Nacionalizmi i vonuar dhe retorika e asgjësë

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nga Ilir Yzeiri

Po të vëresh se çfarë ndodh në Shqipëri e në Kosovë, e kupton shumë shpejt se hapësira e shqiptarëve është vendi që prodhon më së shumti retorikë për asgjë dhe paradokse pa fund.

Të duket sikur jeton në një vend ku nuk qeverisin institucionet, por këngët e majekrahit, rapsodët dhe lahutarët.

Ngjarja më spektakolare dhe, natyrisht, më e rëndësishmja është vizita e presidentit serb Vuçiç në Kosovë.

Paradoksi më i madh është se kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, qëndroi në burg në Francë sipas një mandati arresti të lëshuar nga qeveria që drejtonte presidenti i sotëm Vuçiç.

Sipas këtij mandat arresti, kryeministri i sotëm i Kosovës ishte shpallur prej serbëve si i dyshuar për krime kundër serbëve.

Ndërkaq, paradoksi tragjik është fakti tjetër që Vuçiç, në atë kohë, për të cilën akuzohet Haradinaj, ishte zëdhënësi i Milosheviçit, funksionar i lartë i Partisë radikale serbe dhe, në mos ligjërisht, të paktën moralisht, është i dënuar dhe i akuzuar për krimet monstruoze të serbëve  jo vetëm mbi shqiptarët e Kosovës, por edhe mbi boshnjakët dhe etnitë e tjera që u bënë shënjestër e luftës shfarosëse të serbëve në republikat e ish-Jugosllavisë.

Haradinaj dhe luftëtarë të tjerë të ushtrisë së dikurshme të Kosovës, jo vetëm që nuk mund të shkelin në Serbi, apo në krahinat shqiptare të Preshevës e më gjerë, por, ata, për administratën e Vuçiçit, janë kriminelë lufte dhe me mandat arresti.

Personalisht mendoj që bisedimi dhe ulja në tryezë mes serbëve e shqiptarëve është zgjidhja më e mirë dhe dënimi i merituar. Shqiptarët e serbët janë të dënuar me dialog. Por, për këtë fazë, për fat të keq, ne, shqiptarët, jemi të pa përgatitur, jemi amatorë, folklorikë, idiotë dhe arrogantë.

Hashim Thaçi është përgjegjësi kryesor për këtë gjendje të krijuar. Jo pse ai ka pranuar dialogun si mjet për të zgjidhur ngërçin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë, por sepse ai i ka injoruar të gjitha institucionet brenda vendit të tij dhe e ka marrë i vetëm flamurin e babait të kombit, duke ndërmarrë veprime që na nxjerrin të gjithëve ne, shqiptarëve, mediokër, folklorikë dhe të paaftë për të fituar betejat në tavolinë.

Thaçi duhet ta kishte vënë si kusht të pakthyeshëm që platformën për çështjet e mbetura pezull dhe negociatat për bisedime me Serbinë, t’ia kishte deleguar qysh në fillim një komision të posaçëm të gjithëpranuar nga Kuvendi i Kosovës dhe nga aktorët e hapësirës mbarëshqiptare.

Sot është e papranueshme që çështjet nevralgjike, ato që kanë ushqyer historinë tragjike të shqiptarëve, të zgjidhen me metoda konspirative, duke përhapur opinione se kështu apo ashtu mendon Amerika, se kështu ka vendosur Trump apo idotësira të tjera.

Miqtë të duan edhe kur ti je i zoti të thuash « JO ». Në asnjë rast nuk të përfillin kur ti sillesh si bashkëbisedues i dorës së dytë dhe jo i barabartë me partnerin. Kushtet në këtë marrëveshje historike duhet t’i vendosin shqiptarët dhe jo serbët.

Por, ato kushte vendosen kur në bisedë ulen shqiptarë të mençur, vizionarë që janë përgatitur qysh më parë se çfarë do të lëshojnë dhe çfarë do të arrijnë. Këto marrëveshje historike i përgatisin më parë eskpertët, profesionistët dhe diplomatët, pastaj vendosin politikanët. Nuk e kuptoj ngutin e Hashimit për të marrë rolin e aktorit protagonist apo të yllit mediatik, pa ngritur më parë institucionet e tryezës. Serbët kanë shekuj që kanë përdorur ndaj shqiptarëve jo vetëm gjuhën e urrejtjes, por edhe plumbat, shfarosjen në masë.

Gjithë kjo tragjedi nuk mund të kthehet brenda një natë në një dashuri banale dhe, dashnorët e pajtimit dhe të dialogut, apo të lëshimeve territoriale, duhet ta dinë se në mes janë edhe ndjeshmëritë e ngritura si mure për shkak vetëm dhe vetëm për shkak të racizmit, shovinizmit dhe krimit serb. Kështu që nata e dashurisë nuk kishte pse të vinte kaq shpejt dhe në mënyrë qesharake.

Është e vërtetë se gjermanët dhe francezët e kanë ndarë kufirin e tyre me miliona jetë të humbura dhe me shumë gjak dhe sot ai kufi nuk ekziston, por këto vende kanë prodhuar shumë sukses, shumë mirëqënie dhe, pa mohuar në asnjë rast të shkuarën e tyre, i kanë pranuar përgjegjësitë, fajet dhe krimet dhe, në emër të së ardhmes, janë angazhuar që ato krime të mos përsëriten kurrë.

Si mund të besojnë shqiptarët se HashimThaçi me takime konspirative dhe me ide të paqarta, ka marrë përsipër të përmbyë marrëdhëniet e shqiptarëve me serbët dhe, në vend të lumenjve të gjakut, të ndërtojë liqenet e dashurisë ?!

Vizita e sotme e Vuçiçit ishte e nxituar, provikative dhe nuk i shërben aspak zgjidhjes së ngërçit mes shqiptarëve dhe serbëve. Serbët nuk e gëllitëtn dot deklaratën e Ramës në Beograd për Kosovën dhe po ky Vuçiç që sot bën dashuri me Thaçin, e quajti provokim atë deklaratë.

E harruat se çfarë ndodhi në stadiumin e Beogradit me futbollistët e kombëtares shqiptare ? Sot në Beograd arrestohen shqiptarë të Kosovës, mjekë apo civilë të tjerë edhe me pushtet, vetëm se Serbia ka ende statusin e shtetit që Kosovën e quan pjesë të saj dhe ata që u ngritën në luftë për t’u shkëputur nga kjo zgjedhë, të mëbshtetur edhe nga aleanca më e madhe perëndimore, i quan kriminelë.

Me këtë status hyn Hashim Thaçi në bisedime me serbët ? Ndaj kosovarët kanë të drejtë që e presin me urrejtje dhe me protesta Vuçiçin në Kosovë. Vizita e tij është provokuese, cinike, e shpëlarë dhe pa asnjë mesazh.

Në vend të epilogut

Kjo shfaqje karnevaleske e shtetarëve të Kosovës u përmbyll me nja paraqitje tjetër të shëmtuar. E kam çmuar Albin Kurtin si politikan, madje, në një bisedë edhe me poetin e studiusein e dalluar, mikun tim, prof. Agim Vinca, e kam sqaruar se e vlerësoj atë si politikan me të ardhme.

Mirëpo, gjesti i djeshëm për të faktorizuar njeriun dhe politikanin me të pavlerë dhe armikun e çështjes shqiptare, Sali Berishën, është një veprim i dëshpëruar që bën Albin Kurtin njësoj si kolegët e tij mediokër të Kosovës.

Ndërkaq, u  lehtësova kur Albini nuk takoi edhe Bujar Nishanin si ish-president për ta solidarizuar me nismën e tij, dhe thashë se, të paktën, na e kurseu shfaqjen komike të vizitës së tij. E paska marrë vesh, thashë me vete, që Bujari tani komenton sjelljet e Panuçit si trajner dhe nuk ka kohë për politikë të madhe.

(Shkruar posaçërisht për gazetën TemA)

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

8 komente në “Nacionalizmi i vonuar dhe retorika e asgjësë”

  1. Alban I says:

    Me ne fund kuptova se djaloshi flokethinjur, por me zemer te stervitur nga Liqeni artificial I Tiranes, Ilir Yzeiri, zoteron nje mendje te kthjellet dhe produktive. Me vjen mire qe e ka kuptuar gabimin fatal mbi vleresimin e ekstremistit ngaterrestar Albin Kurti, qe ka 25 vjet qe ben rremuje ne mjedisin politik Kosovar. Une kam vene re se shume here “aksionet” e tij ekstremiste jane puqur me qendrimet e qeverise se Serbise. Nuk thone kot se ekstremet e majta dhe te djathta puqen. Takimi me Sali Berishovicin besoj se do ta nxjerre perfundimisht kete provokato jashte politikes…

  2. Spartak VERDHA says:

    E mre Hashim Thaçi .
    A e shef kush është Vuçiçi ?
    Jam i bindur , se duhet ta dije mirë , që kur kape pushkën për liri , që kur u çlirua Kosova me ndihmën e NATO-s , e shyqyr , veçanërisht me këmbënguljen e Amerikës dhe Bill Klintonit , se kush janë serbët dhe politikat e metodat tyre . Mos të rrej mendja o Hashim Thaçi, se Vuçiçi do ndryshojë dhe do dali nga natyra e vet tradicionale e kahershme , që ka qenë dhe është edhe natyra nacional-shoviniste e tij dhe e gjithë klasës politike serbomadhe , që prej shekujsh e pa ndryshuar asnjë grime e për asnjë moment .
    Po si more Hashim , se dij ku i gjete këto mend e këtë shkollë për të drejtën me bo pazare , duke i dhënë Serbisë , toka e troje den baba den shqiptare , në këmbim , po të trojeve shqiptare .
    Duhet ta dijsh mirë , ose shko e mësoje , se shqiptarët , jo ma larg se 140-150 vjet ma parë , Nishin e kishin qendër të tyre të rëndësishme , njëlloj si Shkupin , Prizrenin , etj.
    Vetëm 1 .
    Duhet ta dijsh , se fshati Llugaxhijë , në zemër të Kosovës , është i gjithi me fshatarë nga Reçica e rrethinave të Nishit , madje mbi gjysma e banorëve mban mbiemrin Reçica , e janë shpërngul me dhunë e genocide , prej trojeve të tyre , jo ma shumë se 100 vjet ma parë .
    Ç’farë loje po don me bo , apo , po ta bojnë e po ta fusin të tjerët . Po i njeh Serbisë kufi në Mitrovicë , sepse ka pru ca serb aty , sikurse kudo , nëpër Ballkan në zbatim prej shekujsh të politikave të mbrapshta nacional-shoviniste e serbomëdha .
    Ja thyen hundët kroatët . Gjaku lumë shkoi në Bosnje e prap atje , konflikti është gati , veç pret shkrepsen Thaçi-Vuçiç . Gjak u bo Kosova , dhe përditë ulërasin serbët e kisha e saj , Kosova është Serbi , Kosova zemra jonë , Be-në e japim e Kosovën se lëshojmë . S’po lejnë rast pa demostru politikat e tyre konfliktuale e shoviniste nëpër ç’do cep ku ka një manastir , apo disa familje serbe , ashtu si edhe sot , ky kampion i paqes , si rrugaç , e asgjë më shumë ( hajde President Serbie hajde ) , donte pa leje , medoemos , rrugë pa rrugë ,me shku tek një familje serbe , e ku , në Drenicë , vetëm që provokimi të kapte majat .
    Sa më shpejt , mezi pritet shkrepsja Thaç-Vuçiç , me ndez konflikte në Maqedoni e Mal të Zi .
    A e kupton që je dalë mendsh fare .
    Ç’farë kujton ti , se me që u zgjodhe me marifete e llogarira president Kosove , mund të kesh të drejtë me bo pazare në emër të të gjithë popullit shqiptar dhe për trojet e tij .
    Ti shkon tek Mogherini , me bisedu për paqe me Vuçiçin , kur politika e shtetit serb dhe shtetarëve të saj , s’po lënë rast e ditë pa e luftu shtetin e ri dhe duke vepru pa pushim kundër popullit shqiptar dhe kundër shteteve të Kosovës , Shqipërisë , e madje edhe në Mal të Zi e Maqedoni , vetëm se jetojnë shqiptarët den baba den prej mijëra vitesh në autoktoninë e tyre . A nuk po i shef , se si i kombinojnë politikat konfliktuale e ngatërrestare Serbia e Rusia në të gjitha këto shtetet Ballkanike ku jetojnë shqiptarët , madje po prishen e po fusin hundët edhe në Greqi , vetëm për ta mbajtë Maqedoninë vatër konflikti dhe larg NATO-s e BE-së .
    Pse pa dijeninë e paqësorit Vuçiç , Predsident dhe komandant i forcave të armatosura të Serbisë , ulëriste sot Ministri Serb i Luftës , se është gati ?
    A nuk po e kupton se gjoja interesi për paqe me formate shkëmbime territoresh , krijon premise për ndezje e shtrirje konfliktesh të pa para e pa ndalshme në Ballkanin e kapërthyer prej qindra e qindra vitesh nga ngërthyerjet e mbivendosjet etnike .
    Rusisë , por edhe të tjerëve që kanë interesa shitje armësh nuk i bëhet vonë madje do rrinin indiferentë ndaj konflikteve etnike ballkanike .
    Politikën nacional shoviniste të serbëve për Serbinë e madhe , sidomos kundër dhe ndaj shqiptarëve , populli ynë e njeh mirë , sepse është ndeshur e ka luftuar prej shekujsh me to , është vrarë , gjakosur , plaçkitur , shpërngulur me dhunë e valë genocidesh të pashembullta , e prap ka qëndruar stoik .
    Si të rren mendja mor Hashim Thaçi , se Vuçiçi e politikanët serbë duan paqe . Je dëshmitar , se kur ti bisedoje për paqe , ata s’kanë lënë gjë pa bërë haptas e pas krahëve , kundra popullit shqiptar e kundra Kosovës . Sa e sa here , me dhe pa nxitjen e Rusisë kanë provokuar e anatemuar ushtrinë e NATO-s dhe forcat e armatosura e policinë e Kosovës . Kanë 20 vjet që ta mbajnë kufirin verior si gardh shtëpie , duke degjeneru ekonominë , e gjithçka . Me qindra manovra e provokacione antishqiptare në Mitrovicë e deri në kufi . Trenin , me ndihmën e Rusisë , desh me ta fut n’Kosovë , si provokacion , por edhe me të mat pulsin ty e NATO-s , mbasi ato s’heqin dorë për asnjë moment nga politikat armiqësore anti shqiptare .
    Ç’farë don mo mër Hashim ? A don Daçiçin që s’po i zen guzicja vend duke lobu e luftu kundra njohjeve të shtetit të Kosovës nga shtete të tjera e Organizmat Ndërkombëtare Botërore dhe Europiane .
    Hashim. Mos u gënje nga premtimet dhe fërkimi i kokës , që të bën Mogherin e disa të tjerë , se je burrë shteti , do cilësohesh kampion paqe e do mund të marrish edhe ndonjë çmim për të .
    Në tradhëtimin e interesave të popullit e kombit shqiptar dhe në dëm të tyre , nuk ka për të patur sukses asnjë njeri , asnjë politikë , e aq më pak e jotja .
    Kthehu me këmbë në tokë e tek populli e bashkëluftëtarët e tu sa nuk është vonë për ty e jo për ne .
    Hashim . Qeveri e Kosovës . Bashkë me këshilltarët që keni , merrni edhe prej Shqipërisë , se janë ma të vjetër , ma steka e ma me shkollë në diplomaci , mbasi e njohin prej mbi 100 e ca vjetësh të gjitha kurthet e Ballkanit dhe të kancelerive të Evropës .
    Merri Hashim e ti qeveri e Kosovës këshillëtarë për bisedime e politikat e jashtme të ç’farëdo natyre e niveli , Shaban Muratin , Dashnor Dervishin , Bashkim Zenelin e ndonjë tjetër , se s’ka për tu harxhu as Shqipnia e as Kosova , për 3-4 Ambasadorë .

    Spartak VERDHA

  3. Analize mjaft e sakte,e bere ne kushte gjakftohtesie dhe larg nacionalizmave te panevojshme.jam dakord qe figura te diskredituera te historise e politikes shqiptare si berisha,nishani etj nuk duhet te revokohen por ti lihen erresires nga ku dolen dhe nga ku u perpoqen ta fundosnin keto pupuj.

  4. Nandi says:

    😀👋👋👋👏👏

  5. DRENICA E KUQE says:

    Sa po shkruan ti, Ilir Yzeiri, po shihet se krejt udbashat dhe kosistat “shqiptare” i keni zene miq, edhe bijte e bijat e tyre! Mos e paqi ‘hallall’ buken shqiptare, po lehte u kane mashtruar “shqiptaret” e Kosoves…
    Turp!

    DRENICA E KUQE

  6. aleko says:

    Nje analize perfekte , tejet e kuptushme per cilindo , per te pare edhe njehere situaten tone ku jemi katandisur per shkak se ne krye te vendeve tone si ne kosov3e por edhe ne shqiperi vazhdon te behet nje politike amatoreske deri ne aventureske si ti teket te parit te vendit..Eshte kejo politike e papergjegjshme qe na con qe edhe sot pas 100 vitesh shtet shqipetare dhe me nje shtet tjeter te dhuruar ne ende nuk dime te bejme shtet, kemi institucione formale jo efektive, ende dy partite kryesore nuk kane caktuar piketat dhe vijat e kuqe duhen respektuar tash e ne te arthmen sic bejne fqinjet tane serb dhe grek kur eshte fjala per te mbrojtur interest e shtetit te tyre te ngritura edhe nga perfitimet qe moren nga genocide dhe grabitja e teritoreve te shqipetareve..te vetmen gje qe dime eshte si te akuzojme njeri tjetrin ne luften e ashper per te ardhur ne pushtet me cdo kusht , qe pastaj ekipi I radhes te marri benefitet qeky pushtet favorizon pa asnje vision apo plane sernjoze afatgjate per arthmerine e vendit..Eshte pikerisht kejo situate e dobet institucionele , politike ekonomike diplomatike e ushtarake qe con ne renjen e fuqise se dy shteteve shqipetare , qe con pastaj ne Aventura kryeministrash e presidentash si puna e hashimit me shoke qesic po e shohim vene ne diskutim dhe kufijt e shtetit te tij qe ne fakt jane kufijt e shqipetareve ne Ballkan..Akoma se kemi kuptuar qe I forti ben ligjin , dhe nese je I dobet mund te ulesh te fortit ne gjunje… kur eshte fjala ne perballje me shtete fqinje, nderkohe qe kur pweerballemi me njeri tjetrin jemi me te pamposhturit e botes…Ku do coje kejo rruge tashme dihet..Dhenja e teritoreve tone ,perkatesisht te Mitrovices serbeve dhe nje pjese te teritorit tone detar grekerve mesa duket eshte tregus I tkurrjes se metejshme te teritoreve shqipetare , I dobesimit , degradimit dhe shperberjes se vet shteteve tone dhe mbare kombit shqipetare.. kejo eshte e prtshme per sa kohe qe ne nuk dime ti dalim zot vetes dhe presim qe cdo gje te na e beujne te huajt edhe kur ata me dashje apo pa dashje mund te minojne themelet e shettit tone dhe mbare kombit..

  7. tarasi 2 says:

    shkrimi eshte shum i sakte e i goditur, me fakte dhe argumente, nuk jam dakort me titullin nuk ka asnje lidhje me shkrimin, dhe jam i sigurt qe drenica e kuqe e ka bere komentin me baze titullin ,pa e lexuar shkrimin ,se ate pershtypje te jep ,prandaj kujdes ne titujt miqesisht tarasi2

Lini një Përgjigje te Jimi Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *