21 familje gjirokastrite ndezin qirinj per qeverine

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

 

Kristo MËRTIRI

Kur po rrëshqiste dimri i kaluar, gjatë muajit shkurt, në Gjirokastër pati rrëshqitje masive të dherave. Te ai pallati 8 katësh për pak u bë hataja, atje në lagjen “Kodra e Shtufit”. Befas, pallati po mbulohej nga llumi e balta. Vetëm mediat elektronike e të shkruara nuk heshtën. Një ankth e panik i vecante pushtoi mbarë qytetin e përtej tij. Prononcime e premtime zyrtarësh lokalë, por edhe një kakofoni burokratike nga qendra. Ikën mbi 7 muaj “urtë e butë”, miku ynë, por asnjë nga 21 familjet nuk mori arratinë e hidhur të kurbetit ! Shpresuan te pushteti i “Rilindjes” se do u ndodhej pranë në ato ditë e netë të nxira e jo pak të vështira.

Dhe hamëndjet njerëzore mbetën si ëndrra në diell e në shi. U shkurtuan bashkë me shkurtin që për pak mund të shkurtonte urët e jetës te 21 familjet e pafajshme e fatkeqe. Dhe marsi i plakave të marsit, me siguri e sipas mencurisë popullore, do të ngrinte lëkurët ! Rreziku kërcënon ditë e natë, bashkëjetojnë me carjen e baltën. “Përvec marrjes së mostrave të tokës në shtratin e rrëshqitjes, asnjë masë ndërhyrjeje stabilizuese nuk është ndërmarrë…Dhjetra kërkesa të banorëve nuk kanë marrë asnjë përgjigje (!).

Frika nga stina e rreshjeve që po troket, është reale dhe panikndjellëse. Jo më kot banorët po shtojnë ndezjen e qirinjve në kisha, xhamira e teqera. U ranë kambanave dhe shumuan megafonët nëpër minaret. Disa ndezën qirinj edhe për Timonierin e vetëm të Tepsisë rilindiste në Tiranë (Hallall i qoftë që shpërndau në kohë rekord cerifikatat e legalizimit për kishat e xhamitë ! Madje shkoi gjer në Kukës e Gjirokastër). Por lutjet e tyre nuk kanë shkuar ende te “ramskarenjtë” e velur nga pushteti rilindist dhe as në veshët e Perëndisë. E megjithatë, ca luten ende nën flakët e qiririt. Ikën mbi 7 muaj kështu. Vetëm dy familje shkuan të jetojnë me qera. Dhe presin me sytë nga qielli dhe balta që nuk është më “më e ëmbël se mjalta”!…Dhe falen e bëjnë kryq te Xhamia e Teqesë; Kisha e Shën Mëhillit; Teqeja e Zallit; Kisha e Shpërfytyrimit; xhamia mbi 4 shekullore e Pazarit e përtej qytetit. Dikush paska kaluar edhe te Manastiri i Cepos; ura e Zonjës në Labovë; te rrënojat e urës së Shën Kollajve në Lazarat apo te manastiret e Shën Mërisë e të Ungjëllizimit në Goranxi e Vanistër. Por gjer më sot u ka shkuar mundimi për dhjamë qeni…

. Institucionet e Shtetit të së Drejtës, për Gjirokastrën jënë ende te ura ! Jo tek Ura e Zerzebilit ku dikur vranë Hanushen(“bilën e Bakirit”) vetëm sepse “hoqi percen e sirit”. As te bishti i asaj urës mbi Virua apo në Kardhiq e Subash ku mund të presin të bëhet manari dash ! Frika për të nesërmen nuk është hipotetike…”

-Po pritet celja e fondit dhe transferimi i zbatimit të ndërhyrjes nën përgjegjësinë e Bashkisë,-shpreheshin në Prefekturën e Qarkut.

C’ndodhi vallë të premten e parë të këtij shtatori ?

Së pari, rrëfejnë se 21 familjet e braktisura nga shteti e pushteti rilindist, pritën me krahë e gojë hapur deklarenë e Kryetarit mandatdhuruar, deklare që ta bën mishin kokrra-kokrra dhe të lë pak caste pa fjalë e pa halë. U publikua si fishekzjarr jodosido slogani tronditës me shkronja kapitale:” E GJITHË VËMENDJA TEK JU”..Mirëpo po ngrihen në gatishmëri Nr.1 daullet elektorale të zgjedhjeve lokale. Së dyti, u evidentua si ngjarje e shënuar e tepër kulmore përmes furtunës fasadiste një dukuri gëzimndjellëse: Paska “spikatur kryetari i Bashkisë së Tiranës, i cili është filmuar “rastësisht” teksa ka mbërritur me bicikletë” në Ansamblenë e PS-së ! Së treti, tregojnë se sportelet e Postës Shqiptare në qytetin e gurtë, nuk kishin parë ndonjëherë aq shumë njerëz si ajo mbrëmje e xhuma. Ish kryetari i hershëm i Bashkisë gjirokastrite ishte zgjedhur nënkryetar i Ansamblesë Kombëtare ose zëvendës i Taulant Ballës. Nuk e dimë ende numrin e saktë të telegrameve uruese e adhuruese… Së fundi, lustraxhinjtë e vjetër e të rinj thirrën në sofrën e shtruar të memories 8 radhë jo të zakonshme, shkruar me dorën e Timonierit fiks 7 vjetë më parë : “në Gjirokastër, ku qyteti i measnjëtëpërngjasurin ndër qytetet e trashëgimisë kulturore botërore, i cili i fali Ismail Kadaresë parafytyrimet fantastike për të nxjerrë zënë e gurëve kudo nëpër botë, rënkon në agoninë e zgjatur të ngrënies së vetvetes gur pas guri, rrethuar me pallate të veshura me suva që u ngjajnë trashëgimtarëve të pangopur mbledhur kërrusur mbi shtratin ku po del ymri tekanjoz e koprrac i stërgjyshit pasanik”. Vecse të premten, Kryetari disi i ftilluar qëroi grykën e ngriti zërin e bicimnjëshit në ERTV : Njerëzit nuk janë qorra, nuk janë as shurdh ! Duhen fituar zemrat e njerëzve…Dhe harron se gjirokastritët nuk bëhen kollaj urë e vig që të kalojë i mirë e i lig. Sigurimi minimal i jetës në pallate nuk realizohet thjesht me fasada e urata, por me shata e lopata dhe aq më pak me pordhale e pedonale. Përndryshe rrëshqitja e dherave do e përshpejtojë vithisjen rilindiste. Dhe s’do i bëjnë dot derman as qirinjtë e ndezur në xhami, kisha e teqera. Dhe as kurbanët e defterët e udhëtarit të famshëm Evlia Celebi…

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

3 komente në “21 familje gjirokastrite ndezin qirinj per qeverine”

  1. Lutua says:

    Konsiderate per gazetarin Kristo Mertiri.

  2. Vitore says:

    Tani drejt zgjedhjeve lokale qeveria po rrit dashurine per njerzit me fjale e fjalime larg te vertetave. Qeverisje hajdutesh e genjeshtaresh. Numuri i te varferve shtohet bashke me ata qe ikin jashte vendit ku te munden. Manipulimi i njerzve me propaganden qeverisese veshtire te kete sukses, sic ndodh dhe me gjirokastritet e ketij shkrimi realist.

  3. Jak Boston says:

    Ju gjinokastrite mos harroni te dilni ne rresht dhe te votoni Ripjellen prape ne votimet e rradhes.
    Mire te tjeret u mashtruan nga Rama po edhe ju qe na mbaheni per te zgjuar?!
    Mire te ju behet.

Lini një Përgjigje te Jak Boston Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *