Shërbimet sekrete: Raporti për korrupsion dhe fshehje pasurie sollën shkarkimin e prokurorit Adriatik Cama

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Një rast mitmarrjeje i identifikuar nga shërbimet sekrete në Lushnje në vitin 2005 si dhe deklarimet e rreme, mosdeklarimi i një llogarie bankare dhe deklarimi i pasaktë i pasurisë sollën shkarkimin e prokurorit Adriatik Cama, sipas vendimit të zbardhur të KPK.

Nga Besar Likmeta

Në vitin 2005 në Lushnje, shërbimet sekrete shqiptare regjistruan rastin e një mitëmarrjeje nga dy prokurorë nga familjarët e një qytetari të akuzuar për kontrabandë. Sipas raportit që Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dërgoi në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit në maj 2018, ” dy prokurorët kanë kërkuar e marrë mitë, nëpërmjet personave të tretë, personit të ndaluar/nën hetim, për favorizim/pushimin e çështjes në ngarkim të tij, në papajtueshmëri të plotë më detyrën”.

Njëri nga prokurorët e raportuar për këtë rast mitëmarrjeje është Adriatik Cama, prokuror me karrierë 25 vjeçare si hetues dhe drejtues në Has, Delvinë, Gjirokastër, Lushnje e Tiranë. Prokurori tjetër i raportuar jepet me inicialet Gj.Th.

Trembëdhjetë vjet më vonë, ngjarja e vitit 2005 në Lushnje ishte një nga shkaqet që sollën shkarkimin nga detyra të prokurorit Cama nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Vendimi i Komisionit u publikua më 4 shtator. Cama ka hedhur poshtë akuzat e ngritura.

Raportet e shërbimeve sekrete për mitëmarrje apo lidhje me elementë të krimit të organizuar nuk pranohen automatikisht si të mirëqena nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Në rastin e mitëmarrjes së raportuar të vitit 2005, KPK e pranoi raportin vetëm pasi mori në shqyrtim dosjen e çështjes për të cilën bëhej fjalë.

Sipas dosjes, Cama, në rolin e drejtuesit të prokurorisë, fillimisht ka zëvendësuar prokuroren që kishte në shqyrtim dosjen duke ia kaluar çështjen prokurorit tjetër, i cili ka pushuar hetimet me arsyetimin “fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale”. Cama e ka firmosur vendimin në rolin e drejtuesit të prokurorisë së Lushnjes.

KPK zbuloi gjithashtu se vendimi për zëvendësimin e prokurores “nuk ishte i bazuar” dhe se edhe Prokuroria e Përgjithshme e kishte konsideruar vendimin e pushimit “të pambështetur në ligj dhe në prova”. Cama e kundështoi konkluzionini e KPK duke kërkuar thirrje dëshmitarësh, por KPK e rrëzoi këtë kërkesë.

Sipas KPK, Cama dhe bashkëshortja e tij rezultojnë se nuk dispononin burime të mjaftueshme financiare për të justifikuar asetet që disponojnë, një apartament, një  makinë dhe një mjedis, të cilin, Cana e ka deklaruar ish-garazh, por që KPK zbuloi se kontrata e blerjes e përshkruante si “dyqan nën tokë”. Për pothuajse të gjitha pasuritë, KPK vërejti deklarime kontradiktore ose të paplota.

Në lidhje me një apartament të blerë në vitin 2003 me burim të deklaruar “të ardhura nga puna”, KPK vëren: “Konstatohet se ky subjekt në vazhdimësi ka bërë deklarime kontradiktore lidhur me vlerën e kësaj pasurie dhe me këto veprime të tij, ndër të tjera, ka cenuar rëndë figurën dhe integritetin e prokurorit të Republikës së Shqipërisë.”

Por rasti më i dyshimtë, sipas KPK është deklarimi i Camës për blerjen e një automjeti Mercedez Benz 190 në vitin 2003 për 300 mijë lekë. Të njëjtën makinë, Cama deklaroi se e shiti në vitin 2009 për 500 mijë lekë.

…”duket i dyshimtë fakti që ky automjet, mbas më shumë se rreth 6 vitesh (llogaritur këtu amortizimin e tij) të shitet 200,000 lekë më shumë se çmimi i deklaruar i blerjes”, shkruhet në vendim.

Analiza e gjendjes financiare të prokurorit tregoi se në disa vite, shpenzimet e tij kapërcenin të ardhurat e ligjshme. Kontrolli arithmetik tregoi se subjekti kishte të ardhura të ligjshme në masën 3.8 milionë lekë (përfshirë një kredi në shumën 2.2 milionë), por shpenzimet dhe pasuria e shtuar ishin rreth 528 mijë lekë më shumë se sa të ardhurat. Diferenca të tilla u identifikuan edhe në vitin 2010.

Për këto arsye, komisioni shpalli se “subjekti ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të figurës dhe atë të pasurisë” dhe vendosi shkarkimin e tij.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *