FOTOT: Lin Delia, i mërguari i madh në pritje të muzeut me 105 piktura

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nga Agron Gjekmarkaj

Në Shqipëri, fëmijët tanë njohin shumë prej artistëve tallava me buzë e gjoks plastik dhe shokët e tyre meshkuj që gërvallen si gomari në fresk me një mikrofon në dorë. Janë pikërisht ata që i quajmë “star”-ë të historisë bashkëkohore moderne, që pasdite a darkash japin intervista, duke na shpjeguar shkallët e gjenialitetit, humanizmit dhe talentit të tyre, që fluturon si ‘zogu i Tunës’ drejt horizonteve të reja.

Po kaq qytetarë të shumtë, të edukuar me realizmin socialist, njohin aktorët që me një bumje vrisnin tridhjetë gjermanë apo që prisnin këmbë të plagosurish me sharrë druri pa pipëtirë. Njohin gjithashtu politikanët, duke filluar me këshilltarët e katundit, për të përfunduar te Kryeministri. Gjithë sa mbase nuk është faji i shoqërisë, e cila pret shkurt yshtur arsyesh të ndryshme. Politikat kulturore pas rënies së komunizmit kanë qenë të tilla, rehabilituese, promovuese dhe justifikuese për elitat e komunizmit, dishepujt dhe veprat e tyre. Aferim.

Jashtë kufijve të Shqipërisë nuk vlejnë kurrgjë, me pak përjashtime të viteve të fundit. Në pikturë, kjo situatë është edhe më dramatike. Por, përtej fatit të saj tragjik e ideologjik në kohët e mbylljes dhe skematizmit vrastar, disa të ikur para dhe pas lufte nga Shqipëria dhe trojet jashtë kufijve, ia dolën të bëjnë emër të madh në Perëndim. Ata janë Lin Delija, Ibrahim Kodra, Gjelosh Gjoka, Mikel Koliqi dhe Mark Luka (Lukoliç).

Delia u arratis në vitin 1948, pasi kishte studiuar në kolegjin françeskan si student i pader Leon Kabashit (ndër të tjera edhe piktor)! Studioi më tej në Akademinë e Zagrebit, më pas në Romë si student i të mëdhenjve të viteve ‘50, të shkollës romane, Mafei e Bartoli. Spikati shpejt në Romë me një sërë ekspozitash. Lin Delia qe piktori i parë dëshmitar i terrorit në telajo.

Ai realizoi të gjitha portretet e françeskanëve të mëdhenj si Fishta, Harapi, Shllaku, Prennushi etj. Ndonëse i lëvroi të gjitha gjinitë “il profano” e “il sacro”… Interpretimi i Biblës nëpërmjet ngjyrave e bëri atë një nga piktorët më të mëdhenj të artit të shenjtë në Europë gjatë shekullit 19, siç do ta përkufizonte kritiku i njohur i artit Vittorio Sgarbi. Lin Delija e mbajti kudo si kryq në shpinë Shqipërinë e tij, atë të vjetrën, tradicionalen, me heronjtë, luftërat, priftërinjtë, gratë e vashat, malësorët eshtakë dhe rilindësit e saj, që e nxorën atë nga përzhitja otomane.

Me qindra janë kuadrot që e dëshmojnë këtë. Krahas tyre, ndoqi zhvillimet dhe rrymat e reja të artit europian. Si kulminacion dhe certifikim i autoritetit të tij artistik, veprat e tij gjenden të ekspozuara në Muzeun e famshëm të Vatikanit, në atë të Bashkisë së Romës, të Breshias, Palermos. Dy muzeume mbajnë emrin “Lin Delija” në Antrodoco dhe Ozimo, dy qytete që piktorin shkodran e kanë si patentën e tyre kulturore.

Lin Delia ka ekspozuar në New York, Quebek, Mynih, Madrid, Berne e shumë e shumë qytete të tjera. Një karakteristikë e këtij dukagjinasi të hershëm ishte ligjërimi i tij trimëror ndaj diktaturës komuniste. Ai ishte edhe “homo politicus”; ndoshta kjo është arsyeja që pas pluralizmit në Shqipëri e shtynë me indiferencë përsëri në Itali, ku vdiq në vitin 1994, në moshën 68- vjeçare. Në Tiranë ka pasur disa tentativa të nxitura nga miq të tij italianë dhe dashamires shqiptarë, të cilët kanë bashkuar veprat e tyre për disa ekspozita që u takojnë viteve të shkuara.

Ne kemi një histori të varfër të artit piktorik, ndërsa për shqiptarët që s’e mohuan kurrë përkatësinë e tyre dhe bënë famë individuale atje, ku fama testohet prej s’vërteti me kritere vlerash, nuk ka asnjë kapitull në libra shkollash apo universiteti, nuk ka katalogë. Me gjasë, ka një frikë ballafaqimi. Profesorët e tyre duan të vetofrohen si të mëdhenj të keqkuptuar me të djeshmen socrealiste dhe të sotmen plot qofte e birrë.

Ky nihilizëm nuk vlen për të gjithë. Studentët kanë mbi të gjitha nevojë të njohin nga afër Lin Delinë, Kodrën, Gjokën, Lukën e Koliqin, që veçse piktorë të mëdhenj ishin edhe kulturologë po të tillë. Mos të tremben nga mbiemrat e tyre që të kujtojnë “reaksionin”, “malet” atë “Shqipërinë e vjetër”, e cila sapo mbërriti në Europë e dëbuar u gjind në shtëpinë e vet. Me mirënjohje duhet përmendur shoqata “Lin Delija” në Antrodoco dhe në veçanti Armando Nicoletti, i cili prej 25 vitesh përpiqet me sa mundet të promovojë imazhin e Delisë kudo, duke hasur vështirësitë më të mëdha, pikërisht në Shqipëri.

Kjo shoqatë dhe ky person, prej 6 vitesh, i kanë dhuruar 105 piktura dhe dizenjo shoqatës “Art Union”, në Tiranë, për të ndërtuar një muze të veprave të Lin Delisë, kaq të nevojshëm, për të vendosur komunikimin e munguar mes piktorit dhe shoqërisë. Gjithë sa është bërë me certifikimin e Ministrisë së Kulturës së Italisë dhe me akt noterial në Tiranë, por Muzeu nuk po duket askund dhe një zot e di kur do të behet. Donatoret ndihen të shqetësuar për këtë bjerrje kohe e për të tjera aspekte. Meqenëse veprat janë në Shqipëri, duhet një angazhim i institucioneve për t’i kthyer artit shqiptar thagmën shpirtërore të uzurpuar nga ajo ideologjike.

Duke njohur Lin Delinë përmirësojmë raportin personal me artin dhe historinë, e mbi të gjitha rikonceptojmë përshtypjet për kohën, kur shqiptari për shqiptarin ishte ujk. Duke konstatuar se edhe atëherë kishte raste kur shqiptari për shqiptarin ishte njeri, që ndiente dhimbje e krenari për traditën e tij. Duke kuptuar që për asnjë arsye nuk hiqte dorë nga të qenit shqiptar e europian dhe se me artin e madh, atë biblik e jo vetëm, mijëra vizitorëve në botë u krijonte përshtypjen se çmenduria dhe terrori janë një aksident në historinë e një kombi të vjetër.

Të jetë e vërtetë kjo përshtypje?! I mbetet kohës. Lin Delia e ka bërë të vetën si shqiptar i pazakontë e shumë më tepër si artist, duke lënë atë trashëgimi që jeton pa i hyrë ferrë në këmbë, edhe pse e përndjekur nga Shqipëria ideologjike dhe e sfiduar nga banaliteti i asaj demokratik.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
        
        Loading...
        

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *