DOSSIER: Roli i Italisë në krijimin e Monarkisë në Shqipëri dhe Fuqitë e Mëdha

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Kushtetuta e re e 1 shtatorit të vitit 1928 sanksionoi shpalljen e Shqipërisë Mbretëri Demokratike Parlamentare të Trashëgueshme me “Mbret të Shqiptarëve” Naltmadhërinë e Tij, Zogu i Parë, i cili bëri betimin mbi Kuran dhe mbi Bibël si më poshtë:

“Unë Zogu, Mbret i Shqiptarëve, në çastin në të cilin po hudh kambën mbi Thronin e Mbretnís Shqiptare dhe po marr në duer Pushtetin Mbretnuer, betohem përpara fuqisë së Zotit me mbajtë Bashkimin Kombëtar, Independencën e Shtetit dhe Tokat. Betohem edhe të mbahem besnik ndaj Statutit dhe të veproj mbas pikave të tij dhe mbas ligjeve që ndodhen në zbatim, duke pas parasysh kurdoherë të mirën e popullit. Zoti më ndihmoftë”.

Në këtë 90 vjetor sjellim për lexuesit studimin e Ambasadorit Arben Cici mbi rolin vendimtar të Italisë në krijimin e Monarkisë Shqiptare, studim i shkëputur nga vepra e tij “Marrëdhëniet shqiptaro-italiane në vitet 1920-1934”, ribotuar në Tiranë në vitit 2013.

Koncepti i monarkisë, i drejtimit të shtetit nëpërmjet kurorës, me një centralizim të fortë dhe të kontrolluar nga lart, nuk ishte i panjohur për shqiptarët. Madje mund të thuhet se ishte shumë më familjar se koncepti i republikës.

Shëmbulli i Skënderbeut dhe pesë shekujt e pasuar nën sundimin otoman kishin mbjellë, rritur dhe ushqyer gjërësisht në popull psikologjinë e të qenurit vasal.

Edhe Fuqitë e Mëdha kishin marrë në konsideratë këtë element kur të nesërmen e pavarësisë së Shqipërisë dërguan aty princ Wid-in. Sidoqoftë një princ i huaj nuk mund të mishëronte ligjshmërinë e ushtrimit të pushtetit apo të sovranitetit i mbështetur në aprovimin nga brenda vendit përderisa ai nuk kishte lidhje të vazhdimësisë së brezave (apo të gjakut) me të cilat janë justifikuar të gjitha monarkitë në vendet e tjera.

Mund të themi se një të kaluar të tillë mban parasysh politika italiane ndaj shqiptarëve e cila në vitin 1927 do të vendoste theksin me të madhe ndaj kërkesës mbi domosdoshmërinë e një qëndrushmërie politike afat gjatë në Shqipëri.

Roma ishte shumë e interesuar dhe nuk dëshironte shkatërrimin e gjithë rezultatit të saj politik, ushtarak dhe ekonomik që kishte arritur në Shqipëri gjatë viteve të fundit. Për të, çdo luhatje ose tronditje e stabilitetit politik, do të kishte pasoja të drejtpërdrejta negative në interesat italiane.

Propozimi italian për krijimin e mbretërisë shqiptare me Ahmed Zogun mbret u hodh në tryezën e bisedimeve dypalëshe (Itali- Shqipëri), që gjatë diskutimeve të mesit të korrikut të vitit 1927, kur Musolini thirri në Romë Ugo Solan, (shefin e Legatës italiane në Durrës) për konsultime rreth masave që duhet të merreshin për forcimin dhe zgjerimin e ndërhyrjes së Italisë në Shqipëri. Në programin e shqyrtuar prej tre çështjesh, e dyta kishte të bënte pikërisht me poropozimin italian mbi mundësinë e krijimit të mbretërisë shqiptare ndërsa e treta, në plotësim të të dytës, të përfshinte problemin e martesës së Zogun më qëllim sigurimin e vazhdimësisë së regjimit.

Sipas Solas, Zogu kishte qenë plotësisht dakord me propozimin italian dhe diskutimi i pikës së dytë, e cila kishte lidhje me shndërrimin e republikës në  mbretëri, nxori në shesh këto çështje:

Në këtë fazë kishte një përputhje qëndrimesh por sidomos interesash midis Zogut dhe Italisë.

Nga njëra anë ishin ambicjet personale të Zogut dhe grupimeve që e mbështesnin atë për këtë ndryshim. Me kohë, mënyra e zotërimit të pushtetit aktual nga ana e tij ishte shumë afër konceptit të sistemin monarkist. Sjellja mbretërore që ai kishte mësuar nga Pallati i Abdyl Hamidit u plotësua me shënjat e shumta dalluese të uniformës së tij, deri në riprodhimin e portretit të tij në pulla dhe ndërtesa publike. Për konsum të brendshëm, Zogu u përpoq me të gjitha forcat që të lidhte origjinën e tij me familjen e Skënderbeut. Koncepti i një pushteti despotik kishte hedhur rrënjë në mëndjen e Zogut që në rininë e tij dhe ndoshta që në periudhën e qëndrimit të tij në Konstandinopojë dhe më vonë në Vjenë.

Ai kishte admirim të veçantë për dy figura monarkësh, Jul Qezarin dhe Napoleonin. Padyshim, sedra e tij e etur për lavdi ledhatohej jo vetëm nga përqëndrimi i pushtetit në duart e tij por edhe nga madhështia dhe ceremoniali që rrethon një fron monarku, shkruante Faik Bej Konica.

Të gjitha këto tregojnë se nuk ishte rastësi, deri edhe propozimi i hapur italian për të kapërxyer autoritetin e pushtetit të tij të kufizuar ligjërisht, që lidhej me formën republikane të qeverisjes.

Vendosja e një pushteti suprem, ndoshta në planin e brendshëm, do të krijonte një unitet të popullit, mentaliteti i të cilit ishte larg idealeve të një republike, dhe ku intrigat dhe luftrat ndërfisnore, të ushqyera edhe prej pushtimit ottoman, kishin krijuar një traditë negative për qeverisjen përfaqësuese parlamentare.

Një mbret, ashtu si fqinjët e afërta, Italia, Greqia, Jugosllavia dhe të largëta të Shqipërisë, dhe jo një president me një qeverisje të kufizuar do të mund të stabilizonte atë, do të mund të eleminonte elementët shkatërrues dhe shpërbërës të një shteti dhe për më tepër një fron mbretëror shqiptar i qëndrueshëm do të sanksiononte bindshëm pavarësinë dhe integritetin territorial të Shqipërisë.

Në rrugën e vendosjes së monarkisë, Zogut i duhej patjetër mbështetja e një fuqie të jashtme. Ndrojtja e tij nga ndonjë reagim i huaj armiqësor për këtë veprim përbënte një prej arsyeve kryesore që e shtyunë atë të mos shpallte monarkinë që në vitin 1925.

Po kështu, duke marrë në konsideratë situatën politiko-ekonomike të brendshme dhe atë gjeopolitike, sidomos të rajonit, përcaktuese, vendimtare dhe jetike për Zogun ishte një mbështetje e jashtme e fuqishme e cila do të amortizonte goditjet politike që i vinin nga brenda dhe do të siguronte jetëgjatësinë e pushtetit të tij.

Zogu e kishte kuptuar më së miri se shndërrimi i republikës në mbretëri dhe shpallja e tij mbret nuk ishte vetëm një ambicie e tij personale dhe e interesave ose grupimeve politike që e mbështesnin atë. Nga ana tjetër, edhe Roma dhe interesat e saj, duke njohur ambicjet e Zogut dhe duke shfrytëzuar varësinë ekonomike dhe politike të tij ndaj Italisë deri në këtë kohë, shikonin tek personi i tij figurën më të përshtatshme për të mbrojtur dhe ruajtur interesat e Italisë në Shqipëri. Për më tepër duke forcuar pushtetin personal të Zogut ajo mundësonte zgjerimin e depërtimit të gjithanshëm italian në Shqipëri në të ardhmen. Megjithëse Zogu ishte i ndërgjegjshëm dhe kuptonte të gjithë këta elementë, oferta e Musolinit e ledhatoi ndjeshën sedrën dhe ambicjen e tij karakteristike. Për fatin e tij të mirë, ishte e vetmja alternativë politike që propozonte Roma për momentin, alternative e cila përputhej si me interesat e Italisë (Musolinit) ashtu edhe me ato të Shqipërisë (Zogut).

Po ato ditë të firmosjes së traktatit të aleancës mbrojtëse (nëntor 1927) Pallati Chigi filloi të shtronte, si një problem të afërt tashmë, etapën e dytë të kësaj vije, transformimin në mbretëri të regjimit shqiptar. Me këtë transformim, d.m.th. duke krijuar një mbretëri vasale, Pallati Chigi synonte të përforconte ndaj të tretëve sidomos ndaj Jugosllavisë, sundimin e pakundërshtueshëm të Italisë mbi Shqipërinë. Zogu kishte refuzuar të bënte paralelisht nënshkrimin e traktatit të aleancës mbrojtëse dhe uljen e tij në fron (të cilin ai e kish dëshiruar prej kohësh) me qëllim që të mos i jepte përshtypjen Europës, sidomos Jugosllavisë dhe Anglisë, që froni ishte një shpërblim për traktatin.

Në fakt, në llogaritjet e tij, ai e kish menduar se si të zgjidhte ato që dukeshin si aspektet paraprake të problemit, se si të hiqte qafe ato persona që mund ta pengonin në marshin e tij drejt fronit. Zogu do të manovrojë midis kundërshtarëve të brendshëm dhe mbështetjes së tyre nga jashtë. Ai synoi të eliminonte ato figura, si Jusuf bej dhe Ceno bej Kryeziu, të cilët ishin veglat e Beogradit kundër regjimit të tij, si dhe Vërlacin i cili mund të shndërrohej një qëndër e opozitës së bejlerëve dhe eventualisht një njeri i preferuar për Qeverinë e Romes. Në mars të vitit 1927 u vra sërbofili Jusuf bej Dibra, kunati i Zogut. Në tetor u vra një tjetër kunat i tij, lidhur shumë me Beogradin, Ceno bej Kryeziu. Në dhjetor ndodhi atentati ndaj Shefqet bej Vërlacit, italofil. Në telegramin e tij të 15 dhjetorit 1927 drejtuar Romës, të titulluar “Kjo është jeta e sotme në Tiranë” Sola shkruan: “Një panik i pafrenuar e ka përfshirë Xhemil Dino… Disa ditë më parë kishte pasur një depresion. Belbëzonte dhe dridhej. Çdo natë flinte në dhoma të ndryshme të hotelit. I hipi anijes të shtunën pa ditur drejtimin… Iliaz Bej Vrioni, natën thërret për ndihmë, duke dalë nëpër korridorë me dy pistoleta në dorë, me kemishë nate. Ai zbuloi se ratifikimet e Traktatit të Aleancës s’ishin bërë akoma dhe kështu u vetëofrua që ta bënte këtë personalisht në Romë. Do të niset të shtunë ose të dielë. Edhe ai po arratiset. Shefqet bej Vërlaci është më dinjitoz. Guxon të dalë më këmbë i shoqëruar nga dy persona të armatosur. Kjo është jeta e sotme në Tiranë”.

Në manovrimin e tij me Italinë, ai kërkon të sigurojë njohjen e plotë nga Italia e për këtë ishte i gatshëm të bënte lëshime. Duke njohur synimet e Italisë, ai dëshironte të përfitonte sa më shumë prej saj që të jepte përshtypjen e një “vasaliteti përfitues”.

Që herën e parë kur propozimi italian për krijimin e një monarkie në Shqipëri iu paraqit Zogut nga Sola në shtator 1927 së bashku me propozimin e paktit të aleancës mbrojtëse dhe të martesës me një princeshë italiane, Zogu përgatiti strategjinë e tij të zakonshme për të rritur çmimin e shpërblimit. Si zakonisht, ai formuloi një kërkesë të re për ndihmë më të madhe financiare për Shqipërinë. Sola, i cili ishte i përgatitur për një kërkesë të tillë, e informoi Zogun se Italia mund të kontribuonte vetëm duke dërguar në Shqipëri ekspertë ushtarakë dhe financiare por jo të financonte në mënyrë të drejtpërdrejtë buxhetin shqiptar. Zogu shprehu pakënaqësinë e tij ndaj këtij sugjerimi të Romës. Megjithatë, ai ishte i vendosur të mos linte t’i shpëtonte përsëri nga dora rasti i mbështetjes italiane për krijimin e monarkisë duke u treguar i gatshëm të paguante çmimin e nevojshëm me një pakt të ri dhe një angazhim më të madh italian në Shqipëri.

Ndërkohë, në propozimet e Romës, Zogu pa një dritë mundësie për të hequr qafe marrëveshjen e fshehtë ushtarake të vitit 1925, si dhe për të biseduar çështjen e grupeve të emigracionit. Për të gjitha këto arsye, ai i pranoi qëllimisht propozimet por me kusht që të diskutohej rreth tyre.

Menjëherë mbas nënshkrimit të paktit të ri të aleancës mbrojtëse, Zogu filloi lojën e tij të zakonshme për të sabotuar atë ashtu siç kishte vepruar me të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me Italinë.

Tentativa për vrasjen e italofilit Shefqet bej Vërlaci më 13 dhjetor dhe artikulli shumë i ashpër me paralajmërime kundër Italisë dhe politikës së saj në Shqipëri në gazetën gjysëm zyrtare “Telegrafi”, ishin pjesë e manovrimeve të Zogut. Duke goditur direkt paktin e ri, nëpërmjet kësaj gazete, Zogu parapërgatiste Italianët për lëshime ndaj kërkesave të tij në rritje dhe në të njëjtën kohë provonte se deri ku mund të shkonte dara shtrënguese e Romës dhe presioni i saj.

Italia shfaqi hapur pakënaqësinë ndaj veprimeve të Zogut dhe në të njëjtën kohë dha prova se kishte në dorë krijimin e Mbretërisë Shqiptare, ç’ka do të thoshte për Zogun që ai duhet të ishte dakort me kushtet e Romës.

I ndodhur përballë rrezikut të humbjes së mbështetjes italiane për ndryshimin kushtetues, Zogu e pa të udhës të mbyllte “Telegrafin”, “me preteksin se artikulli i tij kishte penguar marrëdhëniet me vendet aleate mike”, duke provuar se vullneti i tij politik përputhej me synimet e kushtëzuara politike të Italisë.

Ka shumë mundësi që Roma të këtë vendosur të heqe dorë nga mëdyshjet e saj mbi Zogun dhe të ardhmen politike të regjimit të tij në prill 1928. Kjo periudhë përkon me planin e Musolinit për të rrethuar Jugosllavinë duke harmonizuar paralelisht kohët e veprimit në Shqipëri me ato të ndërhyrjeve diplomatike pranë vendeve të tjera, veçanërisht me kohën e marrëveshjes së projektuar midis Greqisë dhe Turqisë.

Italia e ftoi Zogun të bisedonte seriozisht për problemin e monarkisë shqiptare. Ai e pranoi në parim ftesën dhe, në qershor të vitit 1928, vendosi përfundimisht për to.

Bisedimet ishin shumë intensive dhe u zgjatën deri në gusht të vitit 1928. Një e dhënë paraprake mbi bisedimet është se Zogu në mënyrë të vazhdueshme kërkonte të holla por sidomos menjëherë pas vendimit përfundimtar mbi ndryshimin e formës së regjimit sipas asaj që ishte vendosur në vija të trasha në nëntorin e vitit të kaluar.

Në kompensim edhe të nënshkrimit të traktatit të aleancës mbrojtëse, Italia i dha Zogut 10 milionë lireta: një pjesë menjëherë, pjesa tjetër në shtator, pas shpalljes së mbretërisë. Pasi mori 5 milionët e para, Zogu hapi bisedimet me Solan.I bindur se miratimi vetëm i Italisë për krijimin e monarkisë shqiptare mund të shkaktonte pakënaqësi dhe reagime negative të vendeve të tjera evropiane dhe të atyre fqinje, Zogu ndërmori një veprimtari të të dendur diplomatike. Nëpërmjet Ministrit të tij të Jashtëm, Vrioni,  ai kërkoi jo vetëm të mësonte opinionin e Anglisë por edhe të merrte një miratim paraprak prej saj. Në takimin me Chamberlenin (shkurt 1928), Vrioni, (i cili vetë ishte kundër shpalljes së monarkisë dhe qëllimeve të Zogut) mori një përgjigje të thatë sipas të cilës “nuk ishte në zakonin e Qeverisë së Madhërisë së Saj të merrte përsipër përgjegjësitë e dhënies së këshillave lidhur me çështjet e brëndshme të një vendi të pavarur”.

Në këtë 90 vjetor sjellim për lexuesit studimin e Ambasadorit Arben Cici mbi rolin vendimtar të Italisë në krijimin e Monarkisë Shqiptare, studim i shkëputur nga vepra e tij “Marrëdhëniet shqiptaro-italiane në vitet 1920-1934”, ribotuar në Tiranë në vitit 2013.

Në fakt, Londra ishte skeptike ndaj argumentave të Zogut për domosdoshmërinë e krijimit të monarkisë shqiptare për më tepër që e kishte kuptuar se mbrapa saj fshihej Roma. Ajo tregohej shumë e kujdesshme për të dhënë opinione ose për të reaguar në favor ose jo të krijimit të monarkisë shqiptare.

Një fakt tjetër që shtonte skepticizmin e saj ishte se Zogu ishte akoma i pamartuar. Kjo lloj monarkie, që nuk mbarte në vetvete vazhdimësi, nuk mund të zgjidhte problemet e stabilitetit të brendshëm të Shqipërisë.

Londra shprehte shqetësim dhe për faktin se si shpallja e monarkisë ashtu edhe mungesa e sigurisë në trashëgiminë e saj, do të rrisnin pakënaqësitë jashtë kufijve të Shqipërisë, sidomos të fqinjëve.

Shumë kuptimplote është thënia e Gjeneralit Percy gjatë një takimi me Zogun në gusht të vitit 1928: “Zogu ishte i rrethuar nga tre zonjusha, Miss Jugosllavia, Miss Greqia dhe Miss Italia, ndaj dhe një martesë e konceptuar keq mund të çonte vetëm në probleme serioze.

Nëpërmjet një alegorie Zogu iu përgjigj Persy-it se “marrja në krahë e një miku, kur miku bëhet i ngushtë ka tendenca të kthehet në përqafim dhe përqafimi mund të çojë në thyerje kockash dhe se nuk kishte ndërmend t’i shihte të thyera brinjët e Shqipërisë.

Ky pohim i Zogut vërtetohet nga disa fakte. Ai refuzon propozimin italian për fejesë me princeshë italiane dhe organizon atentat kundër  italofilit Vërlaci.

Zogu kërkonte mbështetje nga Roma për ndryshimin e brëndshëm kushtetues, por nuk dëshironte të lidhte po me Italinë trashëgimin e fronit të vet. Italia, mund të pranonte qetësisht refuzimin e Zogut për t’u martuar me një princeshë italiane por do t’i refuzonte kategorikisht çdo tentativë të tijën për të gjetur lidhje martesore me vendet fqinjë të Shqipërisë.

Zogu vazhdonte të ishte i shqetësuar për të mësuar qëndrimin anglez ndaj krijimit të monarkisë duke pohuar ndërkohë se italianët e mirëprisnin këtë ndryshim po ashtu edhe grekët. I ngarkuari me punë i Greqisë në Tiranë e kishte siguruar Zogun për njohjen e shpejtë që Greqia do t’i bënte regjimit të ri.

Ndoshta për të testuar reagimin e jashtëm, Zogu pohon, se në vitin 1924, gjatë kohës që ai ishte në mërgim në Beograd, të këtë pyetur mbretin Aleksandër rreth mundësisë së ndryshimit të regjimit kushtetues në Shqipëri dhe ky i fundit i kishte dhënë përgjigje të favorshme.

Ndërsa prej pjesës tjetër të Evropës Zogu kishte marrë përgjigje me një “indiferentizem dashamirës”.

Objektivi i Pallatit Chigi, dhe në veçanti i Lojaconas (Drejtor i Përgjithshëm, i ngarkuar për çështjen shqiptare), autor i udhëzimeve të hollësishme të cilat, me firmën e Musolinit, iu dërguan Solas gjatë bisedimeve, ishte që, për ndihmën që do t’i jepte Zogut për manipulimin e ndryshimeve kushtetuese, të merrej nga Zogu një deklaratë përfundimtare garantuese mbi lidhjet e kontraktuara  deri tani midis dy vendeve.

Roma, pasi bëri bilancin e marrëdhënieve me Tiranën deri në këtë kohë, ngarkoi Solan me detyrën për të ndjekur nga ana ligjore ecurinë e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara me Shqipërinë. Ministri fuqiplotë italian në Tiranë do t’i kërkonte Zogut dy garanci: hyrja në fuqi e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruar midis dy vendeve dhe e dyta, (e cila duhet të mbetej e fshehtë), Zogu duhej të jepte garanci se Shqipëria nuk do të vepronte kurrë kundër interesave italiane, madje të pranonte që të vihej nën mbrojtjen e Italisë dhe të Duçes. Në shkëmbim, Italia do t’i jepte garanci Zogut, që në rast se shteti jugosllav do të shpërbëhej, Shqipërisë do t’i kthehej Kosova. Kjo e fundit perputhej me objektivin e Zogut për rikthimin Shqipërisë të territoreve të saj në rastin e një konflikti ballkanik.

Sola ishte i mendimit t’i zgjidhte këto dy probleme me anë të një projekt-letre të cilën Zogu, menjëherë pas shpalljes së mbretërisë, do t’ja dërgonte Musolinit ndërsa ky do t’i përgjigjej me konfirmimin e marrëveshjes.

Marrëveshja e fshehtë e propozuar nga italianët përmbante si detyrime ashtu edhe favore të Shqipërisë dhe se botimi i saj mund të bëhej vetëm në rastin e një lufte me Jugosllavinë. Zogu i pranoi menjëherë kushtet italiane sepse nuk konstatoi elementë të rrezikshëm brenda marrëveshjes.

Më i vonuar do të ishte Musolini. Ai vuri re këtë mangësi që, sipas tij, tërësia e marrëveshjes i krijonte Zogut liri dhe jo detyrime shtrënguese ose vasalitet ndaj Romës. Prandaj Musolini sugjeroi që marrëveshja e fshehtë të ndahej në dy pjesë. Pjesa që përmbante angazhimet e Zogut do të botohej ndërsa pjesa tjetër ku figuronin rivendikimet teritoriale të Shqipërisë të mbështetura nga Italia do të mbetej e fshehtë.

Ishte vendosur që paralelisht me këtë shkëmbim letrash sekrete, midis dy qeverive duhet të bëhej edhe një shkëmbim notash publike i cili do të konfirmonte nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve të Zogut me Italinë. Në Pallatin Chigi u aprovua përmbajtja e projektit, por u nënvizua në mënyrë të veçantë që garancitë e ofruara nga Zogu të bëheshin publike ose të paktën të publikueshme sepse vlera e tyre, varej vetëm nga afirmimi i qëndrimit kundrejt të tretëve. Për t’i hequr letrës së përgatitur nga Sola karakterin e sekretit absolut, që ndoshta kishte të bënte me një dinakëri të hollë të Zogut, ishte menduar që të fshihej pjesa që kompromentonte Italinë, d.m.th. premtimi për të mbrojtur aspiratat territoriale të Shqipërisë. Kjo pjesë, në qoftë se nuk do të fshihej (e anullohej) pastër dhe thjesht, ndërkohë që ishte e mbuluar nga traktati sekret i 1925, do të bëhej objekt i një letre të dytë që do të mbahej shumë sekret.

Sola ishte dakort me projektin e të dy letrave. Por, ngaqë parashikonte se Zogu nuk do të pranonte kurrë të bënte publike letrën e parë, (ajo që përmbante garancitë ndaj Italisë), sugjeroi që ajo të konsiderohej si një farë deklarate e rezervuar vasaliteti, e bërë nga ana e sovranit të ri për kreun e Qeverisë italiane, dhe notën verbale që Qeveria e Tiranës i dërgonte Qeverisë së Romës, në të mirë të interesit ndërkombëtar, ta konsideronte si mjetin kryesor të konfirmimit të marrëdhënieve italo-shqiptare.

Ky sugjerim nuk shkoi asnjëhere deri në tavolinën e Zogut sepse Sola e dinte se ai, edhe pse ishte tepër i etur për fronin, nuk do të pranonte kurrë një marrëveshje të tillë. Kjo situatë do të bënte që bisedimet të ndërlikoheshin, të vështirësoheshin dhe të tejzgjateshin prandaj Sola u përpoq dhe arriti të bindte Duçen duke propozuar një kompromis të ri. Pjesa e parë e marrëveshjes do të ruhej e fshehtë të paktën përkohësisht, ndërsa pjesa e dytë do të mbetej e fshehtë për një afat të pacaktuar.

Më 9 gusht, Musolini i pohoi Solas se marrëveshjen e konsideronte si një pranim formal të ngritjes së fronit të ri të Shqipërisë nën hijen e flamurit italian.

Mbi kete bazë dhe në këtë frymë u zhvilluan dhe u përfunduan bisedimet në Tiranë. Zogu u përpoq t’i jepte një karakter zbutës deklaratës së tij “mbi vasalitetin” që përfshihej në letrën e parë.

Pallati Chigi, u përpoq “ të ngrinte” sa më shumë tonet në përgjigje të një note, të projektuar nga qeveria shqiptare, ku vihej theksi kryesisht në formën dhe mënyrën insistuese dhe bindëse mbi opozitën ndërkombëtare që ishte kundër njohjes së mbretit Zog. “Në qoftë se Italia duhet të luftojë për të, me sukses, duhet që ai të rivendosë, publikisht, çështjen e tij dhe të regjimit, në duart e avokatit të vetëm, tek i cili ai ka besim, Italia. Nota verbale duhet të bëhet duke patur parasysh këtë realitet” ushëzohej nga Roma, diplomati italian Sola më 23 gusht 1928. Në fakt, nota kishte përmbajtjen e letrës sekrete që Zogu i drejtonte Musolinit. Roma, duke e konsideruar këtë notë si pjesë të lojës së Zogut, e publikon menjëherë atë më 3 shtator 1928, me një shpejtësi të tillë që as Zogu nuk e kishte dëshiruar.

Të ndodhur në pozita të favorshme, Italianët vendosën të ecnin më tej edhe në fushën ushtarake. Roma, nëpërmjet Paktit të dytë të Tiranës dhe marrëveshjeve të tjera anekse kishin arritur një kontroll të ndjeshëm mbi ushtrinë shqiptare; por Musolini dhe Sola nuk kishin mbërritur në fund të qëllimeve të tyre. I ngarkuar edhe me detyrën e rivlerësimit të marrëdhënieve në fushën ushtarake, Sola përpunoi disa detyrime reciproke për të dy vendet si në kohë lufte ashtu edhe në kohë paqe. Midis detyrimeve, rikonfirmohej se, në rast lufte, njësitë ushtarake shqiptare dhe italiane do të bashkoheshin nën komandën italiane.

Kërkesa që i bëhej Tiranës për të përjashtuar të gjitha fuqitë e tjera të huaja si dhe ndihmën apo kontributin e tyre, të çfarëdo forme qofshin ato, për organizimin e ushtrisë shqiptare, ishte pjesë e operacionit depërtues ushtarak të Italisë.

Italianët ranë dakord të financonin vetëm një pjesë të programit të organizimit të ushtrisë shqiptare e cila, sipas palës shqiptare, brenda pesë vjetësh duhet të arrinte efektivin e 60.000 vetëve. Duke mos marrë përsipër menjëherë koston e plotë të programit, italianët lanë një terren të hapur për marrëveshje të tjera italo-shqiptare.

Me vendosmëri, Roma arriti të sigurojë numrin përherë në rritje të officerëve italianë në Shqipëri dhe të krijojë paralelisht një Shtab të Përgjithshëm të veçantë, të përbëre vetëm nga oficerë italianë me statusin e këshilltarit të Zogut për problemet ushtarake.

Kjo strukturë nuk do të kishte asnjë lidhje me Komandën e Lartë ushtarake shqiptare. Për më tepër, ndryshe prej gjithë officerëve të tjerë të huaj që shërbenin në Shqipëri nën njërin apo tjetrin emërtim, italianëve nuk do t’u kërkohej të bëheshin shtetas shqiptarë, të vishnin uniformën shqiptare e madje as t’i përmbaheshin ligjit shqiptar.

Zogu nuk dukej i kënaqur nga ky kompromis, porse nuk donte të rrezikonte humbjen e kurorës në çastet e fundit. Ai ishte plotësisht i vendosur dhe i ndërgjegjshëm në atë që kërkonte dhe përpiqej ta realizonte me çdo mjet.

Kështu, Zogu pranoi të gjitha kushtet e marrëveshjes ushtarake si dhe dy pjesët e tjera të marrëveshjes sekrete, botimi i të cilave nuk u bë edhe mbas pushtimit të Shqipërisë nga Italia.

Për nënshkrimin e marrëveshjes, Zogu ngarkoi Ministrin e Jashtëm Iljaz bej Vrioni dhe zvendësuesin e gjeneral Miroshit, gjeneral Aranitasin, ndërsa për palën italiane atë e nënshkruan Sola dhe gjeneral Pariani. Musolini shpresonte se këto marrëveshje jashtëterritoriale, që të kujtonin disi marrëveshjet evropiane me dinastitë Mançu e re të Kinës në Shekullin e XIX, do të siguronin protektoratin e plotë italian mbi  Shqipërinë.

Dhjetë milionë lireta të paguara nëpërmjet Shoqërisë Shtetërore të Hekurudhave, dhe dy këstet e tjera nga pesë milionë, më 18 qershor dhe 5 shtator, pas nënshkrimit të marrëveshjes, e ndihmuan Zogun të organizonte zgjedhjet për asamblenë e re, zgjedhje që në gazetën gjermane të asaj kohe, Deutche Tageszeitung, u quajtën zgjedhje tipike ballkanase.

Megjithatë, për të përgatitur dhe siguruar mbështetjen në vazhdimësi të forcave të brendshme politike për Zogun dhe marrëdhëniet e tij me Italinë, me miratimin e tij, kryeredaktori i “Telegrafit” K. A. Çekrezi, dërgoi një lajm në qendrën e “Associated Press” në Vjenë, ku shkruante se qëllimi për krijimin e mbretërisë ishte bërë i njohur nga burime të besueshme zyrtare.

Pas një prove trevjeçare, forma republikane e qeverisjes ka provuar se ajo ishte e papajtueshme me nevojat themelore politike të vendit, gjendja e brëndshme dhe e jashtme e të cilit është e tillë që e bën të domosdoshme nevojën e një qeverisje më autoritare dhe më të respektuar.

Ashtu siç pritej, shtypi italian mori misionin të përgatiste opinionin italian dhe ndërkombëtar për të mbështetur krijimin e mbretërisë shqiptare. Ai e pasqyroi mesazhin me nota optimizmi të domosdoshme për suksesin e Qeverisë italiane dhe shqiptare. Gazeta “Il popolo d’Italia” theksonte: “nëpërmjet këtij ndryshimi kushtetues, Shqipëria konfirmon pavarësinë e saj, ndërgjegjëson nevojën e një paqtimi të brendshëm, konsolidon pushtetin qendror dhe nderon vendosmërinë dhe besimin e një orientimi që ka mundur t’i sigurojë popullit të vet të mirat e paqes dhe të rendit publik të brendshëm. Merita më e madhe e Zogut është se ai e shpëtoi vendin prej makinacioneve të pansërbizmit, duke penguar kështu kthimin e Shqipërisë në një provincë jugosllave. Për më tepër, qeveria republikane nuk i përshtatet neutralitetit të Shqipërisë, institucioneve sociale dhe historisë së saj”.

Qëndrimin zyrtar italian e bën edhe më publik gazeta Tribuna, e cila nënvizonte:

“Italia e shikon një monarki të përhershme shqiptare si një garanci për sigurimin e konsolidimit kombëtar dhe organik të mikes dhe aleates së saj si dhe një garanci për paqen në Ballkan dhe në Evropë”.

Ashtu siç ishte parashikuar, në planin e brendshëm Zogu e realizoi qëllimin e tij pa shumë kundërshtime, madje duke krijuar përshtypjen se i gjithë vendi e kishte dëshiruar krijimin e monarkisë shqiptare.

Zogu e kishte të qartë që një ndryshim kushtetues domosdoshmërisht kërkonte të përgatitej terreni politik, publik dhe mediatik në planin e brendshëm. Jo sepse kishte druajtje se nuk do të pranohej nga populli, se sa për t’u paraqitur kundështarëve të tij argumentin se populli ishte unanim për këtë ndryshim.

Zogu dëshironte që në proçesin e këtij ndryshim kabineti qeveritar të jepte mbështetjen absolute. Duke pasur dyshime ndaj disa elementëve të kabinetit ekzistues, Zogu provokoi një krizë të qeverisë dhe e shpërndau atë. Nëpërmjet këtij veprimi ai kërkonte që t’i paraprinte edhe rrezikut më të vogël juridik apo institucional si dhe mundësisë së një opozite, sado të vogël në gjirin e institucioneve që do të legjitimonin fronin e tij, pa marrë parasysh efektet dytësore. Kabineti i ri i krijuar prej tij brenda njëzet e katër orësh u pagëzua si “kabineti i marionetave” të Presidentit. I ngarkuari me punë i Britanisë së Madhe shkruan se emërimi në postin e Ministrit të Punëve Botërore të një hoxhe krijoi ilaritet të madhe dhe kudo në Shqipëri thuhej se përvoja e tij për t’i udhëhequr myslimanët e devotshëm nëpër rrugën e ngushtë dhe të ngurtë që çon në vendin e Hyrive, do t’i vlente në një farë mënyre për të ndrequr shpejt rrugën po aq të ngushtë, por akoma më të vështirë, midis Durrësit dhe Tiranës. Këto ndryshime i bindën të gjithë se tashmë Zogu po përgatitej të vetëshpallej  Mbret.

Angazhimi italian në mbështetje të drejtpërdrejtë të monarkisë së Zogut duket qartë në udhëzimin që Roma i jepte ministrit fuqiplotë të saj në Tiranë, më 11 korrik të vitit 1928:  “… është logjikisht reale që, në pragun e ndryshimeve të Kushtetutës, armiqtë e Zogut të duan të orvaten për grushtin e fundit mbi personin e tij. Përpara se kjo të bëhet e panevojshme, është e tepërt t’ju rekomandoj që të ushtroni, pa krijuar asnjë dyshim, vigjilencën më të madhe rreth Ahmed Zogut në këtë kthesë të regjimit”.

Me mbështetjen e plotë të Italisë, Zogu u kujdes për anën legale që ky ndryshim të bëhej brenda një kuadri kushtetues të rregullt juridik. Deputetet e Parlamentit votuan vetë një ligj organik me anën e të cilit kërkohej shpërndarja e Parlamentit dhe organizimi i zgjedhjeve të parakoheshme në një datë të afërt, për krijimin e një Asambleje Kushtetuese speciale, të aftë për të bërë ndryshime në Kushtetutë.

Zogu e ndjente se një vendim unanim i Asamblesë mund të ndikonte për të bindur edhe ata që vazhdonin të ishin skeptikë për miratimin nga populli të shpalljes së monarkisë.

Në planin propagandistik Zogu, lëvizjen e pare e bëri duke pranuar titullit “Shpëtimtar i Kombit”, veprim që u përcoll me ironi si nga intelektualët ashtu edhe nga të huajt të cilët filluan të mendonin se kjo lëvizje do të shoqërohej nga skenarë të tjerë me qëllim realizimin e planit të Zogut.

Historia mesjetare shqiptare u rishkrua në mënyrë të tillë që të nxirrte në evidence edhe lidhjen martesore midis motrës së Skënderbeut me një prej stërgjyshëve të Zogut.

Kundërshtarët e tij, për të penguar sado pak realizimin e qëllimit të tij final për të shpallur veten mbret, deklaronin se Zogu s’kishte asgjë të përbashkët me Skënderbeun duke u cilësuar si një njëri që nëpërmjet përdorimit të forcës kishte imponuar vullnetin e tij mbi popullin shqiptar, shënjë kjo e njërëzve jo fisnikë.

Zogu u përpoq me shumë kujdes të ruante sipërfaqen legale të ndryshimit brenda një kuadri kushtetues dhe zgjedhor të rregullt të cilën e arriti nëpërmjet manipulimeve të votimeve për Parlamentin e ngarkuar për të legjitimuar fronin e Zogut.

Për të siguruar rezultatin e duhur për zgjedhjen e Asamblesë Kushtetuese, Zogu mori sigurinë e italianëve për shumat e nevojshme që do të përdoreshin për manipulimin e këtyre zgjedhjeve. Rasti i parë kur Zogut i kishte shpëtuar nga duart kurora dhe lidhja me një princeshë italiane ishte firmosja e Paktit të Parë të Tiranës pa përmendur Deklaratën e Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1921. Menjëherë mbas një viti iu ofrua, midis të tjerash, i njëjti propozim nga Musolini, më me forcë dhe me kushte më lehtësuese, si masë sigurimi për çdo ngjarje të paparashikuar në të ardhmen.

Roma, e ndërgjegjshme se këtë radhë ishte në pozita më të favorshme se asnjëherë tjetër më pare, mund të kërkonte çmim më të lartë nga Zogu. Zogu ishte i vendosur të mos e humbiste kurorën dhe Roma ishte e vendosur të fitonte maksimumin e mundshëm nëpërmjet saj.

Kushtetuta e re e 1 shtatorit të vitit 1928 sanksionoi shpalljen e Shqipërisë Mbretëri Demokratike Parlamentare dhe të Trashëgueshme, me Mbret të Shqiptarëve, Naltmadhërinë e Tij, Zogu i Parë. Kushtetuta e re i dha Zogut Kurorën Mbretërore dhe kompetenca të mëdha në fushën e politikës së brendshme dhe të jashtme si dhe të gjithë pushtetin e ekzekutivit të ushtruar nëpërmjet Qeverisë.

Gjithashtu pushteti legjislativ ushtrohej bashkarisht nga Mbreti dhe Parlamenti i cili përbëhej nga një Dhomë ndërsa pushteti gjyqësor ushtrohej nga gjykatat të cilat i jepnin vendimet në emër të Mbretit.

Kurora “Mbret i Shqiptarëve” që u referohej edhe shqiptarëve që jetonin jashtë kufijve administrativë të Shtetit shqiptar, shkaktoi reagime të ndryshme si brenda ashtu edhe jashtë kufijve të Shqipërisë.

Në kuadrin e respektimit të traditës së monarkive të Ballkanit të cilat pa përjashtim kishin emërtim të njëjtë me atë që përdori Zogu, shqiptarët nuk kishin bërë gjë tjetër veçse kishin ndjekur shëmbullin e fqinjëve të tyre biles dhe të monarkëve më të vjetër të Evropës.

Elementë të një monarkie demokratike parlamentare shoqëruan monarkinë e Louis Philipit ose “mbretit shtetas” në Francën e shekullit të XIX.

Kushtetuta e kësaj monarkie ligjëroi bashkërendimin midis Dhomave dhe iniciativës së Mbretit; sanksionoi tre ngjyrat e flamurit francez, si simbol kombëtar dhe shpalli Louis Philipin “Mbret të Francezëve”. Duke mos e konsideruar më katolicizmin si fe shtetërore, ai rivendosi harmoninë e monarkisë së re me parimet e sovranitetit kombëtar. Nevoja e Louis Philipit për t’u pranuar nga oboret evropiane shoqërohej me shqetësimin për të ruajtur krenarinë kombëtare. Në Jugosllavi, monarku quhej “Mbret i Sërbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve “, në  Greqi Ai quhej “Mbreti i Helenëve” ndërsa në Bullgari quhej “Cari i Bullgarëve”. Ky ishte edhe argumenti që përdornin partizanët dhe mbështetësit e titullit “Mbret i Shqiptarëve”. Ajo që e shqetësonte Zogun ishte reagimi i vendeve të tjera dhe sidomos i fqinjëve me aleatët e tyre evropianë. Me përjashtim të italianëve, në fillim lindi një reagim negativ por kjo me sa duket jo për shkak të ndryshimit të republikës në monarki (për ndryshimin e formës së regjimit, përgjithësisht të gjitha shtetet e huaja kishin dhënë një miratim të heshtur, duke menduar se do të kishte emërtimin “Mbreti i Shqipërise”), se sa për shkak të emërtimit “Mbret i Shqiptarëve”.

Të ndodhur para faktit të kryer të një ndryshimi emërtimi në momentin e fundit ata shprehen reagimin e tyre të parë duke mos e njohur atë. Që në fillimin e bisedimeve me Italinë, për monarkinë shqiptare u përdor emërtimi “Mbret i Shqipërisë”, emërtim i përdorur edhe gjatë fushatës së brendshme propogandistike të Zogut. Kur Zogu kishte pyetur Solan se cili titull duhej të përdorej, ky i fundit i kishte sugjeruar titullin “Mbret i  Shqipërisë” në mënyrë që ai të korrespondonte me titullin “Mbret i Italisë”. Megjithëse perspektiva për përdorimin e mundshëm në të ardhmen të elementëve mbarëshqiptare si argumenta për presion mbi Beogradin ishte joshëse, si Pallati Chigi edhe Sola ishin kundër titullit “Mbret i Shqiptarëve”.

Por më 31 gusht, në prag të shpalljes së mbretërisë, Sola, me iniciativën e tij, ndryshoi mendje, si rrjedhojë e asaj që Zogu i la të kuptonte se fakti i heqjes dorë nga ky titull do të thoshte që t’i dorëzohej frikës së Londrës dhe Beogradit. Zogu, gjatë këtij takimi, pyeti direkt Solan mbi qëndrimin e Qeverisë së tij në rast se ai do të përdorte titullin “Mbret i Shqiptarëve”. Sola iu përgjigj se qeveria e tij nuk do ta ndryshonte mendimin e saj për shkak të një çështje kaq të vogël dhe më pas shtoi se titulli i ri ishte në fakt në harmoni të plotë me situatën. Emërtimi “Mbret i Shqipërisë” kuptonte më shumë kohërat e vjetra, kur mbretërit i njihnin vetvetes të drejtën hyjnore për të sunduar duke e quajtur veten “Mbret i…me bekimin e zotit” dhe se ky titull do të përshtatej keq me monarkinë demokratike të sapokrijuar në Shqipëri.

Pra, fjalën e fundit aprovuese Zogu e kërkonte nga italianët, pikërisht sigurinë në se mund të mbështetej tek Roma në rast se do të pranonte titullin e diskutueshëm. Roma, e ndërgjegjshme së titulli i ri mund t’i  sillte asaj vetëm përfitime e siguroi Zogun se do të gjente heshtjen e saj. Duke u krijuar probleme nga pikëpamja e njohjes së Monarkisë nga vendet e tjera, do të përmirësoheshin kushtet për një afrim më të fortë dhe më të shpejtë të Zogut me Italinë. Për këtë arsye, Italia jo vetëm e mbështeti këtë ndryshim, por edhe e nxiti atë. Qëndrimi italian mund të ilustrohet më mirë nëpërmjet komentit të një koloneli italian, ulur pranë gjeneralit Percy gjatë një darke ku merrnin pjesë 250 oficerë, i cili u shpreh: ” Më pëlqen titulli “Mbret i Shqiptarëve”, tingëllon agresiv. Debati në Asamble vendosi në mënyrë përfundimtare për këtë çështje dhe provoi shumë qartë për lojën e Italisë. Megjithë këshillat dhe insistimin e Ministrit të Jashtëm Vrioni që të mos miratohej titulli i ri, italofilët e deklaruar të drejtuar nga Shefqet Verlaci, Alizoti, ish-ministri i diskredituar i financave, i njohur nga të gjithë si agjent i paguar prej italianeve dhe Dibra, kreu i familjes së madhe me të njëjtin emër, me prona shumë të mëdha kryesisht në Jugosllavi mbrojtën me fanatizëm titullin e ri dhe ia arritën qëllimit.

Pikërisht këtë ditë, në një gazetë shqiptare në Bari botohet një artikull ku thuhej se jugosllavët e kishin kundërshtuar titullin “Mbret i shqiptarëve”. Një gjë e tillë jo vetëm ndezi entuziazmin brenda vendit për titullin e ri por ndikoi edhe më tej që Asambleja të miratonte variantin e dytë. Sipas Solas, Zogu ishte i kënaqur në fillim dhe gjatë bisedimeve me zgjedhjen e parë, por ndryshuan papritur mendim kur e ndjenë veten të kërcënuar (duke lënë të kuptohet lindjen e një kërcënimi  jugosllav).Megjithëse Jugosllavia përbënte në të vërtetë në mënyrë të vazhdueshme një kërcënim të drejtpërdrejtë për Zogun, në ato momente ajo nuk dukej se kishte ndërmarrë ndonjë veprim politik, diplomatik, apo tjetër me efekte kërcënuese dhe negative për  Shqipërinë.

Nuk ka fakte të besohet edhe argumenti se ajo që kishte ndikuar mbi Zogun që të ndryshonte emërtimin e monarkisë ishte veprimi i të ngarkuarit me punë të Jugosllavisë, M. Kasidolaq i cili, gjatë takimit dhënë nga Presidenti shqiptar lidhur me ndryshimin e ri kushtetues në Shqipëri, kishte aluduar ndaj çështjes së titullit. Aludimi i tij ishte nënkuptuar si një kërcënim, dhe menjëherë shqiptarët bënë atë që nuk dëshironin jugosllavët. Ky argument bëhet më i dyshimtë sepse edhe faktet janë të tilla që pohojnë se përkundrazi përfaqësuesi jugosllav është treguar shumë i kujdesshem, sepse e dinte se deklarimi i tij në këtë drejtim do t’u jepte një mesazh të keq shqiptarëve. Nga ana e tij, Zogu besonte se titulli i ri “Mbret i Shqiptarëve” do të ishte një mburojë përballë gjithë atyre forcave të brendshme ose të jashtme shqiptare që kundërshtonin monarkinë. Kjo lloj monarkie do të kontribuonte në dobësimin e influencës që njerëz të tillë si Hasan Prishtina, vazhdonin të gëzonin në Kosovë dhe në vise të tjera shqiptare jashtë Shqipërisë.

Në të kundërtën, tek grupime të fuqishme politike ose dhe ushtarake brenda Shqipërisë të cilat Zogu nuk dëshironte t’i kishte kundërshtare, u ngjall shpresa se Zogu, duke gëzuar titullin “ Mbret i Shqiptarëve” do t’i kthente Shqipërisë kufijtë që i takonin asaj etnikisht. Fiset e Shqipërisë së Veriut, të cilat deri në atë moment ishin treguar pasive në mbështetje të idesë së monarkisë, u rigjallëruan me shumë zjarr për idenë e bashkimit të të gjitha trojeve shqiptare. Në të njëjtën kohë, një pjesë e emigrantëve shqiptarë protestuan kundër krijimit të monarkisë në Shqipëri, duke i bërë thirrje për ndërhyrje Lidhjes së Kombeve dhe Fuqive të Mëdha. Sipas Bernd J. Fischer, më 1 shtator, Komiteti Qëndror i Organizatës Republikane Shqiptare, organizatë e disa emigrantëve nga Beogradi, paralajmëruan të gjitha kancelaritë evropiane se partia e tyre do të përdorte edhe armët për të penguar ngjitjen e Zogut në fron. Të nesërmen, gazeta “The Times” e Londrës merrte një telegram të dërguar nga Tirana, ku thuhej se udhëheqësit republikanë në Shqipëri kishin botuar një manifest, me anën e të cilit kërkonin ndërhyrjen e huaj ndaj asaj që ata e quanin “tirania e Mbretit të ri të Shqipërisë Ahmed Zogolli”. Në rast të kundërt, ata kërcënonin se do të organizonin një revolucion. Shpallja e Zogut “Mbret i shqiptarëve”, u konsiderua një ngjarje e rëndësishme në arenën politike ballkanike. Me interesim të veçante u përcoll menjëherë nga kancelaritë e huaja, falë veprimit energjik në favor të njohjes së regjimit të ri që u bë nga Musolini që në prag të shpalljes së mbretërisë. Ndërsa në shikim të parë ndryshimi i emërtimit të monarkisë shqiptare mund të konsiderohej diçka e parëndësishme, i vështruar në kontekstin e marrëdhënieve ballkanike ai nuk mund të ishte i tillë.

Shpallja e mbretërise hasi në armiqësinë e Anglisë, e cila në fillim kishte treguar indiferencë dhe të Antantës së Vogël, në veçanti të Jugosllavisë. Londra u përpoq të frenonte mbështetjen e pakushtëzuar të Italisë ndaj fronit të ri shqiptar. Ajo që e shqetësoi që në fillim Foreign Office ishte karakteri irredentist që do të fitonte regjimi i ri (mbretëria), kur Zogu, në krye të saj do të merrte titullin Mbret i Shqiptarëve (dhe jo i Shqipërisë). Aq më tepër që në takimin e Vrionit me Chamberlenin në Londër në dhjetor të vitit 1927, Ministri i Jashtëm shqiptar, kishte shprehur sigurinë se në rast se Shqipëria do të shpallej monarki, do të adoptohej titulli “Mbret i Shqipërisë”. Ministri anglez në Durrës i deklaroi Solas se do të ishte fatale për paqen në Ballkan dhe në Evropë në qoftë se Italia, që kishte fituar pozita të forta në Shqipëri, do të inkurajonte irredentizmin e këtij  populli”.     Reagime të ashpra erdhën sidomos nga qeveria jugosllave e cila shikonte në këtë formë synimin për përfshirjen në këtë kurorë edhe të territoreve shqiptare që ndodheshin brenda kufijve të mbretërisë sërbo-kroate-sllovene. Jugosllavët, të cilët brenda kufijve të tyre shtetërore kishin troje etnike shqiptare të banuara nga popullsi shqiptare, e interpretuan këtë emërtim si shënjën e parë për një fushatë të ardhshme irredentiste të Shqipërisë të mbështetur nga Italia, kundër vendit të tyre. Beogradi bëri përpjekje në Tiranë, Londër, Paris, Bon e Romë që Ahmed Zogu të ruante titullin Mbret i Shqipërisë duke kaluar edhe në kërcënime të hapura dhe direkte. Zogu u është përgjigjur këtyre kërcënimeve duke deklaruar se Jugosllavia, e cila më parë kishte qënë shkaktare që ai të nënshkruante Paktin e Tiranës, me këto qëndrime të fundit po e detyronte atë të hidhej vërtet në prehërin e Italisë. Përpjekjet e Jugosllavisë në Londër morën përgjigjen e prerë se Ahmed Zogu do të kishte bërë mirë të kishte marre në fillim një mendim të fqinjëve por, me që ky u bë fakt i kryer, ç’do veprim i mëtejshëm do të ishte i tepërt. Krijimi i Mbretërisë Shqiptare ishte një sfidë ndaj Francës dhe Jugosllavisë sepse ajo përbënte një konsolidim të shtetit shqiptar, forconte prezencën e Romës në anën tjetër të Adriatikut dhe zgjonte frikën e një irredentizmi shqiptar në Ballkan. Megjithatë ato nuk mundën të pengojnë formimin e Mbretërisë së re Shqiptare. Ky problem u mbyll në mënyrë përfundimtare për Jugosllavët dhe për të gjithë të tjerët kur Presidenti amerikan i dërgoi Mbretit Zog dhe Qeverisë shqiptare urimet për krijimin e Mbretërisë Shqiptare, fakt që me të drejtë u konsiderua në Tiranë dhe në kryeqytetet e tjera evropiane si një fitore e Shqipërisë kundër Francës dhe Jugosllavisë.

Ashtu siç pritej, Roma deklaroi e para njohjen e Monarkisë së re shqiptare dhe, nga shpejtësia me të cilën ajo e bëri këtë veprim, konfirmoi dhe forcoi edhe një herë tek të gjithë bindjen mbi rolin shumë të rëndësishëm dhe vendimtar të saj në këtë proçes. Monarku i ri shqiptar shkëmbeu telegrame shumë të ngrohta urimi me Viktor Emanuelin dhe me Musolinin.Në urimet e tij, Duçja shkruante: “Jam i lumtur që më jepet mundësia të siguroj Madhërinë Tuaj se Italia do të vazhdoje edhe në të ardhmen të ndjekë politikën e saj të miqësisë së palëkundur ndaj Jush dhe Qeverisë Suaj të cilët nuk po i kursejnë përpjekjet e tyre të efektshme dhe fisnike për përparimin e Shqipërisë”. Disa gazeta italiane zyrtare dhe gjysëmzyrtare plotësuan dekorin e triumfit italian në tokën shqiptare. “Giornale d’Italia” shkruante: “Shqipëria tregoi se vlerat tradicionale të shtetit dhe të Qeverisë si dhe instiktet e kombit janë më të fuqishme se kurrë. Italia mirëpret këtë provë të freskët….dhe nuk mund të mos shprehë kënaqësinë e saj për konsolidimin politik të Shqipërisë, që është një element stabiliteti në detin e trazuar të politikës ballkanike”.        Ndërsa artikullshkruesi i gazetës “Impero” theksonte:“Shqipëria do të jetë një shembull disipline të brendshme në një çast kur Jugosllavia po prish qetësinë e kancelarive evropiane… Italia e përshëndet shpalljen e Ahmet Zogut Mbret, si një çast që shënon fillimin e një periudhe qetësie të mirëpritur në Ballkan e cila përbën një paralajmërim ndaj fqinjëve problematikë të Shqipërisë, të cilët mund të përfitojnë vetëm prej një klime të turbullt politike”. Siç shihet, problemet që shkaktoi çështja e titullit u kapërcyen shumë më lehtë se sa pritej.

Në thyerjen e akullit kontribuoi njohja, gati e menjëherëshme e Qeverisë së Athinës, e interesuar të mbante marrëdhënie të mira me Italinë, me të cilën ishte afër nënshkrimit të traktatit të miqësisë të përgatitur që në fund të vitit 1927. Vetë jugosllavët nxituan të bënin njohjen e Monarkisë duke mos dashur që të ishin të fundit (13 shtator 1928) dhe që të mos binin pre e lojës së italianëve. Pas një shkëmbimi notash me Romën, Beogradi njoftoi njohjen zyrtare të Monarkisë duke lënë të njohur për krejt komunitetin ndërkombëtar se jugosllavët vazhdonin të ishin kundër  versionit të ri të emërtimit të Mbretërisë shqiptare.  Shqetësimi më i madh, për Zogun dhe shqiptarët ndaj mosnjohjes së shpejtë të Monarkisë, erdhi nga dy Fuqitë e Mëdha, Anglia dhe Franca. Londra shprehu në këtë formë protestën dhe pakënaqësinë e saj jo vetëm ndaj titullit të ri, ndryshimi i të cilit nuk kishte marrë paraprakisht bekimin britanik. Një mënyrë e tillë ishte e vetme për të shprehur qëndrimin e tyre kundërshtues ndaj Italisë dhe politikës së saj, agresive në rritje, në Shqipëri.       Franca, megjithë veprimin e shpejtë pozitiv të aleates së saj Jugosllavisë, ndaj njohjes së Monarkisë së re, kërkonte të ishte në duet me Anglinë. Kjo, jo për reagim ndaj Shqipërisë, se sa për t’i treguar Italisë se ajo nuk ishte e vetme që nuk miratonte lëvizjet e saj politike ndaj Ballkanit. Më në fund, më 21 shtator, Londra dhe Parisi shpallën njohjen zyrtare të Mbretërise Shqiptare.

Reagimi pothuajse pasiv i Evropës dhe vendeve ballkanike ndaj monarkisë së re shqiptare mund të shpjegohet me faktin se që të gjithë e kuptuan se ishte Italia, shteti që e krijoi dhe mbështeti formën e re të monarkisë shqiptare duke shprehur publikisht edhe miratimin për të. Të gjithë diplomatët e ardhur në ceremoninë e kurorëzimit të Zogut “Mbret i Shqiptarëve” ishin veshur me roba të zakonshme, me përjashtim të ministrit fuqiplotë të Italisë dhe diplomatëve të tij, të cilët mbërritën me bujë të madhe me tetë vetura, veshur me uniformë ceremoniale, një veçori që nuk kaloi pa u vënë re dhe pa u komentuar prej krejt të pranishmëve. Anglia, Franca, por edhe Jugosllavia u treguan më në fund ose hiç miqësore ose indiferente. Ky reagim jo problematik nga ana e fuqive të huaja ishte rezultat i disa faktorëve por sidomos atij politik. Ndonëse interesi politik i tyre ndaj Shqipërisë nuk ishte zvogëluar, duke parë depërtimin e Italisë, sidomos mbas nënshkrimit të Paktit të vitit 1927, ato preferuan të mos kundërshtonin. Qëndrimi publik i menjëhershëm pozitiv i Italisë në mbështetjen e emërtimit të Zogut “Mbret i Shqiptarëve” shpaloste qëllimet e saj, jo vetëm brenda territorit të Shqipërisë, por edhe në pjesët e tjera të Ballkanit në territoret etnikisht shqiptare. Në këtë mënyrë Roma ligjëroi në mënyrë të ndërmjetme ndërhyrjen e saj në Jugosllavi nëpërmjet Shqipërisë, të bazuar në serinë e marrëveshjeve dhe të traktateve sidomos ushtarake të nënshkruara me Shqipërinë, të publikuara ose të fshehta dhe në të njëjtën kohë vuri në provë jo vetëm forcën reaguese të Jugosllavisë por edhe të aleatëve të saj evropianë.

Në letrën e Solas, dërguar Zogut me këtë rast, përveç mesazhit të urimit, shpaloset hapur mbështetja e Romës ndaj Tiranës dhe synimet e saj në Shqipëri dhe në Ballkan.      “Qeveria mbretërore italiane e konsideron vendosjen e regjimit monarkist në Shqipëri si një ngjarje të madhe, e cila do të forcojë më tej lidhjet që ekzistojnë midis dy vendeve, do të bëjë të mundur sigurimin e vazhdimësisë së politikës së tyre të jashtme sikurse parashikohet edhe në Traktatin e Aleancës. Për rrjedhojë, Italia do t’i qëndrojë kurdoherë besnike marrëveshjes së ngushtë me Shqipërinë, rezultatet e shkëlqyera të së cilës në politikën e përgjithshme i ka vënë në dukje edhe vetë Shkëlqesia Juaj. Unë mund t’ju siguroj se Qeveria italiane nuk do të mungojë kurrë së këshilluari me Qeverinë shqiptare për çdo çështje që mund të prekë interesin tonë të përbashkët dhe së punuari bashkarisht me të, në të mirë të zgjidhjes së gjithë çështjeve të interesit të përbashkët në Ballkan.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *