Kistet e gjirit: Kur duhet të kemi kujdes

8 Shtator 2018, 09:30Shëndeti TEMA

Kistet e gjirit janë formacione të vogla, zakonisht të mbushura me likide, që zhvillohen në brendësi të indit të gjirit. Këto formacione janë mjaft të zakonshme te gratë që janë në fazën e peri-menopauzës dhe ndonjëherë manifestohen në kombinim me mastopatinë fibroze.

Simptomat që shoqërojnë kistet e gjirit mund të përfshijnë ndjenjën e acarimit dhe dhembjes së gjirit, të cilat janë më të të theksuara në periudhën para menstruacioneve.

Normalisht, formacionet kistike të gjirit janë të natyrës beninje dhe nuk evoluojnë drejt natyrës malinje; megjithatë, prania e një ose më shumë formacioneve e bën të domosdoshëm monitorimin klinik.


Në përgjithësi, kistet e gjirit nuk kërkojnë trajtim, përveç rasteve kur simptomat dhe madhësia e tyre i krijojnë parehati pacientit. Në këto raste, është e nevojshme heqja e likideve që ndodhen në brendësi të formacioneve me anë të gjilpërave (një procedurë diagnostike dhe terapeutike në të njëjtën kohë); përndryshe, ndonëse rrallëherë, mund të kryhet heqja me kirurgji.

Shkaku

Shkaku i formimi të kisteve të gjirit ende nuk është plotësisht i njohur.

Janë më të zakonshme tek femrat midis moshës 30 dhe 50 vjeç, por mund të ndodhin edhe gjatë adoleshencës dhe pas menopauzës kur përdoren terapi zëvendësuese hormonale.

Ndryshimet në nivelet normale të hormoneve (si një tepricë e estrogjenit) dhe ndryshimet në indin e gjirit (krijimi i gjëndrave, fibrozave dhe dhjamosja) me moshën mund të luajnë një rol në zhvillimin e kisteve. Mundësia e formimit të tyre zvogëlohet ndjeshëm pas menopauzës.

Kistet priren të formohen në fund të kanalit lobular, që është në pikën ku lobulat bashkohen me kanalet galaktoforike (tubat e vegjël që sjellin qumështin e prodhuar nga gjëndrat e qumështit në thithë). Në veçanti, formimi i kisteve mund të lindë si pasojë e një zhvillimi jonormal të gjëndrave të gjirit dhe të stromës rrethuese. Këto situata, nëse çojnë në bllokimin e një segmenti të kanaleve nga epiteli hiperplasik, mund të shkaktojnë dilatimin dhe akumulimin e likideve.

Kistet e gjirit mund të shfaqen në formën e mastopatisë fibroze. Në këtë rast, simptomat si dhembja (mastodinia) dhe ndjenja e acarimit të gjirit janë më intensive në gjysmën e dytë të ciklit menstrual ose gjatë shtatzënisë. Edhe pse janë kryesisht një çrregullim femëror, kistet mund të zhvillohen edhe në gjinjtë e meshkujve.

Kistet e gjirit janë qeska të vogla ose dhomëza të mbushura me lëng, të rrethuara nga një kapsulë e jashtme, të cilat shpërndahen në indin e gjirit dhe me prekje duken si kokrra të vogla të lëvizshme.

Në gji mund të zhvillohen një ose më shumë formacione kistike. Në përgjithësi, ato formohen vetëm në një gji, por nuk përjashtohet krijimi te të dy, në të njëjtën kohë. Madhësia e kisteve të gjirit mund të ndryshojë nga disa milimetra (mikrokiste) në disa centimetra (makrokiste).

Në përgjithësi, mikrokistet nuk kanë simptoma, por mund të shihen me anë të ekzaminimeve mjekësore, si ekografia dhe mamografia.

Makrokistet e gjirit mund të dallohen edhe me anë të vetë-ekzaminimit të gjirit, dhe krijojnë ndjesinë se po prek një kokërr rrushi relativisht të butë. Ndërsa në ekzaminimin me ekografi këto masa si qeska të vogla kanë një pamje të rregullt, një formë të rrumbullakët, anë të lëmuara dhe uniformë.

Kistet e gjirit me dimensione të mëdha mund të shkaktojnë dhembje, ndjenjën e tensionit dhe deformim të profilit të natyrshëm të gjirit, kështu që ato mund të jenë shqetësuese për pacienten. Përveç kësaj, në disa raste nga thithat mund të dalin sekrecione me ngjyrë transparente ose në të verdhë të lehtë. Parehatia dhe presioni që ushtrohet në indin e gjirit mund të zbuten, duke e tharë kistin me gjilpërë.

Kiste të thjeshta dhe komplekse të gjirit

Diagnoza

Kistet e thjeshta nuk rrisin rrezikun e kancerit të gjirit. Megjithatë, prania e një ose më shumë formacioneve kistike mund ta bëjë më të komplikuar identifikimin e nodujve të rinj ose të ndryshimeve të tjera, të cilat mund të kenë nevojë për një vlerësim më të specializuar.

Prandaj, kur një kist i gjirit zbulohet me vetëekzaminim, këshillohet që të kryhet një kontroll mjekësor.

Kontrolli i drejtpërdrejtë me vëzhgim dhe prekje të gjirit (ekzaminimi senologjik) bën të mundur konstatimin e një kisti në gji, ndërsa ekografia e gjirit shërben për të vlerësuar praninë e lëngut dhe të përjashtojë pjesët e ngurta të kistit.

Me qëllim që të hulumtojë më tej natyrën e këtij formacioni, senologu mund të vazhdojë duke marrë përmbajtje nga formacioni (përmes gjilpërës). Kjo procedurë kryhet nën udhëzimet e ekografisë, duke futur një gjilpërë të hollë në formacionin e dyshuar dhe duke mbledhur materialin që përmban ajo, për ta shqyrtuar më pas.

Prania e lëngjeve transparente, në ngjyrë të verdhë ose të gjelbër, zakonisht tregon vetëm një kist në gjoks. Kur materiali i mbledhur përmban gjak, kjo tregon se ka papastërti të ngurta ose qeliza neoplasike dhe mbetet e pandryshuar pas tharjes me gjilpërë, atëherë materiali i mbledhur dërgohet në laborator për hetim citologjik.

Në rast se nuk ka lëng, atëherë është i nevojshëm ekzaminimi me mamografi ose ekzaminimi histologjik.

Trajtimi

Në shumicën e rasteve, kistet e gjirit janë beninj dhe nuk kërkojnë asnjë trajtim; pasi këto formacione mund të mbesin të pandryshueshme për shumë vite ose mund të largohen spontanisht. Megjithatë, ashtu si formacionet e tjera të gjirit, prania e një kisti nuk duhet të neglizhohet dhe kërkon një vëzhgim periodik përmes vetëekzaminimit dhe monitorimit me ekografi.

Për të lehtësuar dhembjet e përkohshme, mund të jetë i dobishëm përdorimi i reçipetave që ofrojnë një mbështetje të përshtatshme ose i qetësuesve kundër dhembjes, siç është paracetamoli. Kur kistet fillojnë të rrisin volumin dhe shkaktojnë ndjesi parehatie te pacientja, mund të rekomandohet një procedurë ambulatore (citologji me gjilpërë të hollë) për të drenazhuar lëngun e formacioneve, zvogëluar volumin në mënyrë që gjiri të jetë më pak i tendosur dhe të pakësojë dhembjen.

Shpesh, megjithatë, kistet e gjirit mund të formohen përsëri, në kohën që kapsula e jashtme mbetet dhe mund të mbledhë sërish lëngje. Prandaj, nëse formacioni reziston për dy ose tre cikle menstruale, ka tendencën të përsëritet pas heqjes së lëngut me gjilpërë ose rrit gradualisht madhësinë, është mirë të konsultoheni me mjekun për të vlerësuar nëse do të përdorni përsëri procedurën e tharrjes ose të konsideroni trajtimin farmakologjik (p.sh. kontraceptivët oral, danazol ose tamoxifen) për të reduktuar rishfaqjen e kisteve në gji. Gjithashtu ndërprerja e terapisë hormonale pas menopauzës mund të ndihmojë për të kufizuar çrregullimin.

Vetëm në raste të jashtëzakonshme, dmth kur simptomat janë veçanërisht të theksuara dhe formacioni zhvillohet në mënyrë jonormale ose përmban gjak, mund të sugjerohet heqja me kirurgji e kistit të gjirit.

 

Për më shumë informacion ose vizitë me mjekët tanë radiolog në Spitalin Amerikan kontaktoni në: 042 35 75 35 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje