Pse kritikohet për eksportet kampionia e botës, Gjermania?

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Gjermania pritet të jetë për herë të tretë radhazi kampione e botës për tepricat në eksport. Kjo kritikohet si nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, ashtu edhe nga presidenti amerikan Trump. A e dëmton teprica gjermane botën?

Pse kritikohet Gjermania nga bota për tepricën në eksport? 

Këtë pyetje e shtrojnë me të drejtë shumë njerëz, kur të gjithë kemi mësuar se kur eksporton më shumë se importon është mirë për ekonominë. Se kjo është shenjë e një ekonomie të shëndetshme. Kjo është e saktë, por është vetëm gjysma e së vërtetës: në ekonominë e sotme globale, suksesi apo dështimi ekonomik i një vendi të madh prek edhe të tjerët. Sjellja ekonomike e vendeve me peshë ndikon në plan afatmesëm apo afatgjatë stabilitetin e përgjithshëm ekonomik botëror.

Dihet se kriza financiare në SHBA në 2008-ën ndikoi në shpërthimin e krizës financiare në Evropë. Po edhe suksesi ekonomik i një vendi nuk është vetëm faktor pozitiv për shtetet e tjera. Sipas analistëve nga kjo nuk bën përjashtim as suksesi i Gjermanisë në eksporte.

Cilat janë faktet? Gjermania pritet të shënojë për 2018-ën, një tepricë vjetore prej 299 miliardë dollarësh, në bilancin e pagesave. Pas saj për tepricën vjen Japonia me 200 miliardë dollarë dhe në vend të tretë Holanda, me 110 miliardë dollarë. Gjermania është kështu për herë të tretë radhazi kampione e botës në tepricat në eksport. Vetëm në qershor 2018 Gjermania eksportoi sipas Zyrës Gjermane të Statistikave, 115,5 Milliarden Euro: kuota më e lartë e një muaji që prej vitit 1950.

Teprica gjermane që buron nga eksporti, i përgjigjet 7,9 përqind të rendimentit ekonomik të Gjermanisë. Kjo në një kohë kur kufiri për tepricat, i caktuar nga Komisioni Evropian, në mënyrë që të ruhet stabiliteti ekonomik në botë, është gjashtë përqind e rendimentit ekonomik të një vendi. Madje kjo përqindje kufi nuk duhet të jetë kaq e lartë në vazhdimësi. Kurse teprica e Gjermanisë në vitet e shkuara ka qenë edhe më e lartë se tani, deri 8,5 përqind të rendimentit ekonomik.

Megjithatë, kritikat ndërkombëtare ndaj Gjermanisë, në thelb, nuk kanë objekt eksportet e forta gjermane, por importet relativisht të dobëta. Kur eksporton shumë më tepër se importon – dhe teprica gjermane në eksporte përballë importeve është e madhe, 266 miliardë euro – i thellon deficitet e vendeve të tjera. Duke importuar më pak prej të tjerëve, në plan afatmesëm e cënon balancën e ekonomisë botërore.

Përgjegjësia gjermane ndaj botës

Mbrojtësit e suksesit ekonomik të Gjermanisë kujtojnë me të drejtë se kontributin për stabilitetin e ekonomisë botërore Gjermania e jep me vetë stabilitetin e saj. Ekonomia më e madhe e eurozonës e kaloi e padëmtuar krizën financiare botërore të 2008-ës dhe buron stabilitet dhe qetësi për Evropën.

“Shuplaka të tilla nga bota i durojmë me qejf”, u shpreh para ca kohësh një ekonomist gjerman për kritikat ndërkombëtare për tepricën gjermane në eksporte. Amerika jeton mbi mundësitë e saj e hyn në deficit duke marrë borxhe në botë. Kurse ne kufizojmë konsumin dhe investimet e financojmë kështu standardin amerikan të jetesës, u mbrojt një ekonomist tjetër gjerman, përballë deficitit rekord të SHBA.

Në të njëjtën kohë kjo është jo vetëm një çështje etike e kulturore, por edhe përgjegjësie, me rëndësi praktike. Kur shtetet e tjera që mbledhin deficite nuk i financojnë dot më dikur kërkesat e tyre financiare, kur ato duhet të paguajnë interesa shumë të larta bankare, problemet zmadhohen. Po të eksportosh në mënyrë të vazhdueshme më shumë se të importosh, e kthen në model fitimi biznesi hyrjen në borxh të të tjerëve, thonë kritikët.

Arsyet e tepricës gjermane në eksporte

Ka disa arsye për tepricën gjermane në eksporte, e cila është tepricë kryesisht në mallra. E para – dhe më e njohura- është cilësia e mallrave gjermane. Blerësit më të mirë të mallrave cilësore gjermane kanë qenë vitet e fundit sidomos shtetet e Bashkimit Evropian (vetëm në gjashtë muajt e parë të 2018-ës eksportet gjermane për në BE u rritën me 5,4 përqind)

Së dyti, Gjermania ka përfituar nga kursi i këmbimit të euros, fakti që euroja ka qenë relativisht e dobët. Kjo i ka bërë mallrat gjermane më të lira dhe si rrjedhim më të kërkuara.

Faktorë të tjerë kanë të bëjnë me sjelljen tradicionale të gjermanëve: gjermanët, personat privatë, po edhe korporatat, preferojnë t’i kursejnë paratë në bankë, madje edhe kur ato mund ta humbasin vlerën nga interesat e ulëta bankare, por jo t’i shpenzojnë. Konsumi i gjermanëve, për gati 20 vjet me radhë, shënoi stanjacion dhe kjo ka luajtur rol në grumbullimin e kapitalit. Gjithashtu fakti që gjermanët me të ardhura të mesme dhe të ulëta, kanë pranuar të kenë rritje të vogla pagash në dekadat e fundit, është një faktor që e ka ruajtur kapitalin e sipërmarrjeve.

Demografia e rëndësia psikologjike e investimeve

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka disa vjet që i kërkon Gjermanisë që të investojë më shumë brenda vendit, që të nxitet konsumi i brendshëm. Dhe që Gjermania të shtojë importet. Qeveria gjermane nuk është indiferente ndaj kërkesave ndërkombëtare. Në gjysmëvitin e parë të 2018-ës, importet e Gjermanisë shënuan një vlerë rekord.  Ato kapën shumën 541,3 miliardë euro.

Autoritetet gjermane kujtojnë njëkohësisht se teprica gjermane në eksporte është vendim i tregut, se është kërkesa ajo që vendos pro ofertave gjermane. Por nga ana tjetër ekziston realisht një hapësirë fiskale për institucionet qendrore gjermane, që po shfrytëzohet më mirë. Janë shtuar investimet publike në rrugët, në shkolla dhe në infrastrukturën digjitale në Gjermani. Kjo ka ndikuar pozitivisht në bilanc. Vëzhgues thonë se megjithatë mund të shtohen edhe më tej investimet p.sh. duke ndërtuar më shumë banesa sociale, duke hapur kopshte shtesë për fëmijët, duke frenuar qiratë e larta.

Që në komunat gjermane të derdhen fonde dhe investime të qeverisë shihet me rëndësi jo vetëm ekonomike, por edhe psikologjike. Ka komuna që nuk kanë shumë para dhe duhet të shkurtojnë vazhdimisht fonde: për kopshtet, për pishinat, për ambjentet publike. Kjo i bën të pakënaqur disa njerëz. Njëkohësisht ata shohin që mbahen me para gjermane refugjatët e shumtë në Gjermani. Në këto rrethana ka njerëz që nuk mendojnë gjatë dhe thonë: “pra, për refugjatët paska para, kurse për ne jo?” Politika  mund të ndikojë këtu edhe për paqen sociale, me vendime për t’i shtuar investimet.

Gjermanët po shtojnë konsumin

2-3 vitet e fundit edhe konsumatorët gjermanët e kanë rritur konsumin. Kjo është përshëndetur në botë. Shkaqet për ndryshimin e sjelljes së konsumatorëve shihen në rritjen e pandërprerë ekonomike të Gjermanisë vitet e fundit.  Rrethana që papunësia në Gjermani është në nivelin më të ulët që prej ribashkimit, më 1991, luan gjithashtu rol. Njerëzit kanë më shumë para në xhep, sepse janë rritur së fundi edhe pagat e punonjësve.

Por autoritetet thonë se fakti që Gjermania ka një popullsi me moshë mesatare të plakur, shpjegon një tendencë të njerëzve për të kursyer një pjesë të madhe të të ardhurave, në vend që t’i konsumojnë ato për mallra importi.

Struktura demografike e Gjermanisë shihet nga disa analistë edhe si arsye se pse korporatat gjermane preferojnë të bëjnë investime të mëdha p.sh. në Azi, dhe më pak vetë në Gjermani. Në tregjet aziatike sipërmarrësit gjermanë presin rritje të kërkesave në të ardhmen. Por ka edhe faktorë të tjerë, që i frenojnë për investime korporatat në Gjermani. Si për shembull tatimet e larta në Gjermani, për të cilat ankohen shumë sipërmarrës. Edhe këtu mund të ndihmojë politika, përmes krijimit të kushteve të përshtatshme kuadër.(DW)

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *