ANALIZA: Imitacion i vetvetes: Përse po e vret turizmi Barcelonën

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Një nga destinacionet më të hijshme në Europë vetëm dy dekada më parë, Barcelona është tashmë aq shumë e mbingarkuar me njerëz saqë është bërë një park me temë turistike – dhe po e humbet karakterin që e bëri atë kaq të famshme.

“Sagrada Família”, destinacioni më popullor në Barcelonë.
Është ora 9 e një mëngjesi të nxehtë gushti dhe biletat për të vizituar bazilikën emblematike të Barcelonës, “Sagrada Família”, tashmë janë shitur. Vetëm pak vjet më parë thjesht mund të vije dhe të prisje ndoshta gjysmë ore në radhë për të hyrë brenda, por me rritjen e numrit të vizitorëve në qytet (rreth 30 milionë vitin e kaluar) të gjithë ata që arrijnë pa prenotim me gjasa do të largohen të zhgënjyer.

Ata të cilët kanë bileta e argëtojnë veten në radhë duke bërë selfie përballë fasadës plot ornamente të bazilikës. Grupe turistësh ndjekin guidat e tyre në radhë. Shitësit e rrugës hapin produktet në tokë – syze dielli me piratë apo kujtime të tjera – derisa patrulla të armatosura të policisë i heqin prej aty. Në të gjitha kioskat rreth sheshit mund të blesh lodrat të vogla, tavulla duhani apo shalle të Barçës.

Kryevepra e Antoni Gaudí nisi në vitin 1882 dhe duhet të përfundohet në vitin 2026. Puna synohej të financohej nga mëkatarët e penduar – por kohëve të fundit ka më shumë turistë sesa të penduar rreth e qark saj (bazilika është destiancioni më i famshëm në qytet me 4.5 milionë vizitorë në vitin 2016), kështu që turistët janë duke paguar faturën.

Në Casa Batlló, në bllokun e banimit në lagjen e populluar Passeig de Gràcia, radha gjarpëron rreth qoshes, dhe kjo është radha për njerëzit që kanë blerë bileta që më përpara me 28.50 euro. Ata presin pas një shenje që thotë “Dil nga rreshti”. Gruaja tek dera thotë se pritja për njerëzit me bileta është rreth 20 minuta. Pas një pauze, ajo mbledh supet: “Ok, ndoshta edhe më shumë se 40 minuta”.

Shenja “Unë e dua Barcelonën” mbi një dyqan në Barcelonë.
Barcelona mbetet gjithsesi një qytet i bukur, një prej më tërheqësve në Europë, ngërthyer midis maleve dhe detit, me një klimë të mrekullueshme dhe me pasuri të arkitekturës dhe historisë.

Shitësit e rrugës

Mbetet një qytet i bukur, por në të tashmë ka nga një njoftim për shitje banese në çdo qoshe. Qyteti dikur mburrej me cilësinë e dizenjimit të tij dhe ishte emërtuar si kryeqyteti i hijeshisë në fund të shekullit të 20-të. Tashmë është shumë larg prej të qënit dhe mjafton një ditë ecejakje nëpër hotspotet turistike për të parë sesi është shndërruar në qytetin e reklamave me fjalën magjike “Barcelona” printuar mbi çdo gjë, që nga kapelet prej kashte dhe arinjtë e pelushit e deri tek peshqirët e plazhit dhe filxhanët e çajit. Për të mos përmendur të gjitha llojet e krijesave prej qeramike të prodhuara në stilin e tjegullave të thyera.

La Rambla është rruga më e famshme e Barcelonës por banorët e qytetit, rruga është shndërruar në vendin më pak të dashur prej shumë kohësh tashmë, kaq e ngarkuar saqë është pothuajse e pakalueshme për nëntë muaj të vitit.

La Rambla … rruga më e famshme e Barcelonës është tashmë epiqendër e mbingarkesës turistike.
Që nga momenti që u themelua në shekullin e 18-të, La Rambla u bë vendi ku të pasurit mund të shpalosnin gjërat e tyre të rafinuara dhe të varfrit mund të fishkëllenin dhe secili mund të merrte frymë, jashtë mureve të një qyteti të mbipopulluar mesjetar. Nuk ka qenë kurrë shik, në të vërtetë, ka qenë pothuajse gjithnjë periferike dhe e margjinalizuar – por tashmë aty nuk ka gjë tjetër, përveç dyqaneve të suvenireve, të ngërthyera aty-këtu me McDonald’s dhe restorante të lira që shërbejnë qebapë e paella.

Në çdo orë, të rinjtë të ftojnë nën zë për të hyrë në ndonjë “kafene” alla Amsterdam. Kjo është diçka e re. Natën ka prostituta, që nuk është gjë e re, përveç faktit që pjesa më e madhe e grave janë të trafikuara.

La Rambla bën biznes. Çdo vit më shumë se 100 milionë njerëz ecin në të. Imagjinojmë sikur secili prej tyre të shpenzojë vetëm një euro.

Vitin e kaluar, një konsorciumi iu ngarkua detyra për të hartuar një plan që do të tërhiqte banorët sërish në La Rambla. Ata u konsultuan gjerësisht dhe detajet e planit pritet të publikohen së shpejti, por puna e tyre u ndërpre.

“La Rambla është mbi të gjitha një biznes”, thotë Fermín Villar, president i Miqve të La Rambla-s, që përfaqëson interesat e banorëve dhe e tregtarëve të zonës. “Çdo vit më shumë se 100 milionë njerëz ecin në këtë rrugë. Imagjinoni sikur çdonjëri prej tyre të shpenzonte vetëm nga një euro”.

Itziar González, arkitekti që drejton simpoziumin, thotë se detyra e parë është të binden njerëzit që la Rambla mund të shpëtohet. “Nuk është thjesht për të ndryshuar gjerëta, por për të ndryshuar mendjet”.

Ka dyshime, sidoqoftë, nëse tregu ushqimor Boqueria në La Rambla mund të shpëtohet. Dikur një vend i shenjtë për guzhinierët dhe dashamirët e ushqimit, ku mund të blije çdo gjë që nga ëmbëlsirat deri tek insektet e ngrënshme, kioskat janë duke rënë njëra pas tjetrës nën forcën e turizmit, me peshkun e freskët, mishin dhe perimet që po ua lënë vendin produkteve të gatshme e ushqimeve të shpejta për t’u marrë me vete. Arsyeja e vërtetë për të vizituar la Boqueria – madje edhe kur je turist – do të pushojë shpejt së ekzistuari.

Barcelona është një prej qyteteve me popullsinë më të dendur në Europë, me pak vende të hapura. Kështu që kur bregu i detit në Barceloneta u hap në kohë për Lojërat Olimpike të vitit 1992, ai i dha qytetit hapësirë për të marrë frymë, ashtu siç kishte bërë La Rambla dy shekuj më herët.

Vendi u shndërrua në hapësirën e re për të shëtitur, darkave apo të dielën një zakon që është një pjesë e rëndësishme e tipike e jetës spanjolle.

Por, Barceloneta është shndërruar në një tjetër zonë “të ndaluar” për banorët e saj pasi ka degjeneruar në një lloj Lloret de Mar urbane. Nëse shtrihesh në plazhin e mbipopulluar, çdo pak minuta një shitës rruge do të ofrojë birrë apo një mohito, një masazh, një tatuazh me këna dhe me raste edhe bar.

Gjëja më e trishtë nga të gjitha këto është se qyteti po e humbet me shpejtësi identitetin e tij dhe po shndërrohet si kudo gjetkë. Një fjalë e re është gjetur për të përshkruar këtë proces dukshëm të pandalshëm: parquetematización – procesi i shndërrimit në një park tematik. Barcelona është shndërruar në një imitacion të vetvetes.(scan)

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
        
        Loading...
        

1 komente në “ANALIZA: Imitacion i vetvetes: Përse po e vret turizmi Barcelonën”

  1. lili says:

    Park. a jo eshte prape nje nder qytetet ma fantasike t’evropes.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *