Beteja e medias me titanët e internetit, një çështje jetë a vdekje

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nga Sammy Ketz, Ekathimerini 

Të dashur anëtarë të Parlamentit Europian,

Kam qenë së fundmi në Mosul, ish-kryeqendra e Shtetit Islamik në veri të Irakut. Misioni im si gazetar ishte të shkruaja një reportazh për kthimin e fëmijëve në shkolla, tre vjet pas mbylljes së tyre nga xhihadistët. Po mendoja si ta përshkruaja sa më mirë gëzimin e atyre fëmijëve që ktheheshin në bankat, ku iu ndalua të ulen për një kohë të gjatë, në atë qytet të shkatërruar.

Ulur në restorant së bashku me fotografin, gazetarin e videove dhe shoferin e AFP-së para se të niseshim për në Bagdad, por lexoja në laptop një artikull mbi debatin europian për të drejtat e fqinjësisë dhe planin për t’i zbatuar ato edhe te shtypi. Më tërhoqi vëmendjen, por nuk më habiti.

Pas pesë vitesh lëvizje nëpër Sirinë e shkatërruar nga lufta, ku në shumë raste ia hodha për pak vdekjes nga plumbat e snajperave apo predhat, sapo kisha mbërritur në Irak për herë të tretë që prej pushtimit amerikan të vitit 2003.

Në më shumë se 40 vjet raportim, kam parë sesi numri i gazetarëve në terren ka ardhur duke u zvogëluar në mënyrë progresive, ndërsa rreziqet rriten vazhdimisht. Ne jemi kthyer në shënjestra dhe misionet tona të raportimit po na kushtojnë gjithnjë e më shumë. Kanë ikur kohët kur mund të shkoja në zonat e luftës me xhaketë apo me një këmishë me mëngë të shkurtra, me kartën e identitetit në xhep, së bashku me një fotograf apo gazetar për videot. Tani na duhen xhaketa natiplumb, makina të binduara, ndonjëherë edhe truproja dhe sigurim jete. Kush i paguan këto? Mediat dhe kjo është një kosto e lartë.

Megjithatë, edhe pse ato paguajnë për raportimin dhe dërgojnë atje gazetarë që rrezikojnë jetën për të prodhuar lajm të plotë dhe të besueshëm, nuk janë mediat ato që vjelin fitimin, por platformat e internetit, të cilat në këtë aspekt e ndihmojnë veten pa paguar asnjë cent. Është jësoj sikur një i panjohur të vijë me paturpësinë më të madhe dhe të të rrëmbejë para syve frutet e punës tënde. Kjo është moralisht dhe demokratikisht e pajustifikueshme.

Shumë kolegë të mitë e kanë lënë raportimin sepse media ku punonin është mbyllur apo nuk ka mundur më t’i paguajë. Deri në ditën që ata kanë lënë penën dhe kamerat, të gjithë ne kemi ndarë së bashku frikën e fshehjes pas një muri që dridhej njësoj siç dridheshim nga një shpërthim bombe; gëzimin e papërshkrueshëm kur ia dolëm, kur ne mund t’i tregonim botës të vërtetën që kishim parë me sytë tanë; takimet e jashtëzakonshme me zotërit e luftës dhe njerëzit e tyre të armatosur që buzëqeshnin teksa mbanin në dorë armë si t’i kishin lodra; trishtimin kur u përballëm me civilë të bllokuar në zonat e luftës, gratë që mbronin fëmijët e tyre ndërsa plumbat gërvishtnin muret e vendit ku ishin strehuar.

Mediat kanë vuajtur për një kohë të gjatë para se të reagonin, duke luftuar më shumë me pasojat sesa me shkaqet. Për shkak të mungesës së parave, ato e kanë larguar stafin deri në pikën më absurde: gazeta që mezi arrijnë të kenë një staf me gazetarë. Tani mediat po kërkojnë që të drejtat e tyre të respektohen, në mënyrë që të mund të garantojnë raportimin e lajmeve. Ato po kërkojnë që të ardhurat nga shitjet të ndahen me ata që prodhojnë materialet, qofshin këto media apo artistë. Ky është kuptimi i “të drejtave të fqinjësisë”.

Nuk mundemi më të kapërdijmë gënjeshtrat e përhapura nga “Google” dhe “Facebook”, sipas të cilave direktiva për “të drejtat e fqinjësisë” kërcënon aksesin e lirë të njerëzve në internet. Jo! Aksesi i lirë në rrjet nuk do të cenohet sepse gjigantët e internetit, të cilët përdorin materialet gazetareske pa kosto, mund t’i rimbursojnë mediat pa pasur nevojë t’i kërkojnë konsumatorit të paguajë.

E vështirë? E pamundur? Aspak! Facebook nxori 16 miliardë dollarë fitime në vitin 2017 dhe Google nxori 12.7 miliardë. Ata thjesht duhet të paguajnë detyrimet e tyre. Në këtë mënyrë media do të mbijetojë dhe titanët e internetit do të kontribuojnë në diversitetin dhe lirinë e shtypit, që pretendojnë se e mbështesin.

Jam i bindur se anëtarët e Parlamentit Europian, të cilët mund të jenë mashtruar nga lobimi i gënjeshtërt, tani e kuptojnë se aksesi pa pagesë në internet nuk rrezikohet. Në lojë është liria e shtypit sepse kur gazetat të mbeten pa gazetarë, liria që mbështetet nga parlamentarët e çdo kahu politik, do të ketë pushuar së ekzistuari.

Me mijëra herë jam përballur me njerëz të bllokuar në zonat e luftës, të izoluar dhe pa mbrojtje, që kërkonin vetëm një gjë: “Tregojuani njerëzve këtë që patë. Vetëm në këtë mënyrë ne do të kemi mundësinë të shpëtojmë”. Mos vallë duhet t’u përgjigjem: Jo, mos shpresoni kot. Ne jemi gazetarët e fundit të mbetur. Shumë shpejt nuk do të jemi as ne, sepse po zhkudemi për mungesë fondesh”?.

Mos harroni se Facebook dhe Google nuk punësojnë gazetarë dhe as prodhojmë lajme. Por ata paguhen për reklamën që lidhet me produktin për të cilin punojnë gazetarët.

Çdo ditë, gazetarët investigojnë në aspekte të ndryshme të jetës, me qëllimin për të informuar qytetarët. Çdo vit, gazetarët më kurajozë dhe të talentuar vlerësohen me çmime. Ne nuk mund ta lejojmë që rënia e të ardhurave të mediave një ditë të kulmojë në mosshpërndarjen e çmimeve, për shkak se kandidatëve u mungojnë mjetet që u bëjnë të mundur raportimin nga terreni.

Është koha të veprojmë. Parlamenti Europian  duhet të votojë masivisht në mbrojtje të “të drejtave të fqinjësisë” për mbijetesën e demokracisë dhe një nga simbolet e saj më të ndritura: gazetarinë.

Në foto: Reporteri i AFP-së, Sammy Ketz, i shtrirë përtokë për t’u mbrojtur nga plumbat në qytetin e lashtë të Maalulas. Siri, 18 shtator 2013 

(TemA TV)

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *