ANALIZA: Ishte vërtet kaq afër zgjidhja për një ujdi të afërt Prishtinë-Beograd? Teatri politik e cinik për Kosovën vazhdon...

9 Shtator 2018, 22:27Bota TEMA

Nga Adelheid Feilcke

Për disa javë me radhë nuk ka pasur temë tjetër në Balkan: Serbia dhe Kosova janë pak para një ujdie! Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq po punojnë së bashku për një zgjidhje!

As shkëmbimi i territoreve nuk përjashtohet! Pika kulmore e këtij inskenimi të diskutuar në rajon e të orkestruar ndërkombëtarisht do të ishte fjalimi i presidentit Vuçiq para serbëve në Veriun e Kosovës. Whumë spekuluan, se ky udhëtim do të ishte udhërrëfyesi i ri: Pajtimi, normalizimi i marrëdhënieve dhe një bashkëjetesë paqësore, pranimi i Kosovës në OKB. Por asgjë nga këto!

Fundjavë zhgënjyese!

Pas javësh shpresash politike erdhi një fundjavë plot tensione politike me një fund zhgënjyes. Dialogu mes presidentit të Kosovës, Thaçi dhe atij serb, Vuçiq dështoi në Bruksel, sepse presidenti serb ndjehej i mashtruar nga kosovarët. Dhe fjalimi udhërrëfyes në Mitrovicën e Veriut ishte vetëm një përsëritje e pozicioneve të vjetra. Në vend të një rruge të re, kështu duket, Vuçiç zgjodhi rrugën e vjetër duke e çimentuar madje atë me fjalë të forta: Asnjë njohje të Kosovës, asnjë ndryshim kufijsh.

Çfarë ka ndodhur, që të gjitha pritshmëritë për një “deal” me gjasë mes dy presidentëve u shpërbënë kaq papritur? Ka ndodhur vërtet diçka, apo e gjitha kjo ishte një akt i ri në teatrin e njohur politik të Ballkanit? Sipas presidentit serb, duhet të ketë ndodhur diçka me peshë, sepse i ngarkuari i tij për Kosovën përdori të premten akuza të rënda: Kosovarët e kanë gënjyer dhe mashtruar Vuçiqin. Përse? Për këtë spekulohet shumë.

Ende shumë pika të ndjeshme mes Kosovës dhe Serbisë

Fakt është që presidenti i Kosovës ndryshe nga ai serb ndodhet nën presion të madh të brendshëm politik duke pasur reagime të forta si nga qeveria ashtu edhe opozita. Po ashtu dihet, se ka shumë pika të ndjeshme mes Kosovës dhe Serbisë që duhen sqaruar derisa të arrihet një zgjidhje. Kosova kërkon para së gjithash njohjen, ose jo bllokimin nga Serbia për pranimin në Kombet e Bashkuara. Serbia nga ana e saj para së gjithash kërkon ta zgjidhë problemin e Kosovës duke ruajtur fytyrën, me qëllim që të ecë përpara me anëtarësimin në BE. Deri këtu në rregull, por në mes të këtyre qëndrojnë shumë çështje të hapura: sidomos sqarimi i të drejtave të minoriteteve, mbrojtja e kishave dhe monumenteve të kulturës, përdorimi i burimeve, sidomos në veri të Kosovës, e shumë të tjera.

Por megjithatë, çfarë është i gjithë ky teatër? Si është e mundur, që dy presidentë njëherë tentojnë të gjejnë drejtpërdrejt një zgjidhje, dhe pas kësaj nuk rezistojnë me furtunën e parë që u del përballë për të vazhduar kursin e dialogut dhe kompromisit. Atë që e arritën me kaq sukses të dy kryeministrat e Greqisë dhe Maqedonisë, vazhdimi i kursit me gjithë erën e fortë në radhët e veta.

Për fat të keq të ngjallet dyshimi, se dëshira për një zgjidhje me ujdi përmes bisedimeve direkte nuk ishte aq e pjekur. Sepse problemi i përfolur i madh i së premtes në bisedimet e Brukselit, se Kosova nuk do ta lejonte vizitën e Vuçiqit në Gazivodë u mënjanua përmes presionit ndërkombëtar. Edhe frika e kosovarëve se Serbia me Veriun e Kosovës kërkon të krijojë një tip Republika Srpska do të mund të ishte sqaruar përmes negociatave të mirëmoderuara nga ndërkombëtarët.

Koha nuk pret

Po si mund të përgatitet popullsia për një zgjidhje, kur politikanët kryesorë nuk janë në gjendje të përfaqësojnë së bashku një koncept. Ose të paktën një rrugë të përbashkët? E gjitha mbetet një teatër politik cinik. Tani mbetet shpresa për një ndërmjetësim intensiv europian, si e kërkon e ngarkuara e BE-së, Federica Mogherini. Koha nuk pret, sepse vitin e ardhshëm janë zgjedhjet europiane dhe nuk është aq e lehtë e parashikueshme, se çfarë do të ndodhë pas kësaj. Forca rrezatuese e një BE-je ndërmjetësuese, që josh me anëtarësimin në BE ka kohë që është dobësuar.

Pasi sot Vuçiq foli jo vetëm për muaj, por për vite, madje dekada deri sa të arrihet një normalizim i marrëdhënieve, shtrohet pyetja, nëse vërtet tek ai e të tjerë ekziston shtysa për një zgjidhje finale e të afërt në kohë? Por dihet se pa përfshirjen e politikanëve kryesorë në të dyja vendet, veçanërisht Vuçiqin në Serbi, nuk do të ketë zgjidhje. Ne duhet të përgatitemi për momente të tjera dramatike, se një fund i lumtur i këtij teatri politik është ende shumë larg.(DW)

 

3 komente në “ANALIZA: Ishte vërtet kaq afër zgjidhja për një ujdi të afërt Prishtinë-Beograd? Teatri politik e cinik për Kosovën vazhdon…”

  1. Baliu says:

    Serbia e ka humbur ftyren duke bere gjenocid ne Kosove dhe jo vetem, si dhe duke i humbur te gjitha lufterat. Pse duhet kthyer Kosoven prap Serbise qe Serbia te pranoj te hyje ne BE, kur hyrja ne BE mandej e bene joqenesore qeshtjen e kufijve. Serbia po e ndjene se BE po i vardiset asaj, prandaj po qet kushte per “larje ftyre”. Madje Serbia po e ndjene edhe lekundjen e themeleve te BE-se, siq e permend pak a shum edhe autorja e shkrimit, prandaj duke luajtur me kohe sheh zgjidhje me porcione me te medha, sesa kthimin e Kosoves pjese-pjese. Serbia edhe ashtu eshte e rrethuar me shtete anetare te NATO-s, pse BE duhet ti vardiset asaj. BE ka obligime qe Kosoven ta pastroj nga kriminelat ne pushtet, ta ndihmoj zhvillimin ekonomik, ku te gjith qytetaret edhe shqiptar edhe serb etj., e shohin ardhmerine e sigurt ne Kosove, e jo ne shtetet perreth apo duke emigruar edhe me larg. Siq ka thene Migjeni ne tregimin e tij per at skamnorin qe ka provuar ta vare veten: Mire qe me shpetuat, por tash me jepni te ha. Deri tash qellimisht jan perkrahur kriminelat ne pushtet qe te mund te shantazhohen ne qdo rast, dhe te krijohet gjendja e deshtuar siq eshte, e per te thene nuk dini te mbani shtet, nuk ju duhet pavarsia, pra ma mire ashtu si ka qene dhe duke ia kthyer “ftyren” Serbise.

  2. Kapit Tupalla says:

    Sërbia nuk do zgjidhje përfundimtare, çfardoqoftë ajo!
    Ajo do të hyjë në BE por pa pranuar Kosovën si shtet, as në këto, as në kufijë tjerë. Serbia kërkoh kohë !!
    Në ndërkohë ushqehet me shpresë se BE do shpërbëhet (që nuk është larg mendsh) dhe që ShBA do vazhdoj me politikën Amerika e para, apo edhe me ndonjë destabilizim të ShBA-së nga brenda që do ta dobësonte në planin e jashtëm.
    Në këto kushte Serbia mund të arrijë shumë shpejt në Durrës, nëse shqiptarët nuk do forcohen në ndërkohë.

  3. Vedat Shehu says:

    Vetem hileqaret dhe mediokrit nuk e kuptojne, qe BE-ja bene nje politike .me arsyetim foshnjarak ndaj Kosoves, nepermjet Znj. Federica Mogherini; pak a shume keshtu: “Kur tunden gjdthet, fryne ere, kur s’tunden gjethet,s’fryne ere. Konkluzioni: era shkaktohet nga tundja e gjegbeve”. Me kete menyre arsyetimi Zonja aludon: Kosova duhet te degjoje Serbine nen drejtimin tim

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje