Hirshmëria e Mozartit

9 Shtator 2018, 11:17Kulturë TEMA

Nga Scott Burnham 

Njëlloj si Parisi, qyteti që dikur Hemingway e quajti “një banket i lëvizshëm” në kujtimet e tij me të njëjtin titull, Mozarti dhe muzika e tij mbeten me ju gjithandej ku shkoni, çfarëdo që ju bëni. Ai është i kudondodhur, emri i tij i është dhënë të ashtuquajturit “efekti Mozart”, një term që shërben tashmë si markë tregtare për fuqitë shëruese dhe stimuluese që lë në kujtesë për shumë njerëz muzika e tij. Një kirurg i Shkollës Mjekësore të Harvardit, njëkohësisht edhe muzikant, beson se Mozarti e kompozoi muzikën e tij ashtu siç ne e njohim sot atë, sepse kjo e bënte atë të ndihej më mirë. Nëse do të hysh në një dyqan me CD klasike, aty do të gjesh më shumë përzgjedhje nga muzika e Mozartit, sesa e çdo kompozitori tjetër. Nëse vendos të lexosh më shumë sesa më parë, do të gjesh mjaft libra për Mozartin sa me to të krijosh një biblotekë të vogël, çmimin ndër të cilët ndoshta mund ta fitonte botimi i vitit 2007 i Yale University Press, i veprës së Hermann Abert, W.A.Mozart, një arritje monumentale e biografive të shkruara mbi Mozartin, bazuar mbi veprën me të njëtin titull të Otto Jahn të vitit 1859.

“Kushdo që e ka dëgjuar dhe zbuluar sadopak Mozartin do të binte menjëherë në një lloj belbëzimi të ngazëllyer”, citohet të ketë thënë teologu gjerman Karl Barth, një adhurues i dëgjuar i Mozartit dhe autor I disa studimeve të holla dhe të thella mbi veprën e kompozitorit. Në të vërtetë, tingujt e muzikës së Mozartit i shtyjnë kritikët të bëjnë prononcime entuziaste mbi artin e tij, jo vetëm mbi perfeksionin e muzikës, por edhe përtej saj. Një skeptik i madh si George Bernard Shaw ka thënë se ajo e Mozartit është ndoshta “e vetmja muzikë e shkruar ndonjëherë që do të tingëllonte e përshtatshme për gojën e Zotit”. Donald Francis Tovey, na komunikon një imazh më afër Krishtit për Mozartin kur shprehet se: ”Mozart vdiq i ri, dhe ai nuk trajtoji asnjë problem të cilin edhe nuk e zgjidhi në mënyrë perfekte”. Afërsia e Mozartit me hyjnoren pretendohet nga këta autorë dhe të tjerë pa kurrfarë hezitimi apo sikletosjeje-ndërkohë që do të ishte e vështirë të imagjinohej të thuheshin të njëjtat gjëra për ndonjë kompozitor tjetër, përveç Bahut. Barth madje e ndjeu të nevojshme të bënte dallimin ndërmjet cilësive hyjnore të Mozartit me ato të Bahut.”Mundet që kur engjujt shkojnë të kryejnë detyrën e tyre për t’iu lutur Zotit, ata të luajnë muzikën e Bahut. Jam i sigurtë, megjithatë, se kur ata bëhen sëbashku si një familje (en famille) ata luajnë Mozartin, dhe atëherë Zoti ynë i dashur dëgjon me kënaqësi të veçantë”. Bahu në këtë mënyrë “është gjithmonë në punë”, por kur përfaqësuesit e hyjnores (ëngjëjt) nuk janë duke punuar, ata kthehen nga Mozarti, si nga tingujt e një muzike familjare dhe të hareshme.

Të tjerë, pa iu referuar drejtpërdrejt hyjnores, e kanë dëgjuar muzikën e Mozartit sikur ta ketë zanafillën dhe burimin nga një shpresë e lartësuar. Shuberti i besonte ditarit të tij mendimin se “Mozarti ofron perceptimet e një jete më të mirë dhe më të shndritshme”. Wagner fliste për Mozartin si për “një gjeni të muzikës së dritës dhe dashurisë”. Ferruccio Busoni, autori I disa faqeve me aforizma për Mozartin, me rastin e 150 vjetorit të ditëlindjes së tij (1906), e shpalli “ngazëllimin e dëlirë dhe të paqtë” si “tiparin mbizotërues” në muzikën e Mozartit. Përmbi përleshjet dhe poterën e kësaj bote qëndron muzika më e kthjellët, më me dritë, më e lumtur, dhe më e dashur e Mozartit. Siç e deklaron muzikologu Alfreid Einstein në fjalinë e fundit të biografisë së tij mbi Mozartin, “ai është tingull i pastër, i përshtatur dhe në përputhje me një kozmos të pa peshë, triumfues mbi gjithë kaosin e kësaj toke”

Pastërtia zanore e vlerësuar nga Einstein tek Mozarti, bëhet “Vetë Muzika” në optikën e Karl Barth. “A nuk mundet që “tingulli themelor karakteristik” në muzikën e hershme dhe të vonët të Mozartit-e pakonfondueshme me muzikën e askujt tjetër-, të jetë në të vërtetë tingulli absolutisht më i parë I vetë muzikës, i çdo lloj muzike? A nuk mund të jetë se ai e zbuloi dhe i ra këtij tingulli në formën e tij të vlefshme dhe të pakohë?” Me këto mendime ne tashmë jemi ngjitur tek Mozarti Platonik, ideali I përsosur nga i cili shkëputen dhe krijohen të gjitha realitetet muzikore të mundshme.Paul Henry Lang e përkthen këtë tipar dallues të superioritetit të parivalizuar të muzikës së Mozartit në gjuhën e objektivitetit estetik:

“Mozarti është gjeniu muziko-dramatik më i madh i të gjitha kohërave.Ky pozicion unik i detyrohet një temperamenti që i përqaset gjithçkaje, çdo situate, dhe çdo qënieje njerëzore me objektivitet absolut… çdo situatë dhe çdo individ i dukej atij si muzikë, i gjithë koncepsioni i tij ishte thjesht dhe pastërtisht estetik, dhe muzika ishte gjuha e tij. Ai ruajti virtytet e vjetra të mëdha të muzikës italiane, të cilat, në gjenialitetin e tij universal, u bashkuan me transcendentalizmin gjerman, duke mishëruar planet, dëshirat, dhe shpresat e një fundshekulli “

Çfarë i mungon përmbledhjes së ekzaltuar të Lang mbi faktet e muzikës së Mozartit? Tek kjo përmbledhje ne gjejmë Mozartin objektiv dhe universal, një perëndi estetike në mënyrën sesi trajton pa pasione dhe paragjykime të gjitha gjërat njerëzore, duke farkëtuar lidhjen ndërmjet muzikës perëndimore të shkuar më atë të ardhme. Barthi nga ana e tij parashtron qëndrimin për një Mozart të ngjashëm me Perëndinë, i cili mban jetën dhe vdekjen, tokën dhe qiellën “përherë të pranishme para syve të tij, në dëgjesën e tij, dhe në zemrën e tij” . Barthi vazhdon “I dijshëm për gjithçka, Mozarti e krijon muzikën nga një qendër misterioze, duke i njohur dhe në këtë mënyrë pa i tejkaluar kufijtë që ka në të djathtë dhe në të majtë, sipër dhe poshtë tij. Ai ruan moderacionin”.Temat e mëdha të Barth-it në lidhje me muzikën e Mozartit janë Loja dhe Liria; njëlloj sikur kompozitori ta kishte vendosur veten në qendrën e qetë të vetë universit njerëzor, duke përkthyer në muzikë me tw njwjtwn lehtwsi sikur tw luante paradën gjithfarësojshe të njerëzimit që i vjen atij rrotull”

Kudo që dikush ta vendosë Mozartin në kozmografinë e përsosmërisë njerëzore, një gjë mbetet e qartë dhe absolute, ne jo vetëm mrekullohemi me mjeshtërinë e tij të pagabueshme, por kemi edhe besim absolut mbi gjykimin muzikor të Mozartit, si te gjykimi i askujt tjetër.

Përktheu nga anglishtja Elvis Zaimi

2 komente në “Hirshmëria e Mozartit”

  1. Baliu says:

    Po u dashka edhe Moikom Zeqo ta shkruaj nje ese per Mocartin me titull: Ah Mocarti!

  2. toma says:

    Per buken e gojes vdiq ky kollos,per nje pjate supe kompozonte.Tani te gjithe e duan dhe askush nuk flet qe muzika e tij pasqyronte gjendjen e mjeruar ekonomike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje