Mbrojtja  e fortë e Klodianës, është lajmi i vërtetë!

Nga Mero Baze

Ka një ngrehje armësh kundër reagimit të fortë ndaj sulmit mbi shtëpinë e prindërve të gazetares Klodiana Lala. Arsyeja është një skenë e paqartë krimi, të cilën policia nuk e bën publike. E vetmja gjë që thuhet, është se sulmi ndodhi në orën 3 të mëngjesit dhe policia u lajmërua në orën 7 të mëngjesit, ndërsa lajmi u dha në orën 13:00 në mesditë.

Ka një version që thotë se prindërit lajmëruan policinë në orën 7, pasi nuk e kuptuan, dhe duket logjike.

Pastaj ka deklarata të familjarëve që thonë se e “kuptuam pasi pamë gëzhojat dhe u shqetësuam qysh në orën 3 të natës”. Ka një deklaratë tjetër që i referohet gazetares, që thotë se “prindërit pas sulmit ikën nga xhaxhi dhe në orën 7 njoftuan policinë”.

Pra, ka një kakofoni në ndërtimin e dinamikës së skenës së krimit dhe aludime për pista të tjera, që nuk lidhen me Klodianën.

E gjithë kjo është një çështje që duhet ta zgjidhë hetimi.

Reagimi, duke supozuar se sulmi është bërë për Klodianën, është i drejtë dhe aspak i ekzagjeruar. Ai nuk vlen për Klodianën, por më shumë për shoqërinë.

Shoqëria jonë ka nevojë të edukohet me paprekshmërinë e gazetarit dhe fjalës së lirë. Shqipëria ka nevojë të edukohet me solidaritet ndaj gazetarëve, pavarësisht qëndrimeve të tyre.

Shoqëria ka nevojë të jetë reaktive edhe ndaj dyshimeve se është qëlluar për shkak të gazetares.

Nuk ka asnjë të keqe shoqëria shqiptare nga teprimi për të mbrojtur një nga një terror i mundshëm, i ushtruar ndaj një familje për shkak të punës së vajzës së tyre. Është mirë që shoqëria shqiptare ka mbërritur në këtë pikë.

Vite më parë ka qenë ndryshe. Sali Berisha e ndante opinionin në “pro” dhe “kundra” gazetarëve që bëheshin viktima të dhunës së tij.

Kur një biznesmen dhe tre badigardë të tij, që pozonin gjithë ditën me Liri Berishën, më sulmuan mua dhe dy kolegë të mi në një kafe, pse kishim zbardhur privatizimin korruptiv të ARMO-s, gjysëm ore pas emisionit të transmetuar në TV, pushteti ndërhyri brutalisht në çdo qelizë të shoqërisë për të ndarë opinionin “pro” dhe “kundër” dhunës ndaj nesh. Pati shoqatë gazetarësh fantazëm, të udhëhequr nga Aleksandër Frangaj, që bënë deklaratë dhe justifikuan dhunën. Pati biznesmenë si Nikolin Jaka dhe Hajredin Fratari, që bënë deklarata në emër të shoqatave të biznesit, duke mbrojtur dhunën ndaj nesh.

Avokatët fabrikuan prova për të mbrojtur biznesmenin dhe badigardët, duke e kthyer Petrit Çomon, gjyqtarin e çështjes, në një qënie qesharake, që hidhte poshtë dëshmitë e policisë dhe dëshmitë tona, dhe konsideronte dëshmi një letër anonime. Ky tipi është akoma gjyqtar dhe atë vit ju shtua pasuria.

Një gazetar i një TV lajmesh, i cili merrte ca tollona nafte nga biznesmeni, nxirrte  titra se ne e kishim rrahur biznesmenin.

Biles dhe disa gazetarë kronike që kishin pronarët, mik me biznesmenin, përpiqeshin të hapnin lajme, se ne ishim tërhequr nga padia kundër tij, për të mos përmendur pastaj psikopatë si E. Ypi, që përshkruanin dhe skenën se si duhesha vrarë.

Por opinioni publik, gazetarët dhe organizatat ndërkombëtare ishin me ne, përballë tyre. Ngjarje të tilla tregojnë se sa është inkriminuar shoqëria.

Kjo kohë ka vdekur dhe është shumë mirë. Asnjë teprim nuk ka se mbrohet Klodiana. Duhet mbrojtur deri në fund, derisa hetimet të kapin autorin dhe ta vënë para drejtësisë. Dhe në mos qoftë për Klodianën, le të dënohet si kriminel, por shoqëria nuk ka humbur asgjë.

Shoqëria duhet të edukohet për “vijat e kuqe” për lirinë e shtypit dhe drejtësia të bëjë punën e saj, nëse ngjarja nuk ka lidhje me shtypin. E rëndësishme është që ka ardhur një kohë, që shoqëria është e bashkuar kundër dhunës ndaj një gazetareje dhe ka vdekur ajo kohë, kur dhunuesi i gazetarëve vinte në rresht shoqërinë “pro” dhe “kundër” krimit.

Mbrojtja e fortë e Klodianës është lajm i vërtetë për Shqipërinë. Koha kur mbrohej edhe krimineli, ka perënduar.

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...