Panucci piketon formacionin anti-Izrael, nuk mungojnë surprizat

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Pas disa ditësh përgatitje intensive, Kombëtarja shqiptare është tashmë gati për të pritur ndeshjen e parë të Ligës ë Kombeve, të cilën do ta luajë mbrëmjen e të premtes në “Elbasan Arena”, ndaj Izraelit.

Trajneri Christian Panucci ka preferuar ta zhvillojë stërvitjen e fundit larg syrit të kamerave, por Supersport ka mësuar se italiani po përgatit një formacion me jo pak surpriza, ndërsa synimi është triumfi ndaj izraelitëve.

Kështu në portë është thuajse i sigurt aktivizimi i Thomas Strakoshës, me numrin 1 të Lazios që duket se ka fituar balotazhin me Etrit Berishën dhe është gati të mbrojë katërkëndëshin e Shqipërisë në “Elbasan Arena”.

Në mbrojtje, Hysaj në të djathtë dhe Gjimshiti në qendër, janë siguritë e vetme të Panuccit, ndërsa Frederik Veseli duket favorit për të luajtur në krah të mbrojtësit të Atalantës, duke lënë në stol Mërgim Mavrajn, që vjen pas një periudhe të gjatë pa skuadër.

Në të majtë të mbrojtjes është rikthyer Ansi Agolli, por kapiteni duket se do ta nisë takimin nga stoli, pasi Panucci është bindur nga talenti 23-vjeçar i Malmos në Suedi, Egzon Binaku, i cili vjen për herë të parë në Kombëtaren Kuqezi.

Në mesfushë tekniku italian pritet t’i besojë eksperiencës së Xhakës, Bashës dhe Memushajt, të cilët dinë të ruajnë balancat, duke mbyllur hapësirat në prapavijë dhe duke ndihmuar në organizimin e sulmeve.

Sa i përket sulmit, surpriza e vetme mund të jetë ish sulmuesi i Skënderbeut, Enis Gavazaj, i cili mund ta nisë takimin si titullar në të majtë të sulmit, duke përfituar nga një gjendje jo optimale e Eros Grezdës, që vjen pas një dëmtimi të gjatë, shkruan “SS”.

Në të djathtë të këtij reparti do të luajë Jahmir Hyka, i cili gëzon një formë mjaft të mirë dhe ka bindur Panuccin se mund të jetë i vlefshëm me depërtimet e tij, ndërsa duelin shkodran për majën e sulmit duket se e ka fituar sulmuesi i Oostendes në Belgjikë, Sindrit Guri.

Ky është edhe rreshtimi të cilin Panucci e ka eksperimentuar më së shumti në seancat stërvitore, ndonëse deri në momentet e fundit, tekniku i kuqezinjve mund të vendosë të ndryshojë, pasi ka në stol të tjerë elementë, që mund t’i ofrojnë shumë siguri.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *