi edhe interesin e turistëve izraelitë.

Kryeministri Edi Rama, përmes rrjetit social “Facebook” ndau sot shkrimin e prestigjiozes izraelite ”Ha’aretz”, e cila e cilëson Shqipërinë një destinacion të mrekullueshëm turistik”.

“Mirëmëngjes dhe me këtë artikull të medias izraelite kushtuar Shqipërisë, duke përshkruar pikat turistike, shumëllojshmërinë e vendeve si dhe bukuritë që ofron vendi ynë, ju uroj një të dielë të bukur”, shkruan Rama.

Më poshtë shkrimi i plotë i ”Ha’aretz” për Shqipërinë:

Rezulton se jo vetëm Greqia mund të jetë e bukur dhe tërheqëse. Shqipëria, fqinji i saj, ka gjithçka që duhet për të kaluar pushimet, duke filluar që nga vendet e trashëgimisë, plazhet, muzetë, arkitektura osmane si dhe natyra në fshatrat e izoluara që përshkohen nga lumenj të egër, e cila të lë pa frymë.

Kështu shkruan gazeta e përditshme prestigjioze izraelite “Ha’aretz”, në artikullin kushtuar Shqipërisë, duke përshkruar pikat turistike, shumëllojshmërinë e vendeve si dhe bukuritë që ofron vendi ynë.

Shqipëria është kthyer një nga destinacionet më të mira turistike të vitit edhe pse për tri dekada ajo ka qenë e izoluar nga pjesa tjetër e botës. Sot, ajo pranon turizmin e ardhshëm, duke mirëpritur turistët nga gjithë vendet, pasi është një nga vendet më të bukura në rajonin e Ballkanit.

Me një kuzhinë të larmishme me ndikime nga kuzhina greke, turke dhe italiane, ky komb bujar ka peizazhe të egra dhe plazhet më të bukura në rajon.
Për shumë izraelitë, ky është një zbulim, falë faktit që për herë të parë këtë vit filluan fluturime të drejtpërdrejta me Shqipërinë, kështu që pak para se të vizitohet nga turistët dhe të bëhet Mikonosi tjetër, duhet të shkoni për të eksploruar këtë vend.

Në Shqipëri është shumë e vlefshme të marrësh me qira një makinë për të lëvizur në qytete të ndryshme dhe udhëtimi do të jetë i bukur, pasi udhëtarëve nuk do t’ju mungojnë peizazhet malore, fshatrat dhe bregdetet e bukura.

Shqipëria, ju ofron dhjetë destinacione të lira për t’u eksploruar:

Mendoni për plazhet e vogla dhe më pak të njohura

Shqipëria vendos një standard të lartë për fqinjët e saj në ato që quhen plazhe perfekte për pushime familjare, për të mos përmendur çmimet e ulëta të akomodimit në fshatrat turistikë. Nëse merrni me qira një makinë, është shumë mirë të filloni në fundin jugor, ku do të gjeni “Maldivet” shqiptare duke vizituar Ksamilin, një fshat të vogël me një nga plazhet më të bukura në Shqipëri. Ai është futur në listën e 20 plazheve më të bukura në Europë dhe tashmë është zbuluar edhe nga turistët.

Një gjysmë ore me makinë është Saranda, ku përveç një plazhi spektakolar, mund të vizitoni edhe burimin e quajtur “Syri i Kaltër”. Vendi është një fenomen i mrekullueshëm natyror, ku burimi i ujit që vjen nga toka e ngjyros me blu të thellë dhe të kaltër. Pak kilometra në veri në të njëjtën rrugë, disa limane të izoluara janë fshehur midis maleve dhe që zbresin ndjeshëm në det, Palasa, Jala, Gjipeja dhe Dhërmiu, plazhe ideale për ndalesa të qeta dhe të bukura.

Për entuziastët e kampingut në përgjithësi, Parku Kombëtar i Valbonës është pikërisht vendi i duhur. Parku, i vendosur në Alpet shqiptare që kufizohet me Malin e Zi, është një nga vendet misterioze të fundit në Europë. Atje mund të shihni një peizazh me frymë alpine, burime të fshehura në mes të maleve, luginave dhe ujëvarave, kafshëve të egra dhe natyrë që ju nuk mund ta shihni më në vende të tjera. Turistët mund të akomodohen në fshatin e afërt që ofron një shtëpi mysafirësh dhe disa restorante.

Për turistët që kanë dëshirë të eksplorojnë majat me dëborë, luginat e gjelbra, liqenet dhe fshatrat e izoluara mund të vazhdojnë të shkojnë në luginën e Thethit. Një rrugë prej 10 kilometrash që kalon midis peizazheve madhështore, ku gjatë udhëtimit do të shihni kasolle barinjsh dhe dele. Meqë zona është relativisht e lartë dhe e ftohtë në verë, është shumë e rekomandueshme që të informoheni për motin dhe temperaturat para se të niseni.

Shqipëria është e mbushur me liqene dhe lumenj. Liqeni i Komanit në veri të vendit, është një nga vendet më të njohura në Shqipëri. Liqeni është i rrethuar nga shkëmbinjtë e pjerrët që kryqëzohen me shkëmbinjtë e gurit, të cilat formojnë një nga kanionet më të bukura të vendit. Struktura topografike dhe bimësia e dendur në zonë kontribuojnë në krijimin e habitateve të ndryshme për kafshët, që shpesh shihen në brigjet e lumit. Lëvizja e njerëzve bëhet me traget dhe ka pamjen si fjordet e Norvegjisë. Në pjesën jugore të Shqipërisë do të gjeni liqenet e Ohrit dhe Prespës. Liqeni i Ohrit, që shtrihet midis Shqipërisë dhe Maqedonisë, është një nga liqenet më të vjetra të zbuluara në Europë dhe një nga më të thellët. Ky është një nga vendet më magjike që “takojmë” në Shqipëri. Pranë Ohrit është liqeni i Prespës së Madhe, i cili ndahet mes tre shteteve, Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë, ku zona përfshin tre parqe nacionale. Zona është e pasur me monumente të lashta të tilla si kisha, kështjella dhe manastire që rrethojnë liqenin.

Qyteti i Korçës

Pas gjithë udhëtimeve nëpër plazhe dhe male, keni nevojë për një qytetërim të vogël dhe një ndalesë për pushim. Qyteti i Korçës në Shqipërinë juglindore, është një nga më të bukurit e vendit. Rrugicat me kalldrëm të shoqërojnë kudo dhe duket se në to koha ka ndaluar. Gjithashtu, këtu mund të shihni Katedralen e qytetit një nga monumentet më interesante i cili përmban kultin brenda. Por mund dhe të festoni në festivalin e përvitshëm të birrës, më i famshmi në qytet dhe është ngjarja më e madhe në Shqipëri, me rreth 100,000 pjesëmarrës për pesë ditë, ku çdokush mund ta shijojë birrën falas.

Kryeqyteti, Tirana

Krahas arkitekturës komuniste e cila vërehet dhe sot, ka dhe ndërtime moderne. Disa thonë se kontrasti i madh të kujton Berlinin. Vitin e kaluar, Tirana është renditur si një nga vendet më të lira në Europë për mënyrën e jetës, për të pirë dhe ngrënë me një kosto më pak se pesë dollarë. Në Tiranë do të gjeni pesë qendra tregtare të lira dhe me firma të njohura. Përtej pazareve dhe qendrave tregtare, Tirana ka një numër të madh institucionesh kulturore, muze dhe vende përkujtimore që janë ruajtur që nga periudha e hershme romake. Gjithashtu me vlerë për t’u vizituar është dhe Piramida, e cila është si një muze për të ruajtur trashëgiminë e qytetit.

Ushqimi më i mirë për të ngrënë

Shqipëria nuk është një vend vetëm me peizazhe të bukura, por edhe një vend që reflekton një ushqim të larmishëm, për shkak të ndikimeve të lëna nga perandoritë e ndryshme që e kanë sunduar. Për shembull, një nga gatimet më të famshme në Shqipëri është byreku, i bërë nga brumi fli, i mbushur me spinaq apo mish, një traditë nga Perandoria Osmane. Rakia, sinonimi i pijeve të famshme greke si dhe Grappa italiane, është pija më e konsumuar alkoolike në të gjithë vendin. Qoftet janë kudo si dhe nuk mungon dhe kebapi turk.

Butrinti dhe Apolonia

Butrinti dhe Apolonia, janë dy vendet më të vjetra dhe më të rëndësishme në vend. Butrinti është një tjetër koloni greke nga periudha e Paleolitit, i cili u shpall Trashëgimi Botërore nga UNESCO. Një nga pamjet më intriguese, Parku Arkeologjik i Apolonisë është në fakt një qytet dhe koloni e lashtë greke e themeluar në vitin 588 p.e.s., një qytet që është bërë një qendër popullore kulturore në atë kohë. Për më tepër Shqipëria ka dhe disa vende të tjera historike për t’u vizituar si Kruja, Berati dhe Gjirokastra.

Festat dhe ngjarjet

Shqipëria është gjithashtu një destinacion i përsosur për dashamirësit e festivalit. Pas suksesit të festivalit Kala (Kala), një festival muzikor ndërkombëtar, Shqipëria vazhdon të presë dhjetëra mijëra turistë të huaj përgjatë Rivierës, siç priti në festivalin “Kala Fest” i cili dhuroi muzikë elektronike dhe një atmosferë të mahnitshme për të pranishmit. Gjithashtu dhe Festivali i Jugut (South Outdoor Festival), një ngjarje e jashtëzakonshme që përfshin disa fshatra për tri ditë, gjatë së cilës ju mund të ndiqni sporte ekstreme, turne me xhip, zhytje, kampe në natyrë, të hani ushqime tradicionale dhe të konsumoni birrë vendase si dhe të merrni pjesë në festa plazhi, pra një alternativë e mrekullueshme për këdo. Festivali Fustanella është ndoshta versioni lokal i Festivalit Arad. Është pak më modeste dhe është e përkushtuar tërësisht folklorit lokal, sidomos këngëve tradicionale shqiptare dhe zgjat tri ditë, në Gjirokastër.

Berati ose Gjirokastra?

Berati dhe Gjirokastra janë qytetet më të lashta në Shqipëri. Berati, i njohur gjithashtu si qyteti i “një mbi një dritareve” ndahet në dy pjesë: Qyteti i vjetër dhe qyteti i ri. Është e mundur të bëhet dallimi ndërmjet zonave sipas arkitekturës: Qyteti i vjetër me pamjen osmane dhe qyteti i ri me ndërtimet me karakter komunist.
Në qytetin e vjetër ka rrënoja mesjetare dhe ju gjithashtu mund të vizitoni kalanë dhe Muzeun e Ikonografisë. Ndërsa errësira bie, mijëra dritare fillojnë të ndriçojnë dhe qyteti bëhet edhe më i bukur.

Gjirokastra është një perlë shqiptare e fshehur mes maleve dhe ndoshta është arsyeja pse shumë turistë nuk e “takojnë” atë. Dhe një keqardhje! Në qytetin e vjetër ka rrugë të pjerrëta me kalldrëm dhe një mauzoleum antik otoman dhe përtej kësaj, kalaja e dytë më e madhe në Ballkan. Në kështjellë ju mund të admironi topat e rëndë dhe kullën e sahatit, por kryesisht aeroplanin amerikan që u rrëzua gjatë regjimit komunist.

Muzeu Historik Kombëtar

Gjatë historisë së saj, Shqipëria u pushtua disa herë, iu nënshtrua një numri të madh luftërash dhe u udhëhoq nga diktatori Enver Hoxha, që udhëhoqi një regjim të egër komunist. Tani gjithçka që mbetet është të shohësh muzeun më të rëndësishëm në vend. Muzeu më i madh në Shqipëri ka shumë kuratorë (zbulime të rralla arkeologjike), koleksione të rralla dhe eksponate të dedikuara për ata që vuajtën përndjekjen nga regjimi komunist dhe nga ekspozitat e tjera të Luftës së Dytë Botërore./m.m/

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

1 komente në “Prestigjozia izraelite shkrim për Shqipërinë: Një nga destinacionet më të mira turistike të vitit, ja qytetet që duhen vizituar me patjetër”

  1. LABI says:

    BRAVO ,,shqiperise te vazhdohen investimet e medha ne turizem,,ne ndertime resortesh te medha,,,,,por te bera bukur pa prekur reren ,me pishina perpara.////

Lini një Përgjigje te LABI Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *