I kemi njerëzit e mirë fare pranë: Portret i paautorizuar i doktor Arsen Seferi

10 Shtator 2018, 20:40Sociale TEMA

Arsen Seferi- mjeku i njohur edhe jashtë vendit, nuk ka ikur si shumë të tjerë, është në Tiranë. I kërkojmë larg vlerat, kur i kemi fare pranë, këtu në Shqipëri.

Nga Bashkim Hoxha

Për herë të parë emrin e mjekut Arsen Seferi e dëgjova nga një kolegia jonë, që kishte shkuar në një nga spitalet më të njohura të Italisë për një problem mjekësor që kishte. Kur mjeku i njohur në krye të spitalit e kishte pyetur se nga ishte dhe kolegia jonë kishte përmendur Shqipërinë, mjeku i kishte thënë:

“Kot je lodhur deri kaq larg. Ju keni Arsenin në Tiranë, në Shqipëri”.

Edhe kolegia ime për herë të parë e dëgjonte emrin e tij.

Nuk është hera e parë që ndodh që vlerat i kërkojmë larg, kur i kemi fare pranë. Zakonisht ne gjërat e afërta i nënvleftësojmë, i nënvleftësojmë nga fakti që i kemi para syve përditë, për faktin se ndajnë të njëjtën jetë të zakonshme si ne të gjithë dhe kur kemi hall vështrimin e hedhim larg; atje është besimi.

U bëra kureshtar për të njohur mjekun me emër deri në Itali dhe mësova se jetëshkrimi tij profesional ishte shumë i pasur: një itinerar që përfshinte universitete dhe institucione më të larta të mjekësisë evropiane.

Mësova se ishte diplomuar në Universitetin Mjekësor të Tiranës, që për hir të të vërtetës duhet të themi se nxjerr mjekë që bota po na i merr lehtësisht. Specializimin për kirurgji dhe neurokirurgji e ka bërë në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë, por diplomën për neurokirurg e ka marrë duke studiuar pesë vjet në universitetin “La sapienza”, në poliklinikën “Umberto i Parë” në Romë në Itali. Më pas vjen një specializim në mikoroneurokirurgji në Zyrih Zvicër, specializim për teknikat e reja vaskulare në Vienë, Austri, specializim për kirurgjinë e epilepsisë në “Niguarda Ca’ Grande Hospital” në Milano, Itali,

mbrojtja e doktoraturës në “La Sapienza”, Itali, specializim në Pisa, Itali për radiokirurgjinë dhe kthimi në Tiranë. Një itinerar specializimesh në qendrat më prestigjioze dhe pranimi në “Urdhrin e Mjekut” në Itali plotësojnë biografinë shkencore të mjekut modest, biografi, të cilën ne që e kemi pranë fatkeqësisht nuk e njohim mirë.

Kohët e fundit jemi mësuar me eksodin e mjekëve nga Tirana drejt vendeve të tjera. Është një hemorragji që ka dëmtuar rëndë mjekësinë tonë. Specialistë, fillestarë, të gjithë i kanë sytë nga jashtë shtetit ku ofertat nuk mungojnë.

Me Arsenin ka ndodhur ndryshe.

Nga qendrat prestigjioze evropiane udhëtimi i tij ka ndalur në Shqipëri.

Ndoshta edhe për këtë fakt duhej ta kisha mësuar më parë emrin e tij. Por lajmi i keq, problematik mbërrin më parë se sa këto itinerare profesionale që çojnë pranë njerëzve tanë, në Shqipëri.

Në bisedë me Arsenin u përpoqa të kuptoj se, përse nuk ka qëndruar atje ku ka pasur edhe oferta, por është kthyer në Shqipëri.

E ka një shpjegim edhe ky kthim: Njeriu qëndron aty ku ndjehet i realizuar profesionalisht dhe njerëzisht. Arseni e quan të paplotë karrierën e tij profesionale pa këtë shërbim ndaj njerëzve këtu në Shqipëri. Duke ndjekur nga afër punë e tij, vura re se Arseni i trajton njerëzisht pacientët e tij. Pacientët e duan Arsenin dhe unë u çudita se sa shumë e njihnin. Një ditë pune tij është një mundësi komunikimi me njerëz që vijnë nga afër dhe nga larg. Emri i tij ka mbërritur në çdo skaj të Shqipërisë.

Nuk është e lehtë të vesh një emër të tillë si Arseni.

Njerëzit që halli i çon në dyert e spitaleve kanë krijuar një tjetër tip të doktorit, edhe pse është e rëndë ta themi, në disa raste abuzivë. Në këtë peizazh të ngatërruar portreti i Arsenit shfaqet tek dera e sallës së operacionit i individualizuar, në kontrast të plotë më paragjykimet e krijuara, dhe të bën të besosh se ka edhe shumë mjekë të tjerë të tillë si ai, pranë njerëzve, duke i kushtuar vëmendjen e duhur për t’i shëruar dhe për t’i bërë të mundur të shijojnë jetën sërish pa dhimbje.

Në bisedë me Arsenin gjen, jo vetëm profesionistin e mirë, por edhe një intelektual të kompletuar. Ai ka këndvështrimet e tij mjaft interesante për realitetet shqiptare dhe të ndriçon disa aspekte që, të mundur nga problemet, ne të tjerët nuk i vëmë re. Angazhimi i tij në punët e përditshme është shprehja e plotë e asaj që ai ndjen dhe bën për shoqërinë.

Mjafton një bisedë me të dhe e kupton se tërë itinerari i gjatë shkencor në vise të Evropës e ka bërë të kuptojë më mirë njerëzit tanë, Shqipërinë dhe të gjejë vendin e tij në shoqëri. Ndërsa unë, duke biseduar me Arsenin kuptoj se sa e rëndësishme është të duash profesionin dhe vendin tënd si ai, sa vlerë ka angazhimi i përditshëm me përgjegjësi për të qenë pranë njerëzve tanë të mirë. Dhe ndjehem mirë kur gjej vlerat njerëzore kaq të pranishme në jetën e përditshme.(TemA)

17 komente në “I kemi njerëzit e mirë fare pranë: Portret i paautorizuar i doktor Arsen Seferi”

  1. Qytetare says:

    Eshte shume e vertete qe doktor Arseni eshte nje profesionist shume i mire, por dhe nje njeri i persosur dhe i perkushtuar ne profesionin e tij. Mua me ka operuar nje njeri te afert dhe nuk do ta harroj gjithe jeten ate fytyre te qeshur dhe miqesore qe perkujdesej per pacientet e tij me merakun e njeriut te familjes. Rralle mund te gjesh nje mjek te zotin dhe nje njeri flori bashkuar ne nje person te vetem. Faleminderit doktor Arseni!

  2. tironc nga laberia says:

    Shkrim i sakte, dhe i nevojshem! Duhen evidentuar vlerat kombetare. Njerezit vetem ankohen dhe shajne neper gazeta dhe televizione. Korrupsioni ne mjekesi prej vitesh ka qene plage e shoqerise. Por, kemi dhe njerez te mire, me integritet, profesionist, qe me punen e tyre jane vertet nje aset kombetar. E njoh Arsenin qe heret, qe ne gjimnaz tek Ismaili. Arseni, ashtu si dhe e shoqja e tij mjeke, apo vellai Andi jane individe qe shoqerise shqiptare i vlejne jashtezakonisht. Jane modele qe duhen kopjuar. Ata dhe mund te kishin ikur, si shume te tjere….por familja, sidomos prinderit ishin faktor i fuqishem. Dhe bene shume mire qe qendruan, megjithe sikletet e punes ne nje ambient te korruptuar! Ti njohim, ti nderojme, tu themi dhe te tjereve se ky eshte standarti qe ne si shoqeri aspirojme te kemi.

  3. Shen Kozmai says:

    Portert me te dobet nuk kam lexuar. Sikur te kishte qene stazhjer per gazetari. Paske rrjedhur Bashkim Hoxha.

  4. luzati says:

    Ralle gjen qe gazetare te pershkruajne me kaq vertetesi ,figuren e plote te nje neurokirurgu te talentuar dhe shume te afte si Dr Arben Seferi.Por nepotizmi ne neurokirurgjine tone dhe mediokriteti e kane lene ate ne hije …..

  5. Ben says:

    Jane te rralle njerzit si Arseni.

  6. Nik says:

    Epikrizèn qè i dhanè njeriut tim nè vlorè nga Dr Neurolog, Kosta Koçi pèrputhej plotèsisht 100% qind me pèrgjigjen e mjekève italian nè policlinico tè romès nè 1998 èn . Dr Arseni ishte pèr specializim nè kètè spital dhe brènda mundèsive qè kishte mè ndihmonte me kèshilla pèr tè mè larguar frikèn qè ndjeja pèr njeriun tim qè fati nuk e ndihmoj.
    Kishte qènè shokè shkolle nè tiranè me njè kushèririn tim qè luante futboll me partizanin , dhe aty lindèn biseda tè ndryshme nga kurioziteti pèr letèrsin ,historin etj
    Mè bèhet zemra mal pèr karakterin dhe forcèn e tij.I uroj gjith tè mirat.

  7. Tigri says:

    Po mire o gazetar i shkrete,kur qenka kaq i njohur ky mjeku,pse nuk ia paske degjuar as emrin?
    Nuk besoj se sot ketu paska ndonje njeri
    kaq idealist,qe akoma ve interesin personal nen ate te pergjithshem!
    Boll me spekulime propagandistike se sot jetojme ne nje sistem ku “Njeriu per njeriun eshte…UJK”!

  8. shqip says:

    Epo shko bej dhe nje shkrim per Arian Kashamin se ne Tirane e ke dhe ate. Edhe ai eshte diplomuar per mjeksi ne Rome dhe eshte specializuar gjinekolog ne kryeqytetin italian para se te kthehet te punoje ne Tirane.
    Nuk mund te sjelkesh nje rast te vetem ne gazete kur te tilke ke me dhjetera ne Tirane

  9. shqip says:

    Epo shko bej dhe nje shkrim per Arian Kashamin se ne Tirane e ke dhe ate. Edhe ai eshte diplomuar per mjeksi ne Rome dhe eshte specializuar gjinekolog ne kryeqytetin italian para se te kthehet te punoje ne Tirane.
    Nuk mund te sjelkesh nje rast te vetem ne gazete kur te tille ke me dhjetera ne Tirane.

  10. SAJMIRI says:

    1-Pergezimet e mia per temen e zgjedhur
    2- Ja nje dite e mire qe na fillon me buzeqeshje( fale shkrimit) dhe na e ben te perditshmen tone te lumtur
    3-Ketu do gjej njeçik ate difektin,semundjen e gazetarise ku ” lajmi i keq eshte lajm” ne tersine e mediave.E ke thene e shkruar vete se ishte e veshtire per ty( gazetarin) te gjeje “Arsenin”.
    Aspak e veshtire nuk eshte,eshte vetem pune rutine.Nqs juve gazetarve u behet rutine lajmi ” i mire”,do mesoheni te gjeni te mirat pa u lodhur shume
    4- Jeta vete,eshte ne doren e njerzve.Duam te jete e mire? Duhet te japim lajme te mira.Duam te jete e veshtire? Duhet te japim lajme te keqia.

  11. Afrim Dangellia. Psikiater. says:

    Nje personalitet me vlera i mjeksise Shqiptare.
    Suksese !

  12. Messerschmidt says:

    Me te gjitha ato specializime qe ka bere ky Doktor duhet te kete pasur (dhe ka akoma) me siguri LEVA shume te fuqishme.
    Pra eshte e natyrshme qe te kete pak me pervoje perendimore se kolegt e tjere shqiptare qe u duhet te plotesojne se sa libra e sa faqe kane lexuar!
    Lereni Doktorin njehere pas salle she e shifni se si do te behet pastaj ?

  13. Petrit says:

    Arsenin e njoh personalisht. Eshte njeri i vecante. Neurokirurgjia eshte me fat qe ka nje doktor dhe njeri te tille.

  14. Zagoriti says:

    shume ide e mire per te evidentuar intelektuale qe krahas vlerave ne profesion kane dhe vlera te larta njerezore.Nje mundesi do te ishte qe ne emisionin e mengjesit 1 dite ne jave te ishte rubrike falenderimi ku njerez te thjeshte te sillnin portrete te intelektualeve me vlera te larta njerezore. Vetem brenda 3-4 muaj do te kishim 30-40 figura te intelektualit te ndershem e te perkushtuar te cilet sot ne nuk i njohim.Zoti Bashkim silleni kete mundesi ne emisionin e mengjesit e jepni dhe Figura dinjitoze te intelektualeve e profesionisteve qe do te japin shprese se ky vend do te behet e do te shpetoje nga kjo klase politike e korruptuar.Kjo mund te behej kur cdo telefonusi ti behej nje pyetje se a ka nje eksperience pozitive ku vlereson nje intelektual me vlera te larta profesionale e njerezore.

  15. Vili Matura e pare 66 says:

    Sa here qe shoh dhe degjoj per sukseset e ish nxenesve te Ismail Qemalit , ndjej nje kenaqesi te brendeshme shpirterore sikur jam indirekt shoku dhe miku i tyre dhe dua ta shperndaj me ta kete arritje. Suksese ne rrugen tende humanitare mik..

  16. Fadil says:

    Te behet qejfi kur degjon raste te tilla se na mbyti korrupsioni ne mjekesi.Te ze tmerri kur ke nevoje te kurohesh se mjeket te rrjepin deri ne qindarken e fundit.

  17. e verteta says:

    Vertet qe ne Shqiperi ka njerez te mrekullueshem, specialiste te kompletuar te niveleve boterore qe vazhdojne te punojne ne ate vend me ndershmeri, korrektese dhe modesti. Puna eshte qe malokerise i jane zene syte dhe e mbyten qytetarin e vertete, dhe nuk i shohin syte pertej mendjeshkurtesise se tyre. Per ta modeli i mjekut eshte ai i tipit Petrit Bara ose si te tjeret qe e kane blere diplomen me para
    Sa per Dr. Arsenin , me plot gojen e them qe i ka shoket e rralle. Edhe e shoqja e tij , mjeke gjithashtu , jane shembull per kedo, e jo vetem ne
    fushen e mjekesise..Njerez si Dr. Arseni te bejne optimist se e mira nuk eshte mbytur dhe se Shqiperia ka te ardhme .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje