Audio-përgjimi, shantazh katërvjeçar i Biankut për biznesin e vet!

Nga Mero Baze

Reagimi i Gjykatës së Strasburgut dhe sqarimi prej saj, se ka qenë në dijeni të bisedës mes gjyqtarit Ledio Bianku dhe nënkryetarit të KQZ në Shqipëri, për çështjen e pronave, por kjo çështje nuk ka shqetësuar Gjykatën dhe nuk ka ndikuar në vendimet e saj, i vë kapak zhurmës rreth audio-përgjimit.

Ajo që lë shije të hidhur nga gjithë kjo histori, është përpjekja e gjyqtarit Bianku për të regjistruar një zyrtar shqiptar, që e paska pasur dhe mik, dhe përdorimi i këtij regjistrimi prej katër vitesh si shantazh, në momentin kur Gjykata po shqyrton kandidaturat e reja të Shqipërisë për në këtë gjykatë.

Nga pikëpamja morale, përgjimi i zyrtarit të Tiranës, është një vulgaritet që tregon për një personalitet të dyfishtë të tij. Ai është treguar korrekt që ja ka referuar Gjykatës ndërhyrjen e qeverisë shqiptare, dhe Gjykata nuk ka pasur nevojë për audio-përgjimin që ai e ka mbajtur katër vite në sirtar, për këtë ditë.

Audio-përgjimi i është dashur për katër vite Ledio Biankut, për ta përdorur si presion ndaj qeverisë shqiptare, pasi në vitin 2016 qeveria shqiptare e akuzoi atë për konflikt interesi pasi vjehrri i tij kishte dy çështje pronash dhe ai nuk mund të ishte më pjesë e trupave gjykuese për pronat.

Deri në atë kohë ai ka qenë kyç për çështjen e pronave dhe thjesht kjo qeveri i ka prishur biznesin.

Dhe ky ësht i vetmi skandal në këtë histori.

Një gjyqtar që tenton të kapë peng qeverinë e vendit të tij, me audio-përgjime.

Për katër vite rresht, Bianku nuk qenka shqetësuar nga audio-përgjimi. Nuk është shqetësuar as Gjykata, dhe normal, nuk kishte pse të shqetësohej.

Nga ana tjetër, ai nuk e ka denoncuar audio-përgjimin as në Prokurori, as në publik, por e ka ruajtur për shantazh.

E gjithë kjo e kthen gjyqtarin nga të shantazhuar, në shantazhues, në një gjobëvënës ndaj qeverisë së vendit të vet.

Pasi ka parë se po konsumohet procedura e zëvendësimit të gjyqtarit në Strasburg dhe, pasi bëri dhe nja dhjetë ditë pushime tek “Laguna Blu” në shtëpinë e Genc Pollos, më në fund vendosi të bëjë një shërbim për sezonin e ri politik.

Në fakt, tani është koha që të hapen vërtet hetime për audio-përgjimin dhe të vihet para përgjegjësisë shantazhuesi me audio-përgjimin.

Qeveria nuk ka bërë shantazh ndaj tij. I ka shpalosur qëndrimin e saj për pronat përmes një zyrtari dhe i ka kërkuar ndihmë. Biles ato kërkesa ja ka bërë dhe zyrtarisht Strazburgut.

Ai ka bërë detyrën dhe ja ka referuar Gjykatës, dhe Gjykata ka bërë detyrën e saj, duke ruajtur pavarësinë.

Në rast se këtu ka ndonjë vepër penale dhe Bianku nuk e ka denoncuar, po ashtu duhet të jetë përgjegjës. Por fakti që e ka mbajtur katër vite në sirtar për ta përdorur për qëllimet e veta personale, është shantazh i pastër dhe duhet të hetohet seriozisht.

Është rasti më i pastër se si një gjyqtar turpëron jo vetëm Gjykatën për të cilën ka punuar, por tregon anën vulgare të personalitetit të tij, , ose si baxhanak, ose si specialist çimkash. Sikur ta kishte vëlla këtë Pollon!

 

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...