Dy letra mbi vrasjen e prefektit të Republikës Franceze të Korçës

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Koloneli francez André Ordioni ka luftuar në zonën e Korçës Leskovikut, Pogradecit e gjer në Elbasan me batalionin e xhandarëve shqiptar dhe të disa çetave.

Nipi i tij Dominique de Desert ka botuar vitet e fundit librin “Un colonel français dans les Balkans” (Një kolonel francez në Ballkan), ku ka përmbledhur disa letra të dërguara nga Ordioni djalit të tij në Francë.

Një nga letrat mban datën 21 janar 1918 dhe flet për ekzekutimin e Themistokli Gërmenjit.

Duhet saktësuar se koloneli nuk kishte marrë pjesë në gjyqin ndaj Gërmenjit.

Ai kishte ardhur në Selanik vetëm një ditë përpara ekzekutimit të tij, por gjithsesi ai ishte dëshmitar i ekzekutimit.

Ai kishte shkuar dhe e kishte takuar vetë gruan e Themistokliut, ku siç shkruan ai, “ajo ende nuk e besonte se Themistokliu ishte pushkatuar dhe vazhdonte ta priste”. «E kam peng në zemër që nuk arrita t’i them asaj gruaje se burri i saj ishte pushkatuar»!

Më poshtë letra e tij për djalin, botuar nga DITA:

I dashuri im Pierre,

Sot është përvjetori i ekzekutimit të mbretit të Francës Louis XVI. Historia do të të mësojë se ai nuk ishte një fajtor i madh, por ai kishte trashëguar një mbretëri me faje e gabime të bëra nga të parët e tij , të cilët nuk kishin besuar se një ditë do të bëhej drejtësi.

E zgjodha pikërisht këtë ditë për të folur rreth ekzekutimeve ushtarake, pasi ngado, mjerisht dhe në Francë, si dhe në vende të tjera, flitet për tradhëtarë, spiunë, njerëz të dyshuar që kanë bërë lidhje me armikun për të përfituar diçka.

S’po të përmend asnjë emër, pasi nuk dua ta bëj pis penën time, por ti do t’i mësosh më vonë kur të lexosh historinë e Luftës Botërore për të cilën të kam mësuar diçka me letrat e mia; por s’do të flasim për atë që ndodh tek ne, ku drejtësia po bën një punë ripërtëritjeje për të cilën ka nevojë atdheu ynë, por do të flas për vendin ku gjendemi tani, i cili ka njohur tradhëtarë të mëdhenj, më famshmi i të cilëve ishte Esfialt, një spiun që i çoi persët në një shteg që të mund të pushtonte Termopilet, që mbroheshin me aq kurajo nga Leonidha me 300 spartanët e tij. Esfilat u vra në fshatin e tij dhe në fund të luftës nuk arriti t’i gëzonte frutat e tradhëtisë së tij.

Ne sot po jetojmë epokën tonë. Sot, si dhe dikur, mund të afirmojmë se lumturia më e madhe tokësore është të mund të mbrosh atdheun tënd dhe se njolla më e madhe që mund të ketë një familje është të shohë një nga pjestarët e familjes së vet të tradhëtojë vendin e tij.

Të mos e mbrosh atdheun është në fakt një dhimbje e madhe, por ta tradhëtosh, t’i japësh të dhëna armikut, ta bësh këtë me gjakftohtësi, qetësi, duke e ditur se i bën keq familjes, kjo është të shkasësh nga ndërgjegja njerëzore. Ja çka unë nuk arrij të kuptoj: të rendësh pas lavdisë, lluksin, parasë, e ç’rëndësi ka, rezultati është i njëjtë.

Të nesërmen e ardhjes time në Selanik, asistova në ekzekutimin e Themistokliut, prefektit të Policisë së Korçës, i cili kishte lidhje me austriakët si dhe me ne. I kapur në flagrancë nga pararendësi im, ai ishte gjykuar dhe u ekzekutua.

Themistokliu, me këtë emër historik, vdiq si burrat, dhe këtë e pohoj. Një prift u vu në dispozicion të tij në prag të ekzekutimit dhe një pjesë të natës e kaloi me të. Të nesërmen që në agim, gjithçka ishte gati për ekzekutimin e tij.

Themistokliu, i veshur me pardesynë e tij më te bukur, eci me një hap të sigurt drejt shyllës së ekzekutimit. U gjunjëzua vetë dhe refuzoi t’i lidhnin sytë; zgjati krahët e tij si të bënte kryq dhe thirri me zë të lartë «Nuk më vjen keq për asgjë!» Pas këtyre fjalëve ushtuan armët: drejtësia tha fjalën e saj!» 

Historia e Shqipërisë e ka njohur Themistokli Gërmenjin, si patriot dhe luftëtar. Ismail Qemali e emëroi atë nënprefekt në Skrapar. Me ardhjen e Princ Vidit ai u emërua shef policie në Korçë, por pas ardhjes së grekëve aty, ai u largua në Bullgari.

Në vjeshtën e 1916-s gjendet në Pogradec . I ndërgjegjshëm për synimet bullgare dhe duke parë krahinën e Korçës që përjetonte përleshje mes çetave të Sali Butkës dhe trupave paraushtarake venizeliste, i propozoi francezëve vendosjen e një administrate shqiptare.

Më 8 dhjetor 1916 në krye të dy-treqind vetëve hyn në Korçën e spastruar prej grekëve nga prania franceze dhe ndërmerr formimin e një këshilli administrativ. U shpall formimi i Republikës Shqiptare të Korçës më 10 dhjetor me bekimin e Henri Deskuen komandant i garnizonit francez në qytet. Themistokliu u emërua prefekt.

Por pas disa intrigave ai u arrestua dhe u dërgua në Selanik ku iu bë një gjyq ushtarak në tetorin e 1917 dhe u pushkatua nga një togë franceze pas shpalljes fajtor për kontaktet që kish pasur me autoritetet austro-bullgare në Pogradec para marrëveshjes me francezët.

Më 9 nëntor 1917 ai i shkruan të shoqes:

“E dashura ime Evdhoksi,

Rashë dëshmor i çpifjeve. Me qenë se unë nuku kthenem në Korçë dhe më s’ jam për shtëpi, tinë ke të drejt të martohesh, po për martesën tënde të këshillohesh me Pandelinë e Tsalit i cili ka për detyrë, si atdhetar që është, të mos të të lërë të vuash. Nënës i puth dorën. Vasilin dhe Efçën i puth me mall sytë. Dijeni që vdes i pafajshëm. Kërkoj ndjesë nga të gjithë atdhetarët, në qoftë se kam bërë ndonjë të ligë pa dashur. Rroftë Shqipëria nën mbrojtjen e Francës.

Shoqi yt, Themistokli Gërmenji, Selanik 9, 11, 1917.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

3 komente në “Dy letra mbi vrasjen e prefektit të Republikës Franceze të Korçës”

  1. faro says:

    Krahaso kete atdhetar, qe megjithese e dinte se do te pushkatohej, nuk i mungoi shpirtmiresia te mendonte edhe per gruan e re qe do te mbetej e vetmuar, me politikanet qe po perjetojme, qe nuk duan t’ia as per SHQIPERI.

    1. Flm says:

      Themistokli, Evdhoksia, Vasili, Pandeli gra nena dhe bije patriotash…. keto emra jane historia dhe tradita Tone.
      ####
      I njollosem, i tradhetuam, ja dhuruam Grekut (te cilat i monopolizoj) …. duke i nderuar me kultur Arabo-Otomane … dhe sot pas “lavazhit historik te trurit”, i luftojm keto emra, keto tradita ….

  2. Sal demokrati says:

    Edhe ky mo “..rroft franca qe po m vret”!? ,,,sikurse shokt e luftes s enverit qe thonin para pushkatimit..”s ka gje s prish pun,partija ime po m vret”!?!?

Lini një Përgjigje te faro Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *