“BUONA LEK”, çfarë ishin ato dhe si përdoreshin në “dyqanet speciale” që u hapën në vitin 1950

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nga Kreshnik Kuçaj

Në historinë e saj, Shqipëria mund të mos ketë “shkëlqyer” në aspektin ekonomik megjithatë ekziston mundësia që të ketë qenë një vend pioner në aplikimin e një mekanizmi unik në llojin e tij, që më vonë do të gjente aplikim edhe në vende të tjera.

Për të mbledhur valutën e huaj dhe arin e metalin e çmuar që kishte në vend, por edhe për të vendosur një kontroll apo frenim në kërkesën e madhe që mund të kishte për atë pak sasi mallrash që për kohën do të konsideroheshin “mallra luksi”, gjatë periudhës së ekonomisë së centralizuar do të ekzistonin disa dyqane valute të emërtuar edhe si “dyqane speciale”.

Praktikën e këtyre dyqaneve në fakt e kishin aplikuar më herët vendet e Bashkimit Sovjetik por në to mund të blihej direkt me valutë të huaj e me metale të çmuara pasi nuk ishte emetuar ende një letër e posaçme e cila mund të përdorej për blerje, siç ndodhi në rastin e Shqipërisë.

Për blerjen e këtyre mallrave, në Shqipëri banka e shtetit emetoi një letër (bankënotë) të posaçme, të ngjashme me kartëmonedhat, të cilat do të emërtoheshin “Buona Lek” e do të ishin me ngjyra e vlera të ndryshme, por që ndryshe nga kartëmonedhat u mungonte një imazh qendror.

Praktikisht ato ishin bono apo kuponë këmbimi valutor që shkëmbeheshin me monedhat e huaja (kryesisht dollarë) apo metalet e çmuara e që përdoreshin edhe si autorizime për të tërhequr mallrat nga dyqanet e valutës.

Studiues të kësaj tematike janë të mendimit se Shqipëria është vend pioner në aplikimin e tyre; pra që i ka përdorur edhe para Bashkimit Sovjetik apo Kinës.

Këtë tezë e jep studiuesi Masaro Tomita në revistën “International Banknote Society Journal”, në njërin prej numrave të vitit 1998 ku evidenton faktin se këtë mekanizëm pas Shqipërisë e përdorën edhe vende të tjera, që aplikonin modelin e ekonomisë së centralizuar.

Për herë të parë “Buona Lek” janë emetuar në vitin 1950 për të vijuar më pas në vitet 1953, 1955, 1956 e 1965. “Buona lek” apo bono-lekët që u emetuan dhe u futën në qarkullim ishin të vlefshme për blerje vetëm në dyqanet e valutës. Kjo letër mbante firmën e drejtorit të bankës dhe të sekretarit të Thesarit dhe mund të përdorej vetëm për dyqanet e shkëmbimit në valutë, kundrejt kushteve favorizuese në blerje.

 

Krijimi i dyqaneve speciale në Shqipëri

Me 21 gusht të viti 1950 u miratua vendimi i qeverisë “Mbi krijimin e dyqaneve speciale” e bashkë me këtë vendim përcaktohej edhe fondi buxhetor i posaçëm. Dyqanet speciale ishin në fakt dyqanet e valutës e vendimi konsiderohej si “një masë për të forcuar sistemin monetar dhe për të shtuar fondin rezervë të valutës së bankës së shtetit shqiptar”. Po ashtu, me këtë vendim banka autorizohej që të blinte nga popullata monedha ari, platin, argjendi dhe gurë të çmuar.

Është vërtetë kurioze se pse Shqipëria vendi më i vogël i grupit të vendeve komuniste u bë pioner në krijimin e “Buona Lek”. Në këtë kohë u ndërmorën reforma radikale për të detyruar vendin që të futej në një proces transformimi nga një vend bujqësor në një vend industrial. Regjimi i ri komunist kishte një nevojë të dukshme për të importuar nga jashtë vendit thuajse çdo material bazik për industrializimin. Në mënyrë që të arrinte qëllimin, një centralizim dhe kontroll i kursit të këmbimit përmes certifikatave të këmbimit ishte i domosdoshme. Ashtu si me sektorët e tjera të ekonomisë duhej vendosur kontrolli edhe mbi luhatjet e monedhës së huaj” shkruhet ndër të tjera në artikullin e vitit 1998 në revistën “International Banknote Society Journal”.

Po ashtu, autori shkruan se printimet e këtyre bonove apo kuponëve janë bërë në Shqipëri ndërsa evidenton se pas Shqipërisë, certifikata të tilla (Tuzek) i printoi Çekosllovakia në vitin 1957, Polonia (Bon Towarowy) në 1960, Bashkimi Sovjetik (VPT) në 1965, Bullgaria (Korecom Bon) në 1968, Gjermania Lindore (Forum Check) në 1979, Kina në 1980, Koreja e Veriut në 1980 etj .

E sa i përket emertëses “Buona” ajo vjen nga italishtja e kjo përbën një pikëpyetje edhe për autorin e revistës së koleksionistëve, që shkruan se ndoshta “kjo emërtese u përzgjodh për shkak të afërsisë me fjalën “Bono” por edhe për shkak të dykuptimësisë “Buona= e mirë” dhe kuptimit “kupon”.

Zona e përdorimit të saj ishte e limitur vetëm brenda territorit shqiptar dhe nuk kishte të bënte me sasinë e parasë që ishte në qarkullim.

Në periudhën që ndërmori një lëvizje të tillë (viti 1950) Shqipëria kishte përmbyllur disa procese intensive të vendosjes së kontrollit mbi ekonominë e mbi qarkullimin monetar.

Vendosja e kontrollit mbi tregtinë, tatimi i jashtëzakonshëm, vulosja e parave, monopolizimi i tregtisë së arit dhe valutave të huaja, ndalimi i tregtimit e nxjerrjes së tyre jashtë nga individët etj. ishin shoqëruar nga masa që kishin sjellë ndër të tjera edhe konfiskimin e parave e të arit, por edhe frikë.

Nga njëra anë, sasia e monedhave të çmuara, arit apo e valutave të tjera që vijonte ende të ishte e fshehur nga popullata, nuk mund të shfaqej në zyrat e këmbimit valutor pa pasur një tërheqje të fortë. E për këtë qëllim, “joshja” do të ishte duke i kthyer pikat e këmbimit valutor në dyqane speciale në të cilat mund të bliheshin mallra që nuk gjendeshin në dyqane të tjera dhe me çmime më të favorshme. Kjo specifikohej edhe në ballinën e kuponit ku shkruhej “Me çmimet e veçanta të shkëmbimit në valutë”.

Nga ana tjetër, në kushtet e kërkesës së lartë për mallra që kishte në atë periudhë, nevojitej një lloj kontrolli, pasi sasia e këtyre “mallrave të luksit” ishte e limituar dhe jo çdokush mund të kishte akses në to.

E njëjta praktikë me bono të ngjashme u ndoq edhe për tregjet e tjera kryesisht për të kontrolluar qarkullimin e mallrave.

Bono lekët nisnin nga vlera 0.01 lekë deri në 1000 lekë. Kursi i këmbimit të monedhës së huaj në raport me lekun ishte i paracaktuar nga Ministria e Financave.

Veç mbledhjes së valutave apo metaleve të çmuara që kishte ruajtur popullata, kuponët këmbeheshin edhe nga ata që kishin ndonjë dërgesë parash nga jashtë e që regjimi i lejonte të kishin një marrëdhënie të tillë.

 

Hapat që i paraprinë “Buona Lekë”-ve

Ky mekanizëm unik i aplikuar nga Shqipëri gjatë periudhës së ekonomisë së centralizuar në fakt duket se i shërbente jo vetëm shtimit të rezervave valutore e të arit por gjithashtu mund të shënonte edhe mbylljen e një cikli të vendosjes së kontrollit të plotë mbi qarkullimin monetar të Shqipërisë. E ky cikël kishte nisur menjëherë pas përfundimit të Luftës, ku situata ekonomike dhe monetare ishte në kaos të plotë.

Në këto kushte, hapi i parë që u ndërmor ishte vendosja e kontrollit mbi paranë në qarkullim dhe ulja e inflacionit. Në një ekonomi të centralizuar, duhej vendosur edhe kontrolli mbi kursin e këmbimit për faktin se luhatjet e tij mund të sillnin luhatje edhe mbi ekonominë shqiptare. Çështja e kursit të këmbimit dhe ndikimi në ekonomi ka qenë një problematikë e shumë vendeve, edhe perëndimore, pas Luftës së Dytë Botërore e në fakt për këtë çështje edhe vendet e tjera që nuk kishin sistemin e ekonomisë së centralizuar por ekonominë e lirë kishin marrë masa të ndryshme për të amortizuar efektet negative.

Në rastin shqiptar, fillimisht u morën masa të shpejta përmes shtetëzimeve në të gjithë sektorët e ekonomisë. Menjëherë nis edhe procesi i vendosjes së kontrollit mbi paranë. Tatimi i Jashtëzakonshëm dhe vulosja e parave ishin dy masa me ndikim të drejtëpërdrejtë.

Vendosja e kontrollit mbi tregtinë

Periudha e pasluftës në Shqipëri do të ishte një periudhë më situatë emergjence. Tregtia ishte paralizuar. Bujqësia dhe blegtoria ishin dëmtuar ndërsa arka e qeverisë ishte bosh. Duheshin të merreshin masa të ngutshme për strehimin dhe sigurimin e ushqimit për mijëra persona të prekur nga Lufta,

Furnizimi i popullatës me artikujt e domosdoshëm të industrisë ushqimore , me veshmbathje dhe me prodhime bujqësore e blegtorale do të ishte një problem i mprehtë ekonomik. Në vitin 1945 do të ndërmerreshin ato që konsideroheshin si masa të ngutshme. Furnizmi i popullsisë me produktet bazë do të bëhej me anë të asistencës sociale, me anë të disa dyqaneve të shtetit që u celën me mallrat e konfiskuara dhe me anë të kooperativave të konsumit, por që sërish do të ishin të pamjaftueshme për të siguruar plotësimin e nevojave më të domosdoshme. Ndaj edhe një nga hapat e parë që do të ndërmerrej do të ishte vendosja e kontrollit shtetëror mbi tregtinë.

Në prill 1946 u vendos bllokimi dhe denoncimi i të gjithë artikujve industrialë të caktuar për tregti që zotëroheshin si nga tregtarët e mëdhenj ashtu edhe të vegjël. Në këtë mënyrë do të vendoseshin çmime unike të palëvizshme.

 

Në qershor të vitit 1946  do të vendosej sistemi shtetëror për blerjen grumbullimin dhe shitjen e drithit, masë kjo që u argumentua nga regjimi i ri si një lëvizje që u hoqi çdo mundësi tregtarëve privatë për të spekuluar me ushqimin e popullatës.

Për të siguruar shpërndarjen e rregullt të artikujve ushqimorë, në shtator 1946 u vendos sistemi  i triskëtimit. Sipas këtij sistemi punëtorëve që punonin në degët më të rëndësishme dhe në punët më të vështira u caktoheshin norma më të larta furnizimi në krahasim me punonjësit e tjerë. E gjithë tregtia e brendshme e jashtme kaloi në këtë mënyrë në duart e strukturave shtetërore.

Tatimi i Jashtëzakonshëm

Në dhjetor të vitit 1944 Ministria e Financave nxori udhëzimin e krijimit të tatimeve të jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës ndërsa në janar të 1945 u miratua edhe ligji i posaçëm që parashikonte një tatim progresiv për fitimin, që preku kryesisht tregtarët e të pasurit e asaj periudhe.

Barra e rëndë e tatimit sillte në fakt jo vetëm një burim për arkën e shtetit por edhe një pakësim të parasë që kishte në qarkullim. Në këtë periudhë, nuk mungojnë as përpjekjet për t’iu shmangur tatimit e në këtë rast, organet shtetërore ashpërsojnë jo vetëm bazën ligjore për këtë qëllim por edhe përpjekjet, duke arritur deri në likujdime e konfiskime. Procesi dy vjeçar do të hiqte nga duart e privatëve për t’i kaluar në ato shtetërore më shumë se 467 milionë franga ari.

 

Vendosja e kontrollit mbi paranë dhe arin

Veç shtetëzimit të Bankës Kombëtare, në fund të vitit 1944 u shpall ligji mbi ndalimin e eksportimit të metaleve të çmuara që ndalonte individët që të eksportonin arin, argjendin, platinin e gurëve e çmuar.

Kjo masë kishte si synim veç ndalimit të boshatisjes së tregut të arit e metaleve të çmuara, edhe  krijimin e rezervave të nevojshme për thesarin e shtetit.

Po ashtu, në vitin 1945 u miratua edhe urdhëresa që ndalonte tregtinë e arit ne tregun e brendshëm, një lëvizje që në fakt konsiderohet nga studiuesit e kohës si një hap vendimtar për vendosjen e monopolit shtetëror mbi valutën.

Në këtë mënyrë ari dhe metalet e tjeratë çmuara u grumbulluan në thesarin e shtetit në sasi të mëdha.

Por pavarësisht kësaj, sipas studiuesve të ekonomisë së asaj periudhe Veniamin Toçi dhe Iljaz Fishta, “ nuk ishin mbyllur ende të gjitha shtigjet e ndikimit të jashtëm në qarkullimin tonë monetar”.

Pushteti i asaj periudhe i druhej mundësisë që paraja që ishte në qarkullim jashtë territyorit të Shqipërisë mund të futej në kanalet e qarkullimit monetar  duke krijuar çregullime.

Me këtë argumentim, u ndalua eksportimi dhe importimi i bankënotave shqiptare dhe ndalimi e eksportimi i valutave të huaja nga persona privatë. Me 2 qershor të vitit 1945 doli urdhëresa e ministrisë së Financave që ngarkonte Bankën e Shtetit me të drejtën ekskluzive që të ushtronte të gjitha llojet e veprimeve valutore. Në këtë mënyrë, monopoli i bankës mbi arin, metalet e çmuara u plotësua edhe  me monopolin e saj mbi valutat. Gjithë  ky proces i vendosjes së monopolit e kontrollit u realizua brenda 7 muajve, dhjetor 1944-qershor 1945.

“Leksioni” i dinarit jugosllav me kursin e këmbimit dhe “fatura” 882 milionë lekë

Në këtë periudhë Shqipëria kishte si aleat kryesor Jugosllavinë. Studiuesit e ekonomisë së asaj periudhe Veniamin Toçi dhe Iljaz Fishta shkruajnë se:  “një ndër aktet e para në dëm të ekonomisë dhe financave shqiptare ishte zhvlerësimi artificial i frangut shqiptar në raport me dinarin, si pasojë e reformës së njësimit monetar që u krye në Jugosllavi nga 20-30 prilli i viti 1945…”

Si rrjedhim nga reforma monetare e Jugosllavisë frangu shqiptar u zhvlerësua me 50 %”. Në këtë mënyrë, ekonomia shqiptare po përballej edhe me vështirësi të tjera ekonomike, duke ndjerë edhe efektin negativ që mund të kalonte vendi si rrjedhojë e mospasjes nën kontroll të kursit të këmbimit.

Sipas studiuesve Mihal Ziu e Iljaz Fishta, “dëmet që iu shkaktuan Shqipërisë nga barazimi fiktiv i lekut me dinarin qenë të mëdha. Vetëm si pasojë e përpjestimit të këmbimit të lekut me dinarin në dëm të lekut ekonomia shqiptare humbi gjatë viteve 1947-1948 882 milionë lekë”.

 

Vulosja e parasë dhe pakësimi i saj në qarkullim

Në qershor të vitit 1945 do të dilte urdhëresa e posaçme mbi vulosjen e bankënotave dhe çek-monedhave të ish Bankës Kombëtare të Shqipërisë. Në bazë të kësaj urdhërese vuloseshin bankënotat prej 20 e 100 franga shqiptare si dhe çek-monedhat e emetuara nga Banka Kombëtare.

Vula që u përdor kishte trajtë drejtkëndëshi e përmbante në brendësi të saj n jë shqipnjë me yll dhe fjalët “Banka e Shtetit Shqiptar”. Nga vulosja, përjashtoheshin vetëm bankënotat me prerje nën 20 franga shqiptare.

Vulosja e parave do të kryhej brenda një kohë të shkurtër, 10 ditë, nga data 29 qershor deri më 8 korrik 1945. Kjo ishte kohëzgjatja e vulosjes së monedhës për të gjithë vendin.

Në bazë të urdhëresës, qendrat e këmbimit të monedhave u përfshinë në tri zona me afate të caktuara. Këmbimi i monedhave për këto rrethe u parashikua të kryhej nga data 4 deri 8 korrik.

Ndarja e mësipërme u jepte përparësi zonave kufitare për këmbimin e monedhave të vulosura. Për këto zona u parashikua që këmbimi të fillonte më përpara e të kryhej në një afat më të shkurtër.

Kjo kishte si synim që t’i priste rrugën hyrjes kontrabandë të  bankënotave nga jashtë. Në të njëjtën kohë ndarja në zona dhe krijimi i shumë qendrave për këmbimin  e bankënotave pati për qëllim që veprimi të kryhej sa më shpejt e pa pengesa të karakterit teknik e organizativ” shkruhet në studimin ekonomik të Fishtës dhe Toçit.

E në fakt, praktika e vulosjes nuk ishte ajo e vendosjes së parave para një vule por shkëmbimi i tyre me para të vulosura që kishin një kurs të ri. Vulosja e monedhave u bë në shtypshkronjën e Bankës së Shtetit dhe në 14 shtypshkronja të tjera të vendit që u mobilizuan për këtë çështje.

Më mbarimin e afatit të parashikuar, bankënotat dhe çek-monedhat që nuk do të paraqiteshin për vulosje konsideroheshin pa vlerë dhe për pasojë do të dilnin jashtë qarkullimit monetar.

Jashtë vulosjes mbeti më shumë prej 20 % të monedhës në qarkullim, e këtu bëhej fjalë edhe për bankënotat me prerje nën 20 franga shqiptare.

Veç efekteve që do të kishte kjo masë në goditjen e tregtarëve e atyre që konsideroheshin si armiq të regjimit të ri, pakësimi i sasisë së monedhës në qarkullim përmes sistemit të këmbimit me para të vulosura e me kurs të ri, sipas studiuesve, solli si ndikim të drejtëpërdrejtë zbutjen e inflacionit dhe stabilizoi pjesërisht gjendjen në tregun e vendit. Po kjo masë e parë, do të ishte vetëm një masë parapërgatitore për operacionin e dytë, që do të ishte edhe më i rreptë.

Operacioni i dytë, zëvëndësimi i parave të vjetra me para të reja

Pothuajse fiks një vit nga operacioni i parë monetar, regjimi komunist do të niste një operacion të dytë, që këtë herë do të ulte edhe më tej sasinë e parave në qarkullim; pakësim me më shumë se 5 herë të sasisë.

Me 11 korrik të 1946, Presidiumi i Kuvendit Popullor miratoi dekretligjin “mbi këmbimin e bankënotave e të çek-monedhave të emetuara nga ish Banka Kombëtare e Shqipërisë” dhe të vulosura nga Banka e Shtetit Shqiptar si dhe të çekmonedhave të emetuara nga po kjo bankë. Në këtë mënyrë, po hiqeshin nga qarkullimi edhe paratë e vulosura, por këtë herë në këmbim jepej kartëmonedha e re, me një kurs të ri.

Në bazë të ligjit, hiqeshin nga qarkullimi bankënotat prej 20 dhe 100 franga shqiptare që ishin vulosur , çek-monedhat prej 20, 10, 200, 500, 1000, 2000 dhe 5000 franga të emetuara nga ish Banka Kombëtare e Shqipërisë dhe të vulosura nga Banka e Shtetit Shqiptar, çek-monedhat prej 100, 200 dhe 500 franga të emetuara nga Banka e Shtetit Shqiptar mbi formularët e ish Bankës Kombëtare. Këto monedha zëvëndësoheshin me monedha të reja të Bankës së Shtetit Shqiptar me prerje 5, 20, 100 dhe 500 franga.

U parashikua që të mbeteshin në qarkullim përkohësisht bankënotat dhe monedhat metalike prej 5, 2, 1, 0.40, 0.20 dhe 0.10 franga shqiptare të emëtuara nga ish Banka Kombëtare. Monedhat e tjera metalike thyese e humbisnin vlerën ligjore të qarkullimit, pra u shpallën të pavlefshme e nuk mund të përdoreshin për blerje apo këmbime.

Me ligj u caktua që raporti i këmbimit të monedhave të vjetra me monedha të reja të ishte 5 franga shqiptare të vjetra baraz me 1 frang të ri. Me këtë raport vlerësoheshin edhe monedhat e tjera që nuk hiqeshin nga qarkullimi. Çmimet e mallrave, tarifat e shërbimeve, qiratë e ndërtesave, pagat e punës, debitë dhe kreditë etj. uleshin me të njëjtin raport.

“Depozita për vepra rindërtimi” dhe “anti-informaliteti” përmes triskës së sheqerit

Sasia e parave që lejohej të këmbente çdo familje ishte deri në 5 000 franga shqiptare. Këmbimi bëhej prej një pjestari të familjes për të gjithë familjen, duke paraqitur për vërtetim triskën e furnizimit me sheqer.  Kjo masë kishte për qëllim që të mënjanonte paraqitjen për këmbim për qëllime evazioni të më shumë se një pjesëtari të një familje.

Teprica mbi shumën e caktuar prej 5000 franga shqiptare, duhej të depozitohej në Bankën e Shtetit në llogarinë “Depozitë për vepra rindërtimi”

Këmbimi i monedhës së vjetër me monedhën e re u bë nga data 15 deri më 24 korrik 1946 në të njëjtën kohë në të gjithë vendin.

Ndëshkimi i shkelësve

Ata që shkelnin urdhëresën apo që tentonin të bënin manovrime për ta shmangur depozitimin e pavullnetshëm,  i konfiskoheshin paratë dhe nxirrej para gjykatës ushtarake.

Madje me 17 korrik do të kishte edhe një dënim me vdekje në Tiranë me akuzën e shpërndarjes së monedhës për këmbim te persona të tjerë. Ndërkohë, po në këtë ditë, 6 persona do të dënoheshin me burgim nga 2 deri në 30 vite me akuzën se po tentonin të shmangnin urdhëresën. Vendime të ngjashme u dhanë edhe në Shkodër, Durrës, Elbasan, Korçë, Vlorë etj.

Me këmbimin që u bë në raportin 5 franga = 1 frang,  sasia e monedhës në qarkullim pakësohej me 5 herë. Në të vërtetë me skemën që u ndoq, pakësimi i monedhës në qarkullim ishte edhe më i madh.

Në këtë “operacion” nuk u paraqitën për këmbim 9.5 milion franga që me kursin e ri të këmbimit ishin 1.9 milion. Më shumë se 11 milion franga ose 3.4 milion me kursin e ri kaloi si “Depozitë për Vepra Rindërtimi”. Kjo shumë përbënte ato që urdhëresa i cilësonte si “teprica” mbi 5000 franga që i këmbeheshin çdo kryefamiljari. Gjithsej mbetën jashtë qarkullimit 26.6 milion franga ose 5.3 milion me kursin e ri.

Nxjerrja e frangut nga qarkullimi

Ende pa u “mësuar” me vlerën e re të parave që kishin, një vit më vonë nga operacioni i dytë monetar, shqiptarët do të përballeshin sërish me një kërkesë për zëvëndësimin e parave që kishin.

Në vitin 1947 do të miratohej dekretligji që do të hiqte nga qarkullimi kartëmonedhat e quajtura Frang. Dekretligji i vitit 1947 parashikonte edhe emetimin e një emisioni të ri. Në këtë mënyrë, njësia bazë e monedhës në vend do të caktohej Leku e si rrjedhojë frangu nuk do të përdorej më. Raporti i ri i këmbimit që i përcaktuar në vitin 1947 do të ishte 1 frang i vitit 1945= me 9 lekë të vitit 1947.  Përmes kësaj lëvizje, në qarkullim do të mbeteshin vetëm kartëmonedhat Lek.

 

A mund të konsiderohet emetimi i “Buona Lek” si mbyllje e ciklit të kontrollit mbi ekonominë? 

Në vitin 1950, ekonomia kishte kaluar në kontroll të plotë dhe shumë pak kishte mbetur pa kaluar në filtrin e strukturave shtetërore. Në këtë kontekst, emetimi i “buona lek” nënkuptonte vendosjen e një filtri tjetër për atë pak monedhë të huaj që ishte jashtë kontrollit. Në këtë mënyrë jo vetëm sigurohej valutë e huaj por edhe mbahej nën kontroll luhatja që mund të sillte futja e tyre në një formë apo tjetër në treg. Por sfida e vetme në atë rast ishte që përmes mallrave të luksit (për kohën) që ishin në dyqanet e valutës, ky “filtër”të ishte më joshës sesa tregu i zi i valutës që mund të ekzistonte në vend.

Hapat e tjerë për mobilizimin e parasë së popullatës në ekonomi

Një element që duhet evidentuar është se në këtë periudhe ka një seri iniciativash ligjore që kanë si synim ndërtimin e institucioneve të financës por edhe mobilizimin në ekonomi të parave që kishte popullata.

Veç krijimit të arkave të kursimit, një iniciativë tjetër që u mor në këtë drejtim ishte edhe emetimi i huave shtetërore për zhvillimin e kulturës dhe ekonomisë ku popullata blinte obligacione qeveritare.

Në total u emetuan tre hua në vitet 1949, 1952, 1953 dhe një hua e katërt që bashkoi tre huatë e para. Obligacionet e huasë ishin prej 1000, 500, 100 dhe 50 lekë. Skema e zgjedhur për këto hua ishte një skemë sa fitimprurëse aq edhe motivuese për qytetarët.

Veç fitimeve vjetore prej 4 % që merrte secili që kishte blerë obligacione, kishte mundësinë e tërheqjes së menjëhershme të investimit dhe fitimit nëse rezultonte fitues në lotarinë që organizohej.

Referuar të dhënave zyrtare të asaj periudhe rezulton se falë mobilizimit, huatë e emetuara tejkaluan parashikimet e para duke u arkëtuar më shumë para sesa ishin planifikuar. Vetë autoritetet e asaj periudhe nuk e pranojnë zyrtarisht se paratë e arkëtuara nga këto hua i shërbenin financimit të deficitit buxhetor.

-Në ditët e sotme, këto bono të veçanta, edhe pse të rralla,  janë ende të qarkullim në tregun e koleksionizmit dhe paraqesin një vlerë të rëndësishme, si dëshmi e një etape të caktuar të historisë së ekonomisë së vendit. /scan/

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

4 komente në ““BUONA LEK”, çfarë ishin ato dhe si përdoreshin në “dyqanet speciale” që u hapën në vitin 1950”

  1. EMIGRANTI says:

    VLERA HISTORIKE

  2. shqip says:

    Te ben pershtypje fakti qe , edhe pse nje vit pas lufte , shihej serioziteti per te bere shtet . Si ne te gjitha sistemet dhe etapat e nje ekoomie , edhe ne Shqiperi pati luhatje . Por e pergjithshmja mbetet e pa ndryshuar . Nga 44 ne 90 shteti ishte serioz. Ndonje do me thote qe ; e pame fundin e hidhur . E drejte . Por atij sistemi nuk ju la kohe ristrukturimi si ne Greqine e sotme , apo kriza e Argjentines , etj . Nuk ju la sepse Saliu me Biberajn e kishin.me ngut . Duhej shkaterruar plotesisht baza ekonomike e financiare , ishte momenti i duhur . Ka 30 vjete qe vidhet , e prape nuk mbarojne pasurite qe la sistemi i E.H , ne tere kuptimin e tij . Armatim , magazina , fabrika , kooperativa , mallra eksporti , uzina qe perfunduan per skrap , para te thata qe ju dhane miqve e familjareve , me gjoja te denuar , te shpronesuar . Shtepi pushimesh , hekurudha , shkolla te bastisura , etj, etj , etj … Dhe me e bukura eshte se sa here ndrohen padronet
    ( qeverite ) , gjithnje do gjejne akoma mall e gje per te privatizuar e pervetsuar . Ndryshe nuk do ziheshin si qente .

  3. e verteta says:

    Shto qe rreth vitit 1964, ne mos gaboj keto buono lek iu kthyen perseri shtetit ne menyre “vullnetare”. Kam qene femije por me kujtohen fytyrat e merzitura te prinderve te mi te penduar qe nuk i shpenzuan bonot per gjerat qe i duheshin dhe qe u mungonin pa fund. Ngrinin supet dhe thoshin: :”S’kemi c’bejme. I ruajtem duke menduar se do na duhen me shume kur te rriten femijet dhe shih si ngelem me gisht ne goje”.

  4. "papa don't preach" says:

    Po mire more Kreshnik qe na i the te tera, po nje gje e harrove. Cilen? Kush i perballoi tere keto pune qe Fishta dhe Toci i kane tjetersuar ne nje liber apo studim? Kjo, nje gje e kollajte pasi informacioni ka pas qene kaq i gjere, detajuar, sistemuar etj., saqe Fishta dhe Toci vecse hamallek kane bere. Edhe nese kane sjelle dicka te re, e reja e tyre eshte “demokratike”. Kjo eshte edhe aresyeja pse Toci dhe Fishta nuk permendin emrat e armates madhe te punonjesve shembullore te Bankes Shtetit Shqiptar, qe, per shembull, edhe kur bilanci ditor i hyrje daljeve ne Banke nuk kuadronte me 10 qindarka, gjithcka fillonte nga e para, asnjeri nuk shkonte ne shtepi, derisa te gjendej mosrakordimi. Pse? Sepse ishin parate e POPULLIT, djersa dhe gjaku i POPULLIT, dhe jo te … . C’ te ndysh gojen.
    Jane emrat e njerezve te punes ato qe tregojne punen e tyre, te mire apo te keqe, dhe jo sistemi. Sepse sistemin e bejne njerezit. Kur sistemi i sherben shumices eshte i mire, po qe se i sherben pakices eshte jo i mire. Humanizmi ose njerzilleku, eshte e vetkuptimi i: Demokracia. Dhe jo dispencat me leksione metafizike, qe perjashtojne nga frika, zilia, hakmarrja, ose mendjengushtesia njeriun e puneve te medha, transformuese etj., etj., … . Mos harro Njeriun, Kreshnik. Sepse, neser do te harrojne edhe Ty me shoke. Dhe, do shqyesh syte !!!!???

Lini një Përgjigje te EMIGRANTI Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *