Fatos Klosi: Gjyqtarët refuzojnë të marrin në dorë rastin e Izet Haxhisë, kanë hallin e vetingut. S’duan të ngatërrohen…

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Çështja e Izet Haxhisë është futur në ngërç. Pas pranimit të kërkesës për rigjykim nga ana e Gjykatës së Tiranës, çështja e ish-truprojës së Sali Berishës u dërgua pranë Gjykatës së Apelit, e cila pritej të caktonte një trupë gjyqësore për vijimin e procesit.

Problemi qëndron se deri tani janë shortuar 2 trupa gjyqësore, por që të dyja kanë dhënë dorëheqjen nga çështja.

Ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, zbardhi ditën e djeshme edhe arsyet pse ndodh një gjë e tillë.

Gjatë një prononcimi për gazetën “Sot”, Klosi deklaroi se refuzimi i gjyqtarëve vjen për shkak të procesit të vetingut nëpër këmbë.

Sipas tij, njerëzit e drejtësisë këto kohë janë të fokusuar tek “halli” i tyre me vetingun dhe nuk duan të merren me një çështje e cila konsiderohet e mbyllur.

“Problemi është që të gjithë duan që të mos ngatërrohen me një çështje që e quajnë të mbyllur formalisht. Ndërkohë që unë mendoj se Izet Haxhia e ka të drejtën e tij duke qenë se nuk ka qenë i pranishëm në procesin gjyqësor ku është dënuar.

Ai ka të drejtën e tij të rihapë çështjen e tij, të rishikojë pozicionin e tij lidhur me ngjarjen në mënyrë që ai dënim i rëndë që ka marrë mbase mund të zbutet.

Por thash që duhet të ndiqen procedurat, por mesa duket kurrkush në këtë situatë qoftë kur ka një reformë në gjyqësor, kur gjërat nuk janë fort të qarta sepse reforma vetë ka nxjerrë shumë njerëz me probleme, kështu që në përgjithësi njerëzit në gjyqësor e kanë mendjen tek problemet dhe hallet e tyre dhe jo t’i futet prapë çështjes në fjalë.

Mbase ata e mendojnë të zorshme dhe të bezdisur. Kështu që kjo është arsyeja”, tha Fatos Klosi. Sipas tij, çështja e Izet Haxhisë është një çështje që njerëzit e gjyqësorit nuk kanë qejf ta rihapin e të ngatërrohen në të.

Fatos Klosi u shpreh ndër të tjera se mbi këtë çështje nuk mund të ushtrohet presion politik. Ai theksoi se njerëzit që janë të interesuar të mos hapet dosja qëndrojnë në opozitë, ç’ka do të thotë se nuk bëjnë dot gjë për të ndikuar në dosje.

“Mendoj se ndikojnë të gjitha nga pak. Nuk besoj se është presion politik sepse nuk ka kushte për një gjë të tillë. Ata që mund të bënin presion politik sepse nuk janë të interesuar që të hapet procesi janë në opozitë.

Thjesht është një çështje që njerëzit e gjyqësorit nuk kanë qejf ta rihapin e të ngatërrohen. Në këto kushte mbetet vetëm të pritet”, tha ish-kreu i SHISH.

Nga ana tjetër, Klosi deklaroi se derisa një trupë gjyqësore të marrë përsipër rastin e Izet Haxhisë, duhet që ky i fundit të vijojë luftën e tij për të drejtën e tij.

“Ai duhet të vazhdojë të luftojë me të gjitha mjetet që ka në dorë për atë të drejtë që i takon dhe për hapjen e çështjes për pozicionin e tij. Izet Haxhia duhet të ngulë këmbë.

Problemi për tu hapur është një problem procedurash, por se çfarë do të vendoset pastaj është në varësi të argumenteve dhe provave që servir Haxhia me qëllim që ta nxjerrin të pafajshëm.

Tani me shtatorin dhe me rikthimin e njerëzve në punë mbase do të ketë rast të kërkojë me ngulm dhe të rihapet. Pastaj se çfarë vendimi do të merret varet nga ato se çfarë do të thuhen, nga argumentet e provat ”, tha Fatos Klosi

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

1 komente në “Fatos Klosi: Gjyqtarët refuzojnë të marrin në dorë rastin e Izet Haxhisë, kanë hallin e vetingut. S’duan të ngatërrohen…”

  1. Isuf says:

    Me mire te mos kishe folur o z.Klosi.Nuk eshte ky justifikimi.Po ti cke xhanem???!!!!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *