DOSSIER/ Zbulohet dokumenti i rrallë i qeverisë amerikane: Ja si i shfrytëzon Enver Hoxha me punë të detyruar kundërshtarët politik

5 Shtator 2018, 11:18Dossier TEMA

“Qeveria shqiptare, kërkon punë të detyruar nga personat kundërshtarë politikë dhe “dembelë”, shumica e të cilëve janë nga klasa ish-borgjeze ose pronarë tokash. Veç kësaj, ajo imiton edhe e tejkalon shembullin e zakonshëm satelit n’ushtrimin e kontrolleve të saj mbi punën dhe përdorimin në masë të s’ashtuquajturës punë “Vullnetare” (në të vërtetë me përdhunë) në projektet industriale, ndërtimi dhe bujqësore…”

Një raport shumë i gjatë e i detajuar, mbi punën e detyruar në Shqipëri, gjatë viteve 1945-1954, i hartuar nga Qeveria Amerikane, i ishte dërguar Këshillit Ekonomik e Shoqëror të OKB-së, me qëllim që të shqyrtohej gjatë mbledhjes së këtij këshilli në New York në 29 mars 1955. Lajmi i mbërritur në Ministrinë e Jashtme në Shqipëri kishte ngritur në këmbë krerët e këtij dikasteri, për t’u mbrojtur ndaj akuzave që hidheshin në atë raport ndaj regjimit të Enver Hoxhës. Nga ministria e jashtme ishte përgatitur një material mbrojtës dhe i ishte dërguar delegacionit sovjetik, me qëllim që ta përdorte për t’u mbrojtur gjatë sesionit ku do të trajtohej raporti i qeverisë amerikane. Po ashtu, nga Ministria e Jashtme ishte përkthyer në shqip dhe dërguar në drejtorinë e propagandës në Komitetin Qëndror një kopje e këtij raporti.

Në këtë raport, trajtohen gjerësisht përmes analizave, dëshmive dhe dokumenteve zyrtare, shkeljet e rënda që bëheshin, kryesisht ndaj shtresës së kundërshtarëve politikë, por edhe ndaj popullsisë në shkallë të gjerë, kur nisën aksionet për rindërtimin e vendit.

Kujto.al sjell shkresën përcjellëse të ministrit të jashtëm Behar Shtylla dhe një pjesë të këtij raporti, ku bëhet fjalë për llojet e punës me përdhunë që zbatoheshin në Shqipëri gjatë atyre viteve.

Shkresa e Behar Shtyllës

Republika Popullore e shqiperisë

Ministria e P.të jashtme

Dega II-të

Nr.02-962 sekrete

Tiranë 4.5.1955

Komitetit Qendror të P.P. Shqipërisë

Drejtorisë Agit-Propit

Tiranë

Bashkangjitur po ju dërgojmë një kopje  të Raportit të Qeverisë Amerikane paraqitur Organizatës së Kombeve të Bashkuara  në Neviork në muajin shkurt të këtij viti., me qëllim që të shqyrtohet në sesionin e Këshillit Ekonomik e Shoqëror  të OKB-së, i cili i ka filluar punimet e tij në Neviork, me 29 mars.

Ky raport përmban çpifje në lidhje me të ashtuquajtërën “punë të detyruar” në vendin tonë. Materiali tonë kundër këtyre çpifjeve u është dërguar  në kohën e duhur delegacionit  sovietik në OKB për të përdorur në rast nevoje.

Ministri

Behar Shtylla

Pjesë nga raporti

Varietete të punës me përdhunë që zbatohen.

– Qeveria e tashme shqiptare nuk bën asnjë tentativë të fshehë faktin se ajo kërkon punë të detyruar nga personat kundërshtarë politikë dhe “dembelë”, shumica e të cilve janë nga klasa ish borgjeze ose pronarë tokash. Veç kësaj, ajo imiton edhe e tejkalon shembullin e zakonshëm satelit n’ushtrimin e kontrolleve të saj mbi punën dhe përdorimin në masë të s’ashtuquajturës punë “Vullnetare” (në të vërtet me përdhunë) në projektet industriale, ndërtimi dhe bujqësore.

Si puntorët e krahut ashtu dhe të mendjes janë të detyruar të punojnë për shtetin në bazë të ligjeve dhe rregullave t’adoptuara që kur regjimi komunist hipi në fuqi nga fundi i 1944. Principi kryesor i punës së detyrushme u mëshirua në Kushtetutën Komuniste të 1946, Neni 22 i cili në një vend thotë se “në Republikën Popullore të Shqipërisë puna do të jetë një nder dhe një detyrë”( Gazeta zyrtare 19 Mars 1946). Kjo u përforcua akoma më shumë nga Kushtetuta e 1950, neni 13 në të cilën thuhet se “ai që nuk punon nuk ha”(Gazeta zyrtare 4 Prill 1950). Disa legjislacine u vendosën të cilat rregullonin klasat puntore dhe profesionale edhe para se të botohet Kushtetuta e 1946 (Kushtetuta e parë Komuniste). Kështu, më 15 dhjetor 1944, pak javë mbas “çlirimit” të Shqipërisë nga Komunistët, gjithë t’aftit për punë dhe profesionisht u dekllaruan të mobilizuar nga shteti(Gazeta zyrtare 15 dhjetor 1944 ), dhe në Prill 1945 Ligji Nr. 48 parashikonte që gjithë personat t’emëruar në çdo zyrë publike ose shtetnore qoftë përkohësisht ose të përhershëm ishin të mobilizuar(Gazeta zyrtare 25 Prill 1945).

Ndërkaq, mbasi gjithë ndërmarrjet ekonomike u shtetëzuan më 1945-1946 dhe u vunë në funksionim nga shteti, gati çdo puntor u-bë nënpunës shteti. Njëkohësisht, kontroll i fortë ju vu gjithë puntorve në bashkimet e puntorve (trade Union), të cilat në vet-vehte janë organizata fronti për plotësimin e politikës dhe programit të Partisë e Qeverisë në fushën e punës. Ligji për Mbrojtjen e Puntorëve dhe rregulli i punës adoptuar me 9 Korrik 1945 dhe i regulluar me 20 Prill dhe 31 Gusht 1946, i siguronte Bashkimeve të Puntorve fuqi të plota të regullonte orët, rrogat, konditat e punës dhe mëditjet dhe pushimin nga puna, si të puntorve të krahut ashtu dhe të mendjes(1). Veç kësaj, statuti i Bashkimit të Puntorve (trade Union) dhe Urdhëresa për rregullimin e punës në të gjitha Ndërmarjet parashikonte disiplinë të fortë për gjithë puntorët dhe vinte në dukje me hollësi detyrat dhe obiligimet e tyre(2). Ligji Nr. 372 i 12 Dhjetorit 1946 mbi krijimin e Policis Popullore ngarkonte autoritetet policore t’arestonin individë dhe t’i dërgonin në burgje e kampe për punë të detyrushme. Një vendim qeveritar karakteristik i marë me 30 Korrik 1947 parashikonte që në gjithë administratën qeveritare, në fabrikat, dhe në gjithë qendrat e punës,”puna që mund të kryej nga gratë nuk duhet të bëhet nga burrat dhe burrat duhet të bëjnë punën që nuk mund të bëhet nga gratë”.(3).

Me 13 Gusht të po këtij vjeti Radio Tirana njoftoj se Qeverija kishte vendosur të “Vërë në veprim punën e detyrushme”, duke shtuar se, simbas këtij vendimi, “gjithë personat që i kishin shërbyer regjimeve anti-popullore dhe që sot janë pa punë do të mobilizoheshin

dhe futeshin në punë ndërtimi”, “dhe përsëri me 28 shkurt 1948 po ky stacion tha se Qeverija Shqiptare sapo kish lëshuar një urdhëresë që parashikonte futjen në punë të të gjithë qytetarëve të aftë midis 16 dhe 50 të cilët “si rezultat i dembellëkut të tyre i largoheshin punës” (sic)

Drejtoria e Punës e Shqipërisë, krijuar në Ligjën Nr. 427 të 6 Majit 1947, u ngarkua të mobilizonte dhe grumbullonte ushtarakisht gjithë puntorët me anë të zyrave të punës. Funksioni kryesor i këtyre zyrave u përkufizua në Gazetën Zyrtare të 16 Janarit 1948 si shpërndarja e puntorëve në ndërmarjet, institucionet ekonomike, etj. si shtetnoret ashtu dhe privatet, në bazë të planit ekonomik shtetnor.

Me anë të këtij ligji ndërmarrjet ekonomike mund të gjejnë puntorë vetëm nëpërmjet të zyrës punës. Ligji Nr. 726 i Gushtit 1949 zgjeroj fuqitë e grumbbullimit të puntorve nga ana e Qeverisë. Neni 1 i këtij ligji thotë se disa kategori të puntorve t’aftë dhe profesionistë, duke përfshirë dhe mësuesit, specialistët e tjerë, dhe gjithë puntorët e kualifikuar që janë t’aftë për punë, mudn t’urdhërohen të punojnë në qendra prodhimi dhe ndërtimi ose në shërbim të shtetit. Puntorve që nuk ju binden këtij urdhëri u janë ngarkuar gjoba të rënda. Ligji Nr. 747 i 30 Dhjetorit 1949 parashikon mobilizimin e gjith popullsisë mashkull midis 18 dhe 45 vjet për një numur ditësh në vit për ndërtim dhe mirmbajtje rrugësh. Ligje të tjera që meren me disiplinën e reptë në punë parashikojnë dënime të rënda për puntorët që ikin nga puna pa leje, thyejnë disiplinën e punës, ose arijnë vonë në punë. Gazeta zyrtare e Shqipërisë është mbushur plot me thirje gjyqi ose vendime që thrresin puntorët për t’i gjykuar dhe i kanë dënuar me dënime të rënda për thyerje kaq të vogla si vajtja në punë me 20 minuta vonesë.

Midis dekreteve që meren me transferimin e detyrushëm ose mbërthimin e puntorëve në punët e tyre është Vendimi Nr. 137 i 2 Marsit 1950 i Këshillit të Ministrave, mbi kontraton e përbashkët, e cila thotë se me qëllim që të plotësohet plani ekonomik i shtetit për vitin 1950 parakohe është e nevojëshme një mobilizim i përgjithshëm i masës punonjëse. Një vendim i një llojtë i Këshillit të Ministrave u lëshua me 30 Qershor 1951, i cili parashikonte: (1) Gjithë puntorët dhe specialistët duhet të mbeten në projektet e ndryshme industriale shtetnore pas 1 Korrikut, pamvarësisht nga kontratat e tyre deri sa të mbarohen këto projekte; (2) Gjithë, nënpunësit civilë dhe puntorët midis 16 dhe 55 vjetve në qytetet e Tiranës, Korçës dhe Elbasanit duhet të punojnë një minimum prej 10 ditësh në muaj në disa projekte të veçanta industriale shtetnore dhe duhet të plotësojnë normat minimum të punës caktuar atyre; dhe (3) Ministrija e Kontrollit Shtetit ngarkohej të mbikëqyrë zbatimin e këtij vendimi. Që nga Korriku 952 gjithë grave midis 18 dhe 55 vjeç u është kërkuar të punojnë në projekte pune të ndryshme, sidomos në Hidrocentralin “Enver” mbi lumin e Matit.

– Parashikime për punë në Kodin e ri Penal.

Kodi Penal i ri i Shqipërisë, i cili u adoptua nga Asamblea Popullore me 23 Maj 1952 dhe hyri në fuqi me 1 Shtator të atij vjeti, është bazuar, ashtu si tha Ministri i Drejtësisë Bilbil Klosi kur ja paraqiti për aprovim Asamblesë me 22 Maj, në principet e luftës klasës dhe “drejtësis revolucionare” dhe mishëron principet kryesore të drejtësis sovjetike(4). Kodi është në dy pjesë, që përmbajnë respektivisht parashikimet e përgjithëshme dhe të veçanta. Parashikimet e përgjithëshme (nenet 1-63) shtrojnë qëllimin e Kodit si atë që i shërben dhe ruan “diktaturën e proletariatit” dhe cakton si elementin kryesor të Krimit “rrezikun e shoqërisë socialiste” “Rrezikun Shoqnor” më tej është përcaktuar si një aktivitet i drejtuar kundër bazave ekonomike e politike të shtetit socialist kundër “Pushtetit Popullor” dhe pasurisë socialiste. Mosha më e vogël përjashtuar nga përgjegjësit e përgjithëshme penale është vendosur në 14 vjeç, por përgjegjësia penale për krimet kundër shtetit, dëmtimit të pasurisë shtetnore, dhe sabotimit ekonomik është vendosur mosha 12 vjeç (Neni 6). Shumica e dënimeve të parashikuara nga Kodi janë vdekje, burgime, dhe internime në kampet me “punë korektonjëse” (Neni 16). Internimi përcaktohet si “heqja e të pandehurit nga vend banimi dhe detyrimi që të jetojë në një vend të caktuar me ose pa “punë korektonjëse” (Neni 21). Internimi si një dënim i rëndë, shton ky nen, jepet për një kohë prej një deri 10 vjet. Dënimi për punë korektonjëse numron nga 15 ditë deri një vit dhe vihet në një punë të caktuar nga Vendimi i gjyqit, ose në vende të caktuara nga organet egzekutive të shtetit (Neni 23).

Parashikimet bazë që meren me punën janë përmbledhur në pjesën e dytë të Kodit, sidomos Nenet 90 dhe 201-205. Neni 90 thotë se prodhimi i sendeve industriale me kualitet të dobët, jo në sasi të mjaftushme, ose kundër standardit të caktuar nga drejtori, ingjineri ose asistenti, dhe përgjegjësit të kontrollit teknik të ndërmaries industriale, dënohet me punë korektonjëse ose burgim deri në pesë vjet. Neni 201 thotë se ikja nga puna pa leje e një puntori ose nënpunësi nga ndonjë ndërmarrje shtetnore ose shoqnore ose institucione dënohet me punë korektonjëse deri në gjashtë muaj dhe në raste të rënda me burgim deri në 4 muaj. Neni tjetër parashikon se mungesa në punë e një puntori ose nëpunës shnteti ose ndërmarrje shoqnore ose onstitucion pa arsye të justifikushme dënohet deri në gjashtë muaj punë korektonjëse. Neni 203 parashikon dënime që arijnë nga gjashtë muaj punë korektonjëse deri në katër vjet burgim për ndonjë puntor ose nëpunës i cili nuk i bindet një urdhëri që e transferon atë nga një ndërmarrje në një tjetër. Dënime më të repta, që përfshijnë deri në dy vjet punë korektonjëse, parashifen nga Neni 204 kundër atyre që nuk i binden urdhërave që i ngarkon ata të punojnë vazhdimisht ose përkohësisht për realizimin e planeve shtetnore të prodhimit e ndërtimit.

Pjesë nga raporti një raport i qeverisë amerikane  për punën e detyruar në Shqipëri dërguar OKB-së në shkurt 1955

Burimi: F.14, v.1955, d.176/Kujto.al/

5 komente në “DOSSIER/ Zbulohet dokumenti i rrallë i qeverisë amerikane: Ja si i shfrytëzon Enver Hoxha me punë të detyruar kundërshtarët politik”

  1. ME EMER says:

    .. mjaft se na plaset me kete amerike , qe ne, na eshte futur ne gjak nga propaganda e atehereshme , si “xhandari nderkombetar ” , gje qe vertetohet dhe sot , po te shohesh filmat “hollivudiane ” , qe konkurrojne me filmat me kuklla te kalamajve ..!

  2. Nje gabim te madh ka bere enveri qe solli saliun nga shpellat.

  3. albo says:

    Ne ne Amerike eshte 10 here me keq

  4. Aleksander Thana says:

    Cfare ka te vecante ketu. Boll na cate trapin me pordhet me ere rigoni te bashibozukeve. T’ju rroje shoku-zoti Sali me ju e banden e tij.

  5. Dr. Anonimi says:

    Harrrohet e verteta. Dhe kjo hedh poshte dokrrat e amerikaneve se si punohej ne shqiperi. Nuk thuhet se ata qe denoheshin politikisht me burg dhe me pune te detyruar, ne kampet e çfarosjes te moçaleven kenetave, minierave, ku linin dhe jeten. Ndesa te internuarit si ne kampin famekeq te Tepelenes, ne pune te detyruar si kafshe bartese e skllever. Pa lere çfaroisjen e femijeve, p”er te cilet s(thuhet nje fjale ne ate raport, flmlaske sapurni. Keshtu qe ai raporti amerikan, fare i zbete dhe pa pergjegjesi morale, ndaj atyre qe pesuan terrorin komuniste me pune sllaverore per te burgosurit e te internuarit. Kjo tregon se ata lloj amerikanesh s’kishin asnje njohuri se ç’ngjiste ne Shqiperi, e merreshin vetem me interpretimin e ligjeve dhe kushtettutave e regjimli komunist. Duke injoruar krejtesisht realitetin tragjik te atyre qe humben jeten ne kampet e punes se detyruar te burgosurve dhe te internuarve dhe kjo me qesharkja, sepse akuzoheshin si simpatizues te imperializmit amerikan, ndesra amerika s’çante koken fare per ta, veç llafollogji boshe kote.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje