“Të metat profesionale” ndanë anëtarët e KPK për gjyqtarin Gentian Medja

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Të metat profesionale që u gjetën në dosjet e shqyrtuara nga gjykatësi Gentian Medja e ndanë KPK-në. Shumica vendosi konfirmimin e tij, por një nga anëtarët e cilësoi atë “të dobët” dhe kërkoi shkarkimin. Edhe ONM ka kërkuar apelim të vendimit.

Nga Vladimir Karaj

Vetëm 8 ditë pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi me shumicë votash konfirmimin në detyrë të Gentian Medjas, gjyqtar pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, Komisioneri Publik njoftoi se kishte marrë një kërkesë nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) që çështja të apelohej në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Vendimi i zbardhur së fundmi i KPK-së tregon se veç përfaqësuesit të ONM-së, z. Hans Kijlstra, kundër konfirmimit në detyrë të Medjas ka qenë edhe anëtarja e trupës gjykuese, Xhensila Pine. Vendimi i cili konfirmoi Medjan u mor me votat e kryesuesit Roland Ilia dhe relatore Firdes Shuli.

Në vendim e zbardhur del se Medja nuk ka pasur asnjë problem me pasurinë dhe pastërtinë e figurës. Megjithatë, gjyqtarit i janë gjetur mangësi profesionale, të cilat u justifikuan me ngarkesën në punë.

Gjyqtarja në pakicë, Xhensila Pine argumenton më vete se Medja kishte “një model pune dhe gjykim të dobët”, nuk respektonte të drejtat e palëve dhe nuk ishte efektiv. Pine arsyetoi edhe që trajnimi për një vit, siç parashikohet në ligj, nuk ishte i mjaftueshëm.

Gentian Medja ka filluar punën si gjykatës në Shkodër nga viti 2004 dhe punoi aty edhe si kryetar gjykate deri në vitin 2013, ndërsa aktualisht është gjyqtar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.

Rivlerësimi i pasurisë

Në vendimin e zbardhur të KPK-së rezulton se i vetmi problem në pasurinë e Medjas u gjet në llogarinë e pagës, që ai kishte marrë gjatë kohës që ishte gjykatës në Shkodër. Diferenca sidoqoftë u sqarua pasi Medja solli dokumente se në të njëjtën llogari ishin hedhur edhe dietat. KPK doli në përfundimin se diferenca ishte e vogël dhe se justifikohej nga gjykatësi.

Po ashtu, Medja rezultoi se nuk kishte pasuri të paluajtshme. KPK verifikoi pasurinë e prindërve, një shtëpi në Shkodër dhe 0.032 për qind të aksioneve në një kompani të përfituara nga bonot e privatizimit. Të dyja rezultuan pa probleme. Në vendim sqarohet se ishte verifikuar edhe kontrata e qirasë e banesës në Tiranës, e cila në total ishte 18.500 lekë dhe për të cilën gjykatësi paguante 9.250 lekë.

Sipas vendimit të zbardhur të KPK-së, Medja ka pasur mundësi të kursejë rreth 1.4 milion në cash së bashku me prindërit. Analiza financiare nxorri se ai kishte të ardhura të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet.

Pa probleme rezultoi edhe hetimi për kontrollin e figurës. Pas verifikimit të deklarimeve të subjektit dhe të dhënave të tjera që u mblodhën KPK-së i rezultoi se Medja ishte “i përshtatshëm për vazhdimin e detyrës”. Në vendimin e zbardhur thuhet se “Gjatë procesit të rivlerësimit, nuk ka pasur të dhëna, si dhe nuk janë krijuar dyshime nga Komisioni për pastërtinë e figurës së subjektit”.

Vlerësimi profesional

Por ndryshe nga pasuria dhe pastërtia e figurës, gjatë vlerësimit profesional të gjykatësit dolën një sërë problemesh. Fillimisht, KPK vuri re se Këshilli i Lartë i Drejtësisë që kryen edhe një vlerësim paraprak të punës, kishte sjellë statistika të pasakta.

Në vendim rezulton se në tre raporte të kërkuara nga KPK, KLD kishte dhënë statistika të ndryshme për numrin e çështjeve që Medja kishte mbyllur gjatë tre viteve të fundit. Në vendim del se Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë kishte raportuar numra të ndryshëm dhe KLD të ndryshëm. Fillimisht ata i thanë KPK-së se Medja kishte përfunduar 1829 çështje, në një raport të dytë numri u bë 1852 dhe në një statistikë të tretë të KLD-së rezultoi se ai kishte përfunduar gjithsej 1864 çështje. Pasaktësitë u sqaruan nga kancelari i gjykatës.

Nga ana tjetër, si në shumicën e rasteve KLD raportoi se nuk kishte prova në ankesat e bëra ndaj gjykatësit. Ndërkohë nga vendimi i zbardhur rezulton se një prej ankesave ishte bërë nga ish-gjykatësi Guximtar Boçi, i cili u shkarkuar nga KLD në tetor 2016 pasi u përgjua duke kërkuar favore seksuale prej një gruaje e cila kishte një çështje gjyqësore në gjykatën e Gjirokastrës.

Në vendim thuhet se Medja kishte pranuar një nga kërkesat e Boçit, duke i dhënë atij të drejtë të paguhet si gjykatës prej datës së shkarkimit deri në momentin e marrjes së një vendimi përfundimtar ndaj tij.

Boçi kishte kërkuar që të rikthehej në detyrë dhe ka apeluar çështjen, ndërsa është ankuar ndaj ish-kolegut. KPK nuk gjeti shkelje në këtë rast dhe vlerësoi se “nuk ka të dhëna që cenojnë etikën në punë apo aftësitë profesionale të subjektit të rivlerësimit”.

Nga ana tjetër, raporti i KLD në pjesën më të madhe pozitiv për gjykatësin, evidentoi edhe disa mangësi në punën e tij. Kështu del se nga pesë çështje të shqyrtuar 2 prej tyre kishin tejkaluar afatet e gjykimit. Pas kësaj KPK vendosi të thellojë hetimin, ndërsa hodhi në short pesë dosje të tjera shtesë.

Sipas vendimit, pas analizimit të 13 çështjeve u gjetën një sërë problemesh si; mosrespektim i përgjithshëm i afateve në gjykimin e çështjeve, mungesa e vendimeve të ndërmjetme, mungesa e procesverbaleve të mbajtura nga sekretaria gjyqësore, parregullsi gjatë veprimeve përgatitore dhe se në disa raste ishte  shënuar në mënyrë të pasaktë referenca e dispozitave ligjore.

I vënë përpara këtyre kostatimeve, gjyqtari Gentian Medja u mbrojt duke vënë në dukje ngarkesën e lartë në punë. “Nuk duhet harruar edhe elementi subjektiv që gjyqtari është një qenie njerëzore, i cili ka nevojat veta bazike”, tha ai në parashtrimet për KPK. Kjo e fundit pranoi se ai ishte një nga gjykatësit me ngarkesë të lartë në Gjykatën Administrative të Faktit në Tiranë.

Medja po ashtu argumentoi se megjithëse nuk kishte lëshuar vendime të ndërmjetme, ato ndodheshin të pasqyruar në procesverbalin e seancave përgatitore. Ai po ashtu pranoi disa nga gabimet në referenca ligjore të cilat kryesisht iu faturuan sekretares gjyqësore, ndërsa u justifikuan me ngarkesën në punë.

Ndërkohë në disa raste, Medja pranoi se kishte ndryshuar vetë bazën ligjore nisur nga një vendim unifikues i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë. Ai tha se një pjesë e vendimeve ku u gjetën probleme ishin konfirmuar në Apel.

Argumentet pro dhe kundër

Dy anëtarë të trupës së KPK-së për këtë çështje, kryesuesi dhe relatorja, pranuan shumicën e arsyetimeve të Medjas. Megjithëse vunë në dukje se vonesat në gjykim mund të konsideroheshin si të  barazvlefshme me një “mosdhënie drejtësie”, shumica e justifikoi Medjan duke iu referuar mungesës së pasurisë së tij.

“Përpos kësaj, “Mosdhënia e drejtësisë” nga ana e subjektit të rivlerësimit do të kishte reflektuar sadopak në vlerën pasurore të aseteve të tij, apo në etikën dhe pastërtinë e figurës, për të cilat nuk kanë rezultuar ankesa apo të dhëna negative nga burime të çdo lloji qofshin”, thuhet në arsyetim.

Sipas shumicës ai “ka pasur një ngarkesë të lartë në punë (sa trefishi i ngarkesës mesatare për një gjyqtar të shkallës së parë), gjë që u vërtetua me të dhënat statistikore të KLD-së”.

Po ashtu, shumica pranoi se megjithëse nuk ishin bërë vendime të ndërmjetme prania e tyre në procesverbalet e mbajtura gjatë seancave ishte e mjaftueshme. Sipas shumicës, gjykatësi “rrëzoi disa nga parregullsitë proceduriale të konstatuara gjatë procesit të rivlerësimit profesional, të përmendura më sipër në këtë vendim”.

Në fund ata dolën me mendimin se “Mangësitë ekzistente, në përfundim të procesit të rivlerësimit”, nuk vërtetonin që subjekti “kishte njohuri, aftësi në gjykim, qëndrime ose modele pune aq të dobëta, sa të kenë rrezikuar dhe cënuar të drejtat e qytetarëve”.

Shumica në fund vendosi se ai kishte “arritur nivel kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale”.

Përkundër shumicës, Xhensila Pine në mendimin e pakicës thotë se Medjas i ishin gjetur të meta në mënyrën e trajtimit të çështjeve si nga KLD ashtu edhe nga trupi gjykues.

Ajo vë në dukje se përndryshe nga shumica që i ka parë të metat si çështje rrethanash, përfshi ngarkesën në punë, problemet përsëriteshin. “Këto të meta përsëriten në të gjitha çështjet, ose të paktën në shumicën e tyre. Duke marrë parasysh se 10 nga 13 çështjet janë përzgjedhur me short, rezulton se ka një model të metash, i cili nuk kufizohet vetëm në të meta rastësore”, argumenton Pine.

“Mendoj se argumentet e subjektit të rivlerësimit si dhe arsyetimi i shumicës për këtë çështje, duket se nuk mbajnë parasysh parashikimet e ligjit për Gjykatat Administrative”, thotë Pine në mendimin e pakicës, ndërsa sqaron se procesverbalet gjyqësore nuk ishin “zëvendësues të veprimtarisë gjyqësore, në mënyrë që të konsiderohen vendimet e ndërmjetme dhe urdhrat gjyqësore si “të panevojshëm”.

Ajo gjithashtu thotë se gabimet në referim të bazës ligjore janë problematike dhe se shumica nuk kishte mbajtur parasysh “mospërputhjet e konstatuara në pjesën hyrëse të vendimit gjyqësor (jo të padisë) me pjesën arsyetuese të vendimit, dhe bazës ligjore në të njëjtin vendim”.

Ndryshe nga shumica, Pine argumenton se formimi profesional i gjyqtarit ishte i dobët, aq sa nuk mund të përmirësohej edhe nëse në vend të shkarkimit i jepej mundësi atë riaftësohej për një vit në Shkollën e Magjisturës. Ajo thotë se shumica “duhej te vendoste shkarkimin nga detyra të këtij subjekti”.(Birn)

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *