Motra 98-vjeçare e Bardhok Bibës, që i vranë vajzën e vetme 6 muajshe: Në gjyq s’ pranova të firmosja “që isha e dalë mëndsh” dhe shkova në burg (ku vuajti me dy polake)

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Dëshmia e rrallë e 98-vjeçares Marte Biba Doçi, e motra e “Heroit të Popullit”, Bardhok Biba, e cila e sfidoi regjimin komunist duke mos pranuar të futej në kooperativë në Laç të Kurbinit dhe u përlesh fizikisht e qëlloi me shpullë kryetarin e Këshillit dhe Shefin e Policisë së Laçit, Reshat Gjylin, nga ku i përmbysën djepin dhe i vdiq vajza e vetme, 6 muajshe. Pasi vuajti dënimin me burg në Qytetin Stalin, me dy polaket, Barbara Orgocka dhe Barbara Mullaj, shkoi në internim në Seman të Fierit ku kishte familjen dhe aty i dënuan me burg edhe dy djemtë, Markun e Pashkun

(vijon nga numri i kaluar)

Nga Dashnor Kaloçi

Duke qenë një familje dëshmori, apo si motra e Heroit të Popullit, Bardhok Biba, mund dhe do të kishte përfitur shumë nga ai regjim, si shumë familje të tjera kudo nëpër Shqipëri dhe më e pakta do kishte kaluar një jetë të paqtë pa shumë andrralla. Madje jo vetëm kaq, por po t’i kishte bërë sadpo pak “duva” atij pushteti, do kishte përfituar shumë e shumë lavdi e privilegje, po të kemi parasysh edhe faktin se; personalisht Enver Hoxha do të shkonte disa herë për vizitë në shtëpinë e Bardhok Bibës në Rrëshen, do të çonte djalin e tij me nusen (Ilirin me Teutën) te dasma e Marie Bibës, (madje edhe me dhurata), të cilën e ftonte edhe në Tiranë në raste festash, përvjetorësh, apo Kongrese, si p.sh. në Kongresin e 8-të të PPSH-së, ku në Pallatin e Brigadave, vetë Enveri do t’ia merrte valles me Marien, duke iu thënë me mburrje delegatëve të tjerë: “E kam vajzën e shokut tim të Luftës”?! Gjëra të cilat “shoku Enver”, nuk i kishte bërë kurrë me asnjë prej figurave kryesore të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, dhe emblematike të propagandës e historiografisë së regjimit komunist, si p.sh. Qemal Stafa, Vojo Kushi, Vasil Shanto, Misto Mame, Alqi Kondi, Vasil Laçi etj etj, shokë e bashkëpunëtorë të afërt të tij që i kishin familjet në Tiranë?! Por Marte Biba Doçi duket se as ka dashur t’ja dijë fare për këto gjëra dhe me vetëdije të plotë ajo dhe familja e saj nuk pranoi asgjë nga ai pushtet, asnjë nga priviligjet që u bëheshin familjeve të dëshmorëve, apo e Heronjve të Popullit, siç ishte i vëllaj i saj, Bardhok Biba?! Madje ajo zgjodhi të kundërtën, duke e kundërshtuar politikën e atij regji bash në një nga pikat kryesore të reformave me të cilën mburrej ai regjim, te “kolektivizimi i fshatarësisë”, pasi Martja me familje e saj nuk pranuan kurrë që të hynin në kooperativë. Gjë për të cilën do të kishin pasoja të rënda, duke përfunduar familjarisht burgjeve dhe internimeve të atij regjimi për vite me rradhë. Dhe si për t’i qëndruar konseguente deri në fund bindjeve dhe traditës së familjes të saj, ashtu siç i takonte një “bijë që rridhte nga familja e Kapidanit të Mirditës, Gjon Markagjonit”, Martja shkoi e vetëdijshme në burg, duke mos pranuar të firmoste në gjyq një dokument ku thuhej se “ishte e dalme mëndsh”, gjë e cila nuk qëndronte dhe ishte një kompromis që pushteti i asaj kohe kërkonte ta bënte jo për të shpëtuar Marten, por për veten, që të mos diskretitohej nga “njerzit e vet”, siç konsiderohej dhe ishte familja e Bardhok Bibës. Lidhur me këto dhe të tjera ngjarje dhe fakte nga jeta e saj, 98-vjeçarja Marte Biba Doçi me një memorje brilante dhe shëndet fizik si jo më mirë, na i rrëfen për herë të parë dhe ekskluzivisht për “Gazeta Shqiptare”, intervistë të cilën po e publikojmë pa i ndryshuar asgjë dhe gjithashtu në dialektin e saj.

Znj. Marta, e kujton gjyqin tuaj?

Pooo posi s’e kujtoj. Mbas një jave që ndodhi kjo ngjarje më çuan në birucat e Krujës. Atje kam ndenjur, nga një shtatori dhe deri më 1 Maj, kam ndenjur në birucat e Krujës.

Gjygjin me kallxu drejt, s’e kush qe ai (e ka fjalën për Kryetarin e Gjyqit, shënimi ynë. D.K.), un s’e di, unë e mbaj mënd fjalën, thaaa, qe besa e zotit pa rrena, tha; lësho firmë këtu, tha, se jam prish mëndsh…..! Jo i thash, për shpirtin e Bardhok Bibës dhe të Marka Bibës, nuk e bëj atë gjë.

Isha një grua e pashkollë, një grua me një fëmij të vogël, një grua eee, pa trazuar asnjeri, në hesapin tim, në punën time….

Pra ju kërkuan që ju të firmosnit një dokument që ishit me probleme…?

Pooo kështu m’tha, hec lësho firmën më thanë, në Krujë. Një djal i ri ishte, një djal i ri, që më thërriti. Më tha më lësho firmë se kam dal mëndsh, jo përzotin i thash, ç’farë se kam, s’mundem ta bëj. Ishim pa faj, ishim pa faj, qe besa e zotit dhe për shpirtin e Bardhok Bibës kështu…nuk firmosa asgjë.

A u përmënd aty në gjyq, fakti se ju ishit motra e Bardhok Bibës?

Pooo, një djal i ri, tha; shikoni kë keni para, motrën e Heroit, Bardhok Bibës…!

Para se të fliste ai, po ju vetë nuk thatë në gjyq se ishit e motra e Bardhok Bibës?

Nuk e thashë… se jam motra e Bardhok Bibës, se atë gjë e kishte marrë vesht Tirana, Shkodra, Durrësi…ça të thosha unë, atë e dinin të gjithë gjykatës, prokuror e polici, si nuk e dinin?!

Si u mbrojtët ju në gjyq lidhur me atë ngjarje për të cilën dhe ju kishin arrestuar?

Thashë më kanë trishtuar në familje, thashë kam pas një fëmijë të vogël, e kanë gjet përmbys, vdiq se s’kishte kush me e kthye për së mari, thashë jeni rrotulluar aty nëpër shtëpi, më keni kap me dorë…!

Çfarë ju thanë ata?

Kur më dënuan, (më tha mua ai, po nuk e mbaj mënd, një djal i ri), më tha; thuaj kam dal mëndsh, qenë duke më liru, thashë s’mundem ta bëj atë, s’mundem e bëj u thashë….

Ishin duke e parë se ishim e pafajëshme, se kishin ardh në familjen time dhe më trishtuan, thuaj kam dal mëndsh…, s’e pranoj, u thashë……

Pra, ju kërkonit që të firmosnit një dokument ku ju të pranonit se ishit e papërgjegjëshme nga ana mendore dhe pas kësaj t’ju lironin duke ju nxjerrë të pafajshme?

Poooo, këtë më kërkojshin, por unë nuk pranojsha. Për kryet e Bardhok Bibës dhe për kryet e katër djemve, kështu thash unë, s’mund e bëjë atë. Qenë duke më lirue, si të pafajëshme, më kishin trishtu në familje, por unë nuk pranova me firmos se jam e dalme mëndsh, se nuk isha. Isha në punë time, ata erdhën dhe më tanun… (trazuan).

Pasi nuk pranuat të firmosnit atë që ju kërkonin ata, ju dënuan?

Po më dënuan. Kam hyrë më 1 apo më 2 shtator, nuk e di, në biruca të Krujës, dhe kam dal për Nji Majin. Kur më kanë shti në burg më kanë çu e nxjerrë në Tiranë me më bashku me të tjerët, se ishin dhe të tjerët aty për në burg, se ishte makina me shku në Qytetin Stalin.

Para se të na flisni për vuajtjen e dënimit në burgun e Qytetit Stalin, na thuaj, po me familjen tuaj, djemtë dhe burrin tuaj, çfarë ndodhi. A patën pasoja ata pas kësaj ngjarje që ju u përleshët fizikisht me kryetarin e Këshillit dhe shefin e policisë së Laçit?

Posi nuk patën, patën posi. Burrin e tre djemtë m’i murrën dhe i internuan anej ka Myzeqeja, në Seman i thoshin ku kishte plot familje të tjera të prekura si u thoshin at’herë. Murrën dhe familjen e kunatit tim, (vëllajt të burrit) dhe atë atje në Seman me ne. Vetëm këtë djalin, Valentinin, këtë s’e murrën, ishte i vogël ky atëhere, nja 13-14 vjeç dhe nuk e lejote ligji me e marr n’internim. Kshtu na thanë dhe ky meti ktu me kunatën time.

Tani të flasim pak për dënimin tuaj. Si i e kujton periudhën e burgut në Qytetin Stalin, sa kohë qëndruat atje dhe si silleshin me ju policët e drejtoria e atij burgu?

Në Qytetin Stalin më kanë lënë nji vjet gati, por ata oficerët të mirë, ishin të mirë, as më thoshin bëje normën, pse s’e ke bërë, Më thoshin gardianet, aman kokëzëzën…, se ishim me shami të zezë, bëshin llafe ato, ma kini kujdes, se vijshin të rij e nuk më njifshin…

A kujton ndonjë nga bashkëvuajtëset tuaja në atë burg?

Poooo, posi. Ishin dy polake, dy nga Polonia, U vinin ushqimet nga Polonia, ato më thërritnin për kafe, ato ishin zonja të rënda. Dhe kur u lirova, më dhanë dy fustane për nusen e djalit, nusen e këtij, (tregon me dorë djalin, Markun. Shënimi ynë, D.K.), m’i mbajti Dega, nuk është e lejueshme. Ishin copa të mira. Laj e thaj, s’kishin nevoj për hekur. Ato kishin burrat në burg. Barbara Mullahi, Barbara Orgocka. (Barbara Orgocka, bashkëshortja e Vaskë Orgockës, nga Korça, vëllait të aktorit të famshëm Dhimitër Orgocka. Shënimi ynë, D.K.). Ato kur bënin ndonjë ëmbëlsirë dhe ndonjë gjë, patjetër dilnin në penxhere dhe …Marta…, më thërritshin, hajde shpejt këtu me ne….dhe e ndanin me mua kafshatën e gojës.

Si e kujtoni lirimin tuaj nga burgu?

E kujtoj shumë mirë. Kur dola nga burgu aty në Qytetin Stalin, u thashë atyre gardianeve; ju falenderoj…., se nuk ishin sjellë keq me mua. Se unë rrinja e fundit për ushqimin, jo me u turr (nxitu), me të rinj e të vjetër, as te kazani (guzhina) as kund, jo….

Pasi ju liruan nga burgu, ku ju çuan?

Më çuan në Fermën e Semanit….n’internim, atje ku ju thashë se më kishin çu burrin me djemt dhe familjen e kunatit.

Si e kujtoni periudhën e internimit, si silleshin me ju dhe familjen tuaj ata të policisë apo të tjerë…?

Keq shumë keq janë sjellë me ne. Mozo ma keq…atje ma dënun dhe ma futën në burg, edhe këtë djalin e madh Markun dhe djalin tjetër, Pashkun. Të dy në burg. Mos e pyt se çfar kanë ba ndër ne, krejt kot, pa ba gja….

Po pse e dënuan Markun dhe Pashkun me burg, çfarë bënë ata…?

Njëherë, ky djali (Valentini), ishte i vogël, nëntë vjeç, dhjetë vjeç, mori dy gjingja ktu ke shpija në Laç e na i solli ne atje për Vit të Ri atje n’internim. Ky djali i madh, (Marku), erdhi prej punës dhe një oficer policie…, (ja harroj emrin atij oficerit), …tha: nuk kini për t’i marrë gjingjat. Marku i tha do t’i marrim se janë tonat. Bre po, bre jo, dhe i nxorri revolen këtij, (Markut), e paska pas mësimore, me leje, dhe ja nxorri afër kokës, dhe u step…

Si reagoi Marku?

Marku i tha; dhe këtu jam duke u bë ndonjë gjë, ndonjë kundërshtim, u tha Marku, m’u hiqni qafe për hatrin e zotit, jam më nënën dhe me babë, e më vëllazën të dy….,

-Hajt i tha ai, i plotfuqishmi i ligjeve, edhe e morri ky burri im këtë qingjin dhe e largoj e ku e di unë…,

Po i plotfuqishmi….?

Ai i plotfuqishmi ju hodh këtij (djalit, Markut) në fytyrë…dhe ky i tha: m’u largo, dy duar për një kokë janë, i tha, dhe ai i plotëfuqishmi gjuajti me revole përmbi kokë, bam, gjuajti…

-M’ë vrave djalin, u thashë, edhe këtu u kam borxh, edhe këtu m’ë trishtoni në familje, më vratë djalin more, edhe u mblodhën, po u mblodhën aty njerëz edhe se çfarë u bë nuk e di dhe e morrën.

Ku i çuan…?

I thanë: përpara dhe e vunë në një zetor, edhe burrin edhe Pashkun, edhe i çun në polici, në Dëgë të Mbrendshme. Burrin, (Prengën) e lshune dhe erdh prap n’internim në Seman, ndërsa Markun e majtën 16 ditë aty dhe ma vonë e dënun 3 vjet burg dhe e dërgun në Ballsh, në burg të Ballshit.

Po djalin tjetër, Pashkun përse e dënuan….?!

Pashkut i thotë një grue…, ishte spiune këtu, ishte ngjit me të, Naimja, …Ishte duke e prit me një me biçikletë…., hajde zëmë peshk…,

-I thashë; Pashk, qe besa e zotit mos shko, se të kapën, i thashë. Qe besa e zotit mos shko se të kapën, a e shef si janë i thashë, të gjithë spiunët rreth….!

Tha; jo do të shkoj për peshk dhe shkoj dhe e kapën dhe atë mbrenda. E dënuan tre vjet burg Pashkun, se gjoja kishte kalu zonën ku u lejote me shku të internumit. Pra sikur kishte kalua kufirin…?!

Sa vjet qëndruat ju dhe familja juaj në internim?

Nja shtatë vjet qe besa atje në internim. Shtatë vjet plot (1970-1977, Shënimi ynë. D.K.)

Po pas daljes nga burgu dhe lirimit nga internimi, ku ju çuan?

Edhëm këtu te kunata, (në Laç), shpija shkatërrue, shkatërrue, çdo gja. Ajo kishte gjashtë fëmijë dhe kunatin shtatë, e shkreta në kooperativë, në fermë, e shkreta se ka pas qenë nda me atë djalin e erdh te na. Ajo më është gjetur më tepër se nana, se kur ishim në burg, ajo i lante rrobat e shkreta, 90-vjeçe, vinin mecat (djemtë) nganjerë në Qytet Stalin, përzotin kemi vujt, për kot…

Po pas kthimit nga internimi dhe nga burgjet, ku punuan djemtë tuaj, a u futët në kooperativë?

Mbasi erdhëm nga internimi, na lanë dhe nja dy vjet pa punë. Vumë do bagti ashtue dhe u morrëm me to mbrapa, dhe e panë se ishim duke u kap me to (gjoja pasuruar, Shënimi ynë, D.K.) dhe na thirrën në Degë të Brendëshme atje n’Krujë, ishin mbledh Kryetar Dege atje, ishin mbledh…, ka qenë një tropojan i madh Kryetar Gjykate, me Zef Dedën, Zef Deda dhe ai, Qazim Mani, m’duket, ishin ata, erdhën për me na fut në kooperativë dhe s’u futëm. I thashë; o ku kam qenë në internim, o në burg, o na pushkatoni, se në kooperativë nuk futemi. Dhe nuk u futëm asnjë ditë. Na ka pas ardhe dhe Rrem Sefa ma na fut në kooperativë, por s’kena pranue. Jooo, asnjë ditë nuk kena pranu me hi në kooperativë, asnjë dit. Ne prandaj u dënuam mos me hi në kooperativë. Nuk kena pranu dhe ata të partis e shtetit janë detyru me na shti në pun në fermë, andej ka Fush-Kuqja kan punu djemt në fermë. Ishin të zot dhe të fortë dhe kan punu shum, të katër djemtë në fermë kanë punu.

Para se të dënoheshit në burgje dhe internime, a ju vinin këta të Partisë dhe të Shtetit për vizitë për 5 Majin, si familje dëshmori?

Jo nuk na vinin, vetëm me na fut në kooperativë, jooo, dhe pse isha e motra e Bardhok Bibës, jooo, mos ta dëgjoj kush, jooo nuk vijshin, një grua e pashkollë, një grue me katër fëmijë, e m’i nxorrën nga shkolla, e m’I nternuan, e m’ trishtuen boll, se ishim një grua që nuk kishim pranue me u fut në kooperativë,. Drejt, ishim një grue që nuk kisha pranue me u fut në kooperativë dhe nuk më erdhën asnjëherë, dhe unë bëra timen.

Për të gjitha këto që ju ndodhën atëhere, a je ankuar, apo a ke shkruar ndonjë letër, p.sh. Mehmet Shehut, që thuhet se e ka dashur shumë vëllanë tuaj, Bardhokun?

Joooo, nuk kam shkruj letra Mehmet Shehut, se e dinte ai se isha e motra e Bardhok Bibës…, edhe pse kishte edhe punët e shteteve të tjera. E dinte asi, por unë nuk i kam shkrujt letra kurrë…

Po atë pushtet, pra regjimin komunist, e donit ju….?

Kur kishim Bardhokun gjallë e dojshim, e dojshim sa ishte Bardhoku gjallë, por më pas …isha e ftohur në mish e në shpirt…, nuk e kam dasht hiç.

Tani pas viteve ’90-të, a keni përfituar ndonjë dëmshpërblim financiar, për vitet e burgut dhe internimit që keni bërë ju dhe djmetë tuaj?

Jooo, asgjë nuk kena marrë. Nuk ju takon na kanë thënë…,s’keni qenë për politikë…?! Po ça politike dun ata….ne kemi kundërshtu shtetin mos me hi n’ë kooperativë. Po, jo na kanë thënë; s’ju takon dhe kështu asgjë nuk kena marrë….?!

(TemA)

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
        
        Loading...
        

5 komente në “Motra 98-vjeçare e Bardhok Bibës, që i vranë vajzën e vetme 6 muajshe: Në gjyq s’ pranova të firmosja “që isha e dalë mëndsh” dhe shkova në burg (ku vuajti me dy polake)”

  1. Dashamiri says:

    Eshte nje shkrim me te vertetat qe ka treguar e motra e Bardhok Bibes pa i shtuar e zbukuruar ato. Kam qene deshmitare kur Marteja vinte ne Rreshen nuk shkonte asnjehere tek shtepia e familjes Bardhok Bibes per te mos i demtuar se ajo nuk cilesohej me biografi te mire. Eshte vertete e turpeshme qe nuk eshte shperblyer ajo grua shembullore per qendrimin e saj heroik qe ka mbajtur duke perbuzur çfaredolloje mundesie qe mund ti ishte afruar. Jete dhe vuajtjet e saj jane nje deshmi me se e qarte se te drejtet dhe te ndershmit nuk fitojne asnjehere, Respekt per Ju zoti Kaloçi qe na sjellni kete jeteshkrim real te Marte Doçit ish e motra e Bardhok Bibes.

    1. ca po thu Shabono says:

      Debilat asnjehere nuk jane vleresuar! S’ka patur ndonje arsye te vleresohej as kjo Marteja 😛

  2. Alidemsi vjeter says:

    Do haje buke dhe plehra D.K….me perallat e se kaluares…E pastaj…Dashnor ce …si..Pirdh se lerohesh…Fisi Biba ne krye te Partise ne rreth….

  3. shqip says:

    Qe s’ka qene politike , kete e thote vete personi . Keq te vjen per vuajtjet . Po kundershtimi nuk ka patur aspak pikpamje te ndryshme politike . Per me teper qe vete zonja ka qene e pa shkolluar . Tani te mendosh holle , ta çosh jeten dem vetem se mendon qe futja ne koperative nuk te jep te mira materiale , eshte drame me vete . Megjithate kjo demshperblimin e meriton me shume se çdo njeri . Mirpo parate i ka marre Saliu me spiunet e tij . Dhe ketu i kthehem prape injorances . Keta kane 27 vjete qe votojne vetem Saliun . Eshte si ajo puna qe ” s’du me hi n’koperativ ” . Injoranca eshte plaga me e madhe e ketij populli . Dhe te mendosh qe me shume se gjysma e atyre qe deklarohen te denuar politike , kane qene si kjo zonja e shkrete . Te pa lexuar e te pa mesuar . Politike vetem nje grusht njerezish kane bere ne forme oponence . Te ziheshe me kryetarin e keshillit apo nje polic te zones , kjo nuk perbente akt propagandistik . Pavaresisht se ata ( pushteti ) , injorantet me kravata te fusnin ne ca kapituj qe s’kishin lidhje . Keq te vjen o zonje ! Po iket nga shiu e rate ne bresher . Me nje felliqesire si Berisha , ju s’mund te merrni demshperblime . Ja , marrin ata spiunet ,qe per para shesin edhe lekuren , edhe nderin . Marrin ata qe vetem dine te djegin si kamikaze kryeqytetin .

    1. e di ti says:

      Gruja ne fjale ka qene dhe ka mbet psikopate! Te semuret mendore nuk marrin “demshperblim”!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *