Faleminderit Baba, Faleminderit Tepelena jonë!

3 Shtator 2018, 16:04Blog TEMA
Faleminderit Baba, Faleminderit Tepelena jonë!

Kristo MËRTIRI

Djepi shekullor i qytetit të vogël me histori të madhe, përkundet atje mbi Vjosën e urtë e të bukur, finoke e të sertë. Bashkë me kalanë e famshme. Kjo vatër e ky prag na nisën udhëve në jetë. Ç’ka parë e ç’ka dëgjuar ai lumë shkumëbardhë! Por në çdo festë Çlirimi, Vjosa sikur mban hapat dhe mërmërin ashtu  e përgjëruar. Sepse tepelenasit kanë mbi 74 vjet që atë ditë gdhihen e ngrysen rrethuar nga këngët partizane dhe nga ligjërimet e krojeve labe. Në monizëm e në pluralizëm. Të majtë e të djathtë, të varfër e të kamur, nderojnë plot dashuri e dinjitet së pari vajzat dhe djemtë e nënave që prehen si yje të ndezur mbi qytet. Mal mbi male! Nderojnë dëshmorët e Lirisë e të Demokracisë së vërtetë,idealistët e pandreqshëm që luftuan e ranë për një Botë të Re. Për një botë pa pushtues e të pushtuar, pa shtypës e të shtypur, pa ujqër e çakenj që bëhen zengjinë brënda natës me hënë e pa hënë…Kjo traditë patriotike,qytetëruese e humane lartësohet nga Bashkia dhe Këshilli i saj. Gati të gjithë janë vajza e djem levendë që nuk u dridhet qerpiku përballë ndonjë rrëkeje vreri e zeheri neokuisling nëpër median e shkruar e atë elektronike. Kësaj treve lavdimbuluar nuk i mungojnë kurrë brezat fisnikë e burrërorë që bien në gjunjë vetëm para Flamurit e Dëshmorëve të Atdheut. Përshembull, fisnikërinë prushndezur te Sulo Gërbi,Faslli Mullaraj,Bujar Sula,Qëndro Ciko,Bardhyl Saliaj,Krenar Progonati etj.,nuk e nderojnë thjesht veteranët e pasardhësit…

-“Në Tepelenë edhe ajri më flet e i flas…edhe guri e druri,edhe zogjtë e gjethet kuvendojnë ndryshe me njeriun,me historinë kapakkuqe”,thoshte shpesh babai juaj i ndjerë. Prandaj nuk e braktisi kurrë,si në ditët me mjegull a me erë egërshane dhe në vapën përvëluese.Ashtu modest e sedërqar,nuk i tundi e as i shkundi meritat në Luftën Antifashiste Nacionalclirimtare dhe në atë ndërtimtare.Dhe cuditërisht nuk kërkoi asnjë lloj shpërblimi zyrtar deri sa mbylli sytë në paqe me veten e të tjerët.Besonte shumë e dyshonte pak.Pa urrejtje,pa zili e ligësi.I prishej gjaku dhe e përbuzte me shpirt cdo lloj pyke a spice të ndryshkur krahinore e fetare.Vërtet këndonte rrallë xha Golja,por zëri i tij drithëronte degët e lisit,luleblirit e të trëndelinës në malin Golik.Dinte të gëzonte,por edhe të vajtonte me lotë të nxehtë për njeriun.Më dëgjo pak miku im, për punët e paqme dhe ndershmërinë e tij gati proverbiale në fushën e financave,në shoqëri e miqësi,më fliste plot dashuri ish partizani llagar Vangjel Vllaho…Tani që po na troket muzgu i jetës,unë e kuptoj më mirë atë pohimin dritëgjatë:-Këtu edhe ajri më flet e i flas…”.Dhe nuk la kurrë pas krahëve Tepelenën e tij,Tepelenën tonë. As kur derdhte shpesh vështrimin e meditonte thellë në vetmi te ajo ara e përgjakur përballë ish kullave të bejlerëve të Këlcyrës:”Zunë kambanat të bijnë/Me vaj e me ulërimë…/U vranë trimat,u vranë/Në Hije therën Karanë/Beut nuk i shkoi fjala/Neve na nderoi palla!”.Vetëm qeni i stanit nuk e tradhëtoi të zonë.Dy ditë e dy netë pranë tij.Nga kuisjet e të pagjumit e gjetën bashkëfshatarët,“kur edhe krojet flinin/ti bir i besës kur pabesitë nxinin”.Atë arë jo më kot peshtanakët e pagëzuan përjetësisht Ara e Kara Mërtirit.Një tabor me sejmenë nga ajo kullë zezonë,erdhi e i preu kokën atij trimi të çartur që nuk lëshonte asnjë pëllëmbë toke e kullote nga vendlindja e bekuar.”Ku-ku”,qante a këndonte një qyqe rrotull njeriut me kokë të prerë?!…Historia nuk harron. As kur mori rrugë e pa rrugë në lule të djalërisë dhe u bashkua me antizogistët mëmëdhetarë në Fier,e më pas me Teli Ndinin në Vlorë !…

Ai nuk hodhi kurrë dy gurë prapa shpine as kur pushtuesit ia dogjën e shkrumbuan me kulm e themel shtëpinë mbi Kroin e Madh. Shtëpinë që hapi dyert e zemrat për Çlirimtarët.Në ato vithima ku lofatat me lurushk dhe shega e fëminisë vesojnë si pika loti sot e gjithë ditën. As kur fashistët dhe kapotmbajtësit e tyre e rrëmbyen egërsisht dhe e prangosën te Ura e Bënçës më 10 maj 1939. Prangosën atë djalë të fuqishëm që guxoi e doli në krye të revoltës punëtore me grushtat lart dhe lëshoi atë thirrjen gjëmimtare:-Poshtë fashizmi,shqiptarët nuk shiten për 5 lekë !…Të kishin gojë e të flisnin ata gurë e drurë! Nuk u thye i ligështuar as pasi u syrgjynos në qelitë e burgut të tmerrshëm në kalanë e Gjirokastrës,as kur e dënuan dhe e internuan në Shëngjin të Lezhës juristët kolaboracionistë. Ndërsa nëna juaj e sapofejuar priste ëndrrandezur ditën e martesës! Priti jo pak si “Vajzë e valëve”,jo në Bregun e Detit,por mbi brigjet e Vjosës e në gjunjët e grisur të Golikut përballë Trebeshinës.Të vërtetat rrojnë shumë…Mirëpo dheun e nahijes së shenjtë nuk e braktisi as kur nazistët gjermanë me kallauzët e tyre i torturuan,masakruan e pushkatuan të atin dhe e vërvitën plot urrejtje e lemeri në greminën mbi Buzën e Savës.Të vetmin burrë nga 30 vetë që vunë përpara grykëve të armëve?!(Emrin e tij të paharruar,sot e mban ti,miku im).Ishte kulmi i Operacionit armik të Dimrit.Vetëm shpirti i xha Goles dhe i kunatës së rrallë Katerinë mund të rrëfenin ato orë tragjike,kur e groposën me duart e tyre anës Vjosës,në Carahuar! Sepse në Peshtan ishin ende ushtarët hitlerianë,nuk pipëtinin as zogjtë përmes breshërive të armëve e flakëve në gërmadha.”Peshtani lagje Parisi/Vaj medet,lufta ç’e prishi…”.Plot 74 herë është ndërruar bari te Buza e Savës! Tani vonë,në atë rrugë të vjetër kalojnë rrallë veç kopetë e bagëtive dhe barinjtë në shtegtim.Por mua në Tiranë e gjer në mërgim,më djeg malli kur vjen prilli.Atje hedh shtat edhe një vatër pylli i imët ku gjallon një shkurre me lëvore të kuqërreme në të murrme,me gjethe të vogla si të shkozës së bardhë: Mëlleza. Thonë se erdhi në jetë gjatë vitit të madh të Çlirimit.Kur ktheheshim nga Tepelena,të vetmin pushim të shkurtër e bënim atje.Nëpër vite kështu.Pasi ulej,babai nxirrte të vetmen cigare të blerë në qytet,e ndizte dhe kridhej në mendime…Vonë e mësova të vërtetën e asaj ndalese – kujtesë ku do buronte më tej kërshëria pa cak e moshës. E thosh bukur Xhelua i të gjithëve: Luftëtari e patrioti i vërtetë nuk i tregon kollaj plagët e veta!

As kur nisi lufta tjetër për rindërtimin e Shqipërisë së Re e kur urija shuhej me ca kokrra misri,Tepelenën nuk e ndau nga sytë e zemra. As kur piu kupën tjetër me helm për Frosinën(fëmijën e parë!),pas asaj gjëme familjare që përcëlloi fort Gurin e Shkallës dhe pikëlloi e çau qiellin mbi varrezat e Shën Marisë.Toponimia e fshatit u pasurua hidhur nga një tjetër emër: Buza e  Çoços !… Ra duke mbledhur dafina me shoqet.Iku me shaminë e bardhë si bora mbi Golik e Trebeshinë dhe…nuk priti të bëhej Doruntinë.Honet e Piligrisë do rënkojnë gjatë.Iku pak orë pasi la të vetmen dëshmi në celuloid atë fillimgushti: Një foto e shkrepur gati 60 vjet më parë te Manastiri i Kodrës përtej urës së Dragotit. E ruajti deri vonë në pleqëri në sepeten e nusërisë,Evanthi Laçi në Tepelenë…

-Për karaktere të tillë stërralli,mos nguro të shkruash,vëlla! Ashtu siç ligjëroi Xhevahir Spahiu i rrallë.Ashtu siç këndoi kokë më kokë me xha Golen në shtëpi Dritëroi ynë i paarritshëm: Te plep i Bilishtit/Dy martina ranë… U rrinte larg marazeve provinciale. Dhe ja postulati i tij i paprekshëm: Vetëm burimit nuk i mbahet mëri, atje ulim kokën të gjithë! As kur jeta nuk harroi ta qëllonte me gurë edhe në barakën-banesë në kërthizë të qytetit deri në prag të pensionit.Por idealet e pastra të Luftës Çlirimtare nuk ia vranë dot.Ishte nga ai brumë “të cilët as u korruptuan,as vodhën,as u inkriminuan,por luftuan si idealistë asketë për një shoqëri humane”.Kryedëshira e tij : Të arsimohen fëmijët e të mos ua hajë qeni shkopin në jetë !…Sot disa të rinjve (sidomos në qytete)mund t’u duken përralla a “leksione morali”.Sepse fjala vjen,si mund ta perceptojnë në qytet qoftë edhe një copëz të tillë:-Parafytyroni një nxënës që ka mbaruar shkollën fillore dhe në shtator i qepet me këmbë malit të diturisë.Më shkoqur.Pa rënë mirë agu i ditëve të hëna mbi Peshtan,pa u shkrirë vesa apo kënga e gjelit të parë,do bënte gati 20 kilometra rrugë për të kapur orën e parë të mësimit në Tepelenë!Në llohë e në vapë.Te ura e Dragotit,(të cilën e shpëtuan partizanët e komandant Asafit,që sa qe gjallë shprehej se “është edhe merita e Goles me shokë peshtanakë,mezhgoranas e kodrallinj të çetave territoriale”),do kaloje patjetër nën të si në një shteg dhish.Por Vjosa po sillte kërcunj e përmbytje. Parafytyroni ata shkëmbinj të murrmë mbi këmbën e urës dhe dy njerëz që ngjiten barkas e këmbadorazi me trastat plot libra,fletore e ca ushqime javore në kurriz.Pa folur për pasarelën e gjatë të Ali Pashës që lëkundej si kaike mbi egërsinë dimërore të dy lumenjve.Babai do shkonte në punë.Unë do hyja në klasë…”(Madje vëllai im i madh kur filloi punë si mësues gjimnazi,jetonte në barakë.Kur gati tërë nxënësit dhe kolegët ishin nëpër pallate e shtëpi shtetërore!).Por sakrifica e babait do të thahej shpejt,po të mos ishte edhe djersa e nënës në fshat.S’thotë kot i mënçuri: Pa gratë burrat do të ishin të mangët.Mëma jonë përjetësisht mandilezezë e zemërhambar!…

A e dini kur mësova diçka për qëndresën antifashiste të Urës së Bënçës? Gole Gjoka(Tarifa) më është lutur nëpër vite ta thoshja në media,por ndoshta një dhimbje e veçantë më ka frenuar.”Kur ti po mbaroje 8 vjeçaren,një ditë erdhi në Tepelenë kushëriri Sevo.Interesohej për pasurimin e muzeut të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të qarkut Gjirokastër.Fjala ngau fjalën.Befas më tregoi e pyeti për babanë tuaj si nxitës e organizator i revoltës punëtore,nga të parat në Shqipëri.Mirëpo kur më pyeti se a është gjallë ky burrë,me të cilin unë qaja hallet gati përditë,u skuqa i tëri dhe mu mblodh një lëmsh në grykë.Ç’ti molloisja më parë? Xha Golen e kishin pushuar prapë nga puna!…Sevua më dëgjoi në heshtje.Por mora vesh se nuk heshti kur vajti tek të bëjshmit(drejtuesit) e rrethit.Sepse e drejta nuk vonoi…

Të kuptohemi mirë.I theksova shkurt këto pak episode,jo thjesht për të zbehur “modestinë e tepruar” e të gjatë dhe as për të rrëmbyer ndonjë “status” në demokracinë e ekonomisë së tregut,siç kanë bërë dje dhe sot jo pak pehlivanë.Madje,po të ish gjallë babai,nuk do më lejonte të shkruaja për të.Megjithse peshtanakët mendjehollë më thonë shpesh se e folura shkon e tretet,e shkruara hedh rrënjë e mbetet.Jam i sigurt se as Josifin e Fotos aq të zgjuar e plagëshumë dhe as Aljoshën e Milos së dashur e fjalëpakë,nuk do ua zinte në gojë rivendosjen e pllakës përkujtimore te Ura…Veçse në këtë botë andrallashumë,nuk paska nderim më të lartë sa ai i vendlindjes.Të nderuarit dinë të nderojnë luftëtarët kundër nazifashizmit apo edhe ishkomunistët e thjeshtë e të ndershëm.Kur botova në “Dita”një shkrim zemre për mosnëpërkëmbjen e Partizanëve të Lirisë,dikush thartoi buzët.Punë e madhe! Shërbëtorët e djeshëm e të sotëm të shumë zotërinjve,janë disa minare më poshtë nga karakteret e vërteta që nuk u thyen as në monizëm e as në pluralizëm.Të tillë njerëz i japin shkëlqim rinisë e pleqërisë.Shkurt,vlerat reale nuk peshohen dot nga ata që mund të kenë para me thasë dhe asnjë gram dinjitet.Mirënjohja është e patharë: Faleminderit baba, faleminderit Tepelena jonë !…

                                                                                                                                                                                                                                                                              REFLEKSION I DETYRUAR ( në vend të një replike me veten dhe të tjerët )

 

“Zemra ime, doktor, është Heroinë e gjallë e Punës Socialiste/ Zemra ime, doktor, është Martire e vërtetë e Demokracisë/…Ajo gjëmoi si kambanë kundër poshtërsive/ kur të tjerëve, ajme, u shkonin pordhët në zemër ! “…( E tha Xhevahir Spahiu/ Sot e them unë në spitale/ Gjer në fund kambanë do mbetet/ Kjo zemra ime halle-halle…). Zëri i mikut tim të vjetër kirurg në Sarandë,”Mjeshtër i Madh” Mico Xhaferi, sikur po më drithëronte celularin. Sapo kisha dalë nga pavioni i Kardiologjisë në spitalin shtetëror “Nënë Tereza” në Tiranë. “Jemi emocionuar familjarisht !”. Kaq mundi të thoshte si me një komb në grykë ai burrë i lexuar, e që ka mbrojtur nga periferia tituj shkencorë të merituar dhe ka botuar pa bujë disa libra-model për mjekësinë e vërtetë e përtej saj…Nën sqetull mbaja një tufë me gazeta. Në krye një prononcim jo i shkurtër publik, i ciltër, qytetar e atdhetar nga Drago Shehu, djali i mikut të babait tim, xha Reshatit të paharruar. Një rrëfim i thjeshtë për Kampin në Tepelenë në gazetën “Dita”.

-Ti, me siguri e ke ndjekur debatin e ndezur rreth kësaj teme të sajuar me djallëzi nga ca kalemxhinj në metropol e që neve na shëmbëllejnë herë pas here me ata djajtë që dalin nga shishja,-më thoshnin pardje vërsnikët e mi te Gryka e Këlcyrë-Mezhgoranit.-Nuk të thosh kot Dritëroi ynë : “E vërteta është një, por ne jemi shumë”. I ndrittë shpirti atje ku prehet !…Sepse po u kafshuan sadopak faktet, dëgjo mua, ka dava Janina. Edhe argumentet do të shfaqen cyryke, sic po ndodh tani me ndonjë shpirtlig që kërkon qiqra në hell për ta kthyer Kampin e Punës në muze si “Aushvici shqiptar”(?) O Tempora, o Mores ! Duke ecur sipas avazit kapitalist : Nuk ka kala që nuk marrin…Paratë ! Mjafton që të vilen e milen sa më shumë donacione e fondacione “europiane”, pa le të shkelen qorrazi krenaria e dinjiteti, zakonet e traditat e cmuara të një krahine lavdimbuluar në histori. Dhe “harrojnë” se janë ende gjallë mjaft dëshmitarë okularë dhe pasardhësit e tyre në Tepelenë e gjetkë. E,sic thoshte me të drejtë Dragua,”janë të rrallë ata që e kanë hequr në kurriz ose që e kanë parë me sy”. Prandaj flasin e shkruajnë qesimce dhe pa e lëshuar nga dora flamurin e dalë boje të luftës kundër komunizmit. Ndërsa Ura historike e Bëncës (pak hapa larg Kampit), që ty të ka shoqëruar dhimbshëm brenda e jashtë Shqipërisë, ka disa muaj që ne na duket se vuan e rënkon. Sikur po i dhembin brinjët. Ore babam, mos e harro kurrë ti dhe kolegët e tu : Te kjo Urë e te ky lumë i vogël që derdhet në Vjosë, shpërtheu qëndresa e parë punëtore Antifashiste kundër okupatorit Italian dhe qeverisë kuislinge, në 10 maj 1939 ! Nuk e dimë ende shkakun a sebepin se përse është lënë më tepër në hije, si në monizëm dhe në pluralizëm. Vecse po e theksoj (shfleto Historinë e LANC ose Fjalorin Enciklopedik), është i pari shpërthim i vegjëlisë punëtore Antifashiste pas 7 Prillit të zi…

Ripublikimi i shënimeve të mësipërme nuk më pengoi për pasthënien a refleksionin e detyruar, si tepelenas e gazetar profesionist mbi 40 vjet me radhë. Nuk jam lodhur kurrë së shkruari sidomos për Luftën e shenjtë Antifashiste Nacionalclirimtare, për lule djemtë dhe vajzat e nënave që ranë në lule të rinisë për një Botë të Re, për një Shqipëri pa pushtues e kuislingë. Ata ishin dhe mbetën demokratët më të mëdhenj mëmëdhetarë. Por në Tepelenën tonë, unë dhe brezi im mësuam të respektojmë edhe pinjollët me njolla të pamerituara nga “lufta e klasave” që hapte pabesisht e padrejtësisht plagë të reja që dhembin sot e kësaj dite. Fjala vjen, nuk gjen dot asnjë episod ku populli i atij qyteti të ketë fyer a poshtëruar qoftë edhe një banor nga kampi i internimit. Përkundrazi. Sikur vetëm ajo fotoja me nxënës e mësues, botuar e ribotuar në “Dita”, mendoj se flet sa për disa faqe gazetash. Po kështu gramatura e bukës pas Clirimit të vendit dhe ish kazermat italiane, që i linin prapa racionet e barakat brinjëdala në qytet. Dhe cuditërisht sot shkumëzojnë më tepër ata që sistemi i djeshëm i përkëdheli jo pak ! Kurrsesi nuk dëshiroj të hyj nëpër gjirizet ekstreme polit(h)ike të këtij debati të stisur e bitisur si mos më keq “nga disa tipa të dështuar si antikomunistë, që nuk dinë si t’i bien në sy ldershipit të opozitës”. Dhe sinqerisht, unë e respektoj persekutimin e vuajtjen 3-4 vjecare të atyre njerëzve të pafajshëm dhe aspak të afërmit që u shërbyen drejtpërdrejt pushtuesve e kuislingëve faqezinj. Përshembull, babait tonë nazistët gjermanë i masakruan e pushkatuan të atin (emrin e tij mbaj unë sot), atje, te Buza e Savës mu përballë varrezave italo-greke. I dogjën e shkrumbuan shtëpinë; i rrëmbyen e therën bagëtinë deri te kau i vetëm i parmendës… Ose gjer në pragvitet ’70, në zemër të qytetit të vogël me histori të madhe, mbijetoi edhe një barakë me dërrasa e cati katramaje mbështetur te muri i shtëpisë së Kahreman Shehut. Babai im ishte komunist i vjetër, financier i thjeshtë e i ndershëm si ai ( Të ish gjallë Kleanthi Koci, një nga yjet e të Drejtës Civile, me siguri sot do të rrëfente dicka edhe për atë barakën e shumënjohur që na shpëtoi babanë nga burgu i monizmit, por edhe ne fëmijët nga padituria e shkollimi me aq sakrifica e mundime). Mbi atë barakë sot lartësohet një nga pallatet më të fisme të qytetit. Historia me juristin e shquar zagorit që ende akuzon shtetin rrumpallë nga varrezat e Sharrës, ndoshta meriton një shkrim të vecantë…

Një shembull i rrallë modestie, ndershmërie, idealizmi e dinjiteti sipëror : Babai ynë nuk kërkoi kurrë asnjë lloj dëmshpërblimi në jetën e tij. As për arrestimet e torturat fashisto-kuislinge te Ura e Bëncës e te fusha e Peshtanit. As për burgosjen në qelitë e tmerrshme të Kalasë së Gjirokastrës. As për gjyqet politike të regjimit. As për kohën e internimit në një gurore zezonë në Shëngjin të Lezhës. As si luftëtar e veteran i orëve të para kur doli në pension. Asnjë dekoratë nuk kërkoi dhe as ia dhanë ndonjëherë kur ishte gjallë. Po për babanë e vet që ia pushkatuan e masakruan mizorisht dhe e flakën në greminë me urrejtje të madhe, të vetmin burrë peshtanak që e përcolli Operacionin famëkeq të Dimrit (1943-1944) me gjakun dhe jetën e tij atdhetare ? Nuk kërkoi kurrë asnjë lloj dëmshpërblimi moral a material (përjashto ca bashkëfshatrë që shkruanin e propozonin në rreth e në qendër dhe nuk morën dot përgjigje nëpër vite !). Mirëpo as ne fëmijët e nipat e tyre nuk kërkuam asgjë si trashëgimtarë, as në monizëm e as tani në ekonominë e tregut…Dhe prapë babai besonte shumë e dyshonte fare pak te pushteti që i kishte falur gjithcka familjarisht. As për babanë e gjyshit të pushkatuar që u flijua për kufijtë dhe kullotat e fshatit, duke iu prerë koka nga dora e zezë e kullave të bejlerëve të Këlcyrës. Peshtanakët e ruajtën kafkën e tij në një sepete te Kisha e Shën Thanasit deri në 1967, si simbol nderi e krenarie për cdo banor. E megjithatë, ajo ara e përgjakur mbi Bathishtë ku qeni i stanit nuk lëvizi asnjë sekondë nga trupi i të zotit mbi 48 orë, sot e kësa dite thirret Ara e Kara Mërtirit…Nuk mbaj mend asnjë lloj përkujtimi e veprimtarie zyrtare etj. Por mbi 4 vjet më parë, vajzat dhe djemtë levendë të Këshillit Bashkiak të Tepelenës, babait i dhanë njëzëri titullin e lartë “Qytetar Nderi” (pas vdekjes).

Por Ura historike e Bëncës, mendoj se nuk duhet të më dhembë vetëm mua. Pata fat që njoha nga afër qindra ish partizanë veteranë nga Jugu në Veri. Ajo protesta punëtore antifashiste, në fund të fundit, ishte një nga preludet e Luftës ANC. Nuk ishte një prelud i  rëndomtë për piano e as prelud simfonie. Ishte prelud Lirie kundër pushtuesve e kuislingëve të armatosur gjer në dhëmbë. Ishin orët e para të regjimit të zi, kur edhe vetë Flamuri Kombëtar po rënkonte thellë. 23 Gushti, nuk e hapi gojën për atë ngjarje të shënuar që i bën nder historisë së vendit tonë, e që gurgullon përjetësisht bashkë me lumin e krojet e Labërisë. Atje, pak hapa larg nga ai kamp Internimi ! “…Ndër grevat e protestat më të rëndësishme gjatë pushtimit Italian ka qenë ajo e punëtorëve që ndërtonin Urën e Bëncës në Tepelenë”, theksohet në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave. Fjala është për të respektuar edhe më shumë historinë e vërtetë të Tepelenës, jo politizimet shterpa. Sepse bijat dhe bijtë e kësaj krahine prushndezur në monizëm e në pluralizëm, nuk janë “canakë me dhallë” në duart e manipulatorëve të cdo kallëpi. “Anti-tepelenasit” e sotëm në fakt nuk janë as anti nazistofashistë dhe as antikomunistë të vërtetë. Pykat e tyre të ndryshkura nuk e cajnë e përcajnë dot atë trevë të lidhur aq fort me veten dhe të tjerët brenda e jashtë Shqipërizës sonë. Mbi të gjitha i lidhin luftrat për Pavarësi, Liri e Drejtësi shoqërore dhe aspak shërbëtorët e pacipë të okupatorëve e të qeverive kuislinge. Popullin e saj nuk e fyen dot askush dhe as ia rivrasin dot të rënët e kthyer në yje të pashuar Labërie e Shqipërie në breza. Dhe ashtu në bronz flasin shumë. Sepse “Nëse heroin e prek tek rri/ bronzi rikthehet prapë Njeri”…

Në 23 Gusht, kur po kalonin me fuoristrada te ajo Urë, shpresuam se mund të ndalnin pak hapat edhe Presidenti i Republikës; Ministresha e Kulturës; Kryetarja e AIDSSH-së; kryetarja e Bashkisë së Shkodrës apo përfaqësues të trupit Diplomatik. E pse jo, edhe vetë Simon Miraka që dha mesazhe qytetare e atdhetare. Ashtu sic bënë kohë më parë Rustem Peci e Odhise Porodini në emër të Kryesisë së Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANC. Përndryshe, populli i mencur i atij qyteti, do të mungojë përsëri në tubimet e tjera zyrtare! Shkurt, që betimet e nderimet para martirëve të vërtetë të Lirisë e Demokracisë të mos mbeten si tollumbace në 5 Maj. Se fjalët i merr era e famshme e Tepelenës, por veprimet publike mbeten. Apo të besojmë mikun tim, poetin dhimbjeshumë skraparli :                                                                                                      Për Doruntinën,

Konstandini i vdekur

E mbajti fjalën e dhënë.

Kush erdhi

E shkeli me këmbë…

 

 

 

 

7 komente në “Faleminderit Baba, Faleminderit Tepelena jonë!”

  1. Matua dhe Roza says:

    Ne, shoket e universitetit te autorit te shkrimit, themi ky eshte Kristua qe kemi njohur ne qysh ateher.Po ai gazetari i guximshem, pena e te cilit nuk do kursente as ndonje pedagog anadollak qe mbeshtetej nga furkat e ” te medhenjve” te kohes. Keshtu mbeti deri me sot Miku yne. Dhe eshte po ai ndjenjeholli plot shpirt ne krahe te njerzve te thjeshte e te pakrahe. Te duam e te nderojme o Kristo, sic nderon dhe respekton dhe ti Tepelenen tende.

  2. Siku Buzi says:

    Nje shkrim, monument nderimi dhe respekti per Tepelenen dhe tepelenasit.

  3. tepeleni,nje mal me hajdute te Ali Pasas........ says:

    e mer file Xristo[jo ”KRISTO”,jam i sigurt se dhe emrin tend nuk e di nga e ka prejardhjen] nje carcaf te tere shkruajte per istorine apo bemat !! e labeve te Tepeleni-t[jo Tepelena] por nuk shkruajte asnje germ per ”trimat” made in tepelens[sipas jush] qe grabiten,vrane e perdhunuan ne ’97 ne axin rrugor Fier-Tepelen-Kakavia!!!??
    Jo vetem ti,por edhe te tjere si ju,keto istori e virtyte eshte mire tua tregoni vogelusheve ne dark qe ti zere gjumi…………..

    1. Thanasi qe ta plasi says:

      Nga i di ti keto? Mos je ndonje nga te perdhunuarit?

  4. Filja says:

    Gazetari ka vleresuar realisht ata qe vuajten ne kete kamp, te persekutuarit por dhe ata qe u flijuan e kontribuan per atdheun. Ben mire qe flet dhe per babane e tij, qe kurre se rrahu gjoksin si dhe tjere qe bene sa munden e me te miren per vendin e popullin.

  5. Konviktori says:

    Une ish konviktori i atyne viteve ruaj respektin me te madh per xha Golen qe flitet ne kete shkrim e qe ishte llogaritar ne konvikt. I ndershem e punetor, sic qe per ne dhe prind i rralle. Respektet me te medha per kete njeri.

  6. Vladimir says:

    Urime zoti Mertiri!
    Nje shkrim i frymezuar dhe gjithe ngrohtesi. Na lodhi politika e politikanet. Vlerat mbeten vlera. Laberia si gjithe ky vend qe quhet Shqiperi ka patur burra me dinjitet e me kontribute, fjalekursyer e idealiste. Mekat qe jane rralluar, teksa mediat jane mbushur me bema e histori “te fortesh”.
    Flm

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje