Dryni mbi shkollën e Kolanecit do ta vras Kolanecin!

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nga Brizida Gjikondi

Kolaneci është një perlë e fshehur, vendosja e tij e shkallëzuar ku shtëpitë janë vendosur në kate përgjatë Malit me të njëjtin emër në 1.100 m mbi nivelin e detit, çka e kategorizon atë në një ndër fshatrat më të bukur të qarkut të Korcës. Ai është një fshat i jetuar, që gëlon nga puna dhe gjallëria. Eshtë i bukur Kolaneci, ah sa i bukur, është fshat me arkeologji, histori, bujqësi, blegtori dhe kontribute kombëtare. Atje në mënyrë efektive jetojnë 60 familje (për mos folur beharit që vijnë dhe mërgimtarët). Ai është një fshat me shtëpi të rindërtuara, ku ruhet me fanatizëm muri i gjërë i gurit, çatitë tashmë nuk mbulohen më me plloça po me tjegulla të kuqe. Atje natyra ka mbajtur hapin, në dimër mbulohet nga dëbora dhe në kulm të gushtit ty të nevojitet një levenxë për ta hedhur krahëve. Atje ka burime, po më i bukuri është Kroi i Madh shumë shekullor.

Në Kolanec zotëron gjelbërimi i harlisur, zhurma e përroit të madh që e përshkron në të djathtë dhe cicërima e zogjve dhe kënga magjepse e bilbilave. Ndoshta do të të duket si lajthitje ose hiperbolizim i imi, por jo, në Kolanec arinjtë hanë qershi (shpesh bashkëfshatarët e mi i kanë kapur ndërkohë kryejnë këtë “krim”), në Kolanec në dimrin e egër dëgjohët dhe ujku që strofullën e ka tëk Prroi i Thellë, Kolaneci ka dhe Shqiponjat e tij, jo më larg se në Qershor unë me tim vëlla pamë një syresh që fluturonte mbi kokat tona me një gjarpër ndër kthetra.

Kur hap dritaret në të gdhirë ti përball në të djathtë ke Hijen e Korbit aty ku ende sot dallohen rrënojat ilire të Desaretëve, ndërkohë që syri në dimensionin e tij më shpirtëror të mundshëm të shikon fushën e gjerë dhe të qëndisur të Maliqit, e cila ndryshe nga shumë fusha të tjera retë i ka nga poshtë jo mbi krye, kur dielli është këmbngulës avulli që del nga toka dikur mëcalore daravitet. E mes kësaj fushe që pikturat e Van Gogut i janë simotra, ti sheh të bukurin Lumin e Devollit që e përshkron, dhe në të majtë të tij Pyllin e Fazanëve.. por jo.. frymën dhe syrin se ndal këtu… matanë, shumë matanë por pa pengesa po vec me flatra shpirti ti shikon madhërishëm Malin e Thatë e ngjitur tij Malin Ivan.

E gjithë kjo mrekulli e perëndisë shikohet nga cdo dritare e Kolanecit tim. Po druaj se dhe këtë bukuri jemi ne qytetarët part- time duar butë që e zhurmojmë me shoun tonë, pasi kolanecarët e kanë pjesë të ekzistencës së tyre tërësisht atë, botën e tyre të vogël të madhe. Po Kolaneci në trup të tij ka një ndër pyjet më të bukura të lajthive të egra, ka pa fund parcela me qershi, të vjetra (nga koha e koperativave) dhe të reja, ka parcela me starkinga, ka kumbulla, arra, bajame.. grure e misër, fasule, piperka, domate e cdo bimë tjetër e nënshtruar nga korcarët e maleve. Ka rezervuarin me peshq e gjallesa në krye të tij, ka dyqanin, ka bilardon dhe klubin burrëror, ka qëndrën shëndetësore, kopshtin dhe shkollën 9 vjecare, ka lapidar martirësh të luftës së dytë botërore, ka vëndet e shënjta, te Kisha për shëmbull, ku dhe pse bektashinj, gratë e fshatit ndezin qirinj.

Kush do që lexon këto rrjeshta do kujtoj që ky fshat ku koha dhe natyra ka mbajtur hapin është larg qytetërimit dhe urbanizimit, por jo, sidomos nga e para. Kolaneci është vetëm 3 kilometra larg nga rruga kombëtare, e përsëris, vetëm 3 kilometra, nga Maliqi më pak, ose vetëm 3 mijë hapa të mitë dhe 2 mijë e 700 tuajat zoti kryeministër. Saktësisht në mes të rrugës që lidh Pogradecin me Korçën. Rrugë e cila për fatin tuaj të bardhë për popullin e urtë që keni gjetur dhe për fatin e zi të këtij populli sot e 25 vjet është e pashtruar edhe pse panoramikisht e bukur aq sat ë mbahet fryma , edhe pse prej 25 vjetësh Kolaneci dhe juridikisht quhet lagje e Maliqit edhe pse prej 25 vjetësh tërësisht zona e Maliqit pi seriozisht ujin e Kolanecit, sërish ky fshat është në braktisjen totale tuajën. Asnjë gjoja gërvishtje kanalesh ose çakëll gropash nuk zëvëndëson dot turpin që duhet të mbuloj jo vetëm qeveritë por edhe deputetët që përherë kanë qënë tuajët zoti kryeministër, si fjalë bukuri Majko por edhe fjalë bukura Xhacka.
Por gjëma dhe pabesia më e madhe i ra sot Kolanecit.

Sot që ju mbasi e vutë në një torturë mbijetese çerek shekullore, vendosët ti mbyllnit edhe shkollën 9 vjecare, ajo shkollë zoti kryeministër ka 25 shqiptarë të vegjël të mirë, të bukur faqe mollë, që fshatin se kanë turp, se e kanë vëndin e tyre, sic ke ti Shqipërinë. Shkolla 9 vjecare e Kolanecit e projektuar nga Arkitekt Klement Kolaneci, mbas një degradimi tragjik, falë ndërhyrjes dhuratë dhe të heshtur të shoqërisë gjermane RÖFIX shpk u restaurua tërësisht, por jo, shteti I pashpirt shqiptar kërkon ta vdesë tërësisht Kolanecin.

Kjo është tragjedia e vërtetë, ndërkohë që shteti duhet ta dijë që shkolla nuk është një kovë që mbushet por një dritës që duhet ndezur, ai e ekezekuton këtë fshat me vdekje, arsimore ndaj dhe fizike. Kolaneci, po vdes, në sytë e mi dalëngadalë dhe unë shoh se si një fshat i gjallë, me shtëpi dhe dritare të celura, që i zbret qytetërimit jo vetëm ujin po dhe qumështin, qershitë ja con deri në Berat, mollët deri në Shkodër dhe lajthitë dhe në Greqi, pavarësisht se shteti si ka ofruar dhe siguruar ASGJE po tretet dalëngadalë pa patur asnjë sëmundje.

Djemtë azgan dhe punëtorë të këtij fshati ja u kalojnë njëqind herë heronjve dhe qurramanëve të tasterës nëpër metropol. Lento, Geni, Stili i Agushit, Disi i Kujtimit, Visi i Banushit, Ceni i Muhametit e shumë të tjerë nuk janë quramanë facebooku, ata ndërkohë që të presin punojnë, ndërkohë që të presin tju cosh rrugën dhe kanalizimet mbjellin, korrin, shesin, totalisht të braktisur nga ty. Dhe sjanë inferiorë, janë të bukur, të mëncur por ti smund tju vësh në provë durimin aq vjec sa janë ata.. ti smund tju vrasësh edhe rrugën dhe kanalizimet edhe shkollën JO !

Kolaneci po vdes, po e vrisni Ju zoti kryeministër, aty sdëgjohen më dasma, nuset aktuale shqiptare do donin më mirë të martoheshin në një lagje tjetër të Maliqit që është jo e spikatur por me rrugë e shkollë por jo në Kolanec, dhe kjo është dramatike, jo vetëm për mua që e ndjej nga afër por dhe për reputacionin tuaj që tjetër thoni dhe tjetër bëni për fshatin. Sidomos ata të lulëzuarit për shkak të vetes jo falë jush.

Hajde zoti kryeministër, hajd të shojmë një ditë bashkë në Kolanec, do magjepsesh, ka dy taksi modeste Kolaneci dhe çmime simbolike, 100 lek nga Maliqi në Kolanec dhe 50 lek nga Kolanec, dihet që zbritja është përherë më lirë në këtë botë… shofer do kesh Lenton buzagaz ose Kryeplakun mënçurak dhe të heshtur Edin.
Hajde zoti Kryeministër, hajde të shkojmë seriozisht bashkë nga ato anë, ai nuk është një nga 100 fshatrat e tu, po është i joti gjithësesi.

Hajde zoti Kryeministër, hajde në Kolanec, pasi sic thotë dhe Cyril Conolly “ vetëm në fshat mund të njohim një qënie njerzore dhe një libër” hajde sa si ke vrarë të dyja.
Hajde të pimë ujë tek çezma e mësuesit me dallandyshet e malit dhe të fushëq që jetojnë në harmoni nga ato anë.
Me shpresë. Brizida

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

3 komente në “Dryni mbi shkollën e Kolanecit do ta vras Kolanecin!”

  1. LORA says:

    Apel i duhur,ne kohen e duhur.
    Qeveria eshte e detyruar te degjoje dhe te reflektoje.
    Mirenjohje Brizid per pergjegjshmerine tende te vyer.

  2. Gëzhuta says:

    E nderuar zonjë
    Edhe unë në fshat banoj dhe këtu u mbyll shkolla
    Fshati im ka nxjerrë 170 mësues vetëm pa përmendur profesionet e tjera
    Po sot në fshat ka vetëm 170 banorë
    3 herë më shumë se në kolanecin tënd por logjikisht nuk ka kërkesë për shkollë
    25 nxënësit e tu janë një klasë jo një shkollë dhe vetëm 3000 hapa larg nga maliqi
    Ke pak llogjikë ekonomike
    Një nga frasherllinjtë sikur pat thënë një fshat pa 200 shtëpi nuk vlen të investohet
    Nuk o faji i muskujt që fshatrat braktisen
    Askush nuk i përze e drejta për një jetë më të mirë egziston kudo dhe kjo është arsyeja kryesore
    Mo më fol si enveri se po ta dush kaq kolanecin e begatë askush stë pengon të rritesh derra e jonxhe aty
    Të hash lajthi për fuqi e qeshi për shije
    Jfuti noj kapuçino se mos thuaj një gjë tjetër se me kolanecin ska the gjë
    Duhet të na thuaj sa kanë ik në maliq korçë tiranë greqi e amerikë dhe në kan bërë mirë apo keq
    Të fala nda i pashkolli

  3. Bureto says:

    Mirë e ka Brisida, por gjithmonë ka nga një por.
    Së pari mendoj se problemi do të jetë diskutuar gjatë e gjatë në strukturat lokale si dhe nga drejtoria arsimire e Korçës, që në këtë rast është përfaqësuesja e ministrisë së Arsimit. Pra nuk besoj se duhet të jetë problem ekskluziv i k/m. Edhe sikur të ishte, ai prapë atyre strukturave do t’u drejtohej.
    Së dyti, në Kolanec paska 25 nxënës, që i takon mezatarisht, më pak se 3 nx. për klasë. Si do të justifikohen gjithë ata mësues që kërkojnë 5 klasat, përjashtuar 4 klasat e para të fillores që kanë nga një të tillë?
    Ndaj mendoj se më e lehtë do të ishte rregullimi i 3 km rrugë, se këta 25 nxënës shumë mirë mund të vinin e iknin nga Maliqi ne autobus/mikrobus, të vënë enkas për këtë qëllim. Bile nxënësit e klasave të teta e të nënta, në vartësi të motit/stinës mund të përdornin dhe biçikletat dhe mënyra të tjera që vendasit i dinë më mirë. Se po të flitej vetëm për Kolanecin do ishte kollaj, por a mendohet se sa i përhapur është ky problem gjithëandej Shqipërisë? Ndaj nuk është e mundur të kemi shkolla në çdo fashat me nga 4, 5 apo 10 nxënës. Duhen gjetur e zbatuar mënyra alternative që besoj se nuk mungojnë. Besoj se dhe vënde të tjera e kanë këtë problem dhe me siguri ministria i di zgjidhjet, dhe/ose është duke i zbatuar ato. E rëndësishme është që mos ketë fëmijë pa shkuar në shkollë.

Lini një Përgjigje te Gëzhuta Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *