PD letër Ruçit: Duam të shkarkohet urgjentisht Fatmir Xhafaj dhe Ardi Veliu, ndiqini penalisht

Partia Demokratike ka kërkuar shkarkimin e ministrit Fatmir Xhafaj dhe drejtorit të Policisë së Shtetit Ardi Veliu.

“Selia blu” përmes nënkryetarit Edi Paloka, i dërgoi një letër Kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, ku akuzoi Ministrin e Brendshëm se ka penguar qëllimisht Komisionit që do të hetonte përfshirjen e qeverisë në kultivimin dhe trafikimin e drogës.

“Edhe pse Komisioni Hetimor, që prej muajit Prill 2018, ka kërkuar informacione nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, deri më sot, në kundërshtim me Kushtetutën dhe me ligjin, Komisionit nuk i është vënë në dispozicion asnjë e dhënë apo dokumentacion i kërkuar, duke pamundësuar punën e tij “, thuhet në letrën e Palokës.

Në letrën drejtuar Ruçit, Paloka shprehet se “pengimi i Komisionit Hetimor është bërë me qëllim për të fshehur gjurmët e lidhjes së Qeverisë me krimin e organizuar dhe për asgjësimin e informacioneve dhe provave që përfshijnë në veprimtari kriminale vëllain e dënuar për trafik droge të Ministrit aktual të Brendshëm Fatmir Xhafaj, si dhe vetë eksponentët e lartë të Partisë Socialiste si Saimir Tahiri, Fatmir Xhafaj, Taulant Balla, Jyrgys Çyrbja, etj. 

“Kërkojmë nga Kuvendi i Shqipërisë qëndrim të prerë ndaj aktit të pengimit të veprimtarisë së Komisionit Hetimor, duke marrë masat e duhura për të vënë përpara përgjegjësisë politike dhe ligjore Ministrin e Brendshëm dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Pengimi i qëllimshëm i Komisionit Hetimor përbën shpërdorim detyre, që sjell shkarkim nga detyra dhe përgjegjësi penale,” thuhet në letrëne Palokës.(TemA)

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...