"Korrigjimi" i kufirit dhe "bashkimi" i Luginës së Preshevës me Kosovën – lojë e dëmshme dhe e rrezikshme

6 Shtator 2018, 09:19Rajoni TEMA

Nga Hivzi Islami, Dr. Prof. Arsim Ejupi

Kohët e fundit në Kosovë, në Luginën e Preshevës dhe gjithandej nga ka shqiptarë, si dhe në disa qarqe rajonale e ndërkombëtare po zhvillohet një diskurs i gjerë rreth kufijve dhe ndarjes së Kosovës dhe copëtimit të Luginës së Preshëvës në emër të «korrigjimit» të kufijve dhe rrjedhimisht «bashkimit» të Luginës me Kosovën. Ndarjet dhe copëtimet e trungut gjeoetnik të shqiptarëve, me imponimet dhe dhunën e realizimit të tyre, si dhe konsekuencat shumëdimensionale, nuk janë problem i ri dhe kanë një historik të gjatë, nga periudha osmane e deri në ditët tona, por në versione dhe dimensione të ndryshme, territoriale dhe politike. Ndarja territoriale-etnike e Kosovës sot do të shënonte  mosekzistimin e saj si shtet i pavarur dhe sovran.

I pari i shtetit të Kosovës, me disa individë shqiptarë dhe disa qarqe pushtetore serbe dhe ndërkombëtare, duke shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe interesin shtetëror-kombëtar, është vënë në krye të këtij diskursi dhe aventure, me pasoja të dëmshme dhe tepër të rrezikshme për ardhmërinë e Kosovës dhe të shqiptarëve, por edhe gjithë Ballkanin, duke i hapur rrugë «ballkanizimit» të mëtejmë të tij (Bosnjë Hercegovinë, Maqedonia, Sanxhaku, Vojvodina, Kroacia, Mali i Zi, pakica bullgare në juglindje të Serbisë etj.). Nga elaborimi i të gjitha dimensioneve gjeohapësinore, gjeopolitike dhe etnodemografike, sasinë dhe cilësinë e resurseve, rezulton përfundimi se me ndarjen e Kosovës dhe copëtimin e Luginës, me kusht që të merrej edhe hekurudha dhe autostrada (Korridori 10), humbëse janë Kosova dhe Lugina, ndërkaq fitues del vetëm Serbia, madje me vetë idenë dhe nismën e «korrigjimit» të kufirit, dhe natyrisht Rusia. Prandaj, është trishtuese të preken kufijtë ekzistues.

1.Ideja për ndarjen e Kosovës është e vjetër dhe buron nga Serbia. Autor i saj është «babai» i kombit serb, Dobrica Qosiqi, inspirues i të gjitha tragjedive njerëzore dhe materiale në ish-Jugosllavi. Si kryetar i Jugosllavisë së Tretë (Serbia dhe Mali i Zi), në janar 1993 projektin e ndarjes në proporcion 60:40 për qind në favor të Serbisë e paraqiti në selinë e OKB-së në New York, por u hodh poshtë nga bashkëkryetarët e Konferencës së Gjenevës, Cyrus Vance dhe Robert Owen nga frika e ndarjes së Bosnjë-Hercegovinës dhe Maqedonisë. Në vitin 2004 edhe më vendosmërisht doli me tezën se «Serbia nuk ka forcë biologjike që ta ruajë territorin e saj», prandaj duhet të ndahet dhe ndarja e përkufizimi i tillë paraqesin «kompromisin midis të drejtës historike dhe të drejtës etnike dhe zgjidhjen racionale të antagonizmave shekullore ndëretnike». Pjesa që do ta merrnin shqiptarët mund të bashkohet me Shqipërinë dhe dy popujt dhe dy shtetet mund të jetojnë njëri pranë tjetrit dhe për këtë qëllim autoritetet e Beogradit duhet të bisedojnë drejpërdrejt me Tiranën zyrtare, duke e kapërcyer Prishtinën. Kryeministri serb Z. Gjingjiq u angazhua që ta realizojë planin e Qosiqit, por ai u vra në vitin 2003.

2.Në frymën e zgjidhjes së çështjes «shqiptaro-serbe», siç e thoshte Qosiqi, «kapërcimin» e Prishtinës fare lehtë e hetojmë edhe sot nga Tirana zyrtare (prononcimi i Edi Ramës, bashkë me Aleksandar Vuçiqin në Nish për ndërtimin e rrugës Nish‒Merdare‒Kukës‒Durrës, pa çarë kokën se ajo kalon nëpër Kosovë, ose deklarata skandaloze e Edi Ramës në 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës se Shqipëria dhe Kosova mund ta kenë një president; me këtë shpërfillë rëndë sovranitetin e Kosovës dhe shfaqë megalomaninë paternaliste!). Nga kjo shihet qartë se Shqipëria e sotme zyrtare nuk tregon ndonjë zell për afirmimin e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran, sikurse as Shqipëria e djeshme dhe e pardjeshme! Përkundrazi! Ndarjen e Kosovës e kundërshtojnë të gjitha instancat relevante ndërkombëtare dhe shtetet më të fuqishme në Europë dhe në botë, sikundër që nuk pranojnë që Kosova të kthehet në gjendjen e para vitit 1999 ose të bashkohet me ndonjë shtet tjetër. Edhe Kushtetuta jonë këtë e ndalon. «Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm» (neni 1, alinea 1) dhe «nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti» (neni 1, alinea 3).

3.Tezën e Qosiqit e ka mbështetur vetëm një shqiptar, «babai» i kombit, Rexhep Qosja, i cili shkon edhe më larg dhe në një seri prononcimesh pas luftës flet për «lëkundjen e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë dhe zhvendosjen humane të popullsisë», të fokusuar pikërisht te shqiptarët e Veriut të Kosovës dhe shqiptarët e serbët e Luginës, duke kërkuar të bëhet shkëmbimi i Luginës me Veriun e Kosovës, pa pasur njohuri elementare për kontekstin gjeohapësinor dhe gjeoetnik të dy territoreve. Ndërsa ngrihet pikëpyetja: pse ky njeri kurrë nuk e kërkoi Plavën dhe Gucinë dhe në asnjë rast nuk foli për pozitën e rëndë të shqiptarëve në Mal të Zi? «Zhvendosja humane e popullsisë» ndodhi përmes spastrimit etnik si veprim më i shëmtuar në luftërat në ish-Jugosllavi në fund të viteve të 90-ta të shek. XX. Në kuadër të krimeve kundër njerëzimit, shpërngulja e qëllimshme, e planifikuar dhe e dhunshme e popullsisë në sistemet juridike të shumë vendeve, përfshirë edhe ato që vetë ushtrojnë gjenocid, dhe nga vetë OKB-ja, konsiderohet krim gjenocidial. Vetëm njerëzit pa ndjenja njerëzore, megalomanët paranojakë dhe popullistët fisnorë sot e mbështesin «zhvendosjen humane të popullsisë»!

4.Aktualizimi i ndarjes së Kosovës sërish vjen nga Beogradi, bashkë me Tiranën zyrtare në heshtje dhe disa qarqe të huaja proserbe. «Çerek-Prishtina» zyrtare është e fundit që u kyç në këtë projekt katastrofik për shtetin tonë në ndërtim dhe Luginën e Preshevës, të manipuluar nga profiterët andej e këndej kufirit. Pala serbe duke qenë koshiente për pamundësinë që në aspekt afatgjatë t’i mbajë marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve në nivelin e «konfliktit të ngrirë» dhe synimit për aderim sa më të shpejtë në BE, kohët e fundit përmes rrugëve mediatike, por edhe prononcimeve, kryesisht nga nivelet e ulëta të udhëheqjes politike, gjithnjë e më shumë po e plason idenë e shkëmbimit të territoreve. Për të përfituar sa më tepër nga dialogu deri tash joproduktiv me Kosovën, por edhe për të zvogëluar efektet e mundshme negative në opinionin e brendshëm politik, intelektual dhe fetar heziton haptas ta quajë atë «shkëmbim të territoreve», sepse Kosovën nuk e pranon shtet të pavarur dhe si tërësi e konsideron pjesë të Serbisë, prandaj po i përdor formulimet «korrigjim» apo «rirregullim» i territorit. Për fatkeqësinë tonë, në këtë «grackë» ka ra i pari i shtetit tonë, duke e ndjellë një të keqe të madhe!

5.Plani i Ahtisarit i ka njohur kufijtë e Kosovës në gjendjen para 31 dhjetorit 1988. Aty shprehimisht thuhet: «Territori i Kosovës do të definohet nga vija kufitare e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës brenda Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ashtu siç kanë qenë këto vija kufitare më 31 dhjetor 1988, përveç ndryshimit të vijës kufitare nga marrëveshja e demarkacionit në mes të Republikës Federative të Jugosllavisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë më 23 shkurt 2001» (2 shtator 2007). Në afatin e paraparë, në procesin e «demarkimit» Maqedonia i mori nga Kosova 1.91 km². Dokumenti i tij dhe shumë dokumente të tjera, çfarë janë Kushtetuta e KSA të Kosovës e vitit 1974, Deklarata e Pavarësisë e 17 shkurtit 2008 dhe Kushtetuta e Republikës e vitit 2008, si dhe Komisioni i Badinterit i vitit 1991, vendimi i Gjyqit Ndërkombëtar të Hagës i vitit 2010 dhe harta e KFOR-it i definojnë qartë kufijtë e Kosovës, të kornizuar në 10.905 km². Deri sot 115 vende e kanë njohur shtetin e ri të Kosovës në këtë madhësi territoriale. Dokumenti i Ahtisarit, i futur komplet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, serbëve të Kosovës u dha aq shumë privilegje sa nuk i gëzon asnjë pakicë në botë. Plani i Ahtisarit është kompromisi maksimal që ka bërë Kosova; përtej nuk mund të shkojë. Që nga paslufta serbët e veriut të Kosovës nuk paguajnë as ujë, as rrymë, as tatim në pronë!

6.Të flitet për ndërrim të kufijve dhe bashkim të Luginës me Kosovën pa u zgjidhur çështjet elementare, në negociatat me ndërmjetësim ndërkombëtar (Brukseli), çfarë janë diplomat e UP-së të shqiptarëve të Luginës, problemi i energjisë, i kadastrit, lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë etj., është një absurd i paparë në marrëdhëniet midis shteteve. Shtëpia nuk ndërtohet nga çatia! Klithja për «bashkim» është pikërisht paaftësia e realizimit të agjendës së Brukselit dhe kjo sjellje e aktorëve të «bashkimit» çon drejt amortizimit të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Ndoshta ky është dhe qëllimi të cilin e dinë vetëm aktorët e lojës së «korrigjimit» të kufijve!

7.Sipas Komisionit Ndërkombëtar të Arbitrazhit, i njohur si Komision i R. Badinterit, në kufijtë ekzistues administrativë (Uti possidetis) 6 ish-republikat e ish-Jugosllavisë u bënë shtete të pavarura në fillim të viteve të 90-ta të shekullit të kaluar (1991-1993). Kufij të tillë administrativë, me bazë kadastrale, kanë pasur edhe dy ish-Krahinat Socialiste Autonome, Kosova dhe Vojvodina. Meqenëse Serbia nuk e ka pranuar formalisht pavarësinë e Kosovës nuk mund të ndërmerret asnjë veprim rreth kufijve dhe nuk është e mundur ndonjë marrëveshje për delimitimin dhe pastaj demarkimin e vijës kufitare. Serbia së pari duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës në kufijtë ekzistues e pastaj vjen korrigjimi ku mendohet se ka konteste, si me vendet e tjera fqinje që e kanë njohur pavarësinë e saj. Midis Kosovës dhe vetvetes, Serbia vazhdon ta konsiderojë kufirin administrativ, jo shtetëror. Prandaj, i ashtuquajturi «korrigjim i kufirit» është sa mosdije, po aq një sjellje iracionale ndaj opinionit dhe një lojë me ndjenjat e popullatës shqiptare në Luginë dhe në veri të vendit, të cilët këto ditët e diskursit po përgatiten të ikin edhe ata pak shqiptarë të mbetur në veri, duke i shitur pronat, ndërsa serbët në jug të Ibrit, bashkë me Kishën Ortodokse Serbe, janë kundër «ikjes» se Veriut të Kosovës.

8.Në opinionin e gjerë publik është krijuar një huti e madhe rreth përdorimit të nocioneve «ndarje», «copëtim», «shkëmbim», «lëkundje», «korrigjim», «rishikim», «demarkim», «rirregullim», «ridizajnim», «rikufizim», «rivijëzim» etj. Aktualisht të gjitha janë në funksion të pazareve politike të individëve të papërgjegjshëm dhe të qarqeve jashtë Kosovës dhe Luginës dhe veçanërisht të Serbisë. «Ndarje», «shkëmbim» dhe «copëtim» do të thotë e njëjta gjë, por në kontekstin e diskursit të sotëm konkret politik e njëjta gjë nënkuptohet dhe me nocionet «korrigjim», «rishikim», «rivijëzim», «rivizatim» ose «lëkundje» e territorit. «Korrigjimi» i kufijve midis Kosovës dhe Luginës së Preshevës është një mashtrim banal i radhës, qitje hi syve opinionit shqiptar në Kosovë, në Luginë dhe përtej. Përveç fjalëve boshe dhe konfuze, ndonjë plan konkret i «korrigjimit» të territorit midis Kosovës dhe Serbisë, bashkë me kriteret dhe parametrat e tjerë, nuk po prezantohet, sepse nuk ekziston; aktorët e «korrigjimit» të kufirit nuk kanë as haber për kontekstin gjeohapësinor të Luginës së Preshevës. Serbia mund edhe të ketë plane të ndarjes në versione të ndryshme.

9.Është i njohur fakti se në kuadër të përcaktimit të vijës kufitare ndërmjet shteteve janë këto 5 faza: 1. Përkufizimi ose ndarja politike kufitare; 2. Definimi i kufirit; 3. Delimitimi i kufirit; 4. Demarkimi i kufirit dhe 5. Menaxhimi dhe mirëmbajtja e kufirit. Në fazën e parë ushtarakët, politikanët dhe diplomatët merren vesh për vendshtrirjen e kufirit. Një ndarje e tillë shpeshherë nuk është precize. Faza e dytë është definimi i kufirit. Meqenëse etapa e parë e përcaktimit të vijës kufitare përcillet shpeshherë me pasaktësi, në etapën vijuese synohet që kufiri të definohet në mënyrë më precize. Markerët janë pika karakteristike fiziko-gjeografike dhe sociale në terren. Në procesin mjaft kompleks të definimit të kufirit politikanët ndihmohen nga «arkitektët e kufirit» (gjeografët, historianët, juristët) dhe «inxhinierët e kufirit» (hartografët, gjeodetët, gjeografët). Etapa e tretë është delimitimi, i cili paraqet një proces ligjor përmes të cilit dy shtete sovrane përshkruajnë në formë të shkruar pozitën e kufirit të tyre të përbashkët (vizatohet kufiri në hartat topografike me shkallë të madhe), kryesisht si rrjedhojë e vendimmarrjes në tryezën negociuese, e cila rezulton me një marrëveshje ose traktat të nënshkruar nga palët e interesuara. Në këtë fazë «inxhinierët e kufirit» luajnë rolin kryesor. Demarkimi është etapa e katërt; ky është një operacion i terrenit dhe çështje ekzakte nga njohuritë gjeografike, fizike dhe astronomike. Qëllimi i tij është të markojë pozitën e kufirit në terren (tokë) ashtu që i njëjti të jetë i dukshëm për të gjithë. Objektivi i demarkimit është vendosja e pikave fizike që përcaktojnë saktësisht kufirin e delimituar. Aty ku është e mundshme demarkimi me pika artificiale kufitare duhet të përmbajë piramida (shtylla) të vendosura drejtpërdrejt në vijën kufitare. Zakonisht formohet një komision i përbashkët i dy shteteve i cili ka për detyrë të tërheqë vijën kufitare në varësi të gjendjes reale (relievi, hidrografia, situata shoqërore-ekonomike) në hapësirën kufitare.

10.Gjatë procesit të demarkimit të kufirit, devijimi i vijës kufitare mund të bëhet jo më shumë se 150 m², nga njëra anë apo ana tjetër e kufirit (interesi i njërës palë për ndonjë burim të ujit, ndërsa nevoja e palës tjetër për qasje në një rrugë). Bëhet fjalë për shkëmbim: sa merr aq jep në mënyrë që sipërfaqja totale e entiteteve shtetërore të mbetet e njëjtë. Faza e fundit është administrimi i kufirit në gjithë zonën kufitare (kontrolli gjatë kalimit të njerëzve dhe mallrave, kontrolli i sigurisë, përfshirë kontrabandën, rrugët e mjetet e tjera të trafikut dhe të komunikacionit, i përdorimit të ujit, i tokës bujqësore dhe i pasurive të tjera).

11.Për shkak të ndryshimeve në marrëdhëniet ndërkombëtare kufijtë variojnë historikisht në varësi të procesit të themelemit, të ndërtimit apo të dekompozimit të shteteve. Kufijtë ishin dhe mbetën në korelacion të ngushtë me praktikat e delimitimit dhe demarkimit të subjekteve shtetërore-juridike. Territori i përcaktuar juridikisht dhe fizikisht, me popullsi dhe pushtet efektiv mund të paraqesë faktor me rëndësi të dorës së parë për shtetin dhe ekzistencën e tij. Ngjitja e shtetit në skenën botërore është çështje e fakteve që nuk sjell automatikisht edhe pranimin e tij. Në praktikat bashkëkohore njihen rastet kur shtete të caktuara pranohen për arsye të ndryshme, por çështja e kufijve të tyre mbetet edhe shumë kohë pa u zgjidhur. Ndarja kufitare vjen në rend të ditës vetëm atëherë kur përcaktohet prania e ndonjë titullari juridik.

12.Në Ballkan dhe në territorin etnik shqiptar sot janë dy nyje neuralgjike gjeopolitike dhe gjeostrategjike, Lugina e Preshevës me shumicë shqiptare dhe Veriu i Kosovës me shumicë serbe. Lugina shtrihet në pjesën qendrore të Ballkanit dhe paraqet një territor-korridor që lidh Luginën e Moravës në veri me Luginën e Vardarit në jug, duke mundësuar komunikim më të lehtë dhe më të shpejtë të Evropës së Mesme me atë Jugore dhe më tutje. Nëpër të kalojnë paralelisht rruga automobilistike (autostrada) dhe hekurudha me rëndësi ndërkombëtare, të cilat e përbëjnë të ashtuquajturin Korridorin X, si një nga linjat më të rëndësishme të komunikacionit dhe transportit në Evropën JL. Përgjatë rrafshit të Moravicës, midis hekurudhës dhe autostradës, është toka pjellore e klasit të parë dhe livadhet produktive.

13.Veriu i Kosovës shquhet me pasuri të mëdha minerale dhe ujore, pa të cilat Kosova nuk mund të ekzistojë. Pjesa veriore e Kosovës ka një sipërfaqe prej 1.002 km2 (komunat Leposaviq 539,05 km2 , Zubin Potok 334.38 km2, Zveçan 123,01 km2 dhe Mitrovicë Veriore 5,46 km2), me 174 vendbanime. Është e pasur me burime minerare të plumb-zingut (Bellobërdë, Koporiq dhe Zhuta Përlin, Cërnac, me rezerva të vlerësuara në rreth 6,4 milionë tonë më 1986, si dhe Shkritorja e Plumbit në Zveçan, Koncentruesi në Leposaviq). Nga resurset e tjera ekzistojnë lëndë gjeologjike ndërtimore (56 milionë tonë mergelë në Pali Vodenicë dhe Dren të Leposaviqit e gurë ndërtimi që shfrytëzohen kryesisht shkëmbinjtë magmatikë). Në anën tjetër, në territorin në mes të Kosovës dhe Serbisë, në lumin Ibër është ngritur akumulimi (diga) më i madh në vend, ai i Gazivodës (Ujmanit) me kapacitet prej 390 milionë metrash kub ujë dhe që është vital jo vetëm për popullsinë e pjesës veriore të Kosovës, por për sistemin energjetik e industrial në përgjithësi. Akumulimi është ngritur në vitet 1979-1984 dhe qëllimi i tij ishte furnizimi me ujë i popullsisë dhe ujitja e rreth 20.000 hektarëve tokë në fushën e Kosovës dhe të Drenicës. Termocentralet nuk mund të imagjinohen pa burime të sigurta ujore, sikundër edhe «Feronikeli». TC Kosova A ka një harxhim mujor të ujit prej 8 milionë metrash kub, ndërsa TC Kosova B rreth 9 milionë metra kub. Vetëm për prodhimin e një MWh të energjisë nevojiten rreth 6 metra kub (TC Kosova A) dhe 3 metra kub ujë (TC Kosova B). Sipas të dhënave, TC Kosova B që është kryesori për prodhim të energjisë, furnizohet vetëm nga hidrosistemi Ibër-Lepenc, uji i të cilit vjen nga akumulimi i Ujmanit. Sot nga Ujmani furnizohen me ujë 6 komuna dhe rreth 35% e popullsisë së Prishtinës.

14.Me pozitën e saj kontinentale me asnjë kusht Serbia nuk pajtohet të humbasë hekurudhën ndërkombëtare Beograd‒Shkup‒Selanik që kalon nëpër Bujanoc dhe Preshevë, autostradën Beograd‒Selanik, bazën ushtarake të sapondërtuar në Cepotin në jug të Bujanocit, si dhe territorin e komunës së Medvegjës. Për ata që nuk e njohin kontekstin dhe specifikën e gjeohapësirës së Luginës së Preshevës, pozitën e saj gjeopolitike dhe ekonomike, nëse nuk merret hekurudha dhe autostrada, çfarë kuptimi ka të bisedohet për këmbim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë. Shtrohet pyetja a mund të merret hekurudha e ndërtuar në sektorin e Luginës në vitin 1889? Përgjigja është negative, sepse për hekurudhën Serbia me aleatët e saj do të zhvillonte një luftë jo në përmasa ballkanike, por evropiane. Paralelisht me hekurudhën shkon autostrada moderne dhe Korridori X si avantazhe të mëdha për Serbinë dhe transportin e saj në Evropën JL.

15.Ideja e Serbisë për dalje në detin Egje daton nga pjesa e dytë e shek. XIX përmes ndërtimit të kanalit Moravë-Vardar, për çka shprehën interesim disa kompani të njohura të kohës (dy franceze, një gjermane, një angleze dhe një amerikane). Për shkak të terrenit të komplikuar (për rrugën lundruese duhej të ngrihej një sistem i tërë kaskadash e kanalesh për t’i eliminuar dallimet hipsometrike prej 491,6 m – pengesë e madhe është kërrusja midis Preshevës dhe Kumanovës), kostos së lartë financiare dhe ndërhyrjes së Rusisë për të qenë sa më shumë e pranishme në Ballkan, projekti dështoi. Por në kokat e serbëve të Serbisë së atëhershme ishte e ngulitur thellë aspirata për dalje në det, sikundër që dhe në Serbinë e sotme ende gjallojnë këto aspirata (për ndërtimin e kanalit Moravë-Vardar vetëm para disa viteve insistonte dhe presidenti i Serbisë Tomisllav Nikolliq, disa ministra të Qeverisë së Serbisë, ekspertë, analistë etj.). Ky projekt për të cilin një firmë kineze kohët e fundit ka përgatitur edhe studimin e fizibilitetit tashmë është bërë pjesë e dokumenteve planifikuese dhe strategjike në Serbi, çfarë është plani hapësinor dhe të ngjashme.

16.«Korrigjimi» apo «rirregullimi» i territorit midis Kosovës dhe Serbisë e kthen Kosovën në fund të viteve të 40-ta, kur me ligjet për ndarjen administrative-territoriale të viteve 1947-1950, në mbështetje të Kushtetutës së R. P. të Serbisë të 17 janarit 1947, Serbia 7 fshatra të Karadakut të Preshevës ia barti rrethit të Preshevës (Stanec, Maxhere, Depcë, Peçenë, Ranatoc, Caravajkë dhe Sefer), të cilat deri atëherë i takonin rrethit të Gjilanit. Po kështu veproi edhe me fshatrat Dobrosin e Konçul të cilat para se t’i bashkoheshin komunës së Bujanocit i kishin takuar Kosovës, sikundër dhe dy fshatrat e Malësisë së Bujanocit, Zarbinca dhe Priboci. Ka sa vite që Lutfi Haziri, sot kryetar i komunës së Gjilanit dhe nënkryetar i parë i LDK-së (më herët dhe funksionar i pushtetit qendror të Kosovës), ripërsërit kërkesën që këto 11 fshatra t’i kthehen Kosovës dhe me këtë të kthehet kufiri në vijën e vitit 1956 (sic!), gjë që është e pasaktë, sepse në këtë vit nuk ka pasur asnjë lëvizje të kufijve të jashtëm dhe të brendshëm të Kosovës, por vetëm në vitin 1959 dhe atë vetëm në veri të Kosovës, si dhe, siç theksuam, deri në vitin 1950 në lindje të saj! Si zë i vetmuar për «rishikimin» apo «rirregullimin» e kufirit Kosovë-Luginë, Haziri ose nuk e ka të qartë konceptimin hapësinor të Luginës, si shumëkush tjetër, ose pas këtij insistimi të tij qëndron ndonjë interes tjetër i brendshëm (brenda garës ndërpartiake dhe brendapartiake lufta për votat e shqiptarëve të Luginës, që kanë mbetur në komunën e Gjilanit nga konflikti i armatosur i vitit 2000) apo edhe ndonjë pazar përtej. E kemi dëgjuar sa e sa herë duke qenë aq konfuz sa shtrirjen e vendbanimeve të banuara nga shqiptarët këndej hekurudhës e ngatërron me ato andej hekurudhës. U kritikuan qëndrimet e Hazirit edhe nga ne të nënshkruarit, por kritika më të ashpra i drejtoi ish-Kryeministri H. Thaçi më 17 11. 2011 në Parlament tek sa bisedohej për buxhetin kur tha se «Kjo është më tepër se buxheti, ndarja e territorit të Kosovës dhe çdo ide e tillë është shumë e rrezikshme»! Por sot i pari i Kosovës po pajtohet me Hazirin për «korrigjimin» e kufijve dhe ndarjen e Kosovës, duke theksuar: «E çmoj përvojën politike të z. Haziri. Duhet ta dëgjoj me vëmendje dhe të ndërtoj opinionin tim» (24.07. 2018). Këtu gjen vend proverbi: «E ndoqëm lepurin, na doli ujku»!

17.Në fund të vitit 1959 Serbia bëri hapin tjetër në drejtim të organizimit më të qëndrueshëm dhe efikas territorial dhe administrativ, por që kishte për qëllim krijimin e një Kosove më heterogjene etniko-demografike. Më 26 nëntor 1959 Serbia ia «dhuroi» Kosovës 197 km2 të rrethit të Rashkës, me 45 vendbanime, që i shkuan qarkut të Zveçanit dhe në tërësi komunës së vogël, tashmë ekzistuese në Kosovë të Leposaviqit, me 26 fshatra më 3 prill 1952 me ç’rast u ndryshua pak përbërja nacionale e Kosovës. Leposaviqi si vendbanim dhe komunë e vogël pra gjithnjë ka qenë në Kosovë dhe kurrë nuk ka pasur këmbim midis Preshevës dhe Leposaviqit, siç flasin të painformuarit. Presheva me rrethinë deri në vitin 1912 ishte kaza e sanxhakut të Prishtinës brenda Vilajetit të Kosovës, pastaj deri më 1941 nën pushtetin serb, bashkë me Maqedoninë. Ndërsa gjatë LNÇ-së kishte bashkëpunim të ngushtë me celulat e PKJ-së për Maqedoninë (komunisti i spikatur Abdulla Krashnica nga Presheva ishte delegat në mbledhjen ku lindi qenia shtetërore maqedone, ASNOM-i, të mbajtur më 2 gusht 1944 në Manastirin Prohor Pçinjski në Serbi). Pas Luftës II, varësisht nga interesat politike dhe raporti i forcave midis Serbisë dhe Maqedonisë, Lugina mbeti nën Serbi dhe i takonte herë rrethit të Vranjës e herë të Leskovcit; fillimisht kur u suprimua rrethi i Preshevës një kohë kompetencat i mori rrethi i Bujanocit. Lugina e Preshevës dhe shqiptarët historikisht, por edhe sot e gjithë ditën mbetën të lidhur pashkëputshëm me Luginën e Kumanovës-Shkupit dhe shqiptarët e Maqedonisë në sferën familjare, ekonomike, arsimore etj. «Korrigjimi» mekanik i kufirit «i pret» këto lidhje dhe kontakte!

18.Shtatë fshatrat e përmendura të Karadakut të komunës së Preshevës kanë një territor prej gjithsej 31.2 km2, ndërsa katër fshatrat e Bujanocit kanë 53.8 km2. Një territor prej 85 km², përveç që nuk ka ndonjë rëndësi të posaçme për nga sipërfaqja, tanimë është buzë shpopullimit të plotë. Ndërsa sipas të dhënave të regjistrimit të vitit 2002 në shtatë vendbanimet e Karadakut të cilat po lakohen në kuadër të një «shkëmbimi» të mundshëm kanë jetuar 656 banorë, tashmë numri i tyre sillet vetëm në disa dhjetra. Në fshatin Sefer ka vetëm 2 shtëpi të banuara, në Stanec 5, në Peçenë asnjë, në Ranatoc 3, në Caravajkë 4, në Depcë 5 dhe në Maxhere 7. Moszhvillimi ekonomik e infrastrukturor dhe rritja e presionit të hapur ushtarak në zonën kufitare me Kosovën, ku shtrihen këto vendbanime, i ka detyruar banorët të shpërngulen në drejtim të Kosovës dhe vendbanimeve fushore të Luginës. Kullosat dhe pyjet të cilat nuk dallohen për masë drusore e cila do të rriste mundësitë e shfrytëzimit dhe përpunimit kanë bërë që popullsia të merret me blegtori ekstensive dhe prerjen e shitjen e drunjve si lëndë djegëse për ngrohje. «Erozioni» demografik në fund të viteve ‘80 dhe fillim të viteve ‘90 të shekullit të kaluar kishte marrë hov. Së bashku me izolimin komunikativ, mungesën e shërbimeve elementare dhe mungesën e infrastrukturës bazike detyroi familje të tëra të shpërnguleshin në Kosovë, Preshevë dhe gjetiu. Edhe fshatrat kufitare të komunës së Bujanocit (Dobrosini e Konçuli) janë përballur me shpërnguljet në drejtim të Kosovës. Vija kufitare e Kosovës me Serbinë ngastrën e fshatit Dobrosin e pret në mes, ndërsa distanca e madhe me vendbanimet e tjera të komunës së Bujanocit dhe vetë qendrën urbane i kanë orientuar banorët e fshatit që nevojat e veta t’i plotësojnë në qytetin e Gjilanit. Këto vitet e fundit pjesa dërmuese e banorëve të Dobrosinit janë ngulitur në Gjilan, ndërsa Zarbinca dhe Pribovci tashmë janë në prag të shuarjes së jetës.

19.Një skenar tjetër i «shkëmbimit» të territorit do të kishte si vijë ndarëse hekurudhën, që kap një sipërfaqe prej 398 km2 (pjesa shqiptare e Preshevës ka 207.6 km2, pjesa serbe 56.4 km², ndërsa pjesa shqiptare e Bujanocit ka 227 km2 dhe pjesa serbe 234 km2 ). Sipas këtij skenari Kosovës do t’i bashkohej një brez i tërë i fshatrave i cili shtrihet rrëzë shpateve lindore të Karadakut, nga fshati Miratoc e deri te fshati Lluçan (midis tyre janë Rahovica, Shoshaja, Corrotica, Rainca, Letovica, Nasalca, Osllara), si dhe  fshatrat e Malësisë së Bujanocit (Muhoc, Gjergjec, Çarr, Ramabuçë, Priboc, Zarbincë, Novosellë E., Suharnë), përfshirë këtu edhe Tërrnocin e Turinë. Nga përllogaritjet hartografike të sipërfaqes së Luginës në perëndim të hekurudhës del që kësaj pjese i takojnë 398 km2 me 48 vendbanime. Duke pasur parasysh që brenda kësaj tërësie të përllogaritur futen edhe disa fshatra etnikisht të pastra serbe si Llapardinca, Rakoci me Banjën, Sërpska Kuqa dhe Levosova, atëhere vija kufitare do të devijonte në drejtim të perëndimit për të përfshirë edhe këto fshatra në kuadër të «pjesës serbe». Në këtë «pjesë serbe» hyn edhe qyteti i Bujanocit, sot me shumicë shqiptare, që shtrihet krejtësisht buzë autostradës e cila shkon paralel me hekurudhën me një distancë midis tyre prej 400-500 metrash. Edhe nga ky skenar pala shqiptare do të rezultonte humbëse meqë më se gjysma e territorit do të mbetej jashtë realitetit të ri politiko-territorial, madje edhe më keq, sepse jashtë do të mbetej edhe një brez i tërë i fshatrave shqiptare që shtrihen rrëzë shpateve perëndimore të Rujanit përtej hekurudhës nga Somolica e deri në Strezoc (midis tyre janë Negoci, Bilaçi, Bushtrani, Lerani, Gerajt, Golimidolli dhe Bugarina), si dhe fshatrat e fushës së Moravicës (Bukuroca, Zhunica dhe Çukarka), gjithashtu përtej hekurudhës.

20.Serbia kurrë nuk do të pranojë që vija kufitare të shkojë deri në cep të hekurudhës, por vetëm disa kilometra larg saj. Nga qyteti i Preshevës deri në hekurudhë ka 4,5 km, ndërsa «rregullat» e lojës flasin se kufiri duhet të jetë së paku 3 km larg hekurudhës, në drejtim të qytetit dhe të disa vendbanimeve shqiptare që shtrihen në rripin e Karadakut nga Miratoca deri në Lluçan. Prandaj territori deri në këtë vijë përfshin një sipërfaqe prej rreth 300 km². Në këtë rast, meqenëse hekurudha shkon rrëzë Karadakut, territori i Luginës që do t’i «bashkohej» Kosovës, me vendbanimet e banuara me shqiptarë, do të mbetej gati pa tokë pjellore dhe pa livadhe, që shtrihen në rrafshin aluvional të Moravicës. Nëse hekurudha mbetet andej, atëherë në Serbi do të mbesin përgjithmonë 10 vendbanime shqiptare në shpatet e malit Rujan, përtej hekurudhës dhe tri fshatrat në fushën e Moravicës, përtej hekurudhës. Por nuk dihet nga do të mbetet qyteti i Preshevës?!

21.Tash e sa kohë Serbia po i hulumton të gjitha mundësitë e copëtimit të territorit të Luginës, qoftë përmes formimit të komunave të reja të vogla, qoftë përmes formave të tjera, që do ta shkatërronin tërësinë territoriale, si e vetmja formë e qëndrueshmërisë afatgjate të saj. Edhe nëse Kosova dhe Serbia nën trysni të faktorit ndërkombëtar pajtohen që një pjesë e Veriut të Kosovës, nën ombrellën e demarkimit apo të rishikimit të kufijve (kthyerja e 197 km2 të vitit 1959) t’i bashkëngjitej Serbisë, nuk duhet të preket territori i Luginës. Shkatërrimi i tërësisë së saj vërtet është dhe fundi i saj. Në anën tjetër, Lugina ruhet si tërësi vetëm nëse Kosova funksionon si shtet në tërë territorin e tij prej 10.905 km2; nga një Kosovë e fortë varet edhe pozita e shqiptarëve në Maqedoni. E kujtojmë copëtimin e Sanxhakut pas Luftës II Botërore, që çoi në mosekzistimin e tij, ndonëse ishte njësi në vete partiake-politike gjatë LNÇ-së (Oblasni komitet KPJ za Sandžak) dhe do të duhej të kishte një status të autonomisë territoriale-politike pas luftës, nëse jo si të Kosovës (Oblast), atëherë së paku një autonomi kulturore! Sanxhaku kishte 8.600 km2 dhe u nda midis Serbisë (4.600 km2) dhe Malit të Zi (4.000 km2) dhe nga viti 1945 deri më sot mezi zihet në gojë emri i tij!

22.Komuna e Medvegjës që lidhet me rajonin e Gallapit në Kosovë është çështje në vete dhe mund të mos jetë fare pjesë e pazareve Vuçiq-Rama-Thaçi; ka shkëputje territoriale me dy komunat e tjera, që e përbëjnë Luginën dhe në të është stërholluar aq shumë komponenti demografik shqiptar sa që vendbanimet e banuara me shqiptarë në një të ardhme të afërt do të mbesin vetëm nocione gjeografike; për pak vite atje do të shuhet jeta plotësisht. Në vitin 1890 shqiptarët jetonin në 30 fshatra, me 6.743 banorë, më 1900 8.859 dhe 1910 13.591 banorë, ndërsa pas Luftës II Botërore numri i tyre gjithnjë zvogëlohej: më 1961 në komunën e Medvegjës në 10 vendbanime jetonin 5.037 shqiptarë, më 1981 5.509, më 1991 3.832 dhe në vitin 2002 3.129, ndërsa sot ky numër ka rënë në disa qindra shqiptarë (Medvegja si seli komunale më 2002 kishte vetëm 203 shqiptarë). Në anën tjetër, as Lugina e as Veriu i Kosovës nuk janë njëetnike, sikurse as komuna e Medvegjës; ka një përzierje relativisht të madhe etnike në shumë vendbanime në të dy anët. Pjesa e mbetur e shqiptarëve në Luginë dhe në veri të Kosovës do të përfshihet në një proces intensiv të spastrimit etnik, me ç’rast do të përsëritet një Toplicë e re, një Masuricë, një Surdulicë, një Pustarekë, një Jabllanicë etj.! Por kjo do të ndodhë edhe me serbët në Luginë dhe në jug të lumit Ibër.

23.Serbia mund të jetë gati ta japë edhe qytetin e Preshevës ngase nuk ka më tepër se njëqind serbë sot, të shpërndarë gjithandej në qytet, dhe është e pazhvilluar industrialisht dhe pa resurse natyrore; është një koloni e vogël e serbëve, e përqendrueshme në Stacionin hekurudhor që do t’i takonte Serbisë. Mirëpo, Presheva nuk është e tërë Lugina. Lugina është territor shumë më i madh me sipërfaqe dhe popullatë. Çfarëdo që të jetë madhësia popullative-territoriale e pjesës së mbetur, ajo në pikëpamje biologjike-demografike dhe të emigrimit intensiv do të «shuhet» për pak vite. Vetëm si tërësi Lugina mund të qëndrojë, ashtu siç ka rezistuar Kosova si tërësi këto 100 vjetët e fundit përkundër represionit pushtetor, shpërnguljeve të dhunshme dhe presionit ekonomik. Vetëm si popullatë e madhe dhe territorialisht kompakte kanë rezistuar shqiptarët e Maqedonisë këto 100 vjetët e fundit. Elementi shqiptar në vendbanimet e Prespës dhe rrethinat e Manastirit tashmë është stërholluar aq shumë saqë për pak vite mund të mos ekzistojë!

24.Edhe nëse shkëmbehet Lugina, përfshirë hekurudhën dhe autostradën, me Veriun e Kosovës, në dukje si përfitim maksimal i shqiptarëve, duhet të peshohet mirë se edhe në këtë variant përsëri del fituese Serbia, sepse Veriu i Kosovës posedon pasuri të mëdha minerale dhe ujore dhe kjo duhet të jetë vija e kuqe. Edhe sa i përket madhësisë territoriale, Kosova është humbëse nga se hapësira mbi Ibrin ka një sipërfaqe prej 1.002 km², kurse Lugina me rripin shqiptar ka një sipërfaqe prej 434.6 km2. Edhe nëse do të merreshin hekurudha, autostrada dhe Korridori X, pason pyetja: a do të mund t’i menaxhonte Kosova këto sisteme të mëdha infrastrukturore në një gjatësi prej afër 30 kilometrave në raport me interesat vitale që i ka Serbia me Maqedoninë dhe Greqinë dhe veçanërisht me lidhjen emocionale për hekurudhën?!

25.I pari i shtetit tonë, pas shumë salto mortaleve në harkun kohor prej disa javësh apo disa ditësh, po kërkon edhe referendum që ta «marrë» Luginën e Preshevës, kërkesë konceptualisht krejt konfuze. Mund të kërkohet referendum për t’iu bashkangjitur dikujt, por jo për t’i marrë shtetit tjetër territor ndërkombëtarisht të pakontestueshëm. Një referendum i tillë, pas fait à complit politikës dhe pazareve politike të individëve dhe qarqeve të caktuara jashtë strukturave institucionale të Kosovës është tejet i rrezikshëm. Me Kushtetutën e Republikës sonë është i ndaluar edhe referendumi, edhe ndarja, edhe bashkimi me një vend tjetër. Ndarja dhe bashkimi janë të ndaluar edhe me vendimet e Grupit të Kontaktit dhe KS të OKB-së. Por «baballarët» e Kushtetutës së Kosovës po heshtin! Referendumi i Kosovës i ndërlidhur me copëtimin e Luginës nuk i duhet as njërës e as tjetrës. Po kërkohet diçka që është vetëm në interesin e Serbisë. Me këtë qasje ndaj kufijve, Kosova nga një problem ndërkombëtar po shndërrohet në një problem serb!

26.Pas kësaj mjegullnaje, një referendum i ri ndoshta i duhet popullatës së hutuar e të mashtruar shqiptare të Luginës që të sqarohet: dëshiron të mbetet në rezultatet e plebishitit të 1-2 marsit 1992 që Lugina në tërësinë e saj, me madhësi territoriale dhe demografike të tri komunave (1.250 km²), t’i bashkëngjitet Kosovës, apo e copëtuar, me «korrigjimin» e kufirit të bashkohet me Kosovën pa 2/3 e territorit dhe po aq të popullatës së saj, dhe natyrisht pa objektet grandioze infrastrukturore – hekurudhën dhe autostradën (Korridori X). Një referendum i domosdoshëm duhet ta organizojë Kosova me pyetjen: dëshiron ta japë Veriun e Kosovës, sikundër që edhe serbët e Kosovës në jug të Ibrit, që përbëjnë rreth 70% të numrit të tyre në Kosovë, duhet të pyeten a pajtohen që Veriu i Kosovës t’i bashkëngjitet Serbisë?

27.Plebishiti i shqiptarëve të Luginës ka një historik prej 26 vjetësh, por as që e zunë në gojë ndonjëherë Prishtina dhe Tirana zyrtare, përveç që dy qeveritë më 11 janar 2014 në Prizren morën vendim që t’i ndajnë nga 50.000 euro për objektin e maternitetit në Preshevë, sa para xhepi të një biznesmeni të mesëm (një cinizëm i llojit të vet)! Tirana ua dërgoi përmes institucioneve të Beogradit pas disa viteve, ndërsa ndihma e Prishtinës nuk arriti sot e gjithë ditën, sepse transferin e pengon Beogradi. Shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët në vitet e ’90 morën pjesë në ndihmat solidare dhe ishin pjesë aktive në luftën e Kosovës me regjimin serb (1998-1999), munden edhe pa këto 50.000 euro! Në vitin 2010 Qeveria Berisha ua akordoi serbëve të Graçanicës 400.000 euro, ndërsa shqiptarëve të Luginës «trashët e Sulës»! Edhe E. Rama pas promovimit të «Kurbanit» në Preshevë më 2012 dhe pas vitit 2014 si kryeministër, përveç retorikës boshe, nuk ofroi asnjë ndihmë për Luginën, madje as tekstet shkollore të premtuara. Të mos flasim për të gjitha Qeveritë e Kosovës (H. Thaçi dy mandate Kryeministër!). Serbia në veri të Kosovës këto dy dekadat e fundit ka investuar qindra miliona euro!

28.Prishtina zyrtare as në bisedimet e Vjenës 2005-2007, nga të cilat derivuan të gjitha proceset e mëvonshme, e as në ato të Brukselit në vitet 2013-2015 le që nuk kërkoj «bashkim» të Luginës me Kosovën, por nuk e kërkoi as reciprocitetin e të drejtave të shqiptarëve me të drejtat e serbëve të Kosovës. Shqiptarët e Luginës, të ikur pas konfliktit 2000-2001 nga frika e përndjekjes, ende kanë problem me dokumentacionin për leje qëndrimi dhe dokumente identifikimi (letërnjoftimet, pasaportat, shtetësia etj.) në Kosovë, duke filluar nga Gjilani, Prishtina, Fushë-Kosova etj., ku janë ngulitur në numër më të madh, ndërsa pushteti serb tashmë i ka fshirë nga regjistri civil dhe votues në Luginë. Të gjorët, «të eksportuar» nga Serbia dhe «të importuar» në Kosovë, siç po cilësohen nga disa «analistët politikë» në Kosovë, po përbuzen dhe mashtrohen nga tre «Hazirat» e Vjenës, të njohur si «Elefantët» e Vjenës (L. Haziri, H. Thaçi, N. Daci), secili për një interes krejtësisht personal! Përmes «korrigjimit» të kufirit këta tre sot po kërkojnë «bashkimin» e Luginës me Kosovën, më saktësisht ndarjen e Kosovës dhe copëtimin e Luginës, madje pa dhënë asgjë në veri të vendit. Ta marrësh Luginën e të mos japësh asgjë është në anën tjetër të arsyes dhe një hipokrizi e shekullit! (Vuçiqi do të thoshte: «malo morgen»!). Në Vjenë grupi negociator (2005-2007), i papërgatitur dhe inferior, ishte i madh, por asnjëri nuk e tha asnjë fjalë të vetme për shqiptarët e Luginës, madje as për t’i amortizuar privilegjet e serbëve, më të mëdhatë në botë si pakicë etnike. «Kaçaku» i vetmuar, Haziri ka 15 vjet që abuzon me ndjenjat e shqiptarëve të Luginës, ndërsa njëri nga «Elefantët» e Vjenës, atëherë kryetar i Parlamentit të Kosovës, sot shumë aktiv me retorikën krekosëse të mbështetjes të të parit të shtetit për qëllime karrieriste, është nga Lugina!

29.Kufijtë i dikton «i forti», në këtë rast Serbia me aleatët, ndërsa aleatët tanë sugjerojnë që të mos preken kufijtë. E arritura më e madhe këtë shekullin e fundit është çlirimi, pavarësia dhe ruajtja e integritetit territorial të Kosovës në kufijtë ekzistues, në madhësinë territoriale prej 10.905 km2. Gjymëtimi i territorit të Luginës është varianti më i keq i mundshëm, sikundër që është tragjike shkëputja Veriut të Kosovës, me resurse të mëdha minerale dhe ujore! «Korrigjim» i kufirit do të thotë «bashkimi» i copave të marrë nga Lugina me Kosovën. Pjesa e mbetur, më e madhja me territor (2/3), me popullatë dhe resurse, si dhe me objektet e mëdha infrastrukturore – hekurudhën dhe autostradën (Korridori X) do të mbeten në Serbi!

30.Me ndërrimin e madhësisë territoriale dhe formës së hartës së Kosovës, hapet mundësia për tërheqjen e njohjeve nga disa vende me të cilat Serbia ka raporte tradicionale të bashkëpunimit, si dhe për rihapjen çështjes së pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës. Rrjedhimisht, Kosova si shtet i pavarur, sovran dhe multietnik si projekt amerikan, i mbështetur nga BE-ja, vështirë se do të ekzistojë: do të shpërbehet! Ndoshta ky është qëllimi kryesor i arkitektëve të «korrigjimit» të kufirit në relacion Beograd-Tiranë-Prishtinë (Vuçiq-Rama-Thaçi), të mbështetur nga individë të huaj me ndikim politik dhe financiar dhe qarqe ndërkombëtare proserbe. Mund të jetë dhe një skenar tjetër ogurzi: nën parullën e «korrigjimit» të kufijve të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive dhe të shpallet një autonomi territoriale-politike për serbët në veri të Kosovës. Pas dështimit të «korrigjimit» të kufirit, «Shpëtimtari» do të dalë të thotë: u bë Asociacioni dhe «autonomia» e serbëve nën presion të faktorit ndërkombëtar, por e shpëtova copëtimin e Kosovës!

2 komente në ““Korrigjimi” i kufirit dhe “bashkimi” i Luginës së Preshevës me Kosovën – lojë e dëmshme dhe e rrezikshme”

  1. Lek Dragobia says:

    Njè punè e shkèlqyer ! Ja vlen jo vetèm tè lexohet nga çdo shqipètarè por, mbi tè gjitha shèrben si njè plan pune pèr qeveritè tona. Idetè janè tè qara, Thaqi dhe Rama duhet tè tregojnè njè kujdes tè jashtèzakonshèm pèr çèshtjen e kufirit qè èshtè mbarè shqipètare. Kosova èshtè ajo qè njeh perèndimi dhe pèr tè gjithè shqipètarèt qè banojnè jashtè tijè tè kèrkohen tè drejta tè barabarta me ato tè serbève nè veriun e Kosovès . Kjo èshtè linja patriotike, ajo qè duhet tè triumfojè !

    1. I.Hoti says:

      Shkrimi me duket sikur eshte shkruar nga ndonje serb i moderuar! nuk duan kombin as shqiperine .. shume e qarte kjo ,vec duhet durim per ta lexuar kete permbledhje dekumentash serbe.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje