“Fatmir Xhafaj bën bilancin e 5 premtimeve kryesore në fillim të sezonit turistik”

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nga Fatmir Xhafaj

Përshëndetje,
në ditët e para të muajit qershor të këtij për të çelur sezonin turistik ishim këtu në Vlorë. Dhe ne premtuam dhe u angazhuam për një sezon turistik shumë më të mirë, shumë më cilësor se vitet e kaluara dhe padyshim një komponente e rëndësishme ishte dhe mbetet ajo që lidhet me çështjet e rendit, të qetësisë dhe të sigurisë gjatë sezonit turistik, si një kusht i domosdoshëm për pushime cilësore, për qytetarët shqiptarë dhe për turistët që zgjedhin si destinacion Shqipërinë.

Mbas tre muajsh, ne sot në këtë event padyshim kemi një detyrim për të parë se çfarë kemi bërë me ato që kemi premtuar.

Çfarë kemi premtuar, çfarë kemi realizuar dhe çfarë ka ndodhur realisht?

Ne premtuam tre muaj më parë në nisje të këtij sezoni se do të kishim një sezon me më shumë qetësi, me më shumë rend dhe parandalim më të mirë të incidenteve dhe akteve kriminale. Dhe besoj se përmes një prezence më të madhe, më efikase dhe një organizimi më të mirë policor.

Është fakt që ne gjatë këtij sezoni angazhuam mbi 1 mijë forca policore në funksion të sezonit turistik, mjete shtesë në funksion të tyre, ngritëm një sërë stacionesh policore provizore, si në Theth, në Valbonë, në Tale, në Gjirin e Lalëzit, në Ksamil.

Rritëm ndjeshëm shërbimet policore pa uniformë dhe shërbimet policore duke lëvizur me mjete të lehta të qarkullueshme, me biçikleta në territoret e plazheve dhe si rrjedhojë ky ishte sezoni turistik pa asnjë incident të rëndë me pasoja, gjatë këtyre tre muajve në të gjithë vijën bregdetare, në të gjithë zonat turistike.

Dhe me një ulje të ndjeshme të numrit të vjedhjeve në territoret e plazheve.

Gjithashtu ne premtuam gjatë nisjes së këtij sezoni, për menaxhim më të mirë të trafikut dhe forcimin e sigurisë rrugore. Vendosëm shërbime shtesë, në mënyrë të veçantë në akset problematike edhe për shkak të problemeve që lidhen me infrastrukturën dhe sinjalistikën, që ka në disa prej këtyre akseve, siç është aksi që ka të bëjë me daljen nga qyteti i Fierit dhe hyrjen në Vlorë, gjithashtu.

Forcuam regjimin e kontrollit në zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor, futëm komunikimin intensiv publik përmes konferencave javore të shtypit të drejtuesve të Policisë Rrugore, por edhe komunikimin në kohë reale në radiot, ndërmjet Policisë Rrugore dhe drejtuesve të mjeteve për t’i njohur ata me vështirësitë e lëvizjes e trafikut në orët kyç të tij.

Dhe natyrisht rezultati, është pozitiv, kemi gati 100 aksidente më pak dhe një ulje të ndjeshme të numrit të aksidenteve me pasoja.

Natyrisht duke dhënë këto shifra, dua të them se kjo është një çështje ku ne nuk jemi të kënaqur, përkundrazi.

Pavarësisht përmirësimeve që kemi bërë, jemi të vetëdijshëm se ka shumë për të bërë, qoftë nga pikëpamja e përmirësimit infrastrukturor të rrugëve, por edhe nga pikëpamja e menaxhimit të trafikut. Kjo është arsyeja që pas disa ditësh në muajin shtator, ne do të prezantojmë një Plan konkret Veprimi për të bërë të mundur një sistem të ri menaxhimi të trafikut rrugor dhe që shpresoj se do të krijojë një impakt të ri për të gjithë çështjet e menaxhimit të trafikut dhe funksionalitetit të Policisë Rrugore në vend, por do t’i shërbejë më së miri vitin e ardhshëm edhe sezonit turistik, që besoj se do të ketë një prurje shumë më të madhe njerëzish dhe mjetesh edhe për shkak të kësaj përvoje të mirë të krijuar gjatë këtij viti.

Së treti, ne premtuam forcimin e kontrollit në plazhe dhe sidomos në përdorimin e mjeteve ujore.Të gjithë janë dëshmitarë të faktit që kjo ka qenë një gjë shumë kaotike ndërkohë që sivjet kemi një pamje krejt, krejt të ndryshme në të gjithë vijën bregdetare ku u bë e mundur që në bashkëpunimin me Bashkitë, me operatorët privatë dhe me biznesin vendosëm rregulla për qarkullimin e mjeteve ujore dhe njëkohësisht për zonat e larjes në det të pushuesve dhe natyrisht rregulla më të forta për përdoruesit e mjeteve.

Për herë të parë kemi të vendosur korridore ujore për qarkullimim e mjeteve ujore dhe në mënyrë të veçantë të motorrëve të ujit.

Natyrisht fillimi ishte paska i vështirë, kemi patur edhe keqkuptime nëpërmjet Policisë dhe përdoruesve të këtyre mjeteve, por e rëndësishme është që ajo që duhet theksuar, është fakti që ne për herë të parë nuk kemi asnjë incident me mjetet ujore në vijën bregdetare të të gjithë territorit shqiptar.

Jemi dëshmitar, që në vitet e mëparshme kemi pasur disa incidente edhe me pasoja vdekjen për shkak të keqpërdorimit të mjeteve ujore, në mënyrë të veçantë të motorrëve të ujit.

Një premtim tjetër i rëndësishëm në nisje të këtij sezoni, kishte të bënte me mjedisin me rendin dhe qetësinë në zonat turistike, kryesisht me zhurmën akustike, dhe disiplinimin e kohës për përdorimin të muzikës në lokalet në zonat turistike.

Edhe në këtë aspekt, kemi qenë dëshmitarë të faktit që ka qenë një gjë shumë kaotike, me orë e pa orar, me shqetësime të ndryshme, me një lloj tensioni ndër qytetarët, për pushuesit në plazhe, edhe natyrisht edhe vetë biznesin që jo rrallë krijonte incidente apo konflikte ndërmjet autoriteteve vendore, Policisë dhe pronarëve të restoranteve.

Por, ajo që është shumë e rëndësishme në sajë të një marrëdhënie shumë të mirë të krijuar me pushtetin vendor, u vendosën rregulla më të qarta, dhe unë këtu në mënyrë të veçantë, në të gjitha Bashkitë e vendit, dua të falënderoj Bashkinë e Vlorës, për shkak se arriti të marrë një sërë masash të qarta dhe në kohë, për disiplinimin e këtij procesi. Ne mund të themi që sivjet, në numrin 112 kemi gati 90% më pak ankesa nga qytetarët lidhur me zhurmat në orët e vona të natës dhe kjo ishte rrjedhojë jo thjesht dhe vetëm i përdorimit të autoritetit të Policisë, por besoj dhe ajo që është e rëndësishme, i mirëkuptimit të krijuar ndërmjet autoriteteve vendore, Policisë dhe biznesit privat.

Së pesti, dhe që ishte një premtim shumë i rëndësishëm i yni, lidhej me menaxhimin më të mirë të hyrje-daljeve në Pikat e Kalimit Kufitar. Është fakt që ne kemi rreth 25% më shumë hyrje se në vitin 2017 të njerëzve, dhe rreth 15 % më shumë mjete të hyra në territorin shqiptar. Kjo krijoi një fluks më të madh dhe në kushte të njëjta me vitet e kaluara nga pikëpamja e objekteve që kemi në dispozicion, por në sajë të një menaxhimi shumë më të mirë të pjesës së kufirit, një menaxhimi më të mirë të pikave të kalimit kufitar, qoftë për lëvizjen e qytetarëve, qoftë për lëvizjen e mjeteve, ne mundëm që sivjet të kishim një qarkullim shumë më të mirë edhe në sajë të faktit që futëm për herë të parë atë që konsiderohet ndryshe dhe lëvizje me procedurë të përshpejtuar, që do të thotë duke lehtësuar edhe hyrjen e qytetarëve dhe të mjeteve në pikat kyç, sidomos në Morinë, në Muriqan, në Kapshticë edhe në Kakavijë.

Rezultati është që shqetësimet në këtë aspekt, kemi patur një përpunim më të mirë të mjeteve dhe të lëvizjes së qytetarëve në pikat hyrës të kalimit kufitar dhe për herë të parë kemi arritur të marrim vlerësime pozitive nga “tour-operatorët” nga shoqëritë turistike, lidhur me mënyrën se si është proceduar me shpejtësi, mënyrën se si janë trajtuar lëvizja e mjeteve dhe turistëve në pikat hyrëse të kalimit kufitar.

Natyrisht këto ishin 5 premtimet kryesore, angazhimet kryesore që bëmë në hyrje të këtij sezoni dhe unë sot mund të them që ne ia arritëm që të mund të ofronim në këtë sezon turistik më shumë qetësi, rend dhe siguri për qytetarët shqiptarë, për turistët që zgjodhën si destinacion Shqipërinë gjatë këtij viti dhe rezultatet në këtë aspekt janë shumë më të mira nga pikëpamja statistikore se në çdo vit tjetër të mëparshëm.

Kjo natyrisht është rezultat i një pune të jashtëzakonshme dhe me sakrifica dhe me orare të zgjatura të punonjësve të Policisë që u angazhuan në këtë proces dhe padyshim edhe i drejtuesve të tyre në nivel rajonal, në Komisariate në Drejtoritë Vendore dhe në Drejtorinë Qendrore të Policisë.

Mjaft t’ju them faktin se ndërsa të gjithëve mund të na ketë rënë rasti të bëjmë një, dy, apo 20 apo 30 ditë pushime, apo të hyjmë në plazh për t’u relaksuar, punonjësit e Policisë që kanë shërbyer, deri tek Drejtori i Përgjithshëm gjatë këtij tre mujori nuk kanë pasur mundësinë të shkojnë një ditë në plazh për të pushuar duke qenë të bindur se duhej të bënin ata një sakrificë në shërbim të qytetarëve, në funksion të qytetarëve, në funksion të sezonit turistik, por një sakrificë besojmë ne, që ja ka vlejtur.

Natyrisht, unë e di shumë mirë që nuk është lajm të bësh detyrën. Ky nuk është lajm që e kanë shumë për qejf mediat kur ka rezultate pozitive, por është një lajm shumë i mirë besoj për qytetarët shqiptarë që kanë mundësinë t’i shohin dhe t’i prekin këto rezultate dhe këto tregues dhe mbi të gjitha këtë angazhim shumë të mirë të Policisë.

Unë sot gjej rastin dhe një herë t’i falënderoj të gjitha strukturat e Policisë për impenjimin dhe angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm gjatë këtij sezoni turistik.

Falënderoj drejtuesit vendorë, për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin shumë të mirë që kemi ndërtuar në të gjithë territorin e zonave turistike, Ministrinë e Turizmit për kooperimin shumë të mirë që kemi pasur në këtë fushë gjatë këtij sezoni dhe padyshim të gjitha bizneset dhe operatorët turistik për mirëkuptimin dhe mbështetjen që na kanë dhënë.

*Fjala e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në takimin e mbajtur sot në Radhimë, Vlorë, në përmbyllje të sezonit turistik veror:

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

1 komente në ““Fatmir Xhafaj bën bilancin e 5 premtimeve kryesore në fillim të sezonit turistik””

Lini një Përgjigje te ok Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *