Kush e pengoi Komisionin “Tahiri”?

Nga Mero Baze

Partia Demokratike ka shfaqur sot dëshpërimin e saj që afati i Komisionit parlamentar “Tahiri” përfundoi pa zhvilluar asnjë seancë. Pesë muaj më parë, më 4 prill, Partia Demokratike mori drejtimin e Komisionit “Tahiri”, “Për të kontrolluar veprimet dhe mosvreprimet e organeve shtetërore në parandalimin dhe goditjen e fenomenit të kultivimit dhe trafikut të lëndëve narkotike, përfshirë çështjen për të cilën Prokuroria po heton z. Saimir Tahiri, ish-ministër i Brendshëm”

Biles PD shpalli që pranverën e këtij viti, do të ishte beteja kundër Tahirit dhe Xhafajt, dhe se ato do të dominonin si dy kauza të mëdha të saj.

Por çfarë ndodhi në të vërtetë dhe kush i dështoi këto kauza?

Në fillim mjaftoi një kafe e kundërshtarëve të Bashës në Korçë, që Basha ta harronte Komisionin “Tahiri” dhe t’i kthehej urgjent problemeve në parti, duke thirrur Këshillin Kombëtar, duke kërkuar një statut të ri ku garanton veten për t’u zgjedhur përjetësisht, dhe ku eleminon kundërshtarët.

Gjatë muajit prill, PD harxhoi ndjeshëm energji për t’u marrë me demokratin nga Kukësi që ja plasi në fytyrë në  Këshillin Kombëtar gjithë pazaret e PD, biles dhe për protestën e Kukësit.

Basha premtoi zgjedhje të reja në parti dhe brenda korrikut do të zgjidheshin gjithë kryetarët.

Pas pesë muajsh, e vetmja gjë që ka bërë PD, është që ka sharë Majlinda Bregun pse është përzgjedhur të drejtojë një institucion të BE-së në rajon, dhe të ndërsejë Myslymin kundër ambasadorëve, gazetarëve dhe kritikëve në PD. As zgjedhje nuk bëri, as kryetar nuk zgjodhi, as detyrat e Kuvendit si përfundoi.

Ndërkohë që kishte premtuar betejë për Komisonin “Tahiri”, Salianjit i duhej të merrej me “Babalen”, ta instruktonte si të regjistronte njeriun e tij sikur ishte vëllai i Fatmir Xhafaj, t’i premtonte para dhe pastaj ta nxirrte si hero.

Kështu që prilli iku nën atmosferën e “Babales”, i cili arriti të ikë deri në Kosovë, ku sipas njeriut të tij, ka marrë 70 mijë euro, dhe sipas të tjerëve, 20 mijë, ndërkohë që premtimi ka qenë 200 mijë. Tani të presim të vërtetën nga Prokuroria, se nga Lulzim Basha patëm dhuratë vetëm spektaklin.

Me Komisionin “Tahiri” nuk u muar njeri.

Pastaj vazhdoi beteja kundër negociatave. Lulzim Basha harxhoi energji pa fund me dy- tri deputetë aleatë gjermanë, ta vështirësonte një “Po” të qartë për Shqipërinë për negociatat. Megjithatë Komisioni e dha dhe ja delegoi parlamentit ratifikimin e vendimit në vazhdim.

Për ndonjë muaj u duartrokit Krichbaun, që u bë zëdhënësi i tyre në Gjermani kundër negociatave.

Komisioni “Tahiri” u harrua përsëri.

Ndërkohë që koha kalonte, Lulzim Basha i informuar nga një oficer i SHISH për një aksion të policisë shqiptare, nxitoi ta dekonspirojë atë. Bëhej fjalë për një makinë Toyota “Yaris”, e cila kishte miliona euro të zeza të një rrjeti trafikantësh në Shqipëri.

Njeriu  që priste makinën Toyota “Yaris” bashkë me vëllain e tij që janë në kërkim, janë bash njerëzit që kanë mbajtur në këmbë çadrën e Partisë Demokratike vitin që shkoi, me lidhje të forta personale me Lulzim Bashën.

Prokuroria po heton nëse dekonspirimi i Bashës ishte për t’u larguar trafikantët që ishin shokë zyre të tij, apo për të devijuar rrugën ngaqë ishin duke ardhur nga Porti i Ankonës dhe shkuan në Bari.

Bllofi i Bashës për të akuzuar Taulant Ballën u shfry për 24 orë dhe Lulzim Bashës, në vend të akuzuesit, i duhet të mbrohet tani nga akuza zyrtare që mund të ketë për lidhjen me njerëzit e Toyota “Yaris”.

Komisioni “Tahiri” u harrua përsëri prej tij.

Ndërkohë në SHBA, revista prestigjoze “Mother Jones” botoi një hetim të plotë që lidh Lulzim Bashën me financimet ruse në SHBA dhe me një transfertë prej 500 mijë dollarësh paguar nga dy biznesmenë rusë, në emër të tij. Hetimet mund ta çojnë Bashën para drejtësisë shqiptare për pastrim parash dhe shkelje të ligjit shqiptar për financimin e partive, ndërkohë që lobistin e tij në SHBA e ka marrë tashmë në dorë drejtësia amerikane.

Komisioni “Tahiri” u harrua përsëri.

Dhe ndërkohë, për të harruar skandalin e financimeve ruse, Basha pa një ditë në oborrin e Teatrit disa aktorë që po ankoheshin pse po i zhvendosnin nga zyrat e tyre dhe e gjeti kauzën e re. Ju bashkua atyre.

Prej korrikut ai u angazhua përditë një herë pro aktorëve, pastaj kundër tyre, pastaj e ktheu sheshin e Teatrit në çadër për të promovuar aktorët e partisë së tij.

Komisioni hetimor “Tahiri” u harrua.

Tani erdhi shtatori dhe Komisionit i mbaroi afati. Lulzim Basha befas u kujtua, se nuk është marrë me të, por me veten. Nuk ka faj. Ka pesë muaj që shpik kauza të cilat i dështojnë, pastaj shpik kauzë tjetër, për të mbuluar dështimet dhe nuk ja del dot.

Tani kërkon kohë përsëri për Komisionin. Por nuk mendoj se ai ka problem me kohën, por me kokën. Ai nuk di ku ka kokën e tij, ndaj s’ka kohë të merret me kokën e Saimir Tahirit.

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...