Utopia suedeze në krizë…

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

…apo si zgjedhjet e mbajtura të dielën plasaritën tablonë idilike të shoqërisë suedeze.

Nga Armend Bekaj

E diela që lamë pas ishte ditë zgjedhjesh në Suedi. Ditë e qetë, e prajshme, gjatë së cilës qytetarët suedezë ushtruan të drejtën e tyre për t’i dhënë votën kandidatëve të preferuar politikë për të qeverisur me vendin në mandatin e ardhshëm, dhe atë në nivel lokal, rajonal dhe të përgjithshëm. Votuan qetë, pa nervozë, ashtu siç dinë të veprojnë suedezët.
Mirëpo, edhe pse s’flitet përveçse në rrethe më ngushta, të gjithë e dinë se kjo është një qetësi e rrejshme, e mbrujtur me tensione e pasiguri për të ardhmen e vendit. Pas kësaj qetësie janë duke u ngritur erëra të pazakonta që kanë potentical të trazojnë skenën politike në Suedi, me pasoja të papara deri më tash. Kjo për arsye se këto zgjedhje përfundimisht ndikuan në prishjen e bilancit tradicional politik të krijuar që nga Lufta e Dytë Botërore e tutje, të përbërë nga socialdemokratët në njërën anë, dhe nga të moderuarit e liberalët në anën tjetër. Një parti tjetër, me ideologji ekstreme të djathtë dhe me rrënjë në nazizëm, ka hyrë si pykë në spektrin politik të Suedisë, duke grabitur vota nga të gjitha anët dhe duke dobësuar partitë mainstream. Rezultatet tregojnë se kjo parti – Suedezët Demokratë (SD) – doli e treta me afro 18 për qind të votave, rezultat fenomenal ky për një parti që për herë të parë arriti të hyjë në parlament në vitin 2000. Në këto zgjedhje, Partia Socialdemokrate mori gati 29 për qind të votave (një nga rezultatet më të dobëta të saj), e që bashkë me partitë simotra të aleancës së saj arrin në rreth 40 për qind. Të moderuarit morën 20 për qind, liberalët pak mbi 5 për qind, e bashkë me krahun e tyre të aleancës arritën po ashtu në rreth 40 për qind të votave totale. Pikëpyetja e madhe tashti është se kush dhe si do të formojë qeverinë, kur asnjëra nga blloqet nuk gëzon shumicë të mjaftueshme të votës qytetare.

Mjafton një shikim i shpejtë në indekset e raporteve ndërkombëtare për të parë se Suedia vazhdon të radhitet në top pesëshen apo dhjetëshen e vendeve me qeverisjen më të hapur dhe më demokratike në botë, me ekonomi të fortë dhe stabile, me nivel të lakmueshëm në arsim e shëndetësi, me mirëqenie progresive sociale. Domethënë, nuk është se Suedia po vuan nga ndonjë krizë e beftë ekonomike, apo nga niveli i lartë i papunësisë. Kjo e bën edhe më të habitshme ngritjen e SD-së. Vërtet, si është e mundur që në këto kushte një parti ekstreme si SD-ja të korrë një sukses të tillë në zgjedhje? Përkundër natyrës përgjithësisht të qetë e të rezervuar të suedezëve, kjo është një pyetje që i rëndon edhe vetë ata. Kush jemi ne, me të vërtetë, ku po shkojmë, dhe a jemi në rrugë të drejtë? – janë disa nga përsiatjet kolektive të qytetarit tipik suedez. Është koha për reflektim dhe, pse jo, edhe për vetëkritikë.

Demokracia «autoritare» socialdemokrate

Partia socialdemokrate – e pozicionuar në spektrin e qendrës së majtë – ka udhëhequr qeverinë dhe politikën suedeze për pjesën më të madhe të këtyre 70 viteve të fundit. Tregimi i socialdemokratëve është vetë tregimi i Suedisë pas Luftës së Dytë Botërore. I një vendi që është bekuar me një natyrë të mahnitshme, elita e të cilit arriti të krijojë një utopi reale dhe të prekshme për popullin e vet. Nën udhëheqjen e elitës së kësaj partie, Suedia që nga vitet ’50 e tutje ndërmori hapa radikalë dhe emancipues që katapultuan shoqërinë përpara drejt një zhvillimi rapid ekonomik, politik e social.

Ndoshta më shumë se zhvillim, ishte një transformim, si në ekonomi, arsim e shëndetësi, por edhe në ndryshimin e vetë mentalitetit të njeriut suedez. Nën udhëheqjen e guximshme të socialdemokratëve – si dhe, duhet theksuar, falë gatishmërisë së popullit suedez për të treguar respekt për autoritetin dhe për t’iu bindur urdhërit dhe ligjit – u zbatuan reforma të thella sociale që kishin për qëllim zhdukjen e hendekut në mes të të pasurve dhe të të varfërve, dhe krijimin e një shoqërie egalitare ku të gjithë kanë shansa pak a shumë të barabarta. U fuqizua gruaja dhe u përkrahën reforma për barazi gjinore, si në punë ashtu dhe në familje. Për të gjitha këto, shteti doli si garantues që ofron përkrahje për ata që kanë më shumë nevojë, qoftë ai një fëmijë, një grua, një i pastrehë, apo një e sëmurë. Dhe për këtë shteti krijoi një sistem taksash mjaft të larta, taksa të cilat suedezët i paguajnë pa hezitim në shkëmbim të këtyre shërbimeve që ofrohen nga shteti. Pra, nën udhëheqjen e socialdemokratëve, u vendosën bazamentet e një sistemi të qëndrueshëm të mirëqenies sociale, dhe u krijuan kushtet për sistem shëndetësor dhe arsimor të cilësisë së lartë, si dhe u përafruan klasat sociale.

Megjithatë, ekziston një paradoks në këtë storie të suksesshme të socialdemokratëve. Në një shtet kaq të hapur e demokratik si Suedia, është pak e çuditshme që skena politike të dominohet gati krejtësisht nga një parti e vetme për më shumë se gjysmë shekulli. Kjo mungesë ndryshimesh, ky monopolizim i skenës politike, a nuk është kjo më shumë praktikë e shteteve autoritare dhe moniste? Sigurisht se po. E kemi parë në sistemet komuniste. Mirëpo, Suedia nuk mund të krahasohet me shtete të tilla. Pa marrë parasysh dominimin e skenës politike nga një parti, Suedia moti është dëshmuar si demokraci e konsoliduar dhe me shoqëri të hapur. Por, e veçanta e rastit të socialdemokratëve suedezë qëndron në organizimin dhe shtrirjen horizontale të partisë si dhe në gatishmërinë legjendare të popullit suedez që të respektojë dhe t’i shkojë prapa udhëheqësisë në rrugën që kjo e fundit e trason për popullin e vet.

Në kulmin e suksesit të saj në vitet ’80 dhe në fillim të viteve ’90, partia socialdemokrate arriti në ketë më se 1 milionë anëtarë në gjirin e saj. Ky është një numër enorm anëtarësh në një vend me 8 milionë banorë, sa kishte Suedia atëherë. Si shpjegohet kjo anëtarësi kaq e madhe? Falë suksesit të politikave shoqërore të partisë, sigurisht. Por edhe falë një mekanizmi unik të anëtarësimit që ishte në fuqi atëherë: anëtarësimi në sindikata për punonjës të sektorit publik shpesh nënkuptonte edhe anëtarësim automatik në partinë socialdemokrate. Dhe këtu nuk kishte zgjidhje.

Ky është edhe paradoksi i demokracisë socialdemokrate suedeze. Anëtarësia në parti stimulohej nga disa metoda thuaja autoritare, pasi kjo nuk ishte zgjidhje individuale e personit. Kështu, deri në fillim të viteve ’90 socialdemokratët arritën të kenë një rrjet mbresëlënës në elektoratin e vet. Madje, mund të thuhet se ajo funksiononte si një shoqatë mirë e organizuar dhe e menaxhuar. Kishte dialog të brendshëm, hapësirë për shfaqjen e shqetësimeve dhe brengave të qytetarëve, të cilat pastaj artikuloheshin në politika konkrete të qeverisë. Ky sistem, si duket, funksionoi për shoqërinë suedeze.
Por në atë kohë, pikërisht për arsye të kundërshtimeve të një sistemi të tillë, anëtarësia automatike në partinë socialdemokrate u anulua. Që atëherë, anëtarësia në parti ka rënë në rreth 100 mijë veta. Dhe një nga pasojat e zvogëlimit të anëtarësisë është se partia ka filluar t’ia huqë matjes së saktë të pulsit të opinionit qytetar. Për pasojë, parti të tjera, sidomos të moderuarit dhe liberalët, u ngritën në popullaritet dhe në fakt udhëhoqën qeverinë për tri mandate në këto 20 vitet e fundit. Për më tepër, ka një kohë që socialdemokratët vazhdojnë të jenë partia më e madhe në vend, por me një përqindje jashtëzakonisht të vogël në krahasim me atë të dekadave të mëparshme, dhe të pasuar shumë afër nga partitë rivale. Sidomos është shqetësues fakti se në zgjedhjet e të dielës SD-ja arriti të dalë partia e tretë më e votuar në vend, me vetëm 2 për qind dallim me partinë e dytë. Si ndodhi kjo?

Populizëm, frikë, izolim

SD e ka gjenezën në një sekt nacist, imazhi i së cilës kinse është pastruar nga anëtarët e saj të rinj që e morën përsipër udhëheqësinë më se dhjetë vjet më parë. Platforma e saj, megjithatë, mbetet rrënjësisht përjashtuese dhe raciste. Për ta, të huajt – refugjatët dhe migrantët në përgjithësi – janë duke cenuar vetë identitetin e të qenit suedez. Sipas tyre, Suedia duhet t’i kthehet vetvetes dhe nuk duhet të pranojë të huaj. Siç ka thënë një nga udhëheqësit e saj, ata e dëshirojnë një Suedi siç ishte ajo e viteve ’50, por me telefona mobilë. Pra, dëshirojnë kthimin nostalgjik në një të shkuar idilike e pa brenga.

Është kjo një dëshirë për kthim mbrapa të një kohe tashmë të venitur, që shprehet zakonisht nga grupacionet e tilla esktreme të djathta. Një reagim frikë-mbjellës ndaj risive e sfidave që sjellin kohërat aktuale. Dhe cila është përgjigja? Ajo e njëjta sikur e të gjitha partive populiste e përjashtuese që shohim sot: tendenca që të tërhiqen në vetvete dhe të largojnë të huajën. Vitet e fundit e kemi parë të njëjtin fenomen përjashtimi dhe retorikë populliste, si në Amerikën e Trumpit, në Britaninë e Brexit-it, në Francë, Gjermani, Holandë, Hungari e Poloni. Ajo çka është ndoshta pak më specifike me rastin e SD-së është përpjekja e vazhdueshme e establishmentit politik që mos t’i pranojë si rivalë të vërtetë politikë. Ndoshta aq e madhe është tronditja se si ka mundësi që SD të kenë kësi lloj suksesi, saqë refuzojnë të bashkëqeverisin me ta. Kështu janë deklarimet deri më tani, së paku.

Sidoqoftë, ajo çfarë treguan këto zgjedhje është se Suedia nuk mund të injorojë sentimetin esktrem politik në rritje. Duhet të adresohen shkaqet bazë të rritjes së saj. Një nga to është pabarazia në rritje në mes të komuniteteve dhe regjioneve të ndryshme. Hendeku ekonomik në mes të pasurve dhe të varfërve (term relativ ky për Suedi në krahasim me vendet vërtet të varfëra) është në rritje. Ai vizioni iluminues socialdemokrat për një shoqëri egalitare po përjeton tronditje. Utopia e një vendi që ofron shansa të barabarta për të gjithë është në krizë. Dhe kjo i brengosë suedezët. Brenga e tyre është legjitime.

Pastaj është migrimi dhe sfidat e integrimit në shoqërinë suedeze. Që nga fillimi i valës së fundit të migrimit në Europë më 2015 e deri më sot, Suedia mbetet vendi që ka pranuar numrin më të madh të refugjatëve për kokë banori në Europë. Edhe më shumë se Gjermania. Këta refugjatë të fundit kanë ardhur kryesisht nga Siria, por edhe Somalia, Afganistani, Iraku e vende të ndryshme nga Afrika. Para tyre vendi ishte treguar mikpritës edhe ndaj shqiptarëve e boshnjakëve gjatë viteve ’90. Mirëpo, me këtë valë të fundit të migrimit, sistemi është duke treguar lodhje. Integrimi i tyre nuk është i kënaqshëm. Krimi në mesin e komuniteteve të huaja është në rritje, me incidente jo të rralla të gjuajtjeve me armë, djegie të veturave, apo shitblerjes së drogës. Në shumë lagje të qyteteve si Malmo apo Goteburgu, papunësia në mesin e migrantëve është rreth tri herë më e lartë se ajo e qytetarëve suedezë. Për më tepër, falë politikave për ofrimin e apartameteve të lira për jetesë, qeveria ka kontribuar (me dashje apo pa dashje, mbetet për t’u debatuar) në krijimin e de facto zonave geto, të izoluara nga vendbanimet me shumicë suedeze, zona në të cilat jetojnë kryesisht të huajt e paintegruar.

Dhe, përveç kësaj, është edhe çështja e ndjeshme e identitetit. A është e mundur që në Suedinë e Björnit, të Kristinës, Eliasit apo Julias, të kemi qytetarë që po ashtu e quajnë veten suedezë, por që janë të një ngjyre tjetër, të një feje tjetër (kryesisht myslimane), që (në rastin e grave) janë të mbuluara, dhe që quhen Abdulkarim, Sayeed, Qadira apo Rashida? Suedezët janë shumë të kujdesshëm që të jenë politikisht korrekt dhe të mos hyjnë në debate të tilla. Dhe natyrisht, në Europën e sotme identiteti qytetar qëndron, të paktën në teori, përmbi identifikimet e ngushta etnike apo nacionale. Kështu, suedez tash mund të jenë dhe të ndihen të tillë edhe ata që nuk kanë emra e prejardhje tipike suedeze. Mirëpo problemi është që parti si SD-ja, duke u thirrur në pasiguritë e qytetarëve për ardhmëri dhe ekonomi, sfidojnë këto pikëpamje dhe bëjnë thirrje për kthim mbrapa dhe izolim. Madje, si parti tipike europiane të ekstremit të djathtë, kërkojnë edhe tërheqje nga BE-ja.

Kah tash, Suedi?

Zgjedhjet e së dielës shpërfaqën një skenë të copëtuar dhe të polarizuar politike në Suedi. Partia socialdemokrate, edhepse doli e para, është e dobët dhe e paaftë të krijojë qeveri. Madje edhe në aleancë me partitë e afërta të aleancës së saj, nuk do t’i ketë numrat për të formuar koalicion qeveritar. E njëjta vlen për bllokun tjetër të të moderuarve dhe liberalëve. Dhe në mes tyre qëndron, si pykë irrituese, SD-ja me politikat e saj raciste dhe përjashtuese.

«Nëse SD vjen në pushtet, kanë premtuar se shumë institucione publike siç është radioja publike suedeze ta zëvendësojnë me një tjetër sepse e shohin atë si kundërshtare politike. Do të forcojnë ligjin për të huajt që e shkelin ligjin, do të ndalojnë manifestimet fetare apo kulturore të grupeve të ndryshme etnike, e shumë ndryshime tjera që do të polarizonin shoqërinë ndoshta më konsensuale në botë», thotë kosovari Fehmi. H., një qytetar i natyralizuar suedez, një nga ata shembujt e shumtë të qytetarëve që nuk hyn në kallëpin rigjid e përjashtues të përkufizimeve ekstreme të djathta të SD-së.

Por ka gjasa që në fund, Suedia të fitojë një qeveri koalicioni të dobët, ndoshta më të dobëtën që ka pasur për një kohë të gjatë, ndërsa partia ekstreme e djathtë mbetet në opozitë që të vazhdojë me propagandë dhe nxitjen e frikës. Të dy blloqet kanë premtuar se nuk do të hyjnë në koalicion me ta. Mbetet të shihet se a do t’i përmbahen zotimeve. Në orët e vona të së dielës, teksa po konkretizoheshin rezultatet, Kryeministri aktual Stefan Löfven shkroi në mediat sociale: «Suedezët demokratë kurrë nuk do të mund t’i ofrojnë diçka shoqërisë që ta ndihmojnë atë. Ata vetëm se do të rrisin ndasitë dhe urrejtjen». Në fund, ai deklaroi se të gjitha partitë kanë «përgjegjësi morale» që të formojnë qeveri. Ky është një mesazh i qartë se politika suedeze mbase do të eksperimentojë me skenarë të paprovuar, që do të shihnin parti nga dy blloqet rivale të vijnë së bashku për të formuar qeveri. Ky ndoshta do të jetë çmimi që do të paguajë spektri politik si tërësi, vetëm e vetëm që SD të mbetet në opozitë. Përndryshe, këta të fundit janë në pozicionin e kingmaker-it.

Sido që të jetë, sfidat e koalicionit të ardhshëm do të jenë të shumta. Përveç politikës së përditshme, ndoshta sfida më e madhe do të jetë adresimi i sentimenteve esktreme të djathta në rritje në vend. Si të luftohen pikëpamjet përjashtuese dhe raciste, por edhe të kthehet besimi i elektoratit të tëhuajësuar? – kjo është çështja.

Sfida për Suedinë si tërësi është se a do të mund ta ruajë epitetin e të qenit «superfuqi humanitare» në botë. A po plasaritet pakthyeshëm tabloja utopike e një shoqërie suedeze që tradicionalisht ka qenë e karakterizuar si e hapur, transparente, egalitare, përfshirëse? Këto janë disa pyetje dhe dilema që do t’i ketë parasysh establishmenti politik, gjersa planifikon të ardhmen e vendit./dp/

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

3 komente në “Utopia suedeze në krizë…”

  1. katarakti says:

    Politikat ultraliberale te ndjekura nga Bashkimi Europian gjate ketyre 30 vjeteve te fundit kane sjelle edhe rritjen e formacioneve nacionaliste te ekstremit te djathte ne Europe. Dy shkaqet kryesore te gjendjes se sotme jane politikat e çvendosjes te teknologjive dhe uzinave europiane drejt Kines dhe hapja e portave imigrimit masiv te te huajve nga vendet arabe dhe afrikane ne kontinent. Dhe vendasit me te drejte jane te shqetesuar. Kur shohin ne rruget e tyre femra te mbuluara nga koka te kembet me çarçaf te zi, saqe vetem syte u duken. Kur verejne mosrespektimin e traditave te tyre nga te ardhurit e rinj myslimane. Rritjen e kriminalitetit nga te ardhurit e paftuar etj etj. Europianet e vertete jane kunder multikulturalizmit. Ata deshirojne te mbrojne identitetin e tyre racor, kulturor dhe fetar. Atehere perse dhe kush e organizoi kete invazion te Europes?! Pergjigja eshte e thjeshte. Ata qe organizuan edhe globalizmin. Pra transferimin e teknologjive dhe prodhimit nga kontinenti europian drejt Kines. me qellim qe te shumefishonin fitimet e tyre.Pjesa me e madhe e vendeve europiane jane sot ne borxhe te thella ndaj FMN-se, Bankes Boterore, bankave nderkombetare si Goldman Sachs etj etj. Nje dite keto borxhe do te duhen te paguhen. Me sakrifica te paimagjinueshme. Siç po ngjan ne Greqi. Te gjitha keto gjera nuk thuhen. Jane kastat sunduese kozmopolite dhe globaliste qe jane shkaktaret e vetem dhe kryesore te rritjes se partive nacionaliste te ekstremit te djathte ne kontinentin tone.

  2. ''....askush nuk urrehet me shume se ai qe thote perhere te verteten''[PLATO] says:

    nje tjeter vend evropian merr masa[edhe pse von] per ”zaptuesin sunit”,ne menyre qe te ndaloi qelbien e metejshme te identitetit apo vendit te tij nga shurra arabe…………….
    ndoshta nje kalim neper Albanistan e politikaneve suedeze,zvicerane,austriake,gjermane e me gjere duke pare de facto prezencen e suniteve do te kuptojne mire se cdo te thote te jetosh ne ”armony” me kete rrace barbaresh……..

  3. dani says:

    BRAVO katarakti,faleminderit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *