Rrëfimi i Vatës: Panuçi ka probleme, skocezët janë të mërzitshëm

9 Shtator 2018, 11:00Sport TEMA

Ish-kapiteni i përfaqësueses shqiptare, Rudi Vata, është ndoshta figura e futbollit shqiptar që njeh më mirë nga të gjithë Skocinë.

Ai ka luajtur disa vite në radhët e Sëlltik Glasgou dhe jeton në Skoci, ndaj sigurisht që para përballjes së skocezëve me kuqezinjtë, ai është kthyer në personazhin kryesor të mediave atje.

Në fjalët e tij për “Herald Scotland”, Vata ka treguar se pret një ndeshje të luftuar, pasi sheh një skuadër skoceze “të mërzitshme”, pasi mungojnë yjet dhe futbolli i bukur.

“Unë jetoj në Skoci dhe ndjek shumë ndeshjet e kombëtares këtu, ndaj mund të them se ka qenë e mërzitshme. Ku është talenti sulmues? Njerëzit flasin për emra si Roberson e Tiernei, të cilët janë lojtarë shumë të mirë, por ata janë mbrojtës. Ku janë Graem Souns dhe Keni Daglish?

Sipas mendimit tim, skocezëve iu mungon ambicia të arrijnë këtë nivel tani. Njerëzit flasin për mungesë infrastrukture por këtu është e shkëlqyer, as nuk mund të krahasohet me vendet e tjera. E vërteta është që lojtarët skocezë nuk punojnë si më parë. Dikur Skocia kishte lojtarë sulmues me shumë teknikë dhe cilësi, lojtarë që bënin diferencën. Po tani? Nuk ka rëndësi kush je, Andorra apo San Marino apo kushdo tjetër, tani ke mundësi të marrësh rezultat ndaj Skocisë nëse je i organizuar mirë dhe mbron, pasi ata nuk kanë sulmues apo cilësi të mjaftueshme sulmuese që të çajnë në mbrojtje”, tha Vata.

Por edhe Shqipëria vjen me probleme në këtë sfidë, pasi Vata e sheh në periudhë tranzicioni ekipin e drejtuar nga Panuçi.

“Shqipëria ka bërë shumë progres dhe tani është një vend modern. As nuk mund ta ëndërronim se do të konkurronim në një kompeticion madhor, ndaj ishte një arritje e madhe. Fatkeqësisht, Shqipëria është në një situatë tranzicioni. Skuadra nga Euro 2016 nuk është më.

Pasi demokracia erdhi në vendin tonë në vitin 1992, disa njerëz përfituan nga liria e re të ndërtonin në toka të cilat më parë përdoreshin për futboll. Kjo do të thotë se tani ne kemi mungesë në infrastrukturë, jo si Skocia ku ke çdo gjë që të duhet.

Nuk është e njëjta gjë në Shqipëri dhe kjo do të thotë se lojtarët që janë tërhequr ose janë më të vjetër pas Euro 2016, nuk po zëvendësohen nga talenti i ri. Shumë nga ato lojtarë ishin nga Kosova, apo të lindur në Zvicër e Gjermani dhe tani nuk ka nivelin e duhur të të rinjve shqiptarë për t’i zëvendësuar”, tha Vata.

Duke u ndalur te trajneri, ai mendon se Panuçi përballet me shumë probleme në këtë cikël të ri që ka nisur. “De Biazi kishte gjetur një ekuilibër të mirë në skuadër. Si Skocia, nuk kishte yje, por kishte ndërtuar frymën e grupit dhe ata luftonin për njëri-tjetrin.

Tani Panuçi ka probleme. Ata kanë humbur dy ndeshjet ndaj Kosovës dhe Ukrainës dhe të jem i sinqertë, paraqitjet nuk ishin të mira. Atij i është dashur të eksperimentojë shumë me formacionin dhe skuadrës i mungon lideri. Ylli në 2016 ishte qendërmbrojtësi Lorik Cana,. Ai ishte kapiteni, por u tërhoq nga futbolli, ndaj dikush tjetër duhet të mbushë boshllëkun e lënë nga ai.

Ata mund të mos jenë skuadra e dy viteve më parë, por Shqipëria përsëri ka shanse ndaj Skocisë. Ata e shohin kush luan për Skocinë. Robertson është lojtar i madh por siç e thashë, është mbrojtës. Mendoj se të gjithë skuadrat në grup janë të njëllojta, po yje sulmues që bien në sy. Fitorja do t’i shkojë kujt do të jetë më i organizuar”, tha Vata.

2 komente në “Rrëfimi i Vatës: Panuçi ka probleme, skocezët janë të mërzitshëm”

  1. Kjo qe deklaron i mirenjohuri i Futbollit Shqiptare Rudi Vata ,
    eshte shume e vertete .
    Skocezet luajne Futbollin tipik qe luhet ne Ishull.
    Njelloj si ai Anglez .
    Gjithmon nen nji Tempo te Larte ,ne sulm duke kerkuar
    ta demoralizoojne kundershtarin dhe padyshim luajn fort edhe duke provokuar
    perplasje ,per t’ja marr zemren kundershtarit ,duke bere zotin ne fushe
    duke kerkuar ta nxjerrin pra jashte koncepti kundershtarin e hutooje ate .

    Panuci sigurishte qe e njef njelloj si ne ose me mire Futbollin Skocez ,
    i cili nuk eshte i pathyshem .
    Nji pregatitje mentale e forte ,pra psikologjike me ekipin ,lojtaret
    dhe fizike poashtu ,
    duke i mabjtur qysh ne minutat e para ne Prsing e luahtur fort kunder Skocezeve ,
    me qellim qe ,t’ja thyejn Vrullin dhe psikologjin Skocezeve duke mos i len
    kurr te organizohen dhe luajn te lire ,
    mundet te arrihet edhe Fitore .
    Asnji cudi .
    Ana psikologjike fitojne lojen.
    Nqs Panuci qendron ne mbrojtje do humb turpshem .

  2. undefined says:

    28 vjet transition pa fund dhe gjithkund. Sqiperia jone..Vdes per trazicion. Menyra me e lehte per te vjedhur dhe vrare. Urime

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje